Vetëkallëzimi – Shpëtues i imazhit apo model i kapërcyer?

0
121

feministja gjermaneFeministja e njohur gjermane Alice Schwarzer ka mashtruar në pagimin e taksave. Kjo e dëmton emrin e saj. Duke bërë vetëkallëzim, ajo ka shmangur dënimin. Por çështja e mospenalizimit vihet tani për diskutim.

Pas ikonës së futbollit Uli Hoeneß tani edhe Alice Schwarzer: feministja më e njohur e Gjermanisë ka pranuar evazionin fiskal. Sipas zbulimeve të reja të një reviste informative ajo ka bërë vetëkallëzim që vitin e kaluar, për shkak se nuk ka deklaruar interesat e fituara në një llogari bankare në Zvicër. Ajo ka pohuar se e ka hapur llogarinë në vitet ‘80, kur mendonte të shkonte jashtë për shkak të armiqësive personale. Ndryshe nga rasti i Uli Hoeness, kundër Schwarzer nuk do të ketë procedurë penale. Vetëkallëzimi i saj duhet të ketë qenë i plotë: 200.000 euro thuhet se ka paguar, me to ka mbuluar të gjitha borxhet, të paktën ato, për të cilat nuk kanë kaluar afatet kohore.

Prej kohësh Zvicra është e njohur si oaz fiskal, ku herë pas here njerëz me të ardhura të larta përpiqen t’i shpëtojnë autoriteteve tatimore gjermane. Po atëherë përse është kaq i madh zemërimi për mashtrimin tatimor të bërë nga Schwarzer?

 

 

Një rast veçanërisht i thellë

71 vjeçarja është prej dekadash si të thuash gishti qortues i kombit, kur bëhet fjalë për të drejtat e gruas. Ajo është kryeredaktore e revistës feministe “Emma” dhe ftohet në të gjitha emisionet televizive, në të cilat trajtohen temat si dallimet e pagave ndërmjet gjinive, apo prostitucioni. Në fushën e saj ajo konsiderohej si instancë morale, që shpesh kritikonte ashpër të tjerët për pikëpamje, që ajo i konsideronte të gabuara. Autoriteti i Alice Schwarzer dëmtohet rëndë me këtë sjellje të gabuar.

Reagimi i Schwarzer ndaj zbulimeve të revistës “Spiegel” shkaktoi pakënaqësi të mëtejshme. Në faqen e saj të internetit feministja e cilësoi publikimin e të dhënave të saj tatimore si fushatë diskretituese. Të ftuarit në emisionin televiziv “Hart aber Fair” (I ashpër, por i drejtë) të hënën (3.2.2014) kritikuan faktin, që Alice Schwarzer nuk kishte bërë një pranim të qartë të fajit duke shprehur keqardhje. Kryetarja e grupit parlamentar të të Gjelbërve, Katrin Gëring-Eckardt, tha: “Kur bën një gabim, atëherë e pranon, në vend që ta heqësh vetën si viktimë”.

Një shembull i kundërt me këtë Margot Këßmann. Teologia protestante në shkurt 2010 dha dorëheqjen nga posti i kryetares së Kishës Protestante në Gjermani, kur u kap duke i dhënë makinës pasi kishte pirë alkool. Ajo shprehu publikisht keqardhjen për gabimin dhe meritoi respekt. Që nga vera 2011 Këßmann ka përsëri poste në kishën protestante.

 

‘Gabueshmëria e qytetarëve’

“Alice Schwarzer nuk tregon tani atë shkallë përulësie, që pritet në këtë situatë”, – tha Manfred Lütz, teolog katolik dhe psikiatër në bisedë me “DW”. “Përulësia nuk është një nga pikat e forta të saj, për këtë arsye ajo ka qenë edhe e suksesshme”.

Drejtori i klinikës Aleksiane në Këln kritikon mënyrën, se si sillen mediat dhe rrjetet sociale me feministen. “Ajo ka bërë një hap shumë të gabuar, i cili pa dyshim që duhet kritikuar”, – thotë Lütz. “Por gjithçka duhet të ketë kufi”. Përveç kësaj nuk mund të thuhet se arritjet kulturore të Alice Schwarzer “duhen hedhur tani në kosh”.

Tek njerëzit e njohur, shumat janë natyrisht më të mëdha, por edhe shumë qytetarë të zakonshëm mashtrojnë për taksat. Dëshira për të arritur fshehurazi përfitime ndodh tek njerëzit, thotë Lütz: “Vetëkallëzimi presupozon që qytetarët gabojnë”. Ai e konsideron të arsyeshëm ligjin, që parashikon mospenalizim por kuptim dhe gjobitje suplementare.

A është vetëkallëzimi një model i dalë nga moda?

Disa politikanë e shohin këtë ndryshe. Evazioni fiskal është e vetmja vepër e dënueshme në Gjermani, nga e cila mund t’i shpëtosh dënimit me anë të një vëtëkallëzimi. Për abuzim me drogë apo për vjedhje kjo nuk vlen. “Ne duhet të diskutojmë, nëse vetëkallëzimi që të liron nga dënimi, është ende aktual”, – tha nënkryetari i grupit parlamentar të PSD, Hubertus Heil. Edhe zëvendëskancelari Sigmar Gabriel (PSD) është për ndjekjen më të rreptë dhe dënimin e evazorëve fiskalë.

Ministri i Financave të landit Nordrhein-Westfalen Norbert Walter-Borjans (PSD) kërkon që “lirimi nga dënimi të reduktohet”. Ai propozon, për shembull, rregulla më të ashpra, kur bëhet fjalë për shuma të mëdha parash: “Përjashtimi i dënimit duhet të kufizohet në raste më të vogla, sepse te të mëdhatë, nuk mund të presupozosh, se është bërë ndonjë gabim, por se është mashtruar me vetëdije”.

Partneri në koalicionin qeveritar është më i kujdesshëm. Eksperti i financave i CDU Norbert Barthle tha: “Ne kemi nevojë për vetëkallëzimin, përderisa ka oaze fiskale. Vetëm kështu shteti arrin të marrë paratë, që i takojnë”.

 

 

Frikë nga një luftë civile në Ukrainë

E ardhmja e Ukrainës është në pikëpyetje, për këtë parlamentarët e BE-së janë të bindur. Disa kërkojnë sanksione, të tjerë duan ta mbështesin financiarisht vendin, në mënyrë që të nisin më në fund reformat politike.

Njëfarë paniku e ka mbërthyer BE-në kur mendon për Ukrainën. Kjo ndodhi edhe në rastin e debatit të Parlamentit Evropian të mërkurën pasdite (5.2.2014). Çfarë do të ndodhë po të mos zgjidhet së shpejti kriza politike? A do të shpërthejë atëherë lufta civile? Që tani vendi ndodhet para falimentimit financiar. Edhe vetë Rusia, tek e cila është orientuar presidenti Viktor Janukoviç, nuk pranon t’i paguajë kreditë e premtuara, për aq kohë sa vazhdon situata e pasqaruar.

Komisari i Zgjerimit të BE, Stefan Füle vërejti me seriozitet para parlamentit: “Në lojë nuk është vetëm respekti për të drejtat e njeriut, por edhe vetë e ardhmja e Ukrainës”. Deri në fund të Lojërave Olimpike të Dimrit në Soçi të Rusisë, besojnë shumë parlamentarë, nuk do të ketë zgjidhje të dhunshme, por për kohën më pas, askush nuk dëshiron të verë bast.

 

Pasaporta të BE-së për funksionarët

Përpjekjet evropiane për ndërmjetësim kanë dështuar deri tani para së gjithash, sepse Janukovici e konsideron BE-në të njëanshme. Sipas tij, BE-ja mbështet në mënyrë të njëanshme opozitën dhe demonstruesit janë rrëmujaxhinj, që nuk e respektojnë rendin shtetëror. Në këtë drejtim u pa edhe vizita më e fundit e së Ngarkuarës së BE-së me Politikën e Jashtme, Catherine Ashton në Kiev. Por për eurodeputetin gjerman, Elmar Brok është e qartë: “Jo demonstratat, por dhuna kundër tyre ishte shkaktare e krizës”. Brok është edhe kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe ka qenë kohët e fundit disa herë në Kiev.

 

Kërkesa për zgjedhje të reja dhe kushtetuta e vjetër

Deputetja e partisë ekologjist “Të Gjelbërit”, Rebecca Harms, që ka qenë gjatë dimrit katër herë në Ukrainë, kërkon kufizime të lëvizjes për anëtarë me poste të larta të qeverisë si dhe ngrirjen e pasurive të tyre. Edhe Brok mendon: “Përgjegjësit për tortura dhe arrestime duhet të llogarisin ndalim-hyrjeje ose bllokim të llogarive të tyre dhe të pasurisë që kanë në botën e jashtme. Por shefi i socialistëve në Parlamentin Evropian, Hannes Swoboda mendon se nuk ka ardhur koha ende për sanksione. Edhe shefi i liberalëve, Guy Verhofstadt dëshiron t’i japë edhe një shans Janukoviçit. Shumica e parlamentarëve kërkojnë së shpejti zgjedhje të reja, si për parlamentin, ashtu edhe për postin e Presidentit, dhe kushtetuta e vitit 2004 duhet të hyjë sërish në fuqi. Atëherë, parlamenti dhe qeveria kishin më tepër të drejta, presidenti më pak.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency