Arkivi i Ministrisë së Brendshme 1945/ Kryengritësi i parë, si e dorëzuan anglo-amerikanët tek Enver Hoxha

0
281

Veli Haklaj*

 

Enver Hoxha, si krijoi komisionin e hetimeve për “kriminelët e luftës”

 

Kundërshtarët politikë

 

fq.pI. Situata e përgjithshme

Pas prishjes së marrëveshjes kombëtare të Mukjes, 1-2 gusht 1943, Partia Komuniste Shqiptare dhe formacionet partizane që ajo drejtonte filluan luftën kundër grupimeve politike dhe formacioneve ushtarake jokomuniste, me objektiv të qartë: marrjen e pushtetit dhe vendosjen e sundimit të tyre në Shqipëri. Ky ballafaqim, që gradualisht mori tiparet e një lufte civile, u bë i përgjakshëm dhe me pasoja të shumanshme në gjysmën e dytë të vitit 1944.

Duke vlerësuar imponimin ushtarak si të vetmen rrugë për vënien nën kontroll të Veriut të Shqipërisë, që më 23 prill 1944, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, përkatësisht komisari Enver Hoxha dhe komandanti Spiro Moisiu, urdhëronin komandën e Brigadës së I për të organizuar zbulimin në lumin Shkumbin, duke e porositur që “…Të bësh hesap që brigadat do të hidhen në Veri, prandaj të informohesh mbi vatë që ka sot dhe mbi ata që mund të kalohen deri më 25 maj. Të marrësh sa më shumë informata mbi gjendjen politike të krahinave përtej Shkumbinit dhe mbi forcat eventuale armike që ka në krahinat përtej Shkumbinit”.

Dyzetë ditë më vonë, më 1 qershor 1944, komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, Gjeneralkolonel Enver Hoxha, i dërgonte urdhër Shtabit të Divizionit I për mësymjen në veri të Shkumbinit, me këto objektiva:

“1. Të godasë forcat e armikut.

2. Të shkatërrojë rrugët e komunikacionit të tij.

3. Të godasë e të likuidojë Bazin e Canit, “Legalitetin” dhe forcat e ndryshme të reaksionit e të qeverisë kuislinge të Tiranës.

4. Të spastrojë zonat Çermenikë, Zaranikë, rrethet e Tiranës, Mat e Dibër… ” Ky urdhër filloi zbatimin më 26 qershor 1944.

Veprimi i formacioneve partizane në Veriun e Shqipërisë u shoqërue me konfrontime me armë të forcave ushtarake të të dy krahëve, sidomos në Krujë, Mat, Mirditë, Dibër, Shkodër, Kukës dhe Tropojë.

Duke pasur të qartë arsyet e përparimin në Veri të forcave komuniste, politikanët dhe ushtarakët kryesorë të vendit me bindje kundërkomuniste, u grumbulluan në qytetin e Shkodrës. Pas dy takimeve të mëparshme, në fshatin Bulgër dhe në qytetin e Shkodrës, më 12 nëntor 1944, në kuvendin françeskan të Shkodrës, u zhvillua një mbledhje me pjesëmarrjen e politikanëve Mehdi Frashëri, Padër Anton Arapi, Lef Nosi, Ibrahim Biçakçiu, Mit’hat Fashëri, Mustafa Kruja, Alush Leshanaku, Ali Këlcyra, Gjon Marka Gjoni, Halil Alia, Hasan Isufi, Llesh Marashi, Jup Kazazi etj.

Më 18 nëntor, po në kuvendin françeskan të Shkodrës, me urgjencë u bë një mbledhje tjetër e krerëve kundërkomunistë. Me propozimin e Patër Anton Arapit, Mark Gjon Markut dhe Maliq Bushatit, mbledhja vendosi: të arratisej një pjesë e krerëve jashtë Shqipërisë, në Angli, Itali, Francë e SHBA, ku të bisedonin me aleatët dhe me ndihmën e tyre të organizonin forcat jashtë vendit, me të cilat në një kohë të shkurtër të zbarkonin në Shqipëri, duke u ndihmuar nga forca të brendshme kundërkomuniste; pjesa tjetër të tërhiqej në malet e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut ku të vazhdonin me armë në dorë luftën kundër forcave komuniste deri në zbarkimin e anglo-amerikanëve. Ata kishin një besim absolut se Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndalonin vendosjen e plotë të regjimit komunist në Shqipëri.

Në fund të vitit 1944, forcat komuniste filluan operacionin për mënjanimin fizik të kundërshtarëve politikë që ishin përzier ose jo me luftën. Në të gjithë vendin filloi përndjekja e kundërshtarëve të regjimit që nuk ishin larguar nga Shqipëria. U zhvilluan procese të shumta politike që dënuan me vdekje ose me shumë vjet burg jokomunistët. Goditja mbi Veriun ishte edhe më e madhe sepse ideologjia komuniste këtu nuk kishte pasur atë ndikim si në pjesën tjetër të vendit.

Në funksion të qëllimeve të tyre, që më datën 11 janar 1945, pushteti komunist publikoi vendimin për krijimin e Komisionit Qendror të Hetimeve për Kriminelët e Luftës. Komisione lokale, në varësi të këtij Komisioni Qendror, u krijuan në çdo prefekturë dhe nënprefekturë të vendit. Në emër të Komisionit Qendror, ministri i Drejtësisë Manol Konomi ftonte “të tërë popullin shqiptar, burra, gra, të rinj e të reja që t’ju vijnë në ndihmë këtyre komisioneve në kryemjen e misionit të tyre”.

Njëkohësisht me krijimin e Komisionit Qendror të Hetimeve dhe komisioneve lokale respektive, ndër aktet e para të miratuara nga pushteti komunist, ishte ligji për formimin e gjyqeve ushtarake. Që më 14 janar 1944, u normua veprimtaria e gjyqit ushtarak të korpusit, gjyqit ushtarak të krahinës ushtarake të korpusit dhe Gjyqi i Naltë Ushtarak. Këto gjykonin çështje penale në ngarkim të ushtarakëve dhe të kundërshtarëve politikë të klasifikuar “kriminelë lufte”.

Në një situatë të tillë represioni politik, ushtarak dhe gjyqësor, kemi dhe reagimin e armatosur të forcave kundërkomuniste në Veriun e Shqipërisë, të drejtuara nga personalitetet nacionaliste më me influencë në Shkodër, Lezhë, Mat, Mirditë, Dibër, Pukë, Kukës, Tropojë etj.

Në dhjetëditëshin e tretë të janarit 1945, krahas veprimeve kryengritëse kundërkomuniste të Malësisë së Madhe (në Kelmend, Shkrel dhe Kastrat), në rrethinat e Shkodrës dhe Lezhës spikati edhe kryengritja e grupit luftarak kundërkomunist të Dedë Shabanit, e cila filloi në Malin e Kolajve, më 20 janar 1945, në një përpjekje që synonte të merrte Shkodrën, Lezhën dhe Shëngjinin. Organizatorët e kësaj kryengritje ishin Ded Shabani, Jup Kazazi dhe Hasan Isufi. Ded Shabani me mbështetësit e tij realizoi objektivin e parë, marrjen e Shëngjinit, por nuk ja doli të merrte Lezhën. Marrja e Shëngjinit dhe më pas e Lezhës do të krijonte një zonë të kontrolluar nga forcat kundërkomuniste, ndërmjet Tiranës dhe Shkodrës, që do t’u krijonte lehtësira forcave të tjera kundërkomuniste në Veriun e Shqipërisë si dhe një port (Shëngjinin) për zbarkimin e premtuar të forcave anglo-amerikane.

Ded Shabani, për të mos shkaktuar viktima të pafajshme në familjen dhe fshatin ku kishte bujtur me mbështetësit e tij, iu dorëzua forcave partizane dhe u pushkatua menjëherë pas gjykimit ushtarak.

Ndërkohë, forcat e drejtuara nga Jup Kazazi dhe Hasan Isufi, pas një përplasjeje të parakohshme me armë, me një grup partizanësh në Beltojë, ndërprenë veprimet luftarake, me qëllim organizmin për veprime të mëvonshme luftarake. Hasan Isufi, pasi u rrethua nga repartet e ushtrisë nacionalçlirimtare në Mali Kolaj, në një përpjekje të shkurtër, më datën 26 shkurt 1945, u vra bashkë me të vëllain. Kurse Jup Kazazi, pas shtypjes së kryengritjes së Postribës, i rrethuar në shtëpinë e Rifat Koplikut nga forcat komuniste, më 17 shtator 1946, vrau veten që të mos binte i gjallë në dorë të komunistëve.

 

II. Kryengritja kundërkomuniste e Ded Shabanit

 

Në vijim, për lexuesit e gazetës “Standard”, po paraqesim organizimin, zhvillimin dhe shtypjen e kryengritjes së grupit luftarak të Ded Shabanit; hetimin, gjykimin dhe fatin e protagonistëve kryesorë, sipas dokumenteve që ndodhen në dosjet përkatëse të Fondit hetimor-gjyqësor, në Arkivin e Sistemit të Ministrisë së Brendshme. Për organizatorin dhe drejtuesin kryesor të kryengritjes, Dedë Shabanin, u krye një hetim, gjykim dhe ekzekutim i menjëhershëm, duke shkelur dhe procedurat e parashikuara nga legjislacioni i regjimit komunist, tashmë i instaluar në Shqipëri. Më pas, u zhvilluan proceset hetimore – gjyqësore ndaj grupeve të tjera të pjesëmarrësve në kryengritjen kundërkomuniste nga fshatrat Mali Kolaj, Bërdicë etj.

 

Komunikata e Gjykatës Ushtarake të Korparmatës së III, Shkodër

Më 23 janar 1945, Prokuroria e Gjyqit Ushtarak të Korparmatës së III, në Shkodër, me vendimin e saj nr. 6, do komunikonte se gjykata hetuese e këtushme ka vendosë nevojë gjykimi kundra të pandehunit Ded Shabani, nga katundi Mali Kolaj, i cili akuzohej “përse ka detyruar të gjitha këshillat e katundeve për ta emnue si Komandant të Përgjithshëm të Ushtrisë N.Ç.; gjithë ushtarët e mobilizuem të ishin në këtë rajon; në bashkëpunim me Jup Kazazin e Hasan Isufin ka dashtun dhe përgatitë të shpallin luftë kundra frontit N. Ç., tue hapë parulla se në çdo vend asht ba kryengritje; ka arrestuar nëntë partizanë dhe asht ba strehë i të arratisunve politik dhe partizanve të dezertuem; delikt i parashikuem dhe i dënuem prej nenit I të ligjës mbi sabotatorët e luftës”.

Për këtë, mbasi të faktohej faji i tij, prokuroria kërkonte të dënohet simbas ligjit. Njitas paraqiste dhe dosjen e akteve relative, të cilat u regjistruen me nr. 6 të radhorit themeltar, të Gjykatës Ushtarake të Korparmatës së III.

 

Procesverbali i pyetjes së Ded Shabanit

Të nesërmen, më 24 janar 1945, ora 4 mbasdreke, para trupit gjykues të formuem prej: Kryetar nënkolonel Esat Ndreu, antar Mustafa Iljazi dhe partizan Hysni Lami, prokuror Sotir Dodoni e sekretar Shaban Kuçi, u suall nga burgu dhe u vu në vendin e posaçëm i pandehuri, Ded Shabani, i biri i Preng dhe i Dilës, lindur në katundin Selcë të Koplikut e banues në katundin Mali Kolaj. I pyetur në lidhje me akuzën e lexuar nga prokurori, e cila i përmbahej procesverbalit të Brigadës së II të Mbrojtjes së Popullit, marrë nga komisari Lako Polena dhe sekretari Skënder Hysi, Ded Shabani tha:

“Me Jup Kazazin kam biseduar për herën e fundit, më datën 20 janar 1945, ditën e shtunde, n’orën 10 allaturka. Unë kisha disa ditë që kisha fillue për të nxjerrë nga këshillat e katundeve për t’më emnue mua si komandant të forcave t’atyre rretheve. Këtë e bëmë me pëlqimin e të gjitha këshillave, me qëllim që të ishin të gjithë ushtarët e rajonit tonë bashkë dhe, sido që të ngjasë puna, të ishim të bashkuar.

Atë ditë që isha në Bushat, më erdhi një lajm nga Hasan Isufi për të bashkëpunue me të dhe nga ana tjetër një tjetër lajm se mua më kërkonte Jup Kazazi. Shkova në Trush, ku gjindej Jupi dhe e takova në shtëpinë e vëllait të Jup Taganit. Bisedova gjanë e gjatë dhe së fundmi mbetëm dakord që të nisnim luftën kundra partizanëve qysh atë ditë. Lajmi ishte se në çdo vend do të bëhej kryengritje kundra partizanëve dhe se unë u caktova për të ruajtur krahët dhe gati për të sulmue Shëngjinin dhe Lezhën; do të sulmonim gjithashtu edhe Pulaj për të rrethuar batalionin që ndodhej aty.

Mbasi arrestova nëntë partizanët e Brigadës së I-rë, u drejtova për në Shëngjin. Një pjesë të fuqisë, nën drejtimin e Gjok Nikës dhe Maliq Bajramit nga Mali Kolaj, e dërgova për në Pulaj për të rrethuar batalionin. Nuk e di numrin e fuqisë që shkoi për në Pulaj. Në Pulaj kishim lidhje me Bajram Sadikun, nga katundi Luars (Mali i Reçit).

Kishim marrëveshje me Këshillin e Shëngjinit dhe të Ishullit të Lezhës. Kishin dijeni këto këshilla N.Ç.: Këshilli i Lezhës, Këshilli i Shehit të Lezhës, i Balldrenit, i Mëlqizës, i Rroboshit, i Kallmetit, i Gocajt, i Kakarriqit, i Mali Kakakrriq dhe me një fjalë të gjitha këshillat që nga Ura e Lezhës e deri ke Ura e Bahçallëkut kishin dijeni dhe kishin bamë lidhje.

Për të bërë marrëveshjen në Lezhë dërgova Kokel Prengen dhe Fran Tomën nga Mali Kolaj. Qëllimi im, që bëra lidhje me Xhemal Begun dhe Osman Begun, ishte për të veprue së bashku. Kemi pasë një besëlidhje të vjetër që të ndihmonim njëri-tjetrin dhe këtë besëlidhje e forcuam tash së voni. Kishim vendosë që të mos fillohej asnjë luftim kundra cilës do qeveri pa u ba marrëveshje me shoqi-shoqin.

Asht e vërtetë se kam bamun strehim të disa ushtarëve të dezertuem nga brigadat. Populli ka një pakënaqësi nga Qeveria mbasi nuk asht bamun mobilizimi i rregullt se në disa shtëpija janë marrë nga katër-pesë vetë dhe diku asnjë.

Kemi pasë lidhje për me kërkue që që nga Ura e Matit e deri ke Ura e Bahçallëkut me u ankue kundra mobilizimit që bahet. Duem Komandantin tonë dhe ushtarët tonë të jenë këtu. Dhe, në rast se Qeveria i transferon ushtarët, duhet t’i çojë të gjithë në një vend. Transferimi i ushtarëve, të gjithë se bashku, të bëhet brenda tokës shqiptare të vjetër qoftë në Toskëri qoftë në Gegëri …

Plani ishte që të bëhej kryengritje e përgjithshme nga të gjithë: Llesh Marashi, Kol Biba [Miraka], Markagjoni, etj., dhe së bashku me këta edhe ne me Hasan Isufin dhe Jup Kazazin.

Prej Jupit dhe Halilit na ishte thanë se kemi me vehte edhe Englezë dhe se disa herë me radhë englezët kan bërë zbarkime materiali në Shqipni për Forcat tona. Na thanë gjithashtu se edhe Zogu së shpejti do vinte në Shqipni i dërguar prej Englezëve”.

Pas pyetjes së Ded Shabanit, trupi gjykues, tuj pa se nuk mbetej gjë për zgjerimin e hetimeve, i dha fund gjyqit.

 

Vendimi i trupit gjykues

Në Shkodër, po më 24 janar 1945, gjykata, pasi shqyrtoi aktet, pretendimet e mbrojtimet e të pandehurit Ded Shabani, arsyetoi sa vijon:

“Tue marrë parasysh se në marrëveshje me t’arratisunit Jup Kazazin e Hasan Isufin dhe me këshillat N.Ç. ka përgatit terrenin për ta emnue Komandant të Përgjithshëm të Ushtrisë N.Ç. dhe mobilizimin e popullit për t’u hedhë në luftë kundra Frontit popullor;

 

ka hap parulla se do të niste lufta kundra Ushtrisë dhe në çdo vend do të bëhej kryengritje, nga ana tjetër ky do të sulmonte Shëngjinin dhe Lezhën dhe katundin Pulaj, ku ndodheshin forcat e Ushtrisë N.Ç.;

tue marrë parasysh se në katundin Mali Kolaj ndodheshin për bujtje nëntë partizanë, të cilët i ka arrestue menjëherë;

tue marrë parasysh se me parullat e hapuna në popull ky ka dashtë që këtë ta largonte nga Fronti N.Ç. dhe ta bashkonte me kriminelat e arratisun të popullit;

nga të gjitha këto len të kuptohet se i pandehuri ka qenë koshient i veprave të tija për përgatitjen kundra Frontit N.Ç. … ”

Prandaj, trupi gjykues bashkarisht, duke pëlqye edhe mejtimin e prokurorisë, vendosi fajsinë e të pandehurit Ded Shabani, si iniciator kryesor i përgatitjes së kryengritjes kundra pushtetit të popullit dhe si bashkëpunues aktiv me të arratisunit Jup Kazazin e Hasan Isufin.

Mbasi u deklarue vendimi i fajsisë, prokurori kërkoj caktimin e dënimit në bazë të nenit I, të Ligjës nr. 21, datë 15.XII.1944.

Nga ana e tij, trupi gjykues, mbasi bisedoj çështjen e së drejtë, dha këtë vendim:

“Vepra e fajtorit Ded Shabani i takon nenit I të Ligjit nr. 21, datë 15 dhjetor 1944, [Mbi sabotatorët e luftës dhe pushtetit popullor], prandaj simbas këtij neni u vendos dënimi i Ded Shabanit me vdekje dhe ekzekutimi i tij menjëherë”.

 

Vendimi i Gjykatës së Naltë Ushtarake

Në zbatim të procedurave ligjore që kishin hyrë në fuqi ditën e gjykimit të tij, më 24 janar 1945, vendimi i trupit gjykues për dënimin e Ded Shabanit iu referue Gjyqit të Nalt Ushtarak për shqyrtim.

Gjykata e Naltë Ushtarake e formueme prej Gaqo Floqit, kryetar, Frederik Nosit, dhe Veledin Zenelit, antar, me nr. vendimi 20, datë 28 shkurt 1945, aprovoi akt-gjykimin nr. 6, datë 24 janar 1945, të Gjykatës Ushtarake të Korparmatës III-të Shkodër, simbas të cilit ishte vendosë dënimi me vdekje i Ded Shabanit, duke urdhëruar njëkohësisht dhe konfiskimin e pasurisë së luejtshme dhe të paluejtshmë të të pandehurit, në bazë të dispozitave ligjore në fuqi.

Në fakt, sipas dëshmitarëve të kohës, publikuar nga studiuesi Gjovalin Gjeloshi, Ded Shabani u ekzekutue në ambientet ku mbahej i burgosur, dy ditë pas arrestimit, pra tridhjetë e pesë ditë para se Gjykata e Naltë Ushtarake të aprovonte dënimin e tij me vdekje, dhe pa marrë aprovimin zyrtar të Enver Hoxhës për ekzekutimin e tij, procedurë që ndiqej në atë periudhë dhe që do të konstatohet edhe në vijim të këtij dossieri.

 

III. Gjykimi dhe dënimi i kryengritësve të Mali Kolaj

Pas ekzekutimit të Ded Shabanit, do t’u vinte radha e gjykimit dhe dënimit mbështetësve kryesorë të tij, bashkëfshatarëve nga Mali Kolaj.

 

Komunikata e Prokurorisë së Gjyqit Ushtarak

Më 8 shkurt 1945, Prokuroria e Gjyqit Ushtarak të Korparmatës III, do t’i drejtonte Gjykatës Ushtarake të Korparmatës III, në Shkodër, komunikatën me këtë përmbajtje:

“Gjykata Hetuese e këtushme, me vendimin e saj nr. 38, datë 8 shkurt 1945, ka vendosur nevojë gjykimi kundra të pandehunve Gjok Nikës, 65 vjeç, Dul Bajram Meçes, 65 vjeç, Pjetër Preng Gjeloshit, 56 vjeç, Myftar Rexh Mehmetit, 66 vjeç, Ibrahim Kaçanit, 57 vjeç, Gjok Lec Ujkës, 64 vjeç, e Gjelosh Kol Pjetrit, 60 vjeç, të gjithë banues në katundin Mali Kolaj, të pandehun sepse kanë marrë pjesë në organizatën e kryengritjes së Ded Shabanit, nga ay katund.

Vepra e të pandehunve provohet me procesverbalin e mbajtun prej Shtabit të Brigadës II M.P. si dhe me pohimet dredharake të të pandehunve.

Faji i tyne asht delikt i randë dhe parashikohet e dënohet prej nenit I të Ligjës mbi sabotatorët e luftës.

Prandaj, mbi bazë të këtij neni u vendos nevojë gjykimi i tyne dhe mbasi të provohet faji i tyne kërkojmë caktimin e ndëshkimit.

Njitaz u paraqesim dhe dosjen e këtyre akteve relative”.

 

Procesverbali mbi pyetjen e këshilltarëve të katundit Mali Kolaj

Deklarimet e kryengritësve në Zyrën e Posaçme të shtabit të Brigadës së II të Mbrojtjes së Popullit, në Shkodër, megjithëse ata janë përpjekur ta zvogëlojnë përmasën e veprimit të tyre, me qëllim marrjen e dënimeve sa më të lehta, plotësojnë tablonë e organizimit dhe zhvillimit të kryengritjes. Në vijim, po japim pjesën kryesore të këtyre deklarimeve.

 

Deklarimet e Gjon Nikës

Më tre shkurt 1945, ora 10:30, në Zyrën e Posaçme të shtabit të Brigadës së II të Mbrojtjes së Popullit, u muar në pyetje Gjon Nika, i cili do deklaronte sa më poshtë:

“Është e vërtetë që neve kishim dijeni mbi luftën që do të bënte [Ded Shabani] kundra partizanëve; për këtë u kishte thënë bashkëkatundarëve që të përgatiteshin për luftë, duke qenë t’udhëhequr prej meje. Deda mue më lajmëroj me Kol Gjetën dhe Gjeto Tolën, që të dy nga Mali Kolaj, që të prinja për të shkuar në luftë kundra partizanëve në katundin Pulaj. Unë nuk e pranova fare fjalën e tij dhe as që luejta fare nga vendi.

Nuk di asgjë nëse Maliq Bajrami, prej katundit Mali Kolaj, ka qenë i caktuem për të ardhun bashkë me mua.

Për punën e Hasan Isufit kam marrë vesh vetëm se ka bërë një përpjekje kundra partizanëve, porse nuk dij hollësira për këtë përpjekje.

Për punën e Dedës, nuk munda t’i lajmëroja as edhe shokët e tjerë këshilltarë, mbasi i kemi shtëpitë larg njëri-tjetrit.”

 

Deklarimet e Dul Bajramit

“Ditën e dielë, mbas dreke, erdhi Ded Shabani në shtëpinë time, ndenji afër një orë, dhe prej andej u nis për në shtëpinë e tij. Gjatë kohës që Deda ndenji në shtëpinë time unë isha bashkë me të, por asnjë bisedim nuk hapëm për sa i përket luftës kundra partizanëve. Mbasi iku Deda nga shtëpija, unë, gojë mbas goje, dëgjova se në Beltojë (Komuna Bushat) ishte bërë përpjekje ndërmjet partizanëve dhe Hasan Isufit. Rreth orës dy allaturka të natës, u bë një alarm me të shtime pushkësh duke dhënë njëkohësisht edhe kushtrimin me zë.

Mbas pak, bashkëkatundari Nikoll Baca erdhi në shtëpinë time i alarmuar dhe më pyeti se ç’ishin ato pushkë dhe ai kushtrim. Unë në të vërtetë nuk dija gjë me siguri se kush e kishte dhënë kushtrimin, por mbasi pushkët ndiheshin afër shtëpisë së Dedës, i thashë Nikoll Bacit se atë kushtrim e kishte dhënë Ded Shabani.

Për të marrë vesh të vërtetën i thashë Nikoll Bacit që të merrte vëllanë tim Ali Bajramin dhe së bashku të shkonin te Ded Shabani; njëkohësisht u thashë edhe të lajmëronin Dedën për t’u kthyer edhe njëherë në shtëpinë time. Nuk vonoj shumë që Deda bashkë me Alinë dhe Nikollën erdhën në shtëpinë time. Pyeta Dedën nëse dinte gjë se çfarë kishte ndodhur në Beltojë ndërmjet partizanëve dhe Hasan Isufit me shokë. Për këtë Deda më tha se s’kishte as edhe dijeninë më të vogël.

Gjatë bisedimit me Dedën, mësova se ai do të shkonte në Lezhë për t’u takuar me komandantin e atjeshëm. Nuk më tregoi asgjë për sa i përket çështjes së Shengjinit, që të nesërmen do të sulmonte.

Mbas 2-3 orësh që Deda ndejti në shtëpinë time, u nis me pesë shokë që ishin: Ali Bajrami, Nikoll Baci, Kol Gjetja, Gjon Marku dhe i pesti ka qenë Frank Toma, që të gjitha nga katundi Mali Kolaj.

Është e vërtetë që kur është nisur Deda i kam thënë “Të priftë mbarë!”, por nuk kam pasur për qëllim që t’i uroja luftën kundra partizanëve, veçse pandeha se shkonte më të vërtetë në Lezhë, sikurse tha ai vetë më parë. Për të nëntë partizanët që arrestoj Deda nuk di asgjë.

Mbasi u nis Deda nga shtëpija jonë e kuptova djallëzin e tij, por ishte vonë dhe nuk dija se ku të lajmëroja.

Po atë natë nisa vëllanë tim, Maliq Bajramin, i cili është partizan i Komandës Pulaj, që ta mbanin postën mirë se kush e di si bjen puna; se ushtrija shkon e vjen dhe ne nuk duam telashe. Vëllai im, Maliq Bajrami, erdhi atë mbrëmje nga Pulaj dhe iku po atë natë për në Postë; kur erdhi Deda në shtëpinë tonë, qe edhe Maliqi dhe bisedoj me të. Maliqi u nis për në Postë pak minuta mbas ikjes së Dedës nga shtëpija jonë.

Im vëlla, Ali Bajrami, që shkoj me Dedën, erdhi në të pasnesërmen, d.m.th. ditën e martë. Aliu s’më tregoj gja më gjatë veçse më tha se Dedën dhe të shumtit e shokëve i zunë partizanët, unë munda të shpëtoja dhe ika”.

 

Deklarimet e Pjetër Prenkës

“Për sa i përket mbledhjes së ushtarëve nga ana e Dedës unë nuk di gja, mbasi gjithmonë kam shikuar vetëm punën time, pa u përzie me të tjerët. Veç kësaj, Deda kishte zakon që nuk i tregonte as kujt gjana të mshefta.

Për punën e nëntë partizanëve puna ka qenë kështu: Për darkë, ditën e dielë, partizanët ishin të ndamun në lagjen tonë; atë ditë u kishte ardhun urdhën me shkue sa ma parë në batalion ku banin pjesë. Mbas darke partizanët kishin vendosur të niseshin për në batalion. U nisa unë bashkë me ta si udhëheqës dhe shkuam një copë rrugë. Bashkë me neve ishin edhe Gjek Gjobali dhe Fran Toma, që të dy nga Mali Kolaj. Pa pritun përpiqem në Dedën me shokë që u kishin ba pritë partizanëve dhe mënjëherë na ndaluen duke u thanë partizanëve që mos lueni se jeni të rrethuem. Së fundi, Deda përpara partizanëve më tha që unë bashkë me Gjek Gjobalin dhe me nja dy a tre bashkëfshatarë të kthehesha për t’i shoqëruar partizanët në shtëpinë e Dedës, e në të vërtetë ashtu bëmë. Unë, Gjek Gjobali dhe tre të tjerë, që emnat nuk më kujtohen, u kthyem dhe shpumë partizanët në shtëpinë e Dedës. Të nesërmen, në mëngjes, unë i udhëhoqa prapë partizanët dhe i shpumë në këshillin e Shëngjinit.

Di se disa katunde i kishin thanë Dedës që të merrej vesh me komandat partizane, që me pëlqimin e komandave të vishej komandant i djelmnis. Katundet vetë e kishin dishrue dhe i kishin dhënë edhe nga një shkresë. Nuk di se ku kishte marrë vërtetime katundesh Deda për t’u bam komandant, por di vetëm se mund të ken qenë vetëm pak katunde që nuk ia kishin dhanë shkresën se të tjerat të gjitha. Edhe ato të pakta [katunde] që nuk i kishin dhanë dëshmitë Dedës, nuk i kishin dhanë vetëm se nuk kishte pasun koh Deda me shkue dhe me i marrë, se për të dashtun e donin të gjithë”.

 

Deklarimet e Ndue Nikajt

“Qysh më parë se të shkatërrohej xhandarmëria shkova në Mal Kolaj dhe qëndrova atje tek kushërini im Ded Shabani. Deda ka qenë simpatizant i lëvizjes N.Ç.

P.P. Asht e vërtetë se disa partizanë të rinj të rretheve të Shkodrës kanë dezertue dhe katër nga këta erdhen tek Ded Shabani, mbasi ky ishte si komandant batalioni dhe kishim dëgjue se do të formohej një brigadë aty në ato rrethe. Komanda e Lezhës ua kërkoi familjeve këta partizanë dhe së fundi u muar vesh se ishin me Deden e prandaj ky i shkroi një letër Komandës së Lezhës se partizanët në fjalë ishin me neve dhe se, para se të merrej ndonjë masë, duhej që komanda të merrej vesh me Deden.

Nuk zgjatën dit që neve shkuam në Bushat për të bërë një deklaratë për pëlqimin e Dedës si Komandant i Përgjithshëm i fuqive të atyre rretheve. Në fakt këtë deklaratë e kemi marrë në çdo katund. Në katund takuam disa katundarë që kishin edhe një letër nga Hasan Isufi për Deden. Letra thoshte se një kryengritje e përgjithshme ishte përgatitur dhe se kudo do të sulmoheshin partizanët prej forcave kombëtare zogiste. Propoganda ishte se Zogu bashkë me anglezët kishte ardhur në Shqipni.

Mbas një bisedimi që pati Deda në Bushat i thanë se e kërkonte Jup Kazazi në Trush, kështu që të gjithë shkuem në Trush. Deda bëri mjaft fjalë me Jup Kazazin (arsyeja e debatit ishte për moskoordinimin e veprimeve – V.H.) dhe së fundi arriti në një grindje gadi thuajse në vrasje, por prapë u qetësue, me që Jupi ia filloi me të butë …

Fundi i fundit ramë dakord që Deda me forcat të ruante krahët dhe të ishte gadi për të sulmue Shëngjinin dhe së andejmi drejt Lezhës, ku do të sulmonte Xhemal Beu dhe Osman Beu.

Shkuem në Mal Kolaj dhe i dërguem lajmërim me letër Xhemal Beut dhe Osman Beut në Lezhë duke i pyetur për situatën e andejshme, dërguem dy vet gjithashtu edhe në Bërdicë për të marrë lajme nga ajo anë.

(vijon nesër)

* studiues

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency