Pushteti i ligjit vs pushtetit politik

0
118

Brikena Bogdo

 

Napoleoni i famshëm, në një periudhë të rëndësishme të karrierës si shtetar, krahas rëndësisë që u jepte betejave të tij, filloi të krijonte lidhje të ngushta me disa juristë shumë të aftë dhe të njohur të kohës. E pyesin se përse po u jep kaq rëndësi këtyre juristëve. “Unë mund të fitoj shumë beteja, sikur një të humb, ajo do të më kryqëzojë. Por, ato që do të më përjetësojnë janë këto kode që po hartojmë”, – iu përgjigj ai. Tashmë, të gjithë e dimë rëndësinë e “kodeve të Napoleonit”, të cilat hodhën themelet e shtetit juridik dhe të shtetit të së drejtës, në Francë. Ai ishte i ndërgjegjshëm për një parim themelor kushtetues, “Shteti vepron në bazë dhe brenda kufijve të së drejtës”.

Ekziston një tendencë ballkanike, “Ligjin nuk e shkelim, por i kalojmë anash”, ndërsa në Shqipëri, ligji ende shkelet. Besoj se sot çdo shqiptar e ka mësuar afatin ligjor, sidomos afatin 15-ditor të hyrjes në fuqi të ligjit, pasi është botuar në Fletoren Zyrtare. Në fakt, të mos e botosh fare një ligj në Fletoren Zyrtare, p.sh. vendimin e Gjykatës Kushtetuese për nëpunësin civil (një debat tepër i nxehtë politik dhe tepër jetik për shumë të pa-punësuar aktualisht), është një shkelje e ligjit. Aktualisht, një qeveri e cila po bërtet për reforma dhe për sisteme në emergjencë, po i hedh hije të forta dyshimi seriozitetit të këtyre reformave të saj.

Në Shqipëri, problemet e ligjeve të hartuara keq, me pasaktësi apo vakume, të lidhura me paaftësinë, korrupsionin, me mungesën e shtetit ligjor dhe së fundi, me keqpërdorjen nga politika, të gjitha janë të nderthurura pazgjithshmërisht, dhe pa vullnet për t’u zgjidhur, kjo, me sa duket, e qëllimshme, për përfitime politike.

“Dihej vendimi, ndërkohë arsyetimit iu desh dy muaj për t’u marrë vesh nga opinioni publik”, – ishte deklarata e një juristi në media, i cili fliste për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për nëpunësin civil. Problemi i hapësirës midis marrjes së vendimit dhe zbardhjes së tij është një problem i mirëfilltë juridik, që juristët ngrenë sot për t’u rregulluar. Pikërisht, me zbardhjen e vendimeve, jo pak herë, është abuzuar nga gjyqësori, duke zvarritur çështje, si rasti i gjyqtarit që e zbardhi vendimin pas një viti, duke u kryer ndërkohë një krim tjetër nga i pandehuri. Ky është një vakum juridik, që hap mundësi abuzimi.

Problemet juridike u manifestuan tek dispozita kushtetuese, e cila parashikon të drejtën e qeverive, që në kushtet e emergjencës, të parashikojë ligje. Përsëri jemi tek problemet juridike që hapin mundësi abuzimi politik.

Por, që nuk janë hartuar aktet nënligjore, në të njëjtën kohë me ligjin e nëpunësit civil, kjo është një shkelje me të dyja këmbët, mendojnë disa juristë të njohur shqiptarë. “Kur hyri në fuqi ligji i punonjësit civil, qeveria kishte vetëm 12 ditë punë dhe ndërkohë ligji kishte vakum, pasi nuk kishte përcaktuar aktet nënligjore, ndaj ligji ishte i pazbatueshëm”, – shprehet në media një jurist.

Ligji duhet të jetë gati, së bashku me aktet nënligjore dhe ato miratohen në pak ditë nga Parlamenti. Kjo shkelje hapi probleme serioze politike dhe sociale. Ministrja Harito është e vetmja, që na jep pak informacion se çfarë po ndodh ndërkohë me aktet nënligjore, të cilat duhet të kishin kaluar prej kohësh në Parlament. Qenkëshin gati katër akte nënligjore dhe dy do të kalojnë në Parlament. Kanë kaluar gati pesë muaj nga dalja e ligjit të nëpunësit civil dhe ende nuk ka kaluar asnjë akt nënligjor. Politika po vazhdon të shkelë ligjin, duke mos e shpallur vendimin e Gjykatës Kushtetuese derisa të afrohet data 1 prill për të përmbushur interesat e saj.

Sapo është prezantuar nga ministri i Drejtësisë Komisioni Këshillimor i Reformës Ligjore, ndaj të cilit ka një pritshmëri të lartë nga qeveria, në ndihmën që do të japin për një reformimim radikal të sistemit të drejtësisë.

Sigurisht, të gjithë e dimë tashmë, që Kushtetua shqiptare hap gjithmonë probleme me pasaktësitë, paqartësitë apo vakumet e vazhdueshme, duke e ndezur edhe më keq konfliktin politik. Patëm një projektkushtetutë të njëanshme në vitin ‘94, e cila u hodh poshtë me referendum. Sot gëzojmë një Kushtetutë të hartuar dhe të miratuar në vitin ‘98, e cila është gjithashtu e njëanshme. Që kemi një nismë për të bërë ndryshime në Kushtetutë, kjo duket një hap i mirë, pasi ka ekspertë të fushës që hedhin mendimin se sistemi juridik shqiptar sot mbështetet në një Kushtetutë, 90% e ngjashme me Kushtetutën e vitit 1976.

Ajo që tingëllon problem për këto ndryshime me karakter kushtetues, është fakti që janë të njëanshme, pa konsensus të gjerë. Vendet e zhvilluara, me sa duket, e kanë pasur kujdes konsensusin e gjerë dhe pjekurinë e hartimit të saj në kohë. Gjermanisë në vitin 1900, i është dashur 16 vjet që të hartojë aktin themeltar, Kushtetutën, nga ku mbështetet i gjithë sistemi juridik dhe njëkohësisht e hartoi, me një konsensus të gjerë.

Gjermania sot gëzon një nga sistemet më të forta juridike dhe nga më të suksesshmet. Ky shtet i fortë, që po gjermanizon Evropën, është mbështetur në dy shtylla: në filozofinë dhe në drejtësinë.

Një qëllim tjetër i reformës është përafrimi i legjislacionit tonë me strukturat dhe me standardet ndërkombëtare. Ne sot ende kemi një sistem drejtësie në tranzicion dhe ajo, që specialistët e kësaj fushe vërejnë si shqetësim, është pikërisht fakti që ne kemi implementuar legjislacionin ndërkombëtar pjesë-pjesë apo duke lënë pa marrë blloqe të tëra shumë të rëndësishme, duke krijuar probleme serioze në të gjithë sistemin.

Nëse i referohemi periudhës së mbretërisë, apo të Zogut, mund të flasim për një shtet të konsoliduar dhe mbi të gjitha një sistem drejtësie efikas dhe të pakorruptuar. Si e konsolidoi shtetin Zogu, në një hark aq të shkurtër kohor, pra brenda një 15-vjeçari? Ai kopjoi krejtësisht legjislacionin evropian, pa e coptuar atë apo pa e marrë pjesshëm, për interesa partiakë, siç po ndodh sot. Ajo që po e pengon pafund sistemin juridik që të fitojë pavarësinë, është pikërisht politika. Ajo çka e gjithë Evropa e Lindjes vuajti nga komunizmi, është zhbërja e pavarësisë së pushteteve, duke u dominuar nga politika.

Një nga pyetjet është: Cila është rruga konkrete e hartuar nga Kryeministri dhe ministri i Drejtësisë për të shkëputur sistemin juridik nga politika? Si do të rivendoset koncepti bazë demokratik “politika ka kornizë ligjin” dhe jo e kundërta “ligji ka kornizë politikën”? Kjo nuk po duket të jetë pjesë e reformës dhe e ndryshimeve rrënjësore si sistem në emergjencë, pasi dëgjuam anëtarë të kabinetit të Kryeministrit që deklaruan, pasi u shpall vendimi i Gjykatës Kushtetuese për nëpunësin civil: “Do t’i bëjmë edhe një analizë politike vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në të njëjtën kohë dëgjojmë ministren e Inovacionit që deklaron se “askush nuk kthehet në punë”, apriori, pa pritur të paktën formalisht vendimin e Gjykatës.

Në Shqipëri, kështu ka ndodhur gjithmonë dhe askush nuk ka rihyrë në punë, por deklarata publike të kësaj natyre dhe një shpërfillje të Gjykatës, kaq publikisht, lë fort për të dyshuar për një reformë reale, për pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Ende si shtet, megjithëse kemi kaluar dy dhjetëvjeçarë demokraci, askush nuk po kupton rëndësinë e forcimit të shtetit ligjor, nëpërmjet ligjeve të hartuara saktë apo institucioneve të pavarura nga politika. Askush nuk po manifeston një vullnet të plotë për të vlerësuar në top-listë ligjet si forca extra partes mbi politikën dhe politikanët. Deklarata e ministres: “Askush nuk kthehet në punë”, tregon mentalitetin e forcës politike dhe të përmbushjes drejtpërdrejt të interesave politikë.

Kur ka përplasje të rëndësishme politike, midis njërit krah politik dhe tjetrit, si dhe prekje interesash, atëherë pushteti “i pavarur”, gjyqësori, i manifeston difektet serioze. Ja që e ka edhe një të mirë, përplasja shpesh tepër agresive, shpesh e palogjikshme për publikun e thjeshtë, që jo gjithmonë është i orientuar për aferat e pafund, midis kundërshtarëve politikë, ndërgjegjësimi që gjyqësori ka probleme serioze. Ne tashmë, e kemi kaluar 22-vjeçarin e demokracisë dhe ende nuk flasim për një shtet ligjor dhe sistem drejtësie, i aftë, i pavarur dhe i pakorruptuar.

Por, ata që vendosën ligjin mbi politikën edhe mbi pronë private ishin gjermanët. Një shembull: ndërsa për francezët, pronari është pafundësisht i tillë, nën tokë dhe mbi tokë, për gjermanët pronari është i tillë nën tokë, sa është e shfrytëzueshme dhe mbi qiell, sa është e lejueshme që të ngrihet. Gjermanët suksesin ia dedikojnë ligjit dhe forcës së tij.

Të shpresojmë që kjo reformë në sistemin e drejtësisë të jetë e suksesshme, pasi për shtet të konsoliduar dhe ligjor kemi nevojë të gjithë, por pritshmëritë nga publiku janë të pakta, për sa kohë që reformat nuk po shikohen si nisma shumëpalëshe, me një miratim të gjerë. Sigurisht, impakt negativ në publik do të kenë të gjitha shkeljet ligjore dhe ndërhyrjet politike.

Me këto problematika, ne do të kemi edhe në të ardhmen probleme në Kushtetutë, në zbatimin e ligjit dhe ç’është më kryesorja, në shkeljen e ligjit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency