Reforma territoriale/ BE, Sequi: Do të gjendet marrëveshja mes palëve, dialogu konstruktiv përcaktues

0
124

Gëzim Saliu

 

Marrja e statusit të vendit kandidat, Gjosha: Po merremi me 5 prioritete, datat ia lëmë BE-së

 

sequiAmbasadori i BE-së në vend, Ettore Sequi, shpreh besimin se palët politike do të gjejnë një marrëveshje për çështjen e reformës territoriale. Në ceremoninë e organizuar në Shkodër për kontratat e reja të Programit Ndërkufitar Shqipëri – Mali i Zi, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha, ambasadori Sequi theksoi rëndësinë e ndarjes së re administrative, e cila u përmend edhe në raportin e progresit të Shqipërisë. “Në raportin e progresit është përmendur reforma territoriale dhe besoj se ju e keni lexuar raportin e progresit. Së dyti, jam informuar që ka diskutime që po ndodhin, dhe për mënyrën se si duhet të bëhet kjo reformë. Unë kam besim se do të jetë e mundur që të ecet përpara me anën e një dialogu konstruktiv, sigurisht që ne do ta ndjekim këtë proces nga afër”, – tha kryediplomati i BE-së në vend. Reforma administrative territoriale ka ndarë palët politike në vend, pasi mazhoranca kërkon përfshirjen e opozitës në Komisionin Parlamentar të ngritur vetëm me votat e saj, pa garantuar më parë sipas të djathtëve, konsensusin. Përfaqësuesit e lartë të PD-së kanë bërë të ditur se opozita do të marrë pjesë në Komision, kur më parë të garantohet konsensusi deri në fund të procesit si edhe rikthimi i tij në disa reforma të rëndësishme të votuara në bazë të bashkëpunimit mes palëve. Kjo kërkesë e opozitës nuk ka marrë ende përgjigje nga mazhoranca qeverisëse, e cila është mjaftuar deri më tani vetëm me dhënine e vetos dhe numrin e barabartë të anëtarëve në Komision.

 

Statusi

Sa i përket mundësisë së marrjes së statusit kandidat në qershor të këtij viti, ministrja e Integrimit theksoi se po punohet në koordinimin e Ministrisë së Integrimit për pesë prioritetet kryesore, të cilat sipas Gjoshës nuk janë vetëm në kuadër të statusit, por dhe për hapjen e negociatave dhe ky është një proces që do të zgjasë në kohë. “Unë do të them që gjithçka do të kryhet në kohën e duhur. Ne po punojmë jo vetëm në kuadër të reformave, por edhe të imazhit të Shqipërisë. Do të ndërmerret edhe një tur në disa nga vendet anëtare të BE, ku do të flitet për ecurinë dhe progresin që ka bërë Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit. Është e rëndësishëm procesi dhe intensifikimi i reformave. Datat, pastaj, kuptohet se do t’ia lëmë Bashkimit Evropian për të kuptuar dhe vendosur mbi procesin dhe ecurinë që ka pasur Shqipëria”, – tha ministrja e Integrimit. Dy ditë më parë, kryediplomati gjerman Hoffmann kërkoi nga mazhoranca qeverisë që të mos kërkojë fajtorë brenda BE-së lidhur me përgjigjen negative në dhjetor të vitit të kaluar. Ai theksoi se parësorë në këtë proces është bashkëpunimi mes palëve politike dhe dialogu për reformat e rëndësishme për integrimin. “Këshilla ime është, të mos ecni në rrugën e kritikave ndaj KiE. Mos thoni BE ishte kundër për të na dhënë statusin. E vërteta është më e thjeshtë, unë njoh njerëz që nuk iu duk e vështirë apo e pabesueshme kur u thuhet që Bashkimi Evropian donte të shihte sjelljen e opozitës dhe qeverisë së re”. Ndërkohë sa i përket vënies në zbatim të Programit Ndërkufitar Shqipëri-Mal i Zi, Ministrja e Integrimit tha se janë bërë përpjekje madhore nga të dy shtetet, çka ndikon në rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. “Bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi gjatë kësaj periudhe do të forcohet edhe falë programit të ri, që është në përgatitje e sipër, konkretisht një program trepalësh novator Shqipëri-Mali i Zi-Itali, që i hap rrugës krijimit të një rrjeti bashkëpunimi dhe zhvillimi ekonomik në hapësirën e detit Adriatik”, – nënvizoi Gjosha.

 

 

Ambasadori i SHBA-së

Arvizu: Modeli komunist, model për askënd. Kujdes, se historia mund të përsëritet

Ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, gjatë fjalës së mbajtur në konferencën “Sipas modelit të OKB-së”, e organizuar në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit, i ka bërë apel të rinjve se vetëm me edukim do të bëhen qytetarë të vërtetë. Duke i konsideruar të rinjtë “investimin e ardhshëm të vendit”, ambasadori Arvizu tha se Kombet e Bashkuara janë një organizatë shumë e larmishme dhe gjithëpërfshirëse, “vendet e së cilës përfaqësojnë qytetarët e botës dhe gjithë spektrin e plotë të sistemeve politike, ku disa janë shumë të hapur, disa shumë të mbyllur, kurse disa përfaqësojnë vende ku demokracia është e rrënjosur”. Duke përcjellë mesazhe të rëndësishme për të rinjtë, Arvizu i quajti ata me fat që kanë lindur në një kohë kur Shqipëria është një vend i lirë i botës. “Gjatë gjithë jetës suaj Shqipëria ka qenë një vend i lirë dhe nuk ka më kthim pas. Por, fatkeqësisht nuk mund të thuhet e njëjta për prindërit tuaj, pasi ata kanë jetuar në një regjim, që ndonëse ishte në OKB, ishte e kundërta mes vendeve të tjera, ose përfaqësonte një model për askënd, pasi Shqipëria e vjetër ishte një model për askënd. Por, fatmirësisht ajo kohë ka kaluar dhe sot është koha të shikojmë drejt së ardhmes, por, nëse njerëzit nuk janë të kujdesshëm, historia ka mënyrën e të përsëriturit të vetvetes”, – theksoi ambasadori amerikan.

 

 

Qëndrimi

Ekspertët ndërkombëtarë: S’mund të krijohet punësim, pa pasur rritje ekonomike

Për ekspertët ndërkombëtarë të çështjeve të punësimit, nuk mund të flitet për krijimin e mundësive të reja në këtë sektor pa shënuar më parë rezultate pozitive në ekonomi. Drejtori i Organizatës Ndërkombëtare të Punës po e ndihmon Shqipërinë që të hartojë një strategji të përshtatshme për rritjen e punësimit, Antonio Graciozi deklaroi se e rëndësishme në këtë kontekst janë edhe politika fiskale. “Ju nuk mund të krijoni punësim pa pasur rritje ekonomike. Ju nuk do të keni rritje ekonomike pa shtuar punësimin; kjo është sfida që po përballin sot të gjitha qeveritë. Këtë po diskutojmë me qeverinë në hartimin e politikave fiskale; si të lidhim punësimin me rritjen ekonomike, që sapo të punësojmë njerëz të vijë njëkohësisht edhe rritja ekonomike. Pra këto dy tregues duhen integruar me njëri-tjetrin”, – tha ai. Po ashtu, Graciozi bëri të ditur se pas disa javësh në Shqipëri do të publikohet strategjia kombëtare mbi politikat e punësimit, e hartuar nga qeveria dhe partnerët socialë, edhe me ndihmën e ILO-s. Sipas tij, strategjia kombëtare duhet të ecë paralel në disa përmasa: hapësira fiskale për të forcuar ekonominë, investime publike dhe private në një klimë të favorshme për investime, një lidhje midis tregut të punës dhe shkollimit profesional. “Në periudha të vështira ekonomike mbyllen një pjesë e vendeve të punës, ndërsa biznesi dhe institucionet mundohen të hapin vende të reja. Kryesorja është rritja e prodhimit, kualifikimi i punëtorëve për prodhim më të madh me makineri më moderne”, – deklaroi Drejtori i Organizatës Ndërkombëtare të Punës Antonio Graciozi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency