EKSKLUZIVE/ Qeveria u kërkon bankave të shlyejnë borxhin shtetëror, por me kamatë

0
126

Ervin Kaduku

 

 

takimi me bankat 11 shkurtKreditë me probleme pritet të zbresin me 3-4%, nëse llogarisim fondin e parashikuar në buxhet prej 350 milionë dollarësh për detyrimet e papaguara ndaj firmave. Po ku janë këto fonde?

Ku shkuan premtimet për pagesën e menjëhershme “me një dorë”?

Bankat mund të jenë të gatshme të paguajnë detyrimet e qeverisë, por kundrejt një përqindjeje. Kjo është zgjidhja? Kush është përfitues?

 

 

 

Ministri Cani ka ndërmarrë një hap të papritur, duke u shtrirë dorën bankave të nivelit të dytë, të pranishme në tregun shqiptar, që të kontribuojnë në shlyerjen e detyrimeve që shteti shqiptar u ka privatëve. Burime konfidenciale nga Ministria e Financave thanë për “Standard” se ky dikaster ndodhet aktualisht në një proces të rëndësishëm në zgjidhjen e problemit të likuiditetit në ekonomi, por ende nuk janë siguruar fondet për shlyerjen.

 

Situata e borxhit

Sipas ministrit Cani, shumë shpejt pritet të firmoset marrëveshja e huasë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me vlerë 350 milionë dollarë. Ky fond do të shkonte për të shlyer detyrimet e papaguara të qeverisë shqiptare ndaj kompanive private. Angazhimi i qeverisë për të paguar faturat e akumuluara me vite dhe për të mos krijuar detyrime të reja janë përcaktuar tashmë qartë në strategjinë e miratuar nga Këshilli i Ministrave për “Parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe plani i veprimit”. Por është faktori “kohë” që e vështirëson gjithçka. Kreu i Financave premtoi, me të ardhur në këtë post, se shlyerja e detyrimit prej 72 miliardë lekësh (afro 600 milionë euro) mund të bëhej menjëherë dhe me një dorë. As njëra dhe as tjetra nuk u mundësuan.

 

Takimi

Në këto kushte, në kuadër të zhvillimeve të fundit, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ftoi dy ditë më parë në një takim drejtuesit e sektorit bankar. Diskutimi preku çështje që lidhen me kreditimin e ekonomisë, kreditë me probleme, ndryshimet në ligj për trajtimin fiskal të heqjes së kredive të humbura nga bilanci, për mënyrën e pagesës së përmbaruesve për ekzekutim të kolateralit, si dhe impakti që do të japë në ekonomi shlyerja e detyrimeve të prapambetura.

Në fjalën e tij, ministri Cani u bëri të ditur bankave se miratimi i strategjisë së shlyerjes së borxheve ndaj kompanive dhe individëve nuk sjell leverdi vetëm për biznesin, por edhe për bankat, të cilat janë rënduar nga kreditë me probleme. Këto të fundit parashikohet të zbresin me 3-4 pikë përqindje nëse llogarisim fondin e parashikuar në buxhet prej 350 milionë dollarë, që parashikohet të shkojë për detyrimet e papaguara ndaj firmave.

 

Joshja

Ku synon kjo joshje e bërë nga ministri Cani?

Në fakt, rritja e kredive me probleme ka sjellë stepjen e bankave për të kredituar ekonominë, por drejtuesit e bankave u shprehën optimistë se nisja e pagesave nga qeveria për projekte që presin me vite shlyerjen e detyrimit do ta çlironte sistemin. Sipas bankave, shlyerja e borxheve të vjetra do t’i jepte një frymëmarrje ekonomisë, ndërsa përfshirja e FMN-së në këtë proces e bën Shqipërinë më të besueshëm në sytë e ndërkombëtarëve. Drejtuesit e bankave u shprehën me optimizëm për nënshkrimin e marrëveshjes me FMN duke e vlerësuar atë si rritje e besueshmërisë ndaj ekonomisë.

Ministri kërkoi nga bankat më shumë bashkëpunim. “Mirëpres nga ju jo vetëm identifikimin e problemeve, por edhe sugjerime për zgjidhjen e tyre”. Në lidhje me mënyrën e pagesës së borxhit ndaj firmave dhe avantazhin e bankave në këtë proces, Cani ftoi drejtuesit e sektorit bankar të shikojnë gjetjen e zgjidhjes, në mënyrë që të sjellë edhe shlyerjen e kredive.

Prapa këtyre fjalëve “të koduara” fshihet një synim i qartë i qeverisë “Rama” dhe Ministrisë së Financave: bankat të paguajnë faturat e detyrimit, që shteti u ka bizneseve, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe, kur të vijnë fondet nga FMN-ja, qeveria do t’i rimbursojë bankat. Kështu, nxitohet koha për shlyerjen dhe bizneset do të rifillonin punët e lëna përgjysmë apo do të shlyenin detyrime të tyre për të tretë. Por, ajo që nuk thuhet është se bankat e nivelit të dytë kërkojnë një “haraç” për një shërbim të tillë. Kështu, për një faturë p.sh. prej 2 milionë eurosh, banka mund të kërkonte, ta zëmë, një pagesë shërbimi prej 200 mijë eurosh. Nga shteti ajo do të merrte 2 milionë, ndërkohë që subjektit do t’i duhej të kënaqej me 90 për qind të faturës dhe jo me 100% të detyrimit që shteti i ka.

Natyrisht, bankat, ndonëse jo të gjitha, do të ishin të gatshme të rrezikonin, pasi, nga njëra anë, rregullojnë marrëdhëniet me debitorë të këqij të tyre dhe, nga ana tjetër, sigurojnë një fitim që nuk e kishin parashikuar.

Institucionet bankare dje ngritën probleme në lidhje me gjyqësorin dhe precedentët negativë që krijohen nga vendime mbi interpretime të njëanshme.

Sidoqoftë, duket qartë se, pas “rrëshqitjes” së parë lidhur me premtimin e pambajtur për të paguar menjëherë dhe në një dorë detyrimet ndaj subjekteve private, qeveria “Rama” po bën një hap tjetër joserioz, duke ua kaluar një pjesë të parave që do të përdoreshin për rimbursimin e privatëve, bankave.

Diçka të thotë se prapa këtij skenari gati-piramidal nuk mund të mos fshihet mëndja djallëzore e guvernatorit të BSH, Fullani…

 

 

Rriten sigurimet e makinave, kompanitë synojnë stabilizimin e tregut

Shoqëritë e sigurimeve në vend kanë rritur çmimin e siguracionit të detyrueshëm të mjeteve motorike brenda një dite në 21 mijë lekë, nga 14 mijë e 600 lekë që ishte dy ditë më parë. Ndërkohë që qytetarët janë gjendur të papërgatitur ndaj kësaj lëvizje të beftë, shoqëritë e sigurimeve sqarojnë se kjo nuk është një rritje, por po shkohet drejt një stabilizimi financiar të këtij tregu. Presidenti i “Eurosig”, Kadri Morina, shprehet për median se rritja ka ardhur për arsye se primi i sigurimit është shumë i ulët në krahasim me dëmet që duhet të mbulojnë. Morina shprehet se nuk do të ketë më luhatje të kësaj tarife, por do të vijojë të qëndrojë në këto nivele. Ndërkaq, dje Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave i ka drejtuar Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Autoritetit të Konkurrencës dhe Ministrisë së Financave një letër, ku theksohet se po e ndjek me shqetësim këtë situatë, ku pjesë e këtij vendimi të koordinuar që ka sjellë rritjen e siguracionit me 43% është bërë edhe kompania shtetërore INSIG. Sipas kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, për më tepër tarifa minimale e pagesës se sigurimit të detyrueshëm TPL është rritur me rreth 4 herë që nga muaji shkurt i vitit të kaluar. Faktet e sipërpërmendura paraqesin një situatë, e cila na bën të dyshojmë se jemi përpara një marrëveshjeje të përsëritur karteli midis aktorëve në treg, nënvizon kreu i Komisionit. Në tetor të vitit 2012, Autoriteti i Konkurrencës i shpalli të gjitha kompanitë e sigurimit të jo-jetës fajtore për marrëveshje të ndaluar dhe i gjobiti për një shumë totale prej 89 milionë lekësh. Pavarësisht nga ky ndëshkim, tregu ka vazhduar të vuajë të njëjtat probleme dhe praktikat e sjelljes së bashkërenduar në sigurimin motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta përsëri gjatë vitit 2013.

 

 

 

Fasonet: Ikim në Maqedoni, nëse nuk krijohen incentiva nga qeveria

Bizneset shqiptare me fason mund të zhvendosen në Maqedoni, nëse nuk përfitojnë incentiva të forta nga qeveria shqiptare. Kryetari i Dhomës së Fasonistëve, Gjergj Gjika, tha dje për median se incentivat që ofron Maqedonia janë shumë më konkurruese për të tërhequr investime të huaja, madje edhe vetë ndërmarrjet shqiptare me fason mund të konsiderojnë të transferohen atje. Në paketën e vet për tërheqjen e investimeve të huaja, Maqedonia ofron tatim 0 mbi të ardhurat dhe mbi dividendët për 10 vjet, subvencione për qiratë e ambienteve, madje edhe subvencione direkte për punonjësit, për ato ndërmarrje që punësojnë mbi 100 vetë. Qeveria shqiptare ka premtuar hartimin e një pakete fiskale lehtësuese për bizneset me fason. Ndërkohë që negociatat vazhdojnë, fasonistët shqiptarë po evidentojnë kushtet shumë të favorshme që ofron Maqedonia, si një formë presioni për të marrë më shumë lehtësi nga qeveria.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency