OPOZITA/ Ftesa e qeverisë për nëpunësin civil, PD, Paloka: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk diskutohen

0
140

Florenc Drizari

 

Edi-Paloka“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë mjaft i qartë, i detajuar, ka lënë të gjitha udhëzimet e këtij vendimi, kështu nuk mendoj se është në tagrin e kujtdo tjetër e sa më tepër të grupeve parlamentare apo ministrave të qeverisë të diskutojnë këtë vendim. Qeveria, si kushdo tjetër që përfshihet në atë vendim, është e detyruar ta zbatojë pikë për pikë dhe nuk ka nevojë të bëjë diskutime apo analiza”

 

 

Partia Demokratike e quan hipokrizi nismën e qeverisë për të negociuar lidhur me plotësimin e ligjit për nëpunësin civil me akte nënligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi aktin normativ të ndërmarrë nga ekzekutivi në fillim të muajit tetor të vitit të shkuar. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, e cilësoi të pakuptimtë ftesën e ministrave për krerët e grupeve në Kuvend, duke thënë se vendimi i Kushtetueses nuk diskutohet, por vetëm zbatohet.

Më herët qeveria iu drejtua kryetarëve të grupeve parlamentare dhe kërkohej të mblidheshin dje në orën 10:00 për të diskutuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi aktin normativ të qeverisë lidhur me ligjin për nëpunësin civil. Thirrje së qeverisë iu përgjigj vetëm kreu i PDIU-së nga radhët e opozitës, ndërkohë që PD dhe PR bojkotuan.

 

EDI PALOKA

 

Në një dalje për mediat, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, theksoi se thirrja e djeshme është e njëjta mënyrë e përdorur nga Kryeministri Rama përpara se të ndërmerrte aktin normativ në muajin tetor, akt të cilin para pak ditësh Gjykata Kushtetuese e rrëzoi. “Së pari, pavarësisht se e bëjnë nga padituria apo sepse kështu e koncepton funksionimin e shtetit kreu i tyre, duhet të kenë parasysh që kryetarët e grupeve parlamentare, por edhe deputetë të thjeshtë qofshin, nuk mund t’i thërrasë as ministrat e as vetë Kryeministri.

Mbase kjo është mënyra se si e koncepton shtetin z. Rama, sepse po e tregon përditë se mund të thërrasë kë të dojë, mund të urdhërojë kë të dojë, por për fatin e tij të keq parlamenti nuk varet nga z. Rama. Megjithatë, le ta shohim me dashamirësi dhe t’ia lemë paditurisë së tij këtë gabim. Kryetarët e grupeve n.q.s. e kanë çështje për të diskutuar shumë mirë mund të takohen me njëri-tjetrin me ftesë të ndërsjellë ose mund t’i thërrasë Kryetari i Parlamentit dhe të diskutojnë për çdo çështje që mund të gjykohet e nevojshme”, – deklaroi Paloka.

Lidhur me ftesën e ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, Paloka tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të interpretohet nga kryetarë grupesh, nga kryeministra apo ministra. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë mjaft i qartë, i detajuar, ka lënë të gjitha udhëzimet e këtij vendimi, kështu nuk mendoj se është në tagrin e kujto tjetër e sa më tepër të grupeve parlamentare apo ministrave të qeverisë të diskutojnë këtë vendim. Qeveria si kushdo tjetër që përfshihet në atë vendim është e detyruar ta zbatojë pikë për pikë dhe nuk ka nevojë të bëjë diskutime apo analiza”, – theksoi kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike. Qëndrimi i Palokës vjen një ditë pas konsensusit të gjetur mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Shqipërisë për ngritjen e komisionit të hetimor parlamentar për Policinë e Shtetit.

 

 

 

Kronologjia e datave për ligjin e nëpunësit civil

 

30.5.2013, Kuvendi miraton projektligjin “Për nëpunësin civil”

4.6.2013, Presidenti Nishani dekreton ligjin “Për nëpunësin civil”

30.9.2013, qeveria miraton aktin normativ për nëpunësin civil

1.10.2013, ligji “Për nëpunësin civil” duhet të hynte në fuqi

17.10.2013, Kuvendi ka miratuar aktin normativ” të qeverisë

26.11.2013, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim aktin normativ

5.2.2014, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin e plotë

 

 

 

Kushtetuesja, ja pse u rrëzua akti normativ i qeverisë

 Më datë 5 shkurt, Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin e plotë që kishte marrë disa javë më parë për rrëzimin e “aktit normativ” të qeverisë që shtynte efektet vepruese të ligjit për nëpunësin civil deri në datën 1 prill të 2014-ës. Në argumentimin e Kushtetueses, thuhet se qeveria me ndërmarrjen e aktit normativ, cenoi balancat e pushteteve, atë të Kuvendit të Shqipërisë, dhe institucioni i Kuvendit shkeli procedurat me miratimin e propozimit të qeverisë.

Gjykata Kushtetuese e ka vendosur shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të aktit normativ të Këshillit të Ministrave nr. 5, datë 30.9.2013 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 152/2013 ‘Për nëpunësin civil’” dhe të ligjit të Kuvendit nr. 161/2013 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 30.9.2013”. Ky vendim sipas zbardhjes së plotë të argumentit ligjor të Gjykatës, është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Gjykata vëren se dhënia fuqi të mëtejshme aktit normativ “Për nëpunësin civil”, të nxjerrë nga Këshilli i Ministrave, në zbatim të kompetencës përjashtimore të përcaktuar në nenin 101 të Kushtetutës, përbën një kompetencë të Kuvendit, që konsiston në miratimin nëpërmjet një norme që ka të njëjtat vlera, pra me ligj. Në këtë kuptim, ligji që miraton Kuvendi, duke vlerësuar, formalisht dhe substancialisht, aktin normativ me fuqinë e ligjit, është instrumenti konvertues i të parit si ligj material në një ligj formal dhe, ky i fundit, nuk mund të jetë veçse ligj i thjeshtë. Bazuar në këtë karakteristikë të ligjit miratues të aktit normativ, Gjykata vlerëson se edhe çdo ndryshim që mund t’i bëhet ligjit “Për nëpunësin civil” në tërësi ose dispozitave të veçanta të tij, nuk mund të arrihet nëpërmjet një ligji të thjeshtë, siç ka ndodhur në rastin konkret, por nëpërmjet një ligji të cilësuar, të miratuar në një procedurë normale nga Kuvendi, me të paktën tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency