Nisma e qeverisë/ Bllokimi i furgonëve, protesta në të gjitha qytetet, lihen pa punë 21 mijë shoferë

0
129

 “Në vend që të hapen vende të reja pune, po hiqen nga puna jo pak, por 21 mijë familje. Kjo është një çmenduri, familjet tona i bie të ngelen pa bukë”

 

 

protesta.Vendimi i Ministrisë së Transporteve dhe Ministrisë së Brendshme për të bllokuar furgonët ka sjellë protesta në të gjitha qytetet. Duke filluar nga Kukësi, Shkodra, Korça, Fieri, Vlora dhe në shumë qytete të tjera të gjithë shoferët e taksive 8+1 kanë përmendur se qeveria po lë pa bukë 21 mijë familje. Shoferët e mjeteve 8+1 në Shkodër kanë bërë të ditur se që në mëngjes Policia Rrugore i ka ndaluar që të qarkullojnë në drejtim të Lezhës, Laçit dhe Tiranës apo nga Tirana në drejtim të qyteteve të ndryshme. “Në vend që të hapen vende të reja pune, po hiqen nga puna jo pak por 21 mijë familje. Kjo është një çmenduri, familjet tona i bie të ngelen pa bukë. Pavarësisht se kemi paguar taksa rregullisht, na del qeveria dhe na thotë se s’ka më furgonë”, – u shpreh një prej protestuesve nga Shkodra. “Nëse nuk lejohemi të punojmë, do bllokojmë rrugët nacionale dhe ikim vetëm të vdekur. Le të na shtypin me fadromë”, – përmendi një tjetër protestues në qytetin e Korçës ditën e djeshme. Të gjithë shoferët janë shprehur të shqetësuar për këtë nismë të qeverisë, ndërkohë që kanë paralajmëruar protesta edhe në ditët në vijim dhe në rast se nuk dëgjohet zëri i tyre, do të dalin rrugëve më familjet e tyre. Numri i taksive 8+1 në Shqipëri llogaritet të jetë mbi 20 mijë, të cilat janë të licencuara, por ka dhe një pjesë të madhe e furgonëve, të cilët nuk paguajnë taksa.

 

Reagimi

Ministria e Transporteve ka reaguar për protestën e furgonëve 8+1 që tashmë vazhdon prej disa ditësh dhe ka marrë shtrirje thuajse në të gjitha qytetet e vendit. Në një njoftim për shtyp nga kjo Ministri bëhet me dije se nisma e qeverisë synon zbatimin e kuadrit ligjor dhe zbatimin rigoroz të ligjit në fushën e transportit. Sipas Ministrisë, kjo nismë do t’i japë fund konkurrencës së pandershme në transportin ndërurban. Sipas kësaj Ministrie, nisma e qeverisë mbron qytetarët. “Nisma e qeverisë para së gjithave mbron qytetaret, jetën dhe xhepin e tyre nga abuzuesit, mbron përdoruesit e ligjshëm e të licencuar të mjeteve, investimet e kujtdo që punon në këtë sektor me dokumentacion të rregullt, si edhe lirinë e të drejtën e zhvillimit të sektorit përmes konkurrencës së ndershme e të garantuar për çdo investim në këtë fushë që jep siguri, sjell inovacion, garanton progres. Epoka e anarkisë, pasigurisë, e punës në të zezë apo veprimtarisë jashtë ligjeve dhe standardeve teknike në këtë sektor jetik për sigurinë e qytetareve si edhe për zhvillimin e vendit, do të mbyllet”, – bën me dije Ministria e Transporteve.

 

Bllokimi

Ditën e djeshme policia nisi një aksion për bllokimin e furgonëve. Sipas shoferëve, policia i ka lënë fillimisht të hyjnë në qytetet kryesore me pasagjerë, por më pas nuk i ka lejuar që të dalin me pasagjerë në kthim. Sipas policisë, të gjithë ata shoferë të cilët do të shkelin këta urdhra, do të dënohen deri në heqje patente.

 

 

PD: Dënim kolektiv për 21 mijë familje

Partia Demokratike është shprehur kundër vendimit të qeverisë për bllokimin e transportit të pasagjerëve me automjete të tipit furgona. Nëpërmjet deputetit Gjergji Papa, PD bën të ditur se në këtë formë penalizohen të ardhurat dhe ekonomia e 21 mijë shqiptarëve. “Edi Rama ka vendosur të lërë pa punë mbi 21 mijë shqiptarë, të cilët ofrojnë shërbimin e transportit me anë të furgonëve. I paaftë për të ofruar siguri rrugore, Kryeministri po dënon kolektivisht të gjithë këtë kategori, që jetojnë dhe mbajnë edhe familjet e tyre me këtë biznes. Pasi çorientoi Policinë e Shtetit dhe strukturat që merren me sigurinë në rrugë, duke shkelur ligjin, sot Edi Rama po krijon një plagë të re sociale, me urdhrin e tij për të bllokuar transportin interurban të pasagjerëve me furgonë.

Pjesa më e madhe e drejtuesve të furgonëve janë të licencuar dhe paguajnë taksa. Ata ofrojnë një shërbim të çmuar për mijëra qytetarë shqiptarë çdo ditë, të cilët qarkullojnë dhe kryejnë nevojat e tyre nga periferitë më të largëta në qendrat urbane dhe anasjelltas. Por bllokuesi serial, Kryeministri i vendit, me pretekstin e sigurisë rrugore, ka vendosur dënimin kolektiv, largimin e furgonëve nga qarkullimi”, – tha Papa në fjalën e tij. Partia Demokratike shprehet se e dënon këtë akt të Edi Ramës dhe i kërkon atij ta rishohë me shpejtësi dhe të heqë dorë.

 

 

BOX gri

Reportazh/ Autobusë apo furgonë?!

Studenti gjirokastrit i Universitetit të Tiranës, Dritan L., hedh vështrimin sa andej-këtej, për të zgjedhur mjetin që do ta dërgojë më shpejt në shtëpi. Është në mëdyshje, preferon më shumë furgonin sesa autobusin. “Furgoni ecën më shpejt, por kokën e ke në “thes”, ndërsa autobusi ta sjell në majë të hundës udhëtimin”, – thotë Dritani. Sipas tij, autobusët nuk ofrojnë sigurinë e dikurshme, ndërsa shërbimi vlen për të dëshiruar. “Shërbimi urban është mjeti që përshkon më shumë kilometra, por mjediset e brendshme nuk ofrojnë pastërti”, – shprehet Dritani. Sokol K., 43 vjeç, që administron prej 18 vjetësh dy autobusë të transportit publik në Gjirokastër, thotë se vitet e fundit transporti interurban është lënë pas dore dhe nuk investohet për të rritur cilësinë. “Furgonët na konkurrojnë padrejtësisht”, – shprehet Sokoli, duke shtuar se shteti duhet të ndërhyjë për të disiplinuar këtë shërbim. Ai pranon faktin se autobusët interurbanë nuk ofrojnë kushte higjieno-sanitare, nuk respektohen klientët, fshehin biletat dhe ndalojnë vend e pa vend. “Ka keqmenaxhim dhe kjo për fajin tonë”, – shton Sokoli. Andrea Çakalli, 37 vjeç, pronar i furgonit të linjës Sarandë – Tiranë, thotë se kush ofron shërbim të mirë për pasagjerët, do t’i rezistojë tregut. “Furgoni vitet e fundit preferohen shumë pasi është i shpejtë, nuk sorollatet në rrugë dhe ofron cilësi”, mendon Çakalli. “Pasagjeri preferon të paguajë 200 apo 300 lekë më tepër dhe të mbërrijë në destinacion për një kohë të shkurtër, sesa të udhëtojë me autobusët me orë të tejzgjatura”, – thotë ai. Një muaj më parë, gazetari nga Saranda, Kostandin T., tregon se në zbritje të Qafë-Muzinës, në drejtim të Gjirokastrës, autobusi pësoi një defekt dhe 45 pasagjerë për pak sa nuk rrezikuan jetën. “Shoferi ishte krejtësisht i paaftë. Zoti na ruajti”, – pohon Kostandin, ndërsa shton, se sikur të mos mjaftonte me kaq, pasagjerët u detyruan të qëndrojnë në të ftohtin e natës në pritje të riparimit të defektit. “Transporti publik në Shqipëri vlen për të dëshiruar. Administratorët e shërbimit urban nuk kanë respekt për pasagjerë”, thekson Kostandini, i cili shton se tashmë ka ardhur koha që shteti të rishikoj ligjin “Për transportin publik”. “Për të udhëtuar nga Saranda drejt Tiranës duhet 12 mijë lekë të vjetra, ku rregullorja parashikon të kundërtën. Biletat me numër serie, pothuajse nuk i njohim. “Kam udhëtuar drejt Greqisë, por atje shërbimi ndryshon. Autobusët nisen dhe ndalojnë vetëm në destinacion. Pasagjerit i jepet bileta përpara se të hipë, madje edhe bileta e sigurimit të jetës. Emrat e pasagjerëve shënohen në një listë të veçantë, që në rast fatkeqësie policia të identifikojë në kohë sa më të shkurtër personat. Kjo duhet të ndodh është në Shqipëri”, thekson Kostandini. Nga Telnis Skuqi, Gjirokastër

 

 

Tirana, 400 vjet qytet dhe 94 vjet kryeqytet

Në 94-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet dhe në 400-vjetorin e themelimit të saj, Bashkia e Tiranës organizoi një koncert festiv bazuar në traditën e këtij qyteti. Kryebashkiaku Basha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij kanë ndjekur nga afër këtë koncert që shënon dhe hapjen e festimeve për 400 vjetorin e themelimit të qytetit të Tiranës. Ansambli Tirana dhe këngëtarët e njohur Nurie Myftari, Bashkim Sinani, Iris Bega, Bujar Çiçi, Pajtim Struga, Valbona Halili dhe Artan Kola sollën muzikën dhe valle të Tiranës.  “Nderimi dhe mirënjohja u shkon familjeve të shquara dhe patriote të Tiranës, Toptanëve, Gjinalëve, Kalliu, Beshiri, Petrela, Bakiu, Turdiu, Jarani, Preza, Llagami, Fortuzi, Dalliu, Myderizi, Mara, Ndroqi, Hallulli, Këlliçi, Karapici, Stërmasi, Begeja e shumë të tjerë, që bënë të mundur që Tirana të bëhet qyteti i shpresës për çdo shqiptarë”, – përmend Bashkia e Tiranës. Gazment Bakiu, djali i Ali Bakiut, kryetar i Bashkisë së kryeqytetit në 1945-’46 ka sjellë në vëmendje vepra dhe momente të rëndësishme historike për Tiranën në këtë 400 vjetor. “Nuk ka si të ketë ndonjë trevë tjetër në Shqipëri që të ketë 10 kala mijëra vjeçare. Një bazilikë që në shekullin V pas Krishtit dhe gjetje të panumërta arkeologjike ashtu si treva jonë. Si rrallë qytet, Tirana e sotme ka të përcaktuar një vit themelimi, një themelues, një shqiptar, Sulejman Pashë Bargjini-Mulleti. Një personazh sa mitik po aq historik, i cili në atë natën e errët të sundimit osman i dha jetë një qyteti që sot është kryeqendra e shqiptarëve. Përcaktimi i saktë i vitit 1614 si viti i themelimit u bë për herë të parë nga Sami Frashëri . Në shekujt që pasuan, Tirana u rrit, u zmadhua, u begatua me punën e ndershme të qytetarëve të saj. Të gjithë udhëtarët e albanologët e shquar që vizituan qytetin duke filluar nga Hani, Hekuardi, Degrandi, Suljoti, Aureli e shumë të tjerë shkruan fjalët më të mira e folën me superlativa për Tiranën dhe tiranasit”, – tha Gazment Bakiu. Bashkia e Tiranës ka vendosur që në 400-vjetor, të kujtojë dhe nderojë familjet e mëdha dhe te vjetra të këtij qyteti, momente e vende historike. Duke nisur nga dje e deri në fund të vitit, Bashkia ka planifikuar një sërë aktivitetesh mes të cilave dhe një konferencë shkencore për të evokuar historinë e qytetit të Tiranës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency