Aksidenti tragjik/ E mbijetuara: Fugoni u rrokullis, shpëtova nipin

0
120

Anxhela Tato

 

Rrëfimi i Zyrie Kovaçit nga Spitali Ushtarak: Më nxorën nga makina banorë të zonës

 74-vjeçarja tregon se shoferi po ecte shumë ngadalë dhe me të kishte udhëtuar disa herë për në Kukës

 

furgoni i aksidentuar ne kukesE mbijetuara e aksidentit tregon momentet e tmerrit në ngjarjen tragjike, ku humbën jetën 6 persona. I vetmi fragment që kujtohet është shpejtësia me të cilën ka arritur të nxjerrë nipin nga fugoni, i cili fatmirësisht mori vetëm disa lëndime të lehta. 74-vjeçarja Zyrie Kovaçi rrëfen se ajo ishte ulur në fund të fugonit në momentin kur automjeti përfundoi në greminë. E moshuara tregon se i vetmi shqetësim ishte jeta e nipit të saj, të cilën ka arritur ta nxjerrë me ndihmën e banorëve të zonës. Ajo kujton se ishin afër kthesës, kur automjeti rrëshqiti. Ka dëgjuar britma dhe ka parë përreth gjak dhe persona të lënduar që kërkonin ndihmë. Pasi ka arritur të shpëtojë nipin, 74-vjeçarja nuk mban mend asgjë tjetër, për shkak të tronditjes. Është zgjuar në Spitalin Ushtarak, ku fatmirësisht është tashmë jashtë rrezikut për jetën. E mbijetuara ka vetëm plagë në kokë dhe në pjesën e kraharorit. Ankohet për dhimbjet, por është e lumtur që arriti të shpëtonte nipin dhe vetë ka mbijetuar, ndërsa mohon që të ketë qenë faji i shoferit, me të cilin kishte udhëtuar edhe herë të tjera. E moshuara e bënte shpeshherë këtë rrugë së bashku me nipin e saj. Ditën e ngjarjes ajo po shkonte në Kukës me të njëjtin shofer në të njëjtin segment rrugor.

 

Dëshmia

 “Isha duke udhëtuar nga fshati bashkë me nipin. Po shkonim në Kukës dhe unë e bëja shpesh këtë rrugë. Isha afër kthesës kur fugoni u rrokullis. Unë isha ulur në fund dhe mbaj vetëm britma dhe që u rrëzuam. Kudo kishte vetëm gjak dhe persona të lënduar që kërkonin ndihmë. E vetmja gjë në mendjen time ishte nipi dhe atë arrita ta shpëtoja. Një fshatari që na u afrua për ndihmë, i dhashë nipin dhe aty kam humbur ndjenjat. Kam marrë vesh që kanë qenë banorë të zonës që më kanë çuar në spitalin e Kukësit dhe nga aty më transferuan në Tiranë. Kam dhimbje dhe kam marrë plagë në kokë dhe brinjë. Por për mua është e rëndësishme që shpëtoi nipi im dhe morri vetëm disa lëndime të vogla dhe nuk u shtrua në spital. Nuk mund të fajësoj shoferin, pasi unë e bëja shpesh herë këtë udhëtim me të dhe nuk është se ai ka ecur gabim, gjithnjë njësoj dhe se kuptoj sesi ndodhi ngjarja”.

 

Sarandë

 Mes lotësh e dhimbjes janë përcjellë për në banesën e fundit pesë viktimat e aksidentit të ndodhur pasditen e së shtunës në Urën e Bogazit në aksin Konispol – Livadhja. Taip Madani, vëllezërit Fejzo e Krenar Sulo si dhe babë e bir, Petro e Kristaq Meçi, janë varrosur në vendlindjet e tyre, përkatësisht në fshatrat Shalës, Ninat e Dërmish në orare të ndryshme. Qindra persona kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore të valltarit të famshëm të “Valles së Osman Takës”, 67-vjeçarit Taip Madani. Për të nderuar Madanin kanë ardhur në Shalës edhe deputetët e PDIU-së, Dashamir Tahiri e Tahir Muhedini, si dhe përfaqësues të tjerë të shoqatës patriotike “Çamëria”. Ekspertët rrugorë kanë dalë në një konkluzion paraprak në lidhje me aksidentin e së shtunës në Urën e Bogazit në Sarandë, ku mbetën të vdekur 5 persona. Sipas policisë, mjeti tip “Renault” me targë AA 875 BG me drejtues 67-vjeçarin Taip Madani, në momentin e aksidentit ka qenë duke lëvizur në korsinë e gabuar. Ndërkohë, faktor plotësues ka qenë edhe fakti që drejtuesit e dy mjeteve dhe pasagjerët përkatës nuk kanë pasur të vendosur rripin e sigurimit, çka i ka shkaktuar përplasjen e fortë të trupave me automjetin. Ekspertët rrugorë kanë evidentuar në vendin e ngjarjes edhe mungesën e sinjalistikës përkatëse, konkretisht paralajmërimin e kthesës tek Ura e Bogazit.

 

 

 

“Maska policore”

Trafik droge dhe armësh, arrestohen babë e bir

 Atë e bir kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës ditën e djeshme, pasi iu gjetën disa armë zjarri dhe një sasi lënde narkotike. Qerim Kolgjini, 20 vjeç, pronar i një qendre interneti dhe Sejit Kolgjini, 54 vjeç, të dy banues në Kamëz, u arrestuan nga policia në kuadër të një operacioni të quajtur “Maska policore”, të organizuar nga Strukturat kundër Narkotikëve të Policisë së Tiranës. Pas një kontrolli të ushtruar në banesën e tyre në Qendër-Institut, atyre iu gjetën tri armë zjarri, një sasi lënde narkotike. Ata u kapën pas një informacioni që dispononin strukturat antidrogë se merreshin me tregtimin e lëndëve narkotike. Personave iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale tre armë zjarri, dy prej të cilave pistoleta dhe një armë zjarri automatike. “Po ashtu u sekuestruan një sasi lëndë narkotike e ndarë në disa porcione, disa maska, kapuça si dhe një sasi fishekësh luftarak. Bazuar në informacionet policore të administruara për shtetasit e lartë përmendur, u arrestuan për veprat penale, të prodhimit, mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim si dhe për prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, – thuhet në njoftimi për shtyp të bluve. Qerim dhe Sejit Kolgjini u arrestuan për veprat penale të prodhimit, mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim si dhe për prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake. Nga strukturat e policisë së Tiranës vazhdon hetimi ndaj personave të tjerë të implikuar, apo implikimin e tyre në ngjarje kriminale të ndodhura në Tiranë.

 

 

Durrës

Tentoi të kalonte kufirin ilegalisht, pranga 32-vjeçarit

 Ka tentuar të kalojë kufirin në mënyrë të paligjshme, por është arrestuar nga shërbimet e Policisë Kufitare. S. H., 32 vjeç, banues në fshatin Qerret, Komuna Katund i Ri, Durrës, është vënë nën pranga pas një hetimi në gjendje të lirë në 8 shkurt të këtij viti. Personi në fjalë është kthyer nga policia italiane e Portit të Barit si person i kategorisë “Klandestin”, me tragetin “Bridge” të linjës Bari – Durrës. Nga kryerja e veprimeve hetimore rezultoi se ky shtetas ka hyrë në tragetin e mësipërm më datë 6 shkurt, duke u fshehur në kaminat që imbarkoheshin në këtë traget. Kjo pasi rezultoi i dëbuar nga autoritetet e policisë italiane dhe greke “me dekret espulsi”. Atij iu bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i pasaportës shqiptare. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

 

 

Berat

I vënë zjarrin shtëpisë, në gjendje të rëndë 38-vjeçari

 Një 38-vjeçar është plagosur rëndë pasditen e djeshme në Berat, pasi banesa e tij është përfshirë nga flakët. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në një apartament në lagjen “Çlirim”. Paraprakisht dyshohet se 38-vjeçari Eugen Duda ia ka vënë qëllimisht zjarrin shtëpisë së tij, dhe nuk është përpjekur të dalë prej andej. Por fqinjët kanë pikasur tymin dhe kanë lajmëruar menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur nxjerrjen e 38-vjeçarit nga banesa dhe lokalizimin e flakëve që rrezikonin të përhapeshin në të gjithë pallatin. 38-vjeçari është dërguar menjëherë në spitalin e Beratit, prej ku mësohet se është në gjendje të rëndë. Ndërkohë banesa e tij është djegur pothuajse plotësisht.

 

 

Korçë

Makina përfshihet nga flakët, shpëton shoferi

 Një makinë e llojit “Smart” është shkrumbuar nga flakët. Ngjarja ka ndodhur në orën 02:00 të mëngjesit të ditës së djeshme në lagjen numër 10, rruga “Pano Xhamballo” në qytetin e Korçës, kur makina drejtohej nga një grua me inicialet Sh. H. Burime nga policia kanë bërë të ditur se makina ka marrë flakë, për shkak të një defekti në paketën elektronike të makinës. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e zjarrit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency