Ceremonia homazh / I jepet lamtumira e fundti këngëtares Vaçe Zela, përcillet me nderime e lot

0
161

Trupi i pajetë i këngëtares shqiptare Vaçe Zela u përcoll dje për në banesën e fundit.

 

vace_zela-660x330Në një ceremoni homazh të organizuar në TOB dhe nën ritmet e këngës se Ëhitney Houston,“I ëill alëays love you”, trupi i saj mori rrugën drejt banesës së fundit. Me vete mori fjalët dhe kujtimet e miqve më të mirë, mori nderimet e një kombi që e deshi aq shumë.

Personalite të artit dhe të kulturës, deputetë dhe poltikanë nderuan më fjalën e tyre këngëtaren që bëri epokë më këngën e saj në Shqipëri. Gjithçka është shoqëruar më këngën e Vaçë Zelës, me ato këngë me të cilat u rritën breza shqiptarësh sikundër do të vazhdojnë të dëgjohen ende. I gjithi ishtë një homazh dhimbje, malli, dëshire për ta patur gjithnjë me vete , gurgullimën e zërit të saj, një fenomen muzikor që vjen rrallë mbi tokë.

Trupi i Vaçe Zelës pasi kaloi në token e Kosovës, mbërriti në Shqipëri, vendi ku ajo donte të prehej përgjithmonë. E tamam ashtu sic ka dashur, e rrethuar nga kolegë, miq e të afërm, politikanë, por edhe qytetarë të thjeshtë, e madhja Vaçe Zela u përcoll me nderime.

Homazhet në nderim të Artistes së Madhe nisën në orën 10:00 në Teatrin e Operas dhe Baletit. Disa qindra qytetarët morën pjesë në homazhe që nisën paraditen e së shtunës, kur një qiell gri kishte mbuluar Tiranën, ndërsa buqetat me lule dhe fotografinë e këngëtares së madhe e cila kishte mbuluar ballinën e hollit të institucionit më të madh të muzikës në vend, aty ku ajo interpretoi këngët epokë të saj.

Vaçe Zela ndërroi jetë tre ditë më parë pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Pranë këngëtares në çastet e fundme kanë qenë i shoqi, Pjetri dhe e bija, Irma. Prej vitesh ajo jetonte në Bazel të Zvicrës, ku prej pasionit që pat për lulet, fqinjët e thërrisnin, “zonja me gishtat jeshile”.

Rreth orës 12:20 minuta përfundoua edhe homazhet për këngëtaren Vaçe Zela në TOP. Trupi i saj u përcoll me muzike, lule e lot për në banesën e fundit.

 

Politikanë dhe artisë përulen para figurës së Vaçe Zelës

Flasin Rama, Meta, Basha, Berisha, etj

 

Krerët e politikës shqiptare nderuan dje në homazhet e fundit që iu bënë figurës së këngëtares shqiptare Vaçe Zela. Përfaqësues nga qeveria, Kuvendi, opozita, përfaqësues të trupit diplomatik të akretdituar në Tiranë, artisë dhe qytetarë të shumtë, u përulën para figurës së këngëtares së madhe shqiptare.

Rama: Vaçja la pas trashëgiminë e saj të përjetshme

Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në ceremoninë e organizuar për Vaçe Zelën, theksoi se ajo la pas trashëgiminë e saj të përjetshme.

“Nuk ka vdekur Vaçe Zela. Është shuar diçka brenda gjithkujt që e njohu nga afër apo e dëgjoi nga larg. Kjo është vdekja që e bën lajmin për ikjen e Vaçes nga kjo botë posaçërisht të veçantë për secilin prej nesh. Një dhimbje që përçohet në trajtën e një humbje të përbashkët edhe deri tek të rinjtë që deri dje nuk kishin dëgjuar asgjë për të dhe për 48 orësh lënë shënimet e tyre në rrjetet sociale. Kur këndonte Vaçe Zela bota ishte bardhë e zi. Dhe ekrani ishte bardhë e zi. Vaçe Zela iku nga mesi ynë kur ra perandoria bardhë e zi. Dhe e la kyçur zërin e saj këtu në rrethin e kujtesës sonë bardhezi pa u kthyer kurrë më me hapat e saj në skenën e erës sonë për të na kërkuar shpërblim, ndere apo vëmendje për minutat e paçmueshme që na bëri të jetojmë dhe ja tani pas shumë vitesh na dërgoi befas thjesht lajmin e vdekjes” tha Rama.

Meta: Duartrokitje për Vaçen

Sot ne të gjithë jemi më të varfër nga një ikje! Ka pak njerëz në botë për të cilët flitet njëlloj, edhe kur janë në jetë, edhe kur vendosin të ikin prej saj.

Ka edhe më pak njerëz në botë për të cilët, edhe kur janë në jetë, edhe kur vendosin të ikin prej saj, përmendet kënga e përcillen me këngë. Janë të rrallë njerëzit që merituan me jetën e tyre vetëm duartrokitje, duartrokitje në jetë dhe në ikje! Ka pak njerëz në botë që shumë përpara se të vendosin të ikin, shndërrohen në mit. Për ta flitet edhe kur nuk janë, ata dëgjohen edhe kur heshtin, ata meritojnë pafund heshtje nderimi kur na thonë lamtumirë dhe kur me dhembje u detyrohemi një lamtumirë zemre!

Basha: Vaçe Zela, përjetë mes nesh

Kryetari i PD dhe Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe bashkëshortja e tij bënë homazhe në nderim të ikonës së muzikës shqiptare Vaçe Zela

“Zëri i Vaçe Zelës ishte balsam dhe ndër të paktët ngushëllime për shpirtrat e sfilitur të shqiptarëve përgjatë dekadave dhe viteve të veprës së saj. Është dhe mbetet zëri dhe kujtesa e saj përjetë mes nesh, në zemrën e një kombi të tërë, mirënjohës dhe krenarë për të dhe për veprën e saj, ç’ka shihet qartë edhe nga bashkimi i qindra, mijëra shqiptarëve në homazhe dhe nderimin për të paharruarën Vaçe Zela.”

Berisha: Përcjellin për në banesën e fundit zërin e shekullit të kombit tonë

Në fjalën e tij, ish-kryeministri Berisha vlerësoi lart figurën e Vaçe Zelës duke e cilësuar si disidenca e këngës shqiptare.

“Sot përcjellin për në banesën e fundit zërin e shekullit të kombit tonë. Këngëtarja e pavdekshme e dashurisë për fëmijën, për nënën, për të dashurin dhe mikun, për Shqipërinë dhe hallet e saj. Vaçe Zela iu dhuroi shqiptarëve me talentin e saj më shumë se kushdo tjetër në kohën e vet gëzime, kënaqësi dhe krenari. Vaçe Zela ishte njëkohëshisht disidenca e këngës shqiptare në atë regjim barbar të antivlerave. edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe qytetarëve të Lushnjes që i bënë shqiptarëve një dhuratë të tillë, të gjithë atyre që kanë pasur tek Vaçe Zela këngëtaren e tyre të dashur” tha Berisha.

ETTORE SEQUI

Dëshiroj te shpreh ngushellimet e mia te thella e të ndjera për humbjen e Vace Zelës, një prej artisteve më të mëdha të Shqipërisë që do të mbahet mend gjatë sepse zeri i saj i fuqishëm e stili i të kënduarit mbeten të përjetshëm. Ajo u dha zë shpirtit dhe ndjenjave të vendit të saj fisnik. Mendimet e mia janë me familjen dhe miqtë e saj në këtë moment të hidhur.”

ALFRED MOISIU

Duke vlerësuar dhe duke njohur nga afër talentin e saj dhe kontributin e saj në dhjetor të 2002 pata kënaqesinë ta vlerësoj me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”. Unë dëshiroj ti jap ngushëllimet e mia familjes fëmijëve. Ajo u largua nga jeta po ka lënë kaq shumë gjurmë dhe pasuri sa do të mbahet mend në jetë të jetëve.

BAMIR TOPI

Kam privilegjin të shpreh pak fjalë zemre për një artiste të madhe që na shoqëroi nga fëmijëria në pjekuri. Vaçja lindi dhe u rrit si një talent natyral, i lindur në një shtëpi të thjeshtë dhe një familje të thjeshtë pa asnjë lloj përkujdesje në fillimet e karrierës së saj. Por sikurse thotë Gëte “ talentet e lindura ndihen të lumturuara nëse arrijnë ta përdorin atë në funksion të të tjerëve”.

 

 

 

FJALIMET HOMAZH PËR KËNGËTAREN VAÇE ZELA

Rreth orës 10:00 të ditës së djeshme, miq e kolegë artistë, bashkëpunëtorë dhe figura të politikës mbajn fjalime homazh për nder të këngëtares në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë.

MIRELA KUMBARO: Unë të kam parë, të kam ndjekur, të kam kënduar me vete por se pata kurrë fatin të të afrohem sepse kam qenë dhe jam shumë e vogël përpara teje. Sot je këtu afër dhe unë ndihej mall siç edhe ti vetë ke thënë ” sa mall kemi sa deti valë”. Ne Vaçe të duam shumë por ti vetë prapë e ke thënë “Dashuria është si kënga dhe duaje sot gjithë botën ta pushtoj”. Prandaj po të lë Vaçe që të na pushtosh siç na ke bërë gjithmonë, që atje lart tek yjet se pjesë e tyre ke qenë dhe je. Prej ku do të na vazhdosh të na shohësh duke na pushtuar të gjithëve” tha ministrja.

BUJAR KAPEXHIU: Sot do themi të njëjtat fjalë për Vaçen , janë të njëjtat fjalë se i njëjtë është mendimi dhe vlerësimi ynë për madhëshitnë e saj dhe e njëjtë është dhimbja për largimin saj nga kjo jetë. Sot ka ikur prej nesh një pjesëtar i familjes sonë, më e madhja Vaçe Zela. E rrallë. Edhe sot si askush tjetër ajo po largohet duke kënduar dhe në të njëjtën kohë është këtu midis nesh me zërin e saj.

SHERIF MERDANI: Ne jetuam në një Shqipëri që lëngonte që rënkonte. Ku këngëtari burgosej për këngën e tij poeti pushkatohej për veprën e tij. Zoti nuk na i vrau shpresën, dërgoi një zë që na i zbuti dhimbjen dhe na dha shpresë, kjo ishte Vaçja. Me zërin e saj na shoqëroi në gëzimet mjerave të gjimnazit. Sot dëgjojmë këngën tënde që na mbush ende me shpresë. Vaçja me profesionalizmin e saj bëri një popull të ndihet krenar kudo ku shkeli. Jam krenar që jetova në brezin e sa. Të faleminderit Vaçe.

SOKOL BALLA: Kur nuk e prisnim Vaçja u largua, të zënë me ethet e tranzicionit pak kush nga ne pyeti ku është ajo, pse u largua, aq shumë e harruam sa ndonjëri e vdiq para kohe. Vaçe Zela na dha mësim dhe me jetën dhe me vdekjen.

JULIANA PASHA: Mundohesha ta imitoja kur isha fëmijë, ndërsa kur u ngjita në skenë mes qindra sysh ishin edhe ato të Vaçes që më ndiqnin me mirësi dhe buzëqeshjen që e karakterizonin. Unë kam pasur fatin të kisha shembull një artiste të madhe si Vaçe Zela, zëri i saj rrjedh krejt natyrshëm si një ujvarë.

DAVID TUKICI: Isha i vogël që fitova një çmim në festival se përndryshe Vaçja do kishte fituar për herë të 13-të. Ajo e çonte këngën nga zemra e saj me madhe në zemrën e spektatorit

OSMAN MULA: U rritëm me zërin tënd brilant, askush nuk na mësoi më mirë se ti ‘e dua vendin tim’. I këndove nënave, gjyshes, partizanit që erdhi në një natë dimri në shtëpi. U gëzuam kur the sot jam 20 vjec, i këndove djaloshit në shi…të ndrittë shpirti Vaçe Zela.

ILIR KERNI: Jam krenar që kam interpretuar në një skenë me ty, misioni yt ishte paqja, dashuria që kemi nevojë të gjithë, shko në paqe e dashur Vaçe.

ALEKSANDËR LALO: Këto ditë kam ndjerë dicka të vecantë, një ndjenjë kombëtare për të cilën flitet shumë. Një njeri i vetëm si Vaçja, në mënyrë të natyrshme, pa urdhëruar sensibilizoi të gjithë njerëzit. Vaçja i mori të tëra kur ishte gjallë. Kemi punuar dhe jetuar në një sistem ku të gjenim edhe vrima që t’i çanim, Vaçja me imponimin e saj krijoi një oaz lirie në shkretëtirë. Lamtumirë Vaçe!

LUAN ZHEGU: Është një humbje shumë e madhe. Jam i privilegjuar dhe krenar që kam kënduar në kohën e Vaçe Zelës.

ALKETA VEJSIU: “Sa të kisha frymë më tha do këndoja për vendin tim”. Kam kaluar pak kohë në shtëpinë e saj e cila si ilaç për ta shëruar kishte dashurinë por kam kaluar shumë kohë duke dëgjuar dëgjuar si të gjithë ju muzikën e saj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency