Sa organike janë vërtet produktet “bio”?

0
176

Në Nuremberg hap dyert panairi më i madh në Gjermani për produkte organike “Biofach”. “Bio” jep ndjenjën e sigurisë për produkte të shëndetshme, prodhuar me metoda ekologjike, por a është vërtet gjithnjë kështu?

 

ushqimet_bio_garancia_per_te_qLajmi i mirë në fillim: katrore apo e rrumbullakët, ngjyrë kafe apo e gjelbër, kur një sigël mbi paketim përmban fjalën “bio”, konsumatori mund të jetë i sigurt se përmbajtja vjen nga një sipërmarrje që punon duke respektuar burimet natyrore. “Përparësitë vendimtare të siglave bio dhe ekologjike janë që këto nocione janë të përcaktuar me ligj”, – thotë Andeas Winkler, nga shoqata gjermane për mbrojtjen e konsumatorit “Foodwatch”. “Aty ku gjendet sigla ‘bio’ mund të kem besim se janë respektuar të paktën standardet minimale të prodhimit biologjik. Siglat private garantojnë pjesërisht edhe direktiva me të rrepta përtej standardeve minimale. Dhe nuk kemi të dhëna që ato nuk respektohen”.

 

Kërkesë më e lartë nga konsumatorët…

Vërtet në temën e produkteve biologjike në Gjermani shihet një zhvillim ambivalent: nga njëra anë dekadën e fundit është rritur në mënyrë të vazhdueshme kërkesa. “Gjermania është sa i takon shitjeve tregu i dytë më i madh për produkte ushqimore organike me një volum shitje prej më shumë se shtatë miliardë euro. Ai është kështu një treg vërtet shumë i rëndësishëm dhe i madh”, – thotë Hanns-Christoph Eiden, presidenti i Autoritetit Federal për Bujqësinë dhe Ushqimin (BLE), i cili është përgjegjës për garantimin e siglës gjermane bio.

“Bio” tingëllon si stil i shëndetshëm jetese dhe pjesërisht është kështu, thotë Winkler: “Sigla evropiane bio dhe direktiva evropiane për produktet organike garantojnë për shembull që nuk përdoren pesticide dhe që fermerët nuk përdorin plehra minerale”. Gjithashtu nuk lejohet as përdorimi i bimëve të ndryshuara gjenetikisht si ushqim për kafshët dhe numri i aditivëve është i kufizuar: “Tek produktet konvencionale janë të lejuara rreth 320 aditivë, në sektorin Bio më pak se 50”.

 

… por prodhim më i ulët

Por nga ana tjetër përhapja e bujqësisë organike në Gjermani nuk është e madhe: vetëm shtatë në 100 sipërmarrje bujqësore aplikojnë prodhimin ekologjik. Në total bëhet fjalë për rreth 20.000 sipërmarrje, të cilat aplikojnë ekonomi agrare duke respektuar natyrën. Rreth 1 milion hektarë tokë shfrytëzohet me metoda ekologjike, ose gjashtë për qind e tokës së kultivuar në Gjermani. Numri i fermerëve që specializohen për ekonominë agrare ekologjike, është madje në rënie të lehtë, “pasi pavarësisht kërkesës së lartë konsumatore, ngrihet gjithnjë pyetja e rentabilitetit”, – shpjegon Eiden.

 

Hallka e dobët: paraprodhimi

Çmimet e qirasë për tokën, kostot e prodhimit si dhe çmimet që arrihen në treg për produktet organike, janë shumë të larta dhe gatishmëria e konsumatorit për t’i pranuar këto çmime është e ulët. Vazhdimisht fermat ekologjike gjermane përfundojnë në kryetitujt e gazetave, për shkak të produkteve ndihmëse si ushqimi i kafshëve që vijnë nga sipërmarrje të vendeve jashtë BE-së dhe nuk u përgjigjen standardeve të BE-së.

70 sigla biologjike kombëtare janë njohur tani si të barasvlershme me standardet evropiane, bën të ditur BLE. Kontrollet kryhen me vizita të rregullta: “Përpunuesit gjermanë të produkteve bazë nga këto vende mund të kontrollojnë me anë të dokumenteve shoqëruese të produktit, nëse ai është prodhuar vërtet me metoda ekologjike”, – thotë presidenti i BLE, Eiden. Kontrolli i respektimit të kushteve ligjore i takon sipërmarrjeve private.

 

 

Një numër i madh siglash hutojnë konsumatorin

Siglat bio, pavarësisht nga origjina, gëzojnë një pranueshmëri të lartë në Gjermani. Standardet gjermane dhe ato evropiane janë thuajse të njëjta. Por “Foodwatch” kritikon numrin e madh të siglave të ndryshme: “Ka disa qindra ose mijëra sigla të tilla të ndryshme në sektorin e produkteve ushqimore”, – thotë Winkler. “Konsumatori në supermarket e ka të vështirë të orientohet dhe të kuptojë se cila sigël është vetëm një instrument marketingu dhe cila është serioze (…)”. Për këtë arsye “Foodwatch” kërkon “parimisht rregulla më të qarta, më të mira për identifikimin, përmbajtjen e vlerave ushqimore, origjinën dhe përdorimin e teknikës gjenetike”.

Nevojë për diskutim dhe përmirësim ka mjaft sa i takon mbajtjes së kafshëve sipas kërkesave specifike të species. Këto të gjitha janë tema që do të diskutohen intensivisht në panairin “Biofach” nga 12 deri 15 shkurt në Nuremberg.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency