Vendimi i Gjykatës/ Vrasja në Arbanë, dënohet me 12 vite burg roja Kleandër Zefi

0
173

Sonja Caka

Viktima u qëllua nga 18-vjeçari, pasi tentoi të vjedhë lavatriçen e firmës së inerteve ku Zefi ishte rojë i objektit

 

gjykata1Gjykata ka dënuar me 12 vite burg Kleandër Zefin, 18-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e kryer pranë një firmë inertesh në Arbanë të Tiranës. I riu ka kërkuar të gjykohet në aplikim të gjykimit të shkurtuar, duke përfituar në këtë mënyrë uljen e një të tretës së dënimit. Përfundimisht, të pandehurit Zefi i mbeten vetëm 8 vjet burg për të vuajtur. Ngjarja për të cilën u dënua i riu ka ndodhur në orët e mesnatës së datës 19 gusht të vitit të kaluar në Arbanë. Akuzat që rëndojnë ndaj të riut janë “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”. Sipas akuzës, nga hetimet paraprake për këtë procedim penal ka rezultuar se në datë 19.8.2013, rreth orës 01:30, organi i policisë është njoftuar se ne vendin quajtur Arbanë, Tiranë, roja i një objekti ka vrarë me armë zjarri shtetasin Astrit Marku. Shtetasit A. Allamani dhe viktima Astrit Marku, banorë të rrethit Tiranë dhe shokë mes tyre, kanë shkuar me autoveturën e markës “Opel Ascona”, në pikën e inerteve që ndodhet në fshatin Arbanë, në pronësi të shtetasit S. M., për të vjedhur materiale hekuri. Ky objekt ruhej me roje, konkretisht nga i pandehuri Kleandër Zefi. Shtetasi A. Allamani dhe viktima kanë hyrë në objekt, duke qarkulluar me mjetin e tyre dhe pasi kishin vjedhur disa sende, janë diktuar nga roja, i pandehuri Kleandër Zefi. Ky i fundit ka njohur shtetasin A. Allamani që dhe drejtonte automjetin, si banor i fshatit Arbanë. Ai i ka kërkuar këtij shtetasi të zbriste nga mjeti, duke i drejtuar dhe një armë zjarri tip “Kallashnikov”, të cilin e mbante pa leje të organeve kompetente. Shtetasi A. Allamani nuk ka zbritur nga mjeti, por e ka lëvizur atë me shpejtësi prapa duke tentuar të largohej. Në këtë kohë, roja i objektit, shtetasi nën hetim, ka qëlluar në drejtim të mjetit. Nga të shtënat e armës së zjarrit ka gjetur vdekjen shtetasi Astrit Marku, ndërsa shtetasi A. Allamani nuk ka pësuar dëmtime. Ky i fundit menjëherë është larguar në drejtim të Spitalit Ushtarak Tiranë për t’i dhënë ndihmën mjekësore shokut të tij. Roja i objektit, i pandehuri Kleandër Zefi, ka qëndruar në objekt deri në mbërritjen e forcave të policisë.

Dëshmia e Zefit

I pandehuri Kleandër Zefi, i pyetur pas ngjarjes me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, ka deklaruar se prej disa vitesh, bashkë me babain e tij, është i punësuar si roje në pikën e inerteve që ndodhet në fshatin Arbanë, në pronësi të shtetasit S. M. Rreth orës 00:30 të datës 19.8.2013 nga larg ka parë që tek pika e inerteve është afruar një automjet, por që është larguar. Në këtë moment ai ka shkuar tek pika e inerteve dhe aty ka konstatuar se sendet ishin lëvizur nga vendi i tyre dhe ishte kontrolluar kabina e një kamioni. Më pas ai është kthyer në vendrojë dhe ka telefonuar babain e tij, duke e vënë në dijeni për mjetin. Pas pak çastesh, makina është kthyer dhe është futur sërish tek pika e inerteve. Në këtë moment ka marrë armën automatike, që e mbante fshehur dhe pa dijeninë e babait, dhe i është afruar mjetit që ishte futur në pikën e inerteve pranë vendit ku mbaheshin veglat e punës. Ka njohur drejtuesin e mjetit, personin që quhej A. Allamani, banor i fshatit Arbanë. Me armë në dorë është afruar tek dera e drejtuesit të mjetit, e ka hapur atë dhe i ka kërkuar të dalë nga makina. Ka parë gjithashtu se në sediljen e pasagjerit ishte ulur një person që nuk ka mundur ta shohë si fytyrë. “Pas disa sekondash, drejtuesi i mjetit, duke parë që unë kisha armën në dorë, ngeli si i shtangur në vend, nuk bëri asnjë veprim. Në përpjekje për ta zbritur në tokë, shoferi i ka futur marshin, (indietro) makinës dhe e ka kthyer makinën pothuajse në vend, ku për pak desh më përplasi edhe mua dhe u nis për t’u larguar. Në këtë moment unë jam trembur, kam humbur kontrollin dhe kam shkrehur armën në drejtim të automjetit, me qëllim për t’i çarë gomat që të mos largoheshin. Unë kam qëlluar dy-tri herë nga frika, pasi dhe ata mund të kundërpërgjigjeshin”, – ka përfunduar dëshminë e tij i riu Zefi, i akuzuar për vrasjen.

 

Greqi

Identifikohen 2 të arrestuarit me 500 kg drogë, një prej tyre Gërdhuqi

Robert Gërdhuqi dhe Asllan Brata janë dy personat që u arrestuan dy ditë më parë nga policia greke për trafik droge. Dy shqiptarët u kapën me 500 kg drogë nga policia greke në Igumenicë. Sipas policisë lënda narkotike u sekuestrua në një skaf. Njëri nga transportuesit e drogës Robert Gërdhuqi njihet si një person me precedentë të mëparshëm penalë. Ai është dënuar në vitin 1998 për vrasje. Polica ka shpallur në kërkim edhe 35-vjecacrin XH.T nga Saranda. Operacioni nisi që prej kanalit të Korfuzit ku ishte pikasur një mjet lundrues, që dyshohej se transportonte drogën. Motoskafi është ndjekur deri në zonën bregdetare të njohur si Valto, ku është tentuar të shkarkohen 19 çanta me lëndë narkotike. Policia ka ndërhyrë në kohë, duke sekuestruar drogën, rreth 500 kg marijuanë, e duke vënë në pranga 4 trafikantët, dy shqiptarë e dy grekë.

 

Tiranë

Tentuan të vrasin disa persona disa muaj më parë, arrestohen

Policia e kryeqytetit ka ndaluar 3 persona, të shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë. Arrestimi i tyre u bë dy netë më parë, rreth orës 21.30, nga Seksioni për Krimet ndaj Jetës, duke ekzekutuar urdhërin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë datë 06.02.2014, e cila ka caktuar masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprat penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”. Policia ka ndaluar shtetasit Flamur Isufaj, 42 vjeç, banues në Tiranë; Edvan Jaupaj, 32 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “vjedhje”; si dhe Petrit Haka, 42 vjeç, banues në Tiranë. Sipas policisë, këta shtetas, më datë 22.06.2013, në rrugën “Pandi Dardha”, Laprakë Tiranë, dyshohet se kanë tentuar të vrasin me armë zjarri shtetasin Arjan Kacnija (i cili ka mbetur i plagosur) si dhe kanë plagosur me mjete të forta shtetasit Ylber Përgjegji dhe Korab Sula. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency