Tragjedia Fugoni bie në greminë, 6 të vdekur dje 7 të plagosur

0
143

Anxhela Tato

Shoferi 21-vjeçar patentë të klasit B, nuk kishte leje që të punonte si Taxi

Humb gruan shtatzënë në aksident dhe vëllanë, në gjendje kome 23-vjeçari Xhevahir Çuni

 

 

tragjediGjashtë të vdekur dhe shtatë të plagosur është bilanci i aksidentit tragjik të ndodhur në aksin rrugor Kukës-Topojanë. Fugoni ka dalë nga rruga duke rënë në një lartësi prej 100 metrash në orët e para të mëngjesit. Nga policia bëhet me dije se në humnerë ka rënë fugoni me targë “AA870FY”. Shkak dyshohet të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara. Rreth orës 06:30 e mëngjesit të djeshëm fugoni me pasagjerë, i cili po udhëtonte nga fshati Shtrezë drejt Kukësit, ka dalë nga rruga duke rënë në një greminë 150 metra poshtë, dhe si pasojë humbën jetën 6 personave, ndërsa 7 të tjerë janë plagosur. Aksidenti i ndodhur në aksin Kukës-Topojan, rreth 20 kilometra larg qytetit të Kukësit i mori jetën Majlindës, e cila po priste të bëhej nënë; Meleqes studentes që ëndërronte të bëhej financiere e mirë; Zamirit, drejtorit të shkollës në Topojan;  Bashkimit, 21 vjeç, i cili drejtonte fugonin, por edhe Zekriut dhe Feimit. Ndërsa në Spitalin e Traumës 2 të plagosur po luftojnë me vdekjen dhe 2 të tjerë mbeten në gjendje të rëndë. Një djalosh rreth të 20-tave ndodhet në spitalin e Kukësit dhe nuk është transportuar në Tiranë. Ndërsa është mësuar se drejtuesi i automjetit ishte patentë të klasit B dhe nuk i ishte dhënë leja për të punuar si Taxi. Por kushtet ekonomike e kanë detyruar 21-vjeçarin që të dilte me një fugon dhe të transportonte pasagjerët në këtë linjë. Vendi  ku ka ndodhur aksidenti është një ndër akset më problematik të zonës dhe disa herë është kërkuar ndërhyrja dhe rikonstruktimi i asaj rruge. Pjesa e Shishtavecit nuk është e shtruar me asfalt por ka gurë dhe kalldrëm, çka e vështirëson edhe më shumë udhëtimin në ditë shiu.

Ngjarja

Policia e Kukësit ka bërë publike të dhënat e fundit në lidhje me aksidentin e rëndë të ndodhur në fshatin Topojan. “Ditën e shtunë rreth orës 06:45 minuta, në aksin rrugor Topojan-Kukës ka dalë nga rruga duke përfunduar rreth 150 metër në greminë një fugon pasagjerësh ma targë AA 870 FY, në të cilin ndodheshin 11 persona. Si pasojë, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasit: Zekri Shehur, 65 vjeç, Feim Biba, 58 vjeç dhe Zamir Karanxha, 42 vjeç. Kanë gjetur vdekjen, pasi janë transportuar në Spitalin e Kukësit në gjendje të rëndë shtetasit: Bashkim Çuni, 21 vjeç, i cili ishte edhe drejtuesi i mjetit, Majlinda Çuni, 23 vjeçe dhe Meleqe Serianallai, 22 vjeçe. Janë transportuar me helikopter dhe me ambulancë drejt Spitalit Ushtarak Tiranë, në gjendje të rëndë shtetasit: Xhevahir Çuni, 23 vjeç, Petrit Mustafa, 26 vjeç, Zyrie Kovaçi, 74 vjeçe dhe shtetasi Rustem Bibaj. Ndodhet ne Spitalin Rajonal të Kukësit, jashtë rrezikut për jetën shtetasi Servet.H, 18 vjeç. Nga veprimet e para hetimore rezulton se shkak i këtij aksidenti është humbja e kontrollit të mjetit nga shoferi. Në vend ngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave te kësaj ngjarjeje”, – bën të ditur zyrtarisht Policia e Kukësit. Ndërsa në momentet e para u hodhën dyshime se ndonjë defekt teknik mund të kishte shkaktuar këtë tragjedi. Por nga rezultat e para të ekspertizës mësohet se shoferi ka qenë në afërsi të një kthese me një shpejtësi pak më të lartë dhe ka humbur drejtimin e automjetit. Kushtet atmosferike kanë ndikuar që të gomat të mos frenonin, ndonëse përpjekjes së 21-vjeçarit për të marrë nën kontroll situatën.

 

Të vdekur

Majlinda Çuni, 23 vjeçe,  4-muajshe shtatzënë.

Zekri Shehur, 65 vjeç,

Feim Biba, 58 vjeç

Zamir Karanxha, 42 vjeç, Drejtor i shkollës së Topojanit

Bashkim Çuni, 21 vjeç, Drejtuesi i mjetit, kunati i Majlindës

Meleqe Serianallai, 22 vjeçe

Të plagosur

Petrit  Mustafa, 26 vjeç në gjendje të rëndë, ka mbetur i paralizuar

Zyrije Kovaçi, 74 vjeçe, ka politraum, por është jashtë rrezikut

Xhevahir Çuni, 23 vjeç, në gjendje kritike

Rustem Bibaj, 24 vjeç, në gjendje të rëndë, ka mbetur i paralizuar

 

Familja Çuni

“Xhevahiri ishte ulur afër xhamit, ka shumë plagë dhe u operua 2 herë”

Xhevahir Çuni, 23 vjeç dhe Majlinda Çuni, 23 vjeçe ishin një çift i ri, të cilët për 5 muaj prisnin të bëheshin prindër, të një fëmije. Aksidenti tragjik që ndodhi mëngjesin e djeshëm i mori jetën Majlindës, 4 muajshe shtatzënë, ndërsa Xhevahiri aktualisht ndodhet në reanimacion në spitalin e traumës në Tiranë. Mjekët po bëjnë të pamundurën për ta shpëtuar të riun. Pas ndërhyrjes kirurgjikale në fshikëzën e urinës, ai i është nënshtruar dhe një ndërhyrjeje tjetër kirurgjikale, pasi ka dëmtime në kockat e legenit. Të përlotur dhe të lodhur nga pritja familjarët e 23-vjeçarit qëndrojnë pas derës së reanimacionit me shpresën se i riu do të mund t’i shpëtojë thonjve të vdekjes. Me një heshtje mbytëse asnjëri prej tyre nuk mundet dot të rrëfejë për arsyet pse ndodhi kjo tragjedi, e cila familjes Çuni i rrëmbeu dy persona. Kushëriri i parë u 23-vjeçarit tregon i tronditur se për ngjarjen është njoftuar nga media. Menjëherë ka kontaktuar të afërm të tij dhe janë nisur me urgjencë për në spital. “Është shumë rëndë dhe o zot ishalla nuk vdes. U operua në fillim dhe tani është sërish në sallë. Është shumë rëndë për jetën dhe nuk dimë asgjë. Çfarë të të them për aksidentit, zoti pastë mëshirë, ishte e shkruar. Xhevahiri udhëtonte shpesh për në Kukës dhe ishte ulur afër xhamit. Di që nga përplasja i është ngulur një copë hekur e makinës dhe që makina është rrokullisur disa herë. Kjo është një fatkeqësi për ne”, – shprehet i afërmi i 23 vjeçarit. Ndërsa shton që për aksidentit janë informuar nga televizori dhe nuk donin ta besonin që një prej të afërmve të tyre ndodhej në automjetin e vdekjes. Xhevahir Çuni është në gjendje kome pas dy ndërhyrjeve kirurgjikale dhe gjendja e tij shëndetësore është mjaft kritike. Mësohet se i riu ka pësuar dëmtime të mëdha në shtyllë kurrizore si dhe ka plagë në kokë dhe në pjesën e kraharorit.

 

Familja Mustafa

“Petrit Mustafa ishte kthyer nga emigracioni, shkonte në Kukës për punë”

Petrit Mustsfa rrezikon të paralizohet nëse do të arrijë t’i shpëtojë vdekjes. I riu prej disa kohësh ishte kthyer nga emigracioni në Greqi dhe kërkonte për një vend pune. Djali si çdo ditë ishte nisur në drejtim të Kukësit, ku pretendonte që të gjente një punë të mirë për të pasur të ardhura financiare që të ndihmonte familjen. Fat e deshi që 26-vjeçari të ndodhej në fugonin e vdekjes, i cili sipas familjarëve është rrokullisur disa herë duke përfunduar në greminë. Për familjarët moti i keq dhe rruga ku nuk është ndërhyrë asnjëherë sollën këtë aksident tragjik. Ndërsa nuk kanë fjalë që të shprehin dhimbjen e tyre për këtë ngjarje, ata urojnë që 26-vjeçari të shpëtojë dhe t’ia hedhë vdekjes. Të pyetur për mënyrën sesi rodhën ngjarjet me hamendësim dhe nga familjarët e të plagosurve të tjerë tregojnë se fugoni ka qenë duke u futur në kthesë dhe shoferi ka humbur drejtimin. “Çfarë mund të të themi ne. I afërmi jonë është Petrit Mustafa dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore. Është operuar dhe rrezikon të mbetet sakat, i paralizuar, por rëndësi ka të shpëtojë. Nuk e dimë si qysh dhe tek ka ndodhur kjo ngjarje, pasi askush nuk na ka treguar gjë. Ne nuk ishim aty por di të themi që shyqyr që fugoni ra nga kjo anë. Nëse do të kishte rënë në anën tjetër pjerrësia është 500 metër dhe do binte pingul. Siç tregonin familjarë të tjerë trupat e viktimave kishin dalë nga dritarja dhe skena ishte shumë e tmerrshme”, – tregon një i afërm i 26-vjecarit.

 

I mbijetuari

Servet Hoxha: “Po flisja në celular kur dëgjova britma, ramë 550 m në humnerë”

Njëri prej të të mbijetuarve të aksidentit, 18-vjeçari Servet Hoxha, tregon detaje rreth ngjarjes. “Kam qenë duke folur me telefon, kur befas kam dëgjuar të bërtitura. Menjëherë kam parë se fugoni ka nisur të rrokulliset. Kemi rënë rreth 500 metra poshtë në humnerë. Na kanë ardhur në ndihmë të parët pasagjerët e një fugoni që ishte para nesh. Si ka dalë nga rruga fugoni nuk e di”. Serveti ka vetëm një të çarë në vetull, ndaj pas mjekimit ka dalë në mjediset e jashtme të spitalit. Ai tregon se fugoni i nisur nga fshati Shtrezë, ka pasur rreth 13 pasagjerë.

Kryetari i Komunës

“Rruga pa asfalt dhe barriera mbrojtëse, viktima Zamir Karanxha është kushëriri im”

Sipas Kryetarit të Komunës së Topojanit, Safet Myftari, ngjarja ka ndodhur në pjesën e paasfaltuar të rrugës Kukës-Topojan-Shishtavec, e cila nuk është në segmentin e rrugës së re. “Ngjarja ka ndodhur në mëngjesin e sotëm. Në pjesën e paasfaltur të rrugës Kukës, Topojan, Shishtavec. Sot nuk ka qenë as ngricë. E njëjta makinë ka rrugëtuar edhe në ditë shumë të vështira. Jemi të shokuar, është ngjarje e paparashikuar. Nuk është ditë me ngrica, nuk ka akull sot rruga. Është e parrëshqitshme sot. Rruga është e paasfaltuar dhe nuk është në segmentin e rrugës së re”, shprehet Myftari. “Në përgjithësi, në mëngjes ky është orari i përditshëm i lëvizjes së fugonave. Arsyet e lëvizjes janë për punët e tyre, se qendra është në Kukës dhe gjithë shërbimet në përgjithësi janë atje. Personat që kanë humbur jetën në vendngjarje i kemi sjellë në qytetit”.  “Po presim familjarët. Njërin prej tyre e kam djalin e tezes, drejtor i shkollës së Topojanit. Jemi të gjithë në zi. Dhimbje më të madhe nuk kemi kaluar”, – përfundon Safet Myftari.

Drejtoresha e Spitalit Kukës

“ Jemi shokuar të gjithë, bëmë të pamundurën që t’i shpëtonim 6 viktimat” 

Drejtoresha e Spitalit të Kukësit, Hafije Zeneli informon se kemi të bëjmë me 6 të vdekur. “Tre kanë vdekur në vend në aksident, 3 janë paraqitur në gjendje të rëndë në spital dhe kanë gjetur vdekjen në spital. Tre të plagosur janë dërguar në Tiranë me helikopter, ndërsa 2 të tjerë që janë të plagosur lehtë ndodhen në spitalin e Kukësit”. “U mblodh gjithë stafi mjekësor. Iu dha ndihma e parë në spital atyre që ishin gjallë dhe në gjendje tepër të rëndë, njëri është nisur për në spitalin e Tiranës me helikopter, tre të tjerët me ambulancë. Ai që u nis me helikopter kishte gjendje shumë të rënduar. Pavarësisht ndihmës që iu dha, ishte në gjendje kome, kishte dëmtime në kokë, fraktura. Deri në këto momente kemi tre kufoma në spital. Kemi informacion nga policia edhe për tre kufoma të tjera që janë nisur në spitalin e Kukësit. Nuk kam informacion për më shumë viktima”, – thotë Zeneli. “Në spital janë tre kufoma, gra, një nga ato ishte shtatzënë rreth 4 muajshe. Ishin nga fshatrat e Kukësit të gjithë”, – thotë drejtoresha e spitalit rajonal të Kukësit, duke shtuar se është gjendje e rëndë, e vështirë e tragjike. “Jemi shokuar të gjithë. Ne njoftuam për dy helikopterë, Ministria e Shëndetësisë u përgjigj në kohë rekord, por një nga gratë humbi jetën para se të vinte helikopteri”.

Ministri i Shëndetësisë

“Ngushëllime familjarëve, në dispozicion të kryekomunarit për çdo nevojë”

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka shkuar në Kukës ku ka vizituar një të plagosur që ndodhet në spital. Ministri i Shëndetësisë ka takuar edhe familjarë e të afërmve të viktimave, ku i ka shprehur ngushëllimet dhe ka premtuar gjithë ndihmën e nevojshme për t’ua lehtësuar dhimbjen. Beqaj i ka ofruar kryetarit të komunës së Shishtavecit, Dylejman Nela, çdo ndihmë që do t’i nevojitet për përballimin e kësaj ngjarjeje tragjike. “Janë 4 të plagosur relativisht rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Kemi mundur të realizojmë një transport në kohë, qoftë nga ajri, qoftë nga toka. Një tjetër person, rreth të 20-tave, është i dëmtuar këtu, por është jashtë rrezikut për jetën. Shpresojmë që të plagosurit të mund të mbijetojnë. Ngjarja është shumë e rëndë, të shpresojmë që ngjarje të tilla të shohim sa më pak”, – tha Beqaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency