Zbulimi/ Gjenden 200 gramë tritol në burgun e Drenovës

0
121

Sonja Caka

 

Drejtori i burgut: Sasia e futur për arratisjen e 23 nëntorit, u gjet nga punonjësi i këtij burgu dhe u hodh 20 metra larg

 Prokuroria e Korçës nis hetimet për të zbuluar kohën kur është futur lënda eksplozive brenda këtij burgu

 

burgu-i-drenovesNuk kanë të sosur lajmet nga burgu i sigurisë së lartë të Drenovës në Korçë. Pas një arratie spektakolare, një arratie të parandaluar, tashmë evidentohet brenda tij një sasi tritoli. Kjo ngjarje e dy ditëve më parë e sjell sërish në vëmendjen e medias këtë institucion të vuajtjes së dënimit, pasi nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë që në mjediset e burgjeve shqiptare të arrihet deri në futjen e lëndës eksplozive. Për herë të parë në një burg shqiptar është gjetur brenda tij 200 gramë tritol, i mbuluar nga një masiv inertesh dhe bimësie. Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet lokale, sipas të cilave lënda shpërthyese e llojit tritol është gjendur në regjimin e brendshëm të burgut, pas kontrolleve rutinë që kryhen në këtë institucion të sigurisë së lartë, të cilat bazuar edhe në ngjarjet e shënuara, janë shtuar ndjeshëm nga ana e drejtuesve dhe gardianëve të këtij burgu. Nga të dhënat zyrtare bëhet me dije se sasia e tritolit ka qenë e fshehur mes bimëve dhe inerteve, gati për shpërthim.

 

Reagimi

 Lidhur me këtë sasi eksplozivi të gjetur në mjediset e burgut ka pasur një reagim edhe nga drejtuesi i tij. Sipas drejtorit të burgut të Drenovës, Filip Ulndreaj, sasia e tritolit ka hyrë brenda mjediseve të burgut disa muaj më parë dhe do të shërbente për arratisjen e bujshme të muajit nëntor, e cila ndodhi pa qenë nevoja e përdorimit të lëndës eksplozive. “Tritoli me pllaka magnetike ka qenë i vendosur në derën e regjimit më 23 nëntor, është gjetur nga një punonjësi cili e ka hequr dhe e ka hedhur sasinë e tritolit rreth 20 m larg burgut të Drenovës. Sasia e tritolit u gjet në vendin nga u arratisën të burgosurit më 23 nëntor 2013. Nuk ka asnjë punonjës të burgut të penalizuar apo të shkarkuar për ngjarjen”, – ka shpjeguar Ulndreaj.

 

Precedentët

 Brenda një harku kohor 3-mujor, burgu i Drenovës përfshihet nga skandale të njëpasnjëshme. Herën e parë, më 23 nëntor të vitit të kaluar u arratisën nga ky burg shtatë të dënuar, 4 prej të cilëve të dënuar me burgim të përjetshëm. Fatmirësisht, arrestimi i tyre u bë në kohë rekord dhe u bë e mundur të prangosen edhe ndihmës e tyre nga jashtë. Por, pa u shuar ende jehona e kësaj ngjarjeje, një tentativë arratie u shënua sërish në këtë burg, por kësaj radhe protagonistë ishin ndihmësit e shtatë të arratisurve, të cilëve u janë gjetur në qeli 4 fletë sharra hekuri, të cilat do të përdoreshin nga të paraburgosurit për një tjetër arratisje të mundshme, por që u evidentuan në kohë falë një kontrolli të befasishëm të një grupi të ardhur nga Tirana. Një grup hetimor është duke hetuar mbi kohën kur ka hyrë sasia e tritolit, e cila mund të shënonte një tjetër ngjarje të paprecedentë në këtë burg nëse do kishte shpërthyer. Nëse vërtetohet se kjo sasi ka hyrë para arratisjes së shtatë të dënuarve, do rëndohet pozicioni i 21 gardianëve nën hetim, pse jo edhe drejtuesit të asaj kohe në këtë burg. Nëse rezulton të ketë hyrë më pas, listës së këtyre personave do t’u shtohen të tjerë të hetuar.

 

Gjykatë

Tërhiqet nga akuza për ndryshim mase, ngel në burg Gjergji Thimo

Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masën “Arrest me burg” për koleksionistin Gjergji Thimo. Ky vendim është marrë, pasi vetë kërkuesi u tërhoq nga kërkesa e tij, ndërkohë që edhe akuza ishte përgatitur me argumente për ta rrëzuar këtë kërkesë. Para Gjykatës, koleksionisti kishte kërkuar të lirohej nga qelia e burgut për arsye shëndetësore dhe me pretendimin se kanë përfunduar afatet hetimore prej 6 muajve. Ky pretendim u rrëzua nga prokurori i çështjes i cili kërkoi që kërkesa e Gjergji Thimos të mos pranohej. Gjykata, pasi dëgjoi palët, vendosi të mos e ndryshonte masën e “Arrestit me burg” për koleksionistin deri në një vendim tjetër. Ndërkohë, prokurori Ervin Karanxha u kujtoi togave të zeza se ka përfunduar raporti i vlerësimit të ikonave të gjetura në banesën e Gjergji Thimos, ku shumica prej tyre rezultojnë të vjedhura. Sipas tij bëhet fjalë për 40 ikona të vjedhura brenda vendit dhe 20 të dyshuara si të vjedhura në Maqedoni. Po sipas prokurorit, ka qenë vetë i akuzuari që është tërhequr nga kërkesa për ndryshim të masës.

 

 

Ministri Naço

Takime me kreun e Organizatës Botërore të Juristëve dhe atë të Legjislacionit Publik

 Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, zhvilloi dje një takim me z. Spyridonas Flogaitis, drejtorin e Organizatës Evropiane për Legjislacionin Publik (EPLO). Gjatë takimit është diskutuar në lidhje me hapësirat institucionale në fushën e së drejtës publike, zhvillimin e programeve të trajnimit, hartimin e studimeve dhe bashkëpunimin me institucione të tjera ndërkombëtare në fushën e të drejtës publike. Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, ka shprehur interesin e tij për t’u njohur me modalitetet e Marrëveshjes për Themelimin dhe Statutin e Organizatës Evropiane të Legjislacionit Publik, ndërsa u shpreh i sigurt për nisjen e një angazhimi konkret pranë kësaj organizate. Gjithashtu, gjatë bisedës, palët vlerësuan edhe krijimin e një komuniteti shkencor, ku Shqipëria të sjellë kontributet e saj, dhe nëse kjo gjë do të mundësohej, atëherë do të realizohej ngritja e një instituti të rëndësishëm për të mbështetur nismat ligjore të vendit tonë. Po dje, ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, priti në një takim z. Aleksandër Belohlavek, president i Organizatës Botërore të Juristëve. Ndërmjetësimi dhe arbitrazhi, si dy metoda efikase që sigurojnë një zgjidhje miqësore të mosmarrëveshjeve, ishin në qendër të bisedës mes z. Naço dhe z. Belohlavek. Referuar rëndësisë së aplikimit të këtyre metodave edhe ne vendin tonë, ministri Naço kërkoi ndihmën e Organizatës Botërore të Juristëve, e cila përmes eksperiencës së saj të gjatë, mund të asistojë Ministrinë e Drejtësisë dhe ekspertët e fushës, që ta shndërrojnë në një instrument më funksional dhe efektiv ligjin nr. 10385, “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency