Kosova bën gati miqësoren e parë, FIFA e miraton

0
132

Shteti më i ri pritet që të përballet me skuadrën e Xhamajkës në një ndeshje miqësore

 Akoma nuk janë përcaktuar detajet e fundit për zhvillimin e sfidës

 

KosovoqSep Blater lejoi Kosovën që të mund të luante ndeshje miqësore. Mirëpo duket se tashmë është afruar edhe dita historike. Sipas raportimeve të fundit, edhe shteti më i ri ka gjetur një kundërshtar për t’u përballur me të. Federata e Futbollit e Kosovës ende nuk e ka zyrtarizuar ndeshjen miqësore që pritet të zhvillohet në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë ndërmjet Kosovës dhe Xhamajkës. Por, shtëpia e futbollit kosovar tashmë e ka njoftuar FIFA-n rreth organizimit të kësaj ndeshjeje, sipas vendimit të Sep Blaterit, i cili në janar e lejoi Kosovën të zhvillonte ndeshje miqësore ndërkombëtare në përputhje me disa modalitete që i kishte vendos njeriu i parë i futbollit botëror. Lajmin e ka konfirmuar për gazetën “Arena” zyra për Informim e FIFA-s. “Në përputhje me modalitetet e vendimit të FIFA-s për ta lejuar Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare me klube dhe përfaqësuese, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) na ka njoftuar me shkrim rreth qëllimit të saj për ta zhvilluar një miqësore kundër Xhamajkës më 4 mars në territorin e Kosovës”, – thuhet në përgjigjen me shkrim të FIFA-s dërguar “Arenës”.

 

FIFA njofton Serbinë

Madje, FIFA ka bërë të ditur se për miqësoren mes Kosovës dhe Xhamajkës tashmë e ka njoftuar Federatën e Futbollit të Serbisë, sipas modaliteteve të vendimit të fundit të FIFA-s për Kosovën. “Në përputhje me modalitetet e përmendura, FIFA e ka Informuar Federatën e Futbollit të Serbisë”, – sqaron zyra për Informim e FIFA-s.

 

Vendimi te xhamajkanët

Në anën tjetër, Federata e Futbollit e Kosovës ende nuk e ka zyrtarizuar këtë miqësore në Prishtinë e po ashtu nuk është në gjendje të japë informacione më të hollësishme rreth këtij procesi. Udhëheqësit e futbollit kosovar “topin” e hedhin te xhamajkanët, por edhe te kompanitë që po merren me aranzhimin e miqësores, prej të cilave po e presin një përgjigje. “Ende nuk ka të reja”, – ishte përgjigjja e kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri, të dhënë të hënën. Burimet thonë se kosovarët i kanë kryer të gjitha detyrat që u kanë takuar për ta organizuar takimin, madje edhe sa u përket vizave për ekspeditën e Xhamajkës. Po ashtu, edhe kompanitë që janë marrë me aranzhimin e ndeshjes, kanë punuar shumë në këtë drejtim, por thuhet se xhamajkanët nuk po mund të vendosin përfundimisht rreth ardhjes së tyre në Kosovë, për shkaqe teknike, që kanë të bëjnë kryesisht me udhëtimin në drejtim të Kosovës.

 

Cungu në sytë e Partizanit

Ish-trajneri i Kukësit, Armando Cungu, është një kandidat serioz për stolin bosh të Partizanit. Kujtojmë se pankina e Partizanit mbeti bosh pas dorëheqjes së Hasan Likës menjëherë pas derbit të humbur kundër Tiranës, por shkodrani Cungu nuk është i vetmi kandidat për stolin e kuq, një tjetër opsion është edhe Skënder Gega, që aktualisht drejton kombëtaren U-21 të Shqipërisë. Në një mbledhje të bërë para dy ditësh me ekipin, stafin teknik dhe drejtues, presidenti Gazmend Demi njoftoi se megjithëse i janë paraqitur shume kandidatura për vendin e trajnerit të parë të skuadrës ai ka vendosur të mos nxitohet, në mënyrë që përzgjedhja të bëhet sa më e studiuar. Presidenti bëri të ditur vendimin e tij që për momentin skuadra do të drejtohet nga një bord që do të përbëhet nga stafi teknik aktual nën drejtimin e Marsio Sanpajos që është edhe përgatitësi atletik i skuadrës. Skuadra zhvilloi dje paradite seancën e parashikuar stërvitore në fushën e kompleksit “Olimpik” në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e radhës kundër Lushnjës, që do të luhet ditën e shtunë, ora 14:00, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

 

Vangjeli e fillon me fitore si kapiten

Kristi Vangjeli e nis më së miri aventurën tek ish-ekipi i tij Aris. Futbollisti korçar ka marrë shiritin e kapitenit te ekipi që u bë i famshëm. Vangjeli ka zhvilluar një lojë shumë të mirë, ku ekipi i tij fitoi në shtëpi kundër Panoiniosit 1-0 me gol të Aganzos në minutën e 58-të. Arisi ndodhet në vendin e fundit të tabelës dhe shanset për të shpëtuar janë shumë pak. Ndeshja ishte e vlefshme për Superligën greke dhe lajm i mirë për futbolldashësit shqiptarë është se Vangjeli është vlerësuar maksimalisht duke u emëruar kapiten i ekipit.

Probleme në Soçi, mungojnë temperaturat e ftohta

Temperaturat e larta kanë sjellë jo pak shqetësime për Lojërat Olimpike Dimërore Soçi 2014. Organizatorët kanë pezulluar provën e tretë në garën e superkombinuar në ski për femra. Shkak për këtë është bërë mungesa e borës në parametrat e kërkuar olimpikë. Sportistët gjithashtu nuk janë lejuar të stërviten në pistën kryesore. Ndërkohë, është zhvilluar vetëm gara në këtë disiplinë për meshkuj, ku ka dominuar veterani amerikan Bot Miler. Kanadaja kryeson tabelën e medaljeve në “Soçi 2014”, Houell fiton medaljen e artë në Slopstail, Amerika e Veriut dominon në “slopstail”. Pjesë e disiplinës stil i lirë në ski, ky sport merr pjesë për herë të parë në historinë e Lojrave Olimpike Dimërore, ndërsa medalja e artë u fitua nga kanadezja Dara Houell. Kjo e fundit bëri paraqitjen më të mirë në finale, duke lënë pas amerikanen Devin Logan, e cila fitoi medaljen e argjendit. Medalja e bronzit në këtë garë u fitua nga sportistja tjetër kanadeze Kim Lamar. Pas ditës së katërt të Lojërave Olimpike “Soçi 2014”, Kanadaja kryeson tabelën e medaljeve me katër medalje të arta.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency