Urbanët/ Paralizohet Tirana, greva bllokon mijëra qytetarë

0

Përveç grevës, qytetarët janë përballur dhe me reshjet e shumta të shiut, të cilët i kanë detyruar të merrnin taksi për të shkuar në destinacionet e tyre

Loading...

 

 

Qarkullimi-publik-ne-TiraneGreva 24-orëshe e urbanëve në kryeqytet ka sjellë bllokimin e mijëra qytetarëve. Që në orët e para të mëngjesit askush nuk mund të shkonte në orar në vendin e punës. Përveç grevës, qytetarët janë përballur dhe me reshjet e shumta të shiut, të cilët i kanë detyruar të merrnin taksi për të shkuar në destinacionet e tyre. E gjithë kjo situatë ishte paralajmëruar nga shoqëritë e transportit, të cilat kanë kërkuar rritjen e çmimit të biletës nga 30 në 70 lekë. Marrëveshja me Ministrinë e Transporteve është arritur, por qeveria, siç duket, i trembet një tjetër rritjeje të çmimit, pas rritjes së disa taksave dhe rritjes së çmimit të karburantit. Vetë Ministria e Transporteve është shprehur pak ditë më parë se të drejtën për të vendosur çmimin e biletës për urbanët do t’ua kalojë bashkive, “një metodë kjo për të shmangur përgjegjësitë që i takojnë qeverisë”, – ka theksuar Bashkia e Tiranës. Pavarësisht se shumë qytetarë kanë ngelur rrugëve, qeveria nuk dhënë asnjë shpjegim për situatën e ditës së djeshme dhe ende nuk është propozuar një zgjidhje afatgjatë. Përveç taksive, të cilat kane leje për të transportuar qytetarët, ditën e djeshme shumë individë kanë përdorur makinat e tyre personale për të transportuar ata që ngelnin rrugëve. Tarifa për person ishte 1500 lekë të vjetra.

 

Problemi

Ditën e djeshme nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, është shprehur se qeveria nuk ka dhënë asnjë shpjegim lidhur me situatën e urbanëve. “Deri më tani nuk kemi asnjë reagim zyrtar nga institucionet përkatëse për problematikën e transportit urban. Qeveria ka zgjedhur të mbyllë veshët dhe të mos dëgjojë problematikën e bërë prezente tashmë prej muajsh”, – përmendi Bozdo. Më herët, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i ka dërguar një letër Ministrisë së Transporteve ku i propozonte një sërë masash për zgjidhen e transportit urban, duke filluar që nga subvencionimi i TVSH-së. Letra e Kryebashkiakut nuk ka marrë ende asnjë përgjigje nga Ministria e Transporteve. Vetë shoqëritë e transportit janë shprehur se nuk i mbulojnë dot shpenzimet. “Rreth 80 për qind e parave janë marrë nga bankat, sepse nuk kemi pasur mundësi që të realizonim vetë investimin që kemi bërë. Situata e krijuar na e ka vështirësuar punën. Edhe shteti nuk na ka subvencionuar nga 2003-shi deri më sot. Në këtë situatë, ku vit pas viti rriten taksat, rritet çmimi i karburantit, detyrimet tona bankare rriten, të gjitha këto na kanë detyruar që këto dy vitet e fundit ne të dalim me humbje”, – tha Ferdidand Ibrahimi, president i Shoqërisë së Transportit.

 

 

Shën Valentini

Mbillni trëndafilin tuaj në kopshtin e dashurisë

Bashkia e Tiranës u ka krijuar një mundësi të veçantë të gjithë atyre që dëshironin të bënin një dhuratë në ditën e Shën Valentinit. Para Galerisë Kombëtare të Arteve ka krijuar një kopsht me trëndafila, i quajtur “Kopshti i dashurisë”. Çifte të shumta kanë pasur mundësinë të mbjellin trëndafilin e tyre të dashurisë, në këtë kopsht. Një ndër këto çifte ka qenë edhe aktori i mirënjohur Llazar Filipi dhe bashkëshortja e tij, Valentina. Kopshti i dashurisë, sipas nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi, do të jetë vendi ku qytetarët jo vetëm për Shën Valentin, por gjatë gjithë vitit mund të mbjellin trëndafilin e tyre të dashurisë. “Në simbolikë të kësaj dite, kemi mbjellë këtë kopsht që ne duam ta quajmë “Kopshti i dashurisë”. Trëndafilat janë një dhuratë nga “Mega-Fiore”, në bashkëpunim me ndërmarrjen nr. 1 të Bashkisë së Tiranës. Janë trëndafila që do të qëndrojnë të çelur gjatë gjithë vitit, në simbol të dashurisë. Unë ju uroj një festë të mbarë e të gëzuar dhe kopshti i dashurisë do të jetë këtu, për të gjithë ju që dëshironi të mbillni në çdo kohë trëndafilin tuaj të dashurisë!”, – u shpreh Xhindi. Aktori i mirënjohur shqiptar Llazar Filipi lëshoi një mesazh për të gjithë të rinjtë: “Njeriu mund të mos ketë ndoshta as para shumë apo në gjendje të mesme, por dashuria më e madhe e të rinjve ka qenë e mbetet dashuria për njëri-tjetrin. Është kjo pasuri shpirtërore që na ka mbajtur gjithmonë gjallë ndër vite, ne shqiptarëve dhe u uroj të rinjve që të martohen me dashuri e nëse kanë edhe vështirësi ekonomike ta kompensojnë me atë pasuri shpirtërore të dashurisë për njeri-tjetrin e kështu do ia dalin mbarë”.

 

Loading...