Varfëria bashkon qytetarët e Bosnje-Hercegovinës

0
140

Nata e kaluar në Bosnje-Hercegovinë ishte e qetë, por e tensionuar. Për gjendjen kanë biseduar edhe autoritetet më të larta në Federatën e Bosnje-Hercegovinës. Demonstratat vazhdojnë.

 

varferiaPas shkallëzimit të djeshëm të konflikteve në Tuzëll, e më pas edhe në qytetet e tjera të Bosnje-Hercegovinës, nata e kaluar ishte kryesisht e qetë. Në rrugët e Tuzllës kishte forca të mëdha policore. Protestat do të vazhdojnë sot (07.02.2014), por kësaj radhe në gjithë hapësirën e Bosnje-Hercegovinës, sepse banorët e këtij vendi mendojnë se gjendja ekonomike është katastrofale dhe e padurueshme. “Ky është reagimi ndaj varfërisë, e cila po shtohet nga dita në ditë. Ka humbur edhe shpresa për mundësinë e zgjidhjes së problemeve në Bosnje-Hercegovinë”, thonë disa protestues.

Edhe banorët e Banjallukës, të banuar me shumicë serbe, i kanë mbështetur kërkesat e qytetarëve në Tuzëll dhe në pjesët e tjera të Federatës së Bosnje-Hercegovinës, sepse as ata nuk shohin ndonjë perspektivë më të mirë. Shoqata “Oštra nula” (Zeroja e ashpër) ka paralajmëruar për sot protesta në Banjallukë. “Aktivistët e Komitetit të Helsinkit do të organizojnë një shëtitje-protestë nëpër qendër, deri tek selia e presidentit të Republikës Serpska”, kumtoi kjo organizatë.

Shumëkush shtron pyetjen se çfarë do të ndodhte në qoftë se ndryshon pushteti – a do të ishte më mirë apo më keq? “Rrëzimi i pushtetit ndoshta nuk është zgjidhje e mirë, por dikush duhet të fillojë me zgjidhjen e problemeve. Mendoj se ky është mesazhi i këtyre protestave… nëse nuk duan përfaqësuesit e tanishëm në pushtet, atëherë duhet të vijnë të tjerë”, thotë Puhalo.

 

Paniku në qeverinë federale

Interesat personale duket se janë në vend të parë. Në Tuzëll, Sarajevë, Mostar dhe në qytetet e tjera të mëdha janë mbajtur takime urgjente të organeve të federatës dhe policisë, për të shikuar mundësinë e shuarjes së protestave. Kryeministri i Federatës Nermin Nishiq thotë se duhet bërë dallimi mes qytetarëve që kërkojnë më shumë të drejta dhe huliganëve që duan të krijojnë kaos.

“Të gjithë kanë të drejtë të protestojnë me mjete paqësore. Por askush nuk ka të drejtë të përdorë dhunë. Nga strukturat përkatëse presim që të kryejnë punën e tyre dhe të nisin procese kundër atyre që kanë përdorur dhunë. Mendojmë se qytetarët që kanë protestuar kundër plaçkitjeve me rastin e privatizimit, kanë të drejtë, sepse askush nuk është përgjigjur”, pohon Nikshiq.

 

Pushteti e ka ditur?

Analistët thonë se fakti që organet e Qeverisë kanë reaguar kaq shpejt, do të thotë se ata kanë qenë të njoftuar me të gjitha gjërat e paligjshme që janë bërë, por nuk ka organizuar asnjë proces kundër tyre dhe ka pritur që populli të dalë në rrugë. Por njerëzit në Tuzëll kanë kërkuar edhe dorëhehqjen e qeverisjes së atjeshme dhe jo vetëm dënimin e atyre që kanë lënë papunë me dhjetëra mijëra njerëz, në emër të privatizimeve.

Policia ka konstatuar se në dy ditët e fundit në Federatë është cenuar rendi dhe ligji, në veçanti në Tuzëll. Por ajo do të shikojë nëse policia i ka tejkaluar kompetencat me rastin e ndërhyrjes, tha drejtori i policisë Dragan Llukaç.

Shkollat në disa kantonte do të mbeten sot të mbyllura, me sugjerimin e organeve të sigurisë. Gjatë ditës do të ketë protesta në shumë vende. Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes, por në Bosnje-Hercegovinë janë shtuar zërat që flasin për “pranverën boshnjake”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency