Ndryshojnë procedurat për marrjen e patentës, test psikofizik drejtuesve të mjeteve

0
165

10 ditë burg për shoferët që drejtojnë makinën në gjendje të dehur apo pa patentë. Ndryshon ligji, nuk do të ketë më transport të qytetarëve me furgonë. Paketë e re për sigurinë rrugor, masa për uljen e shpejtësisë në një sërë segmentesh rrugore

 

makina KlaviMinistria e Transporteve ka gati paketën për ndryshime në procedurën e marrjes së patentës. Në konferencën e përbashkët me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, paralajmëroi një sërë masash për marrjen e lejes së drejtimit. “Do të kemi një rikonceptim të gjithë procesit të testimit për shoferët. Do të ndryshojmë procedurat, që në vend të dikujt të mos shkojë dikush tjetër. Do të kemi një metodologji konkrete, që askush të mos abuzojë dhe të marrin provimin për të tjerë persona”, – u shpreh Haxhinasto. Ministri i Transporteve foli edhe për ndryshime në Kodin Penal dhe Rrugor si dhe për hartimin e një plani masash që do t’u japë fund pagesave nën dorë për marrjen e patentës. “Masat tona janë kryesisht të dy sektorëve, atyre që merren me transportin. Do të forcojmë gjithë procedurën e kontrollit të mjeteve, do të liberalizojmë tregun që të rrisim shërbimin e kontrollit të automjeteve. Do të heqim korrupsionin nga kontrolli i mjeteve. Do të vendosim elementë të detyrueshëm edhe për kontrollin e motorëve të automjeteve, të ndotjes me gazra nga këta motorë”, – theksoi Haxhinasto. Po kështu, për herë të parë në Shqipëri do të zhvillohet edhe testi psikofizik për drejtuesit e mjeteve. “Do të prezantojmë edhe një testim tjetër, atë psikofizik dhe mendojmë se është shumë i rëndësishëm për të parë se sa janë të gatshëm të drejtojnë automjetet. Ndryshime do të ketë edhe në sinjalistikë në rrugë. Janë parashikuar rreth 6 milion dollarë për sinjalistikën dhe do të vendoset në zonat e rrezikshme. Ndërhyrje do të ketë edhe në ruajtjen e rrugës, si një aset i rëndësishëm kombëtar dhe i qytetarëve. Ta ruajmë rrugën nga dëmtimet, nga vjedhja e sinjalistikës, duke ashpërsuar masat”, – përmendi ministri i Transporteve.

 

Paketa e sigurisë rrugore

Në konferencën e dy ministrave u fol gjatë për sigurinë rrugore. Sipas ministrit të Brendshëm, numri i aksidenteve në Shqipëri është shumë i lartë. “Kjo është paketa më e plotë e ndërhyrjes në të gjitha hallkat të cilat pas kësaj ndërhyrjeje do të garantojnë siguri rrugore maksimale, për të garantuar jetën dhe shëndetin e drejtuesve të mjeteve, pasagjerëve dhe kalimtarëve. Siguria rrugore është një problem prandaj bashkë me kolegun Haxhinasto do të prezantojmë një paketë masash. do masë e pjesshme mund të ndikonte në sistem, por jo në mënyrë siç do të ndikojë kjo paketë. Ne jemi të vendosur që të luftojmë edhe shkaqet që çojnë në aksidente. Do të fillojmë edukimin që në shkollë për sigurinë rrugore. Ne jemi të vetëdijshëm që të gjitha këto masa do të ngelnin në letër nëse nuk do të përcaktohen dënimet për shkelësit e rregullave rrugore”, – deklaroi ministri i Brendshëm gjatë fjalës së tij për sigurinë rrugore. Po kështu, Tahiri paralajmëroi fotografim të çdo shkeljeje rrugore dhe më pas kjo fotografi do t’u jepet shoferëve në momentin që do të bëjnë pagesën në Postën Shqiptare. “Dokumentimin e çdo lloj shkeljeje nëpërmjet fotografimit dhe filmimit në çdo zonë, urbane dhe rurale. Respektimi i normave të shpejtësisë, përdorimi i alkoolit, drogës, i telefonit celular në drejtim të mjetit, mos përdorim i rripit të sigurimit, mbajtja e fëmijëve në vende të papërshtatshme në mjet dhe mos përdorimi i kaskave nga drejtuesit e motorëve. Këto janë shkeljet më të shpeshta dhe sjellin edhe pasoja fatale për jetën e njeriut dhe këto shkelje i kemi përcaktuar si prioritare, për shëndetin dhe jetën. Kemi numrin shumë herë më të lartë krahasuar me çdo vend të botës, ku në një aksident përfshihet një këmbësor. Në BE ky aksident nuk përfshihet fare në shifra. Në 295 aksidente me vdekje, 93 përfshijnë një këmbësor. Kalimtarët duhet të kenë respekt për shenjat e qarkullimit”, – theksoi Tahiri.

 

 

Jo transport me furgonë

Po dje, të dy ministrat deklaruan se do të merren masat e nevojshme për të ndaluar transportin me furgonë. Një nismë e tillë pritet të sjellë debate lidhur me mënyrën e transportit, pasi janë më shumë se 15 mijë furgonë, të cilët bëjnë transportin e qytetarëve nëpër qytete apo fshatra. “Së bashku me kolegun Haxhinasto do të marrim masa imediate për të sanksionuar rregullat e transportit qytetar. Transporti me furgon përbën shkak për aksidente, shpeshherë fatale për jetën e qytetarëve. Po e trajtojmë si një masë sigurie për të parandaluar aksidente me pasoja fatale. Një masë që kërkon një planifikim në kohë. Po aplikojmë aktet përkatëse dhe menjëherë do të thotë menjëherë”, – tha ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency