Pas performancës negative të nëntorit, Financat “shpëtojnë” falë akcizës

0
132

Ervin Kaduku

–   Financat bëjnë kthesë në dhjetor, duke mbledhur 25% të ardhura më shumë se në të njëjtin muaj të një viti më parë, por rritja erdhi nga importet e larta në dhjetor në pritje të akcizave të reja

–   Të ardhurat nga TVSH-ja ishin rreth 99.3 miliardë lekë në fund të vitit, duke u tkurrur me 3.1% apo 3.6 miliardë lekë më pak

–   Ndryshon hartimi i buxhetit, tashmë vetëm 3-vjeçar dhe jo më 12-mujor

 

118Financat kanë arritur që të përmirësojnë ndjeshëm ritmin e të ardhurave për gjithë vitin 2013, falë ecurisë mjaft pozitive në dhjetor, pas një performance negative që u shënua në nëntor.

Për 12-mujorin, të ardhurat totale në buxhet u tkurrën 0.5% me bazë vjetore (1.75 miliardë lekë më pak se se janar-dhjetor 2012), nga 3.1% (minus rreth 9.3 miliardë lekë) që ishte rënia për periudhën janar-nëntor, duke arritur në 328 miliardë lekë.

Shifrat bëhen të ditura në tabelat fiskale të periudhës janar-dhjetor, të publikuara nga Ministria e Financave.

Për 12-mujorin, të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 230 miliardë lekë, me një rënie prej 0.9% apo 2 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pas rishikimit të buxhetit, i cili kishte vendosur një planifikim më konservativ, të ardhurat për 12-mujorin rezultojë rreth 6.4 miliardë lekë më shumë se plani.

Sipas të dhënave nga Financat, të ardhurat nga TVSH ishin rreth 99.3 miliardë lekë në fund të vitit, duke u tkurrur me 3.1% apo 3.6 miliardë lekë më pak në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Por mund të thuhet se shpëtimtari i vërtetë për dikasterin e zotit Cani ka qenë fakti që u konstatua përmirësim i ndjeshëm në mbledhjen e akcizës, e cila arriti në rreth 38.6 miliardë lekë për periudhën janar-dhjetor, me një rritje prej 6.1% me bazë vjetore, në një kohë që për 10-mujorin, të ardhurat nga akciza kishin qenë me rënie me bazë vjetore. Vetëm në dhjetor, të hyrat nga akciza u rritën me 2.2 miliardë lekë, apo 66%. Më shumë se një meritë e përmirësimit të administrim, ky lulëzim lidhet me shtimin e ndjeshëm të importeve të naftës dhe cigareve, në pritje të rritjes së taksave përkatëse, që hynë në fuqi nga 1 janari 2014. Sipas të dhënave të publikuara nga doganat, importet e karburanteve në sasi, në dhjetor 2013 ishin 50% më të larta se mesatarja mujore 2012. Edhe për cigaret, në dhjetor 2013, importet në sasi ishin 87% më të larta se mesatarja mujore e 2012-s.

Një rritje e tillë zakonisht ndodh para hyrjes në fuqi të akciza/taksave më të larta për mallra të caktuara, siç është rasti i karburanteve, cigareve, alkoolit kafesë etj. Kjo, sepse importuesit depozitojnë të tilla mallrave para rritjes së akcizave/taksave të tyre.

 

Ndërkohë, tatim fitimi zbriti me 1.7 miliardë lekë, apo 10.3%, në 15.1 miliardë lekë më pak se plani. Edhe në dhjetor, ky zë vijoi me tkurrje, duke reflektuar situatën e vështirë të bizneseve.

Me ecuri pozitive ishin të ardhurat personale, që u rritën me 5.6% (1.6 mld lekë) në 29.6 miliardë lekë, me dhjetorin që shënoi zgjerim prej 19%.

Të ardhurat nga fondet speciale (sigurimet shoqërore e shëndetësore) u zgjeruan me 4.6% për 12-mujorin, apo 2.6 miliardë lekë më shumë.

Mbetet të shihet sesi do të jenë shifrat zyrtare të të ardhurave tatimore për janarin, pasi efekti i përkohshëm i dhjetorit të jetë venitur.

 

Ndryshon përgatitja e buxhetit

Të gjitha institucionet shtetërore do t’i hartojnë këtej e tutje projektet e tyre financiare në bazuara në parashikime për tre vitet e ardhshme. Kështu, hartimi i buxhetit të shtetit do të bëhet për një periudhë trevjeçare dhe jo më për një vit, siç është kryer deri tani.

Ndryshimet që pritet t’i bëhen ligjit organik të buxhetit të shtetit do të fokusohen kryesisht në koordinimin e fondeve me angazhimet e projekteve të ndryshme. Ndërkohë që qeveria në programin e miratuar të kuadrit makroekonomik e fiskal, për periudhën 2015 – 2017, ka parashikuar edhe fondet për investime në këto vite të cilat vijnë në rritje.

Kështu ndërsa për vitin 2014 është dhënë një fond prej 67.2 miliardë lekë për shpenzime kapitale, që në fillim të vitit është theksuar se nuk do të ketë projekte të reja, por financim i projekteve të nisura. Ndërsa për vitin 2015 janë parashikuar 76.8 miliardë lekë, për vitin 2016 janë parashikuar 80.8 miliardë lekë dhe për vitin 2017 janë parashikuar 87.2 miliardë lekë.

Tashmë Ministria e Financave nëpërmjet strategjisë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, si dhe për parandalimin e krijimit të borxheve të reja do të bëjë të mundur që të projektet e reja të mos programohen nëse nuk kanë fondet për përfundimin e tyre. Në këtë strategji janë përfshirë dhe ndryshimet në Ligjin për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor, Ligjin për Menaxhimin dhe Kontrollin Financiar, Ligjin e Prokurimeve dhe rregulloret e tyre përkatëse për të realizuar kontrollin e kërkuar dhe kërkesat e raportimit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency