Hapet procesi/ Nis aplikimi për kompensimin e pronave, dokumentet që duhen dorëzuar në AKKP

0
163

Aplikojnë edhe ata që nuk u është miratuar kërkesa në vitet e kaluara. Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën 2000 lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë

 

prona Nga dita e sotme, Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave do të nisë procedurat për kompensimin e pronarëve. Ky proces nuk do të jetë i kufizuar në afat dhe çdo subjekt i interesuar mund të paraqitet pranë zyrave të AKKP-së, nga ora 9:00-12:00. “Në mbështetje të VKM nr. 383, datë 19. 5.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bën me dje: Fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për shpërndarjen e kësteve për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Me këtë rast AKKP fton të gjithë subjektet e interesuara, emrat e të cilëve janë miratuar me VKM-në nr. 435, datë 24.4.2013, VKM-në nr. 494, datë 19.6.2013, VKM-në nr. 685, datë 16.8.2013 dhe VKM- në nr. 760, datë 5.9.2013 “Për shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të paraqiten pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për kompensim nga fondi i ALUIZNI-t”, – thuhet në njoftimin e AKKP-së.

 

Grupi i punës

AKKP ka ngritur grupin e punës, i cili do të kryejë pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të interesuara. “Të dhënat e subjekteve përfituese janë të evidentuara në listat që u bashkëlidhen vendimeve të Këshillit të Ministrave ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale të miratuara deri më tani”, – thekson Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifen e shërbimit në vlerën prej 2 000 lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarife shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.

 

Dokumentet që duhen dorëzuar

– Kërkesë tip, që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave.

– Dëshmi e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi; (Në rast se subjekti përfitues ka vdekur).

– Prokurë e posaçme, e nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronarë apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarife shërbimi në vlerën 2 000 (dymijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme.

– Vërtetim i lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës.

– Fotokopje e dokumentit të identifikimit.

– Certifikatë familjare e kërkuesit/aplikuesit.

– Mandatpagesë për shumën 2000 (dy mijë) lekë për çdo aplikim të veçantë.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency