Përplasja/ Debati 2-orësh mes ministrave Tahiri e Haxhinasto dhe shoqatave të transportit

0
129

Gëzim Saliu

 

Shoqata e “furgonëve”: Duam ardhjen e plotë dhe kthimin e plotë me pasagjerë. Shoqata e urbanëve: Të zbatohet ligji. Tahiri dhe Haxhinasto: Nuk negociojmë me sigurinë e qytetarëve

 

konferenca dy ministratDebatet dhe akuzat kanë qenë në qendër të tryezës së zhvilluar dje mes dy ministrave të kabinetit qeveritar, Edmond Haxhinasto e Saimir Tahiri, me përfaqësuesit e shoqatave dhe sindikatave të transportit pas vendimit për bllokimin e mjeteve 8+1. Në takimin ku merrnin pjesë si shoqatat e transportit të autobusëve dhe shoqatat e transportit ndërqytetës të furgonëve nuk ka munguar përplasja mes palëve si edhe me ministrin e Transportit e atë të Brendshëm. Përfaqësues të shoqatës së transportit 8+1 kundërshtuan vendimin e qeverisë, duke i kërkuar që t’i lejojë të ushtrojnë aktivitetin e tyre, për të cilin zotërojnë licencën e njëkohësisht kanë paguar taksat në shtet. Ndërkohë, shoqatat e transportit publik urban kërkuan që të respektohet ligji, pasi në të kundërt, sipas tyre, e vetmja palë e dëmtuar në këtë mes do të jenë ata. Tone të larta nga përfaqësuesit e shoqatave janë drejtuar kryesisht edhe ndaj dy ministrave, të cilët nga ana e tyre bënë të ditur se nuk do të negociojnë sigurinë e qytetarëve.

 

Takimi

Në takimin me shoqatat, dy ministrat e qeverisë kërkuan që të mos politizohet situata, deklaratë e cila iu hodh poshtë nga një sërë përfaqësuesish, të cilët bënë të ditur se ata ishin në protestë për veten e familjet e tyre. Ndërkohë, ministrat bënë të ditur se shoqatat e transportit publik kanë 10 ditë kohë për paraqitjen me shkrim të kërkesave të tyre, si përfaqësues të grupeve të interesit, të cilat do të vlerësohen më pas nga qeveria. “Duam t’u garantojmë shqiptarëve një shërbim të denjë, siç e meritojnë. Ka mënyra të ndryshme për furgonët. Ka transport rrethqytetas që mund të ofrohet një shërbim i tillë. Ka zona që nuk mund të futen autobusë, ku mund të përdoren furgonët, por edhe këto duhet të plotësojnë kriteret përkatëse sa i përket automjetit, por edhe cilësisë së shoferit”, – tha Haxhinasto. Ndërsa ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u shpreh se siguria e qytetarëve nuk do të negociohet asnjëherë. “Ndalimi i transportit ndërqytetës me furgonë është një masë e domosdoshme dhe e menjëhershme e planizuar. Nuk ka asnjë tërheqje. Policia e Shtetit do të vazhdojë të ndalojë në mënyrë të menjëhershme furgonët pa licencë dhe ata që abuzojnë me licencën taksi dhe që bëjnë linjë ndërqytetëse me pasagjerë. Nuk e lejon ligji, nuk do ta lejojë as Policia e Shtetit. Do të kërkojmë të respektohet licenca taksi, duke gjetur termat e modelit të transportit ndërqytetës”, – tha ai. Përkundrejt këtyre deklaratave, përfaqësuesit e shoqatave të automjeteve 8+1 kërkuan të rishikohet ligji që të mundësohet që dhe në kthim të ketë pasagjerë. “Po abuzohet shumë dhe po spekulohet se furgonët janë mjete të rrezikshmërisë në rrugë. Të rishikohet ligji. Shoferët kanë marrë kredi që nuk i përballojnë dot. Janë njerëz me familje, me fëmijë, me probleme ekonomike shumë të mëdha, ne jemi në grevë prej 10 ditësh”, – tha një prej përfaqësuesve të kësaj shoqate. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shoqatave të transportit të autobusëve kërkuan zbatimin e ligjit duke pohuar: “Zotërinjtë që kanë furgonë të punojnë sipas kërkesave që ka ligji. Cilido që shkel ligjin, të përballet me drejtësinë”. Ndërkohë, kërcënimit të shoqatës së transporteve se nëse nuk rishikohet ligji, do të bllokojnë rrugën, shoqatat e autobusëve thanë se edhe ata mund të kryejnë një veprim të tillë. Nga ana tjetër shoqata e taksive bëri të ditur se kanë qenë kundër liberalizimit të tregut të taksive, duke nënvizuar në të njëjtën kohë se dora e shtetit në këtë situatë është e padukshme. “Nuk kemi ndonjë gjë me kolegët e 8 plus 1, por është e patolerueshme të ketë më shumë furgonë se taksi të licencuara. Vini dorë ndaj informalitetit”.

 

 

Debati

Ministri Haxhinasto

 “Ka një sistem të tërë ligjor, që nuk respektohet prej të gjithëve, pasi gjykohet i papërshtatshëm. Ligji që rregullon çështjet e transportit ligjor ju e dini shumë mirë cili është, ai është Bibla e transportit rrugor. Ndodh që nga mungesa e një kërkese llogarie, tregu prishet. Nuk zbatohen kërkesat e tij për licencimet e subjekteve për kategori të ndryshme transporti, taksi, rrethqytetës dhe ndërqytetës”, – tha Haxhinasto.

 

Ministri Tahiri

 “Siguria rrugore është mjaft e rëndësishme për ne dhe siguria e furgonëve që qarkullojnë në vendin tonë nuk ka asnjë standard. Ecin me shpejtësi më të lartë se normat e lejuara të qarkullimit rrugor, pasi bëjnë garë me njëri-tjetrin për të kapur pasagjerët. Po ashtu, fëmijë, të cilët gjatë kohës që mjeti është duke lëvizur, hapin derën dhe reklamojnë drejtimin për ku është nisur furgoni për të gjetur klientë. Ky është problemi që duam të luftojmë, ndaj për këtë duam bashkëpunimin tuaj dhe miratimin tuaj për planin tonë të masave”.

 

Shoqata e transportit të automjeteve 8+1

 “Ne përfaqësojmë vetëm mjetet e licencuara, nuk kemi ardhur për mjetet e tjera. Neve na është bërë konkurrencë e pandershme. Po abuzohet shumë dhe po spekulohet se furgonët janë mjete të rrezikshmërisë në rrugë. Të rishikohet ligji, të ardhurat janë shumë të pakta. Shoferët kanë marrë kredi që nuk i përballojnë dot. Janë njerëz me familje, me fëmijë, me probleme ekonomike shumë të mëdha, ne jemi në grevë prej 10 ditësh”.

 

Shoqata Kombëtare e Transportit të Udhëtarëve

 “Unë jam dakord me dy pika, siguria rrugore nuk diskutohet para asnjë lloj gjëje. Dhe tjetra që duhet të përdorim parametrat evropiane. Këtu duhet respektuar ligji. S’ka pse na vjen keq sepse ligji duhet zbatuar, na vjen apo s’na vjen mirë. Jam dakord që zotërinjtë që kanë furgonë të punojnë sipas kërkesave që ka ligji. Cilido që shkel ligjin të përballet me drejtësinë”.

 

Shoqata e Transportit Ndërqytetës

 “Kaos dhe katastrofë ka qenë transporti publik. Ne sot na u ngjall shpresa se qytetarët shqiptarë do të bëhen të udhëtojnë siç e kanë komshinjtë tanë, jo Evropa. Rëndësi ka që sot e tutje gjërat të shkojnë siç duhet. Licencat e transportit publik janë dhënë pa kriter. Bashkitë si Vora apo Kamza, apo bashki të vogla që japin licenca në të gjitha destinacionet e Shqipërisë, kjo nuk është parë në asnjë vend. Kamza me Tiranën lidhet me urban 30 lekë, jepet linja Tiranë – Kamëz dhe gjithë Shqipërinë”.

 

Shoqata e Taksive

 “Ne jemi të vetëdijshëm që numri i taksive të licencuara nga 2500 na paska vajtur në 1500. Taksitë janë detyruara të dorëzojnë licencat. Akoma nuk e kemi ndier dorën dhe kujdesin e Policisë së Shtetit. Të largohen 1 mijë taksi të licencuara nga tregu do të thotë që kemi halle të mëdha. Nuk kemi ndonjë gjë me kolegët e 8 plus 1, por është e patolerueshme të ketë më shumë furgonë se taksi të licencuara. Përdorimi i taksimetrit na mbron nga informaliteti, por jo me fjalë me vepra. Edhe ne të gjobitemi, nëse nuk e përdorim taksimetrin”.

 

 

 

 

Protesta e furgonëve

Në fillim të javës, ministri Transportit, Haxhinasto, dhe ai Brendshëm, Tahiri, përmes një konference të përbashkët nga Kryeministri bënë të ditura masat që do merren nga qeveria për transportin, ku specifikisht kërkuan bllokimin e transportit 8+1. Nisur nga kjo, drejtuesit e furgonëve nisën protestën në disa rrethe të vendit, duke kërcënuar se ditët në vazhdim do të bllokojnë dhe rrugët nacionale. Shoferët e furgonëve kanë kërkuar pezullim të urdhrit, pasi, sipas tyre, kjo do të thotë varfëri ekstreme për ta. Po ashtu situata paraqitet problematike edhe në transportin urban në Tiranë, ku ditën e djeshme u zhvillua një grevë 24-orëshe në shenjë proteste ndaj qeverisë sa i takon shqetësimit të ngritur për rritjen e çmimit të biletës së autobusëve. Ndërkohë, një ditë më parë, ashtu si edhe në takimin e djeshëm, qeveria u tërhoq nga deklarata e saj për heqjen e shërbimit të transportit 8+1, duke bërë të ditur se do të merren masa vetëm për automjetet pa licenca e ndërsa do të shikohet nga ana tjetër mënyra e riorganizimit të këtij tregu.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency