Si të bëhesh mbarëshqiptar?!

0
166

Violeta Murati

 

Sot, një takim politik, jo i pari si rast, midis ministrave të Kulturës Kosovë-Shqipëri; për një kulturë natyrale shqiptare gjuha politike është gjithmonë propagandë, ku të gjitha pushtetet e kaluara partiake e kanë të vështirë të ndajnë tryezën nga realiteti, duke kompromentuar më shumë profilin e tyre politik sesa kanë krijuar ura reale komunikimi mbarëshqiptar. Në këtë rast për ta marrë perceptimin mbarëshqiptar, risjellim një bisedë me faktorë kulturorë, pandarë të të tria trevave, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni

 

 

ema te edipi mbretÇfarë po ndodh me botën shqiptare, është se nuk përfundon në Morinë dhe as në Qafë-Thanë. Nëse në këtë Ballkan nuk lejohet bashkimi i territoreve etnike, ne kush na ndalon të kemi një revistë kulturore të përbashkët, kush na ndalon të kemi federatën e shkrimtarëve shqiptarë apo sindikatën e aktorëve shqiptarë, kush na ndalon të kemi një shtëpi botuese që të jetë mbarëshqiptare apo televizionin mbarëshqiptar…?

Të parët që ngrenë këto pyetje të kohës e që kuptojnë se të prodhosh kulturë nuk ka të bëjë më vetëm me Kosovën, Shqipërinë apo Maqedoninë, janë vetë artistët, intelektualët. Të zhytur në dilemat e një lëvizjeje të re të komunikimit mes tri trevave, gjendja e brendshme ka ankthin: si të bëhen mbarëshqiptarë! Sa jemi larg një rryme jete shpirtërore? Në vetëdijen shqiptare kjo thirrje u zgjua në vitet ‘30, kur në Shqipëri ndër lajmet e diturisë e të artit përgjithësisht veprohej individualisht, ku atë Anton Harapi ngre shqetësimin: “Pse nuk kishte një ent shtetnor, i cili t’i bashkonte fuqitë e përpjekjet e veçanta në një veprimtari të ndërgjegjshme kolektive?”

Modeli i komunikimi kulturor që sundoi pas Luftës së Dytë dhe deri në vitet ‘90, mori drejtim të kundërt me idealin e elitës së viteve ‘30. Në vitet e diktaturës, kur gegërishtja u mohua në letrat shqipe, duke iu larguar traditës letrare e kulturore deri në një dezintegrim të vetëdijes sonë kombëtare e kulturore, komunikimi kulturor mbarë shqiptar mbeti përsëri i izoluar, politikisht.

Pas gati 100 vjetësh, duke kërkuar prerjen e urës, bluhet në mendje të intelektualëve dhe artistëve e njëjta gjendje. Një prej tyre, shkrimtari Kim Mehmeti, para pak vitesh librin e sillte në trastë nga Shkupi, duke ua shpërndarë miqve e gazetarëve në kafenetë e Tiranës… Sot, vjen më natyrshëm, tregon se librat e tij botohen në Tiranë, po ashtu dhe në Prishtinë, e mund të lexohet njëlloj në të dyja vendet. E kështu, edhe pse nuk ka piketa letrare, Kimi thotë: “Në këtë kontekst ndihem shkrimtar mbarëkombëtar, sepse botuesit e mi janë në të gjitha hapësirat mbarëshqiptare dhe më kanë lehtësuar, çantën e kam të zbrazët tani”. Kjo është arsyeja pse ky shqiptar i Maqedonisë thotë se tani duhet të kemi një adresar që kush e hap të dijë se çfarë po ndodh me letërsinë shqiptare, pa u shërbyer kjo me doracakë një në Tiranë, një në Shkup dhe një në Prishtinë.

Për t’u lidhur me “faktorin shpirtnor” të ndërprerë në vitet ‘30, çfarë kërkohet, si nevojë ende e paarritshme është “jeta e përbashkët, portreti kolektiv ku është gjuha jonë”. Muri në mes mbetet akoma sindroma e moskomunikimit kulturor, edhe pse “nuk është gjallë Enver Hoxha, edhe pse nuk ka më Millosheviç”. Shqetësimi i shkrimtarëve të Shqipërisë ka vështrim tjetër, nuk arrijnë asnjëherë të kenë dije mbi librat që botohen në Kosovë, mbi aktivitetet kulturore, premierat, veprat shkencore, periodikët letrarë apo të përditshmet politike. Shkrimtari Agron Tufa në shkrimet e tij e ka ngritur këtë shqetësim jo pak herë duke thënë: “Përgjatë këtij 17-vjeçari, në “Historinë e letërsisë shqiptare” nuk është shtuar asgjë e re. As nëpër auditorët e universiteteve tona. Brezi më i ri i shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës, i përfshirë në këtë “Histori të letërsisë shqiptare”, ka qenë asokohe në brezin e 30-35-vjeçarëve, ndërkohë që mosha e tyre sot ka kapur 40-45 apo 50 vjeç; është rritur natyrshëm korpusi i veprave dhe rëndësia e pozicionimi brendapërbrenda letërsisë”. E njëjta gjë mund të thuhet për “klasikët e gjallë”, Ali Podrimen me shokë. A është kjo një nga format e indiferencës, mosdashjes për komunikim? “Me këtë strategji të moskomunikimit qëndrojnë në kulturën tonë jo vetëm zhvillimet dhe dinamika kulturore në raport me gjysmën (Kosova, Maqedonia, Mali i Zi) që e gjenerojnë këtë kulturë, por edhe brendapërbrenda Shqipërisë, sipas boshtit qendër – periferi. Kjo mënyrë e braktisjes në gjendje natyrore të komunikimit, bëhet truall i begatë për “guerile letrare” pa asnjë identitet të fortë kulturor. Dhe në fakt këta zëra të çjerrë spikasin në sfondin e pluhurnajës së Vezuvit tonë kulturor”, shkruan Tufa.

Në vitin 2010, mes Shqipërisë e Kosovës për herë të parë ministrat e Kulturës të dy vendeve nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi kulturor që shkonte deri në vitin 2012, me qëllim shkëmbimet kulturore. Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë, bazuar mbi atë të vitit 2002, po që nuk ishte realizuar asnjë pikë prej saj. Ndaj, u vlerësua nga titullarët e lartë të kulturës si “e para marrëveshje e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve”. Deklarata zyrtare ishte: “Marrëveshja vjen si një veprim institucional, që u bën nder dhe respekt gjithë përpjekjeve për vite të tëra të intelektualëve dhe institucioneve respektive, që kanë mbajtur gjallë shkëmbimin kulturor”. Me këtë marrëveshje pritej të disiplinohej shkëmbimi kulturor mes dy vendeve, duke deklaruar se po punon për të dalë nga mentaliteti i muajit apo i javës së bashkëpunimit me Kosovën. Maqedonia, bashkëpunimi me institucionet shqiptare të atjeshme as që u përmend. Deklaratat reciproke që lëshuan dy ministrat ishin krejtësisht politike, pa sanksionuar ndonjë veprim konkret të përbashkët në rang institucioni mbarëshqiptar. Për ta kujtuar si u “shkel” kjo marrëveshje ishte nisma për të pasur një bashkëpunim të përbashkët në fushën e teatrit. Konkretisht në vënien e dramës “Per Gynt” me aktorë nga tri trevat, e financuar nga tre teatrot kombëtarë respektivë. Shfaqja arriti të jepej në Shkup dhe Prishtinë, ndërsa nuk u dha në Tiranë! Kjo mbeti vetëm shkëndijë e atij “veprimi institucional” të premtuar. Gjithçka ka shkuar si më parë. Tirana vazhdon të mbetet arrogante, Prishtina ende e izoluar dhe Shkupi i pashkëputur nga inferioriteti i të qenit në periferi.

Në ironi të pritjes së një strategjie të përbashkët të komunikimit kulturor, ai individual ka nisur të gjallojë në një përpjekje për t’u njohur, por edhe tërheqje në nevojë të zgjerimit të tregut kulturor. Ndonëse vetëm. Një rast i tillë është dhe poeti Abdullah Konushevci. Rrëfimi i tij është: “Unë, për veten time, di shumë pak rreth asaj që më është botuar në Shqipëri. E di vetëm se agjencia informative “TANJUG” e ish-Jugosllavisë, në vlugun e fushatës kundër Shqipërisë, pas demonstratave madhështore të vitit 1981, e kishte futur edhe emrin tim, bashkë me të Esat Mekulit, Mark Krasniqit dhe ndonjë tjetri, duke pohuar se në Shqipëri na janë botuar dhe na janë shtrembëruar veprat. Unë nuk e di se në Shqipëri më është botuar ndonjë libër ndonjëherë, edhe pse kjo ka mundur edhe të ndodhë. Në internet e kam parë se “Drita” ka botuar një shkrim timin për romanin “Ulku dhe uvilli” të Vath Koreshit, sikundër që edhe revista filologjike kishte ribotuar një shkrim timin për “Motivin e Moisiut në epikën tonë gojore”.

Agron Tufa më ka thënë se ka botuar disa shkrime të mia në gazetën “Fjala”, por asnjërin nuk e kam parë. Në disa bibliografi të botuara, e kam vënë re se përmendet shpesh emri im, por unë nuk jam në dijeni për ata zëra. E di se gazeta “standard” botoi vjet apo më herët një artikull timin për romanin “Tri motrat”, si dhe një artikull për romanin e Teki Dërvishit me rastin e vdekjes. Po ashtu, kjo revistë, një shtojcën e saj për letërsi dhe art më botoi mbi 11 lutje, duke më bërë një nder të madh. Harrova të theksoj se edhe revista “Mehr Licht” më botoi shkrimin për romanin “Tri motrat”. Ja, kjo është gjithë ajo që di”.

Siç duket, nuk ka informacione inkurajuese nga artistë e shkrimtarë të kryeqyteteve.

Një tjetër protagonist i jetës kulturore në Kosovë, Gani Mehmetaj, drejtor i “Kosova film”-it, thotë: “Projekte të përbashkëta, fatkeqësisht, nuk ka”. Ku mund të ketë projekte të përbashkëta? Në film, në teatër, ndonjë projekt i përbashkët në hulumtimet arkeologjike, Butrinti, Ulpiana e gjetiu. “Po e filloj nga arkeologjia: ilirët shtrihen gjithandej. Nuk them se nuk erdhën arkeologë nga Shqipëria të hulumtojnë gjithandej Kosovës, pati sivjet e vjet edhe restaurues e profile të tjera. Mirëpo, nuk mbaj në mend që pati arkeologë nga Kosova nëpër zonat arkeologjike të Shqipërisë, sidomos në Butrin, ku do të dëshironte të merrte pjesë çdo arkeolog i ri dhe i vjetër. Ndërkaq, kemi arkeologë që janë specializuar në Kroaci, njëra ndër qendrat më të njohura në Evropë për arkeologji”. Edhe në kinema, dy qendrat kinematografike, Prishtinë e Tiranë, nuk bashkëpunojnë fare. Kinematografia në Kosovë është mbyllur në geto, as nuk fton producentë, as kapital të huaj në formë investimesh dhe gati s’bën asgjë, mezi realizon gjysmë filmi që pastaj s’mund ta shfaq askund jashtë një kinemaje në Prishtinë, tepër rrallë edhe në kinemanë “Millenium” në Tiranë. Dhe më kaq përfundon. Kinematografia shqiptare është pak më dinamike, – e vështron nga Prishtina Mehmetaj gjendjen, por “as ajo nuk shquhet për ndonjë gatishmëri të bashkëprodhimit, përkundrazi deri më tash ishte e gatshme të bashkëprodhoj gati me gjysmën e Evropës, por jo me Kosovën”. Prishtina e Tirana e vështruar nga të huaj me segmente të përbashkëta: gjuhën, kombin, kulturën, problemet dhe traditën, këshilla jepet: “pse nuk e filloni bashkëprodhimin”. Ja këtë kujton Mehmetaj nga një simpozium në Tiranë në vitin 1994, kur ia sugjeroi një kineaste gjermane. Më afër, pra shtatë vite asgjë nuk ka ndryshuar nga “mentaliteti i getos”. Për kineastët e Kosovës nuk mund të quhet bashkëpunim nëse angazhohet bie fjala një “grime” nga Tirana apo ndonjë aktor, sikurse nuk quhet bashkëpunim, nëse kinematografia shqiptare e Tiranës e angazhon ndonjë aktor “kosovar”, meqë i duhet ai karakter. “Gjermania, Belgjika, Kroacia angazhojnë më shumë aktorë nga Kosova se sa e bën këtë Shqipëria. Edhe kinematografia e Kosovës angazhon më shumë profile nga Kroacia apo Maqedonia se sa nga Shqipëria. Dhe është për keqardhje”.

Edhe pse në teatër gjendja duket pak më mirë, ku disa herë Teatri Kombëtar i Prishtinës dhe Teatri i Gjakovës kanë angazhuar disa herë regjisorë nga Tirana. Gjithashtu ka pasur raste sporadike që regjisorë të Kosovës kanë qenë në Tiranë, por çfarë mbetet e diskutuar është: prapë nuk ka shfaqje të përbashkëta.

Festivale të përbashkëta, manifestime kulturore, nuk kemi, megjithëse askush nuk pengon. “Por i kemi pengesat në tru, kemi paragjykime, mbase edhe mos durime kapriçoze etj”. Manifestimet ndërkombëtare ku merre pjesë Kosova apo Shqipëria dhe që organizohen nga një qendër ose tjetra (Tirana apo Prishtina) nuk quhen projekte të përbashkëta. Tregohet se dikur Prishtina kishte projekte të përbashkëta me Teatrin Shqiptar të Shkupit dhe prani shumë, shumë më të madhe në Maqedoni.

“E bënte rolin e një lloj qendre shqiptare të kulturës për shqiptarët jashtë Shqipërisë. Dhe e bënte shkëlqyeshëm këtë punë. Por atë mision e harroi më t’u shpallur shtet i pavarur. Mori modelin e keq të Shqipërisë”, – thotë ashpër Mehmetaj.

Pranohet se Tirana është qendra e kulturës shqiptare, por kjo konsiderohet prej inercisë, pa ndonjë dëshirë apo vullnet prej saj, duke u komentuar si “pasiguri” apo “mëdyshje” për t’u shndërruar në qendër kulturore të shqiptarëve në Ballkan. Nga këto arsye pothuaj të gjithë lidhen në një mendje se jemi bërë “tri qendra kulturore të copëtuara” apo “tri principata kulturore” të pakoordinuara, ndonëse flasim një gjuhë e kemi një kulturë, traditë e hapësirë të afër gjeografike.

Ndonëse institucionet flenë gjumë dhe strategjitë e nënshkruara vazhdojnë të jenë formale, të paorganizuara, njerëz të kulturës në të tria trevat besojnë se individualja është lëvizja më e parë dhe nuk do të reshtë. Por, sapo është ngritur sipari i pyetjeve mjaft organike për t’u ndier se jemi në një gjuhë: Tirana është si të shkosh në Prishtinë? A do të shkojmë të shohim një shfaqje në Gjilan siç mund të shihet në Korçë? Ndoshta kjo rrugë ka filluar. Askush nuk beson se kjo do t’i mbetet politikës për ta vendosur, nëse shqiptarët mbarë ndjekin “një rrymë jete shpirtërore”!

Ribotim, mars 2013, në kuadër të takimit të sotëm midis ministrave të Kulturës, Shqipëri-Kosovë

 

 

 

Reagime

 

Drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar të teatrove në Butrint

 

Alfred Bualoti: A është Tirana si të shkosh në Prishtinë?!

“Duke u nisur nga një eksperiencë personale në Prishtinë, para pak ditësh, ku aty pashë shfaqjen “Nata e dymbëdhjetë”. Janë disa elementë, të cilët ne na kanë bashkuar me kohë pavarësisht kufijve, po çfarë ndodh qoftë në Kosovë dhe Maqedoni? Ne nuk i zhvillojmë këto, pavarësisht nga elementët formale dhe ca elementë negativë që i kemi ne si shqiptarë, janë disa elementë të tjerë që na burojnë siç është flamuri. Në Prishtinë nuk kishte manekin të dyqaneve që nuk kishte flamur, nuk kishte vend ku nuk ishte flamuri. Kjo nuk i vinte me sforco, ishte krejt natyrshëm. Ky element pavarësisht nga patriotizmi është në radhë të parë element kulture, është element i brendshëm, konstitucional shpirtëror. Duke qenë element i tillë në mes të kulturës, artit ky është i pari që zhvilloi konceptin modern.

Mendoj se ka shumë pak këtë marrëdhënie mes nesh. Përpos infrastrukturës mes tri vendeve, e shikoj shumë të mundshme një bashkëpunim të frytshëm. S’ka asnjë pengesë për të qenë flegmatikë, të fjetur secili në shtratin e vet. Këtu është një histori bashkëpunimi, pasi shumë gjëra janë krejt të përbashkëta. Nga njëherë dy mendje është më mirë se një mendje, se një bashkëpunim mund të sjellë një fryt të shkëlqyeshëm që t’i flasë jo vetëm kohës, por dhe brezave.

Shikoj se nuk ka një strategji, ose flitet për një strategji krejt formale. Ministria e Kulturës kanë qenë optimistë në mbështete të tyre, por duhen qëllime më të mëdha. Deri, dje, kishim pengesa në lëvizje për të komunikuar shpejt, por kemi pasur konceptin se shqiptarët si këtu dhe atje nuk kanë gjë të re. Por e shoh konkretisht, jo vetëm te prurjet, pozitive, por edhe te strategjia e bashkëpunimit: siç mund të themi se do të shkoj në Korçë për të parë shfaqje, siç mund të shkoj në Gjilan. Këtë e kanë bërë kur kam qenë në Gjakovë. Ti shikosh vendet gati njëlloj, duket sikur ka nisur një farë lëvizje. Mendoj se kjo individualja është lëvizja më e parë, është shumë më përpara, dhe nuk do të reshtë edhe nëse flenë gjumë institucionet.

E keqja e kësaj duhet nisur në koncepte se ne shkruajmë ligje dhe nuk zbatojmë, ulemi e bëjmë referendume apo marrëveshje, por aty mbeten.

Në kontekst personal rruga më e shpeshtë është Shqipëri – Kosovë, për disa arsye,pavarësisht me një shtet tjetër, por tërësisht shqiptar, Tirana është si të shkosh në Prishtinë”.

 

 

Gani Mehmetaj: Pengesat i kemi në tru!

“Projekte të përbashkëta, fatkeqësisht, nuk ka ose unë nuk kam shumë informacione inkurajuese në këto fusha. Megjithatë ma thotë mendja se jam i informuar.

Ku mund të ketë projekte të përbashkëta? Në film, në teatër, ndonjë projekt i përbashkët në hulumtimet arkeologjike: Butrinti, Ulpiana e gjetiu. Po e filloj nga arkeologjia: ilirët shtrihen gjithandej. Nuk them, se nuk erdhën arkeologë nga Shqipëria të hulumtojnë gjithandej Kosovës, pati sivjet e vjet edhe restaurues, e profile të tjera. Mirëpo, nuk mbaj mend që pati arkeologë nga Kosova nëpër zonat arkeologjike të Shqipërisë, sidomos në Butrint ku do të dëshironte të merrte pjesë çdo arkeolog i ri dhe i vjetër. Ndërkaq, kemi arkeologë që janë specializuar në Kroaci, njëra ndër qendrat më të njohura në Evropë për arkeologji. Pastaj në kinematografi. Qendra Kinematografike e Shqipërisë dhe Qendra Kinematografike e Kosovës nuk bashkëpunojnë fare. Kinematografia në Kosovë është mbyllur në geto, as nuk fton producent as kapital të huaj në formë investimesh dhe gati s’bënë asgjë, mezi realizon gjysmë filmi që pastaj s’mund ta shfaqë askund jashtë një kinemaje në Prishtinë, tepër rrallë edhe në kinema “Millenium” në Tiranë. Dhe më kaq përfundon. Kinematografia shqiptare është diç më dinamike, por as ajo nuk shquhet për ndonjë gatishmëri të bashkëprodhimit, përkundrazi deri më tash ishte e gatshme të bashkëprodhojë gati me gjysmën e Evropës, por jo me Kosovën. Mos ta përsërisë se mund të kaloj në bezdi, është financuar një film serb, por asnjëherë nuk është financuar një film i Kosovës. Nuk them, se ne jemi sjell më mirë, por megjithatë mbështetem financiarisht dy filma shqiptarë brenda mundësive tona, mbështetem edhe dy filma të shqiptarëve në Maqedoni.

Para shumë vjetësh kur isha në një simpozium ndërkombëtar në Tiranë, pas ekspozesë sime në emër të “Kosova film”-it dhe në emër të kinematografisë së Kosovës, një gjermane kineaste me tha: “po ju dhe Tirana i keni të gjitha segmentet e përbashkëta: gjuhën, kombin, kulturën, problemet dhe traditën, pse nuk e filloni bashkëprodhimin”. Që nga ajo kohë (1984) kanë kaluare shtatë vjet dhe nuk është bërë asgjë. Duhet të ndryshojë kjo qasje e mentalitetit të getos.

Nuk e quaj bashkëpunim nëse “Kosova film”-i e angazhon bie fjala një “grimer” nga Tirana apo ndonjë aktor, sikurse nuk quhet bashkëpunim, nëse kinematografia shqiptare e Tiranës e angazhon ndonjë aktor “kosovar”, meqë i duhet ai karakter, ndërkaq aktorët i kemi të shkëlqyeshëm, sepse edhe në këtë segment me të tjerët bëjmë më shumë, Gjermania, Belgjika, Kroacia angazhojnë më shumë aktorë nga Kosova se sa që e bënë këtë Shqipëria. Edhe kinematografia e Kosovës angazhon më shumë profile nga Kroacia apo Maqedonia se sa nga Shqipëria. Dhe është për keqardhje.

Në teatër gjendja është diç më e mirë, Teatri Kombëtar i Prishtinës dhe Teatri i Gjakovës kanë angazhuar disa herë regjisor nga Tirana. Nuk e di a e ka bërë një gjë të këtillë ndonjëri nga teatrot e Tiranës apo teatrove të tjera. Por, prapë nuk ka shfaqje të përbashkëta.

Festivale të përbashkëta, manifestime kulturore, nuk kemi, megjithëse askush nuk na pengon. Por i kemi pengesat në tru, kemi paragjykime, mbase edhe mosdurime kapriçoze etj. Manifestimet ndërkombëtare ku merr pjesë Kosova apo Shqipëria dhe që organizohen nga një qendër ose tjetra (Tirana apo Prishtina) nuk quhen projekte të përbashkëta.

Dikur Prishtina kishte projekte të përbashkëta me Teatrin Shqiptar të Shkupit dhe prani shumë, shumë më të madhe në Maqedoni. E bënte rolin e një lloj qendre shqiptare të kulturës për shqiptarët jashtë Shqipërisë. Dhe e bënte shkëlqyeshëm këtë punë. Por atë mision e harroi më t’u shpallur shtet i pavarur. Mori modelin e keq të Shqipërisë.

Tirana është qendra e kulturës shqiptare, këtë askush nuk ia moho, por fatkeqësisht e bënë me inercion e si pa vullnet këtë punë, sikur ka pasiguri e mëdyshje, të mbahet qendër kulturore e shqiptarëve bë Ballkan e në botë apo jo.

Shpresoj të ndryshoj, sepse kështu jetojmë çuditërisht të ndarë, megjithëse e flasim një gjuhë, e kemi një kulturë, traditë e hapësirë të afërt gjeografike. Jemi bërë tri qendra kulturore të copëzuara dhe të pakoordinuara, ashtu si politika”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency