Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik/ Mazhoranca tërhiqet për AMA-n, pranon ekspertizën ndërkombëtare

0
107

Florenc Drizari

 

 

 

Luçiano Boçi: Shtesa mediatike për të fituar pikët e humbura në raport me atë lloj amendimi antiligjor që është kërkuar për anëtarët e AMA-s

Alfred Peza: Mungesa e seriozitetit ka ardhur nga kryetari i Komisionit, i cili në mënyrë personale ka dërguar letra

 

komisioni mediasKomisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vendosi t’i drejtohet Këshillit të Evropës me një kërkesë për asistencë teknike lidhur me projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin “Për mediat audivizive në Republikën e Shqipërisë”, AMA-n”. Mes përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së në komision pati debate për kohën në të cilën bëhet kërkesa për asistencë teknike tek ndërkombëtarët, në raport me qëndrimet e mbajtura më parë për këtë çështje. Nënkryetari i Komisionit të Medias, Alfred Peza, propozoi një projektvendim për të kërkuar asistencë teknike ndaj institucioneve që kanë bashkëpunuar më parë. Kërkesa e tij në parim u gjykua e drejtë nga demokratët, por koha në të cilën bëhet projektvendimi, sipas tyre nuk tregon seriozitet nga ana e mazhorancës. Deputeti i PD në Komisionin e Medias, Luçiano Boçi, tha se reflektimi i mazhorancës nuk është i sinqertë dhe për këtë ai theksoi nismën e shumicës parlamentare për ta votuar draftin brenda datës 6 shkurt.

“Duhet të kemi parasysh dinamikën e ngjarjeve, pasi ka pasur një Konferencë të Kryetarëve dhe nuk është pranuar propozimi i opozitës për shtyrjen e miratimit të amendimit, por ka ardhur me kërkesë në kohë rekord për t’u kaluar në seancë dhe kryetari nuk e ka pasur mundësinë në mbledhje të Komisionit por ka vepruar si institucion duke ngritur një shqetësim. Përgjigjja është pozitive që duhet të ketë asistencë dhe pse duhet të ndryshojmë rrugën. Ne kemi asistencë, përgjigjen e kemi marrë dhe konkluzioni është ai që ne kemi kërkuar”, – theksoi Boçi.

Në replikë me deputetin demokrat, nënkryetari i Komisionit të Medias, Alfred Peza, tha se mungesa e seriozitetit ka ardhur nga kryetari i këtij komisioni, Genc Pollo, i cili sipas tij, “në mënyrë personale ka dërguar letra dhe sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës thotë se ne jemi të gatshëm të asistojmë, por kërkesa nuk duhet të jetë personale, duhet të vijë nga Parlamenti dhe ministria përkatëse. Kështu që këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, por është një përmbushje e përgjigjes së zotit Jangland”, – deklaroi Peza.

Ndërkaq, kreu i Komisionit të Medias, Pollo, edhe pse e quajti një gjë pozitive nga ana e mazhorancës të shprehet në favor të këshillimit nga organizatat evropiane të cilat e kanë insistuar Kuvendin në dy legjislaturat e shkuara për këtë projektligj, ai theksoi se ka informuar kreun e Kuvendit për këtë çështje dhe çdo qëndrim tjetër i mazhorancës është debat politik.

“Bazuar në këtë konsensus unë i jam adresuar të tria organizatave. OSBE, KE, KiE. Dy të parat na kanë shkruar dhe letrat janë shpërndarë. Për më tepër unë këtë letër ia kam bërë me dijeni Kryetarit të Kuvendit. Kështu që ato që ju pretendoni për shkeljet e rregullores, janë një banalitet i radhës që unë do të doja të shmangen nga Komisioni”, – tha Pollo.

Në përfundim të debatit, anëtarët e komisionit ranë dakord për adresimin në mënyrë institucionale te Këshilli i Evropës të kërkesës për asistencë dhe ekspertizë edhe nga ky institucion.

Në vijim, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik diskutoi lidhur me zhvillimin e mëtejshëm dhe forcimin e marrëdhënieve me Komisionin për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media të Republikës së Kosovës.

 

 

 

PD: Robert Çamçakëzi, inspektime të reja në kantieret e Partisë Demokratike

Partia Demokratike vazhdon të akuzojë Kryeministrin Edi Rama për inspektimet që zhvilloi pak ditë më parë në Rrugën e Elbasanit. Koordinatorja për mediat në PD, Silvi Bardhi, komentoi vizitat e fundit të Kryeministrit nëpër rrugët e nisura nga qeveria e mëparshme, duke e quajtur e etiketuar Kryeministrin Rama si “Robert Çamçakëzi u shfaq sërish në një kantier pune, të nisur në kohën kur qeveriste Partia Demokratike”. Zonja  Bardhi theksoi se rruga Lin – Pogradec është një nga dhjetëra e qindra projektet e nisura nga qeveria e mëparshme, projekte te cilat sipas saj, Edi Rama i ka kundërshtuar ku ishte në opozitë. “Kur ka braktisur të gjitha premtimet e fushatës, kur ka dështuar të nisë qoftë edhe një projekt të ri apo të krijojë një vend të ri pune, Rama ka stisur turin e inspektimeve të punëve të nisura në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike. Kryeministri Rama nuk ka vend ku të falet, dhe po falet aty ku më parë ka vjellë vrer. Në opozitë, Edi Rama bëri gjithçka për të bllokuar projektet e zhvillimit dhe votoi kundër çdo investimi në rrugë e infrastrukturë. Madje ai tallej me ndërtimin e akseve kombëtare, rajonale e rurale në vend. Sot, ai shfaqet si kryeinspektor me duar në xhepa, si Robert Çamçakëzi. Pa projekt, pa ofertë, pa punë, por vetëm me llafe e skena teatrale në përpjekje për të mbuluar papunësinë dhe varfërinë që me këtë qeveri po ulen këmbëkryq në realitetin shqiptar”, – deklaroi Silvi Bardhi.

 

“60 ditë për asgjësimin e fletëve të votimit”, KQZ: Do të bëhen me riciklim, kushton më pak

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi me 4 vota pro asgjësimin e fletëve të votimit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit të kaluar. Asgjësimi i fletëve të votimit sipas KQZ-së do të bëhet përmes riciklimit. Në projektvendimin e shpërndarë për anëtarët, KQZ ka parashikuar një kosto prej 3 milionë lekësh për të gjithë procesin, i cili do të zgjasë 60 ditë. Riciklimi i fletëve të votimit do të kryhet nga 40 punëtorë dhe 10 supervizorë. Pas diskutimesh u vlerësua se riciklimi është mënyra më e mirë për të bërë asgjësimin, duke rezultuar me kosto më të ulët dhe pa ndikim negativ në mjedis. “Djegia dhe riciklimi janë dy format që ekzistojnë për këtë vendim. Sa i takon fshehtësisë së votës, nëse nuk digjen, një komision do të ndjekë gjithë procesin, pavarësisht nëse do të jetë riciklim apo djegie. Riciklimi ka një kosto më të vogël, kurse djegia ka kosto të lartë, po të mendosh vetëm për karburantin që do të përdoret. Problem mbetet ndotja e ambientit”, – tha një nga specialistët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency