Vaçe Zela do të prehet në Sharrë, sot flamuri gjysmë shtizë

0
237

CD_Vaçe_ZelaTrupi i pajetë i këngëtares Vaçe Zela ka hyrë dje në kufirin shqiptar pas zbritjes së pari në aeroportin e Prishtinës. Ashtu siç është lajmëruar në media është përmbushur kështu amaneti i saj për t’u prehur në atdhe, pas 22 vjetësh “ndarjeje”.

Ndërsa sot në Tiranë, në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit do të bëhet ceremoniali i fundit, përcjellja për në varrezat e Sharrës. Në orën 13.00 para arkëmorti i këngëtares bëhen homazhet dhe nderimet, kur edhe në qytetin e saj të lindjes, në Lushnje flamuri do të jetë vendosur gjysëm shtizë.

Axhendën e ceremonialit mortor e ka marrë përsipër Ministria e Kulturës, e cila ka publikuar një ditë më parë edhe njoftimin për homazhet dhe përcjelljen për në banesën e fundit. “Vaçe Zela mbetet idhulli dhe frymëzimi për breza të tërë, emocioni dhe krenaria e të qenit shqiptar. KËNGA e saj do të jetojë shumë gjatë bashkë me zërin e saj magjik, të kulluar, do të vazhdojë të jetë bashkudhëtare e historisë sonë shqiptare”, – shpreh ngushëllimet në një njoftim për mediat Ministria e Kulturës.

Nga ana tjetër në rrjetet sociale ka pasur ndjeshmëri ndaj kësaj ngjarje shprehur me rikthimin e këngëve të Vaçe Zelës, që ndoshta në kushte normale demokratike do të shënohej patjetër ndonjë rekord shitjesh, siç ndodh në gjithë botën. Por frenimi nga diktatura vetëm sa ka bërë të kalojnë në xhiron you tube për të dëgjuar këngët me patos skematik, dhe tekste krejtësisht të ideologjizuar që krijuan e i këndoi në festivalet e partisë, Vaçe Zela. Sigurisht jashtë kontekstit të dives, legjendës si vlerësim për zërin e këngëtares, ka pasur dhe reagime në konteskte politike nëse duhet çmuar aq lart ndërkohë që ju përdor zëri për të përsosur diktaturën?! Është hera e parë që reagime të tilla marrin përmasën qytetare duke pranuar realitetin e të vërtetave që rrjedhin nga diktatura!

Re.Ku

 

 

 

Facebook

Saimir Pirgu: Vaçe Zela, pjesë e identitetit tonë kombëtar

“Ikona e muzikës shqiptare, e përjetshmja Vaçe Zela sot nuk është më midis nesh. Zëri i saj do të kumbojë dhe rrezatojë në çdo zemër shqiptari për jetë të jetëve, sepse është pjesë e pazëvendësueshme e identitetit tone kombëtar.

Lamtumirë Vaçe!”

 

 

Inva Mula; Divja jonë absolute

Në një mesazh të postuar në “Facebook”, në këtë ditë të ndarjes nga jeta të artistes së madhe shqiptare, Inva Mula i është drejtuar ndryshe Vaçe Zelës me “bindjen” se ajo e dëgjon:

“E dashur Vaçe!

Po të drejtohem duke ngritur sytë nga qielli me bindjen se më dëgjon! Ti u ktheve në një legjendë që në vitet e rinisë tënde, ishe simboli i artistes absolute, pa konkurrencë, pa krahasim! Atje ku tingëllonte zëri yt dhe gërshetohej me fjalën aq bukur, shqiptuar me një frazë melodike që vetëm ti dije ta skalisje, lije vetëm një rrugë të ndriçuar, e cila u bë referencë e këngës shqipe!

Kam pasur fat të të njoh që kur isha fare e vogël dhe dëgjoja në cep të dhomës krijimet e babait tim për ty! Ti ishe modeli im, ishe ëndrra ime dhe kështu vazhdoje të ishe gjithë jetën dhe për shumë artiste të tjerë! Të falënderoj dhe do të jem mirënjohëse Diva jonë Absolute!”

 

Ardit Gjebrea: Vaçe Zela, faleminderit që ekziston!

“Fizikisht të gjithë ikin nga kjo botë, tashmë jemi mësuar edhe me njerëzit tanë më të shtrenjtë, por ka nga ata të cilët janë të shtrenjtë për të gjithë.

Janë ata që të bëjnë të ndihesh krenar që ke jetuar në kohen e tyre, që i ke njohur, që i ke prekur… dhe sa pak janë! Në dimensionin e pafund të artistit, Vaçe Zela mundi të jetë etaloni dhe si e tillë çdo fjalë për të: yll, mit, mbretëreshë – janë unanimiteti i mendimit popullor.

Dhe mjafton kaq të vlerësosh Vaçen unike, që në këtë rast vlen shprehja: artiste të tilla i vijnë kombit një herë në 100 vjet!”

 

 

Spartak Ngjela: Ajo këndoi aq bukur, në një kohë, kur përfundoje në burg për talentin

 “E gjithe media shqiptare po njofton vdekjen e kengetares Vaçe Zeles…Vaçe Zela, kendonte bukur kur vendin e kishte pushtuar shemtimi… Ajo kendonte ne nje kohe kur vete kenga ishte damkosur nga policia sekrete; ajo megjithate kendonte ne nje kohe kur te kendoje aq bukur sa ajo, duhej te perfundoje ne burg per arsye te talentit; ajo perseri kendonte, dhe ne nje kohe krejt te shemtuar dhe brenda nje shemtimi teresor, iu dha shqiptareve nje doze te madhe kenaqesie per te bukuren, dhe i beri ata qe te prekin modernitetin, ndonese ky ishte i ndaluar. Ajo sot u nda nga ne, por per ata qe e kane jetuar zerin dhe interpretimin e saj, nuk mund te kete harrese… ajo u nda nga kjo jete, por, brenda nje sakrifice teresore shoqerore, la ne historine e muzikes shqiptare gjurmen e vet te lirise nepermjet talentitn te saj te madh. Do te kujtohet gjithmone per nje periudhe kohore, e cila, per kengen shqiptare, ishte epoka e saj”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency