Importet e karburanteve, si u shkel ligji nga “kasnecët” e “sukseseve” në Doganë

0

Ervin Kaduku

Loading...

 

Sipas ligjit për akcizat, sasia e importimit të mallrave të akcizës nga çasti i dekretimit të ligjit të ri, të miratuar, deri në hyrjen e tij në fuqi, nuk mund të jetë më e lartë se 20% më shumë se mesatarja mujore e vitit paraardhës…

 

karburantShifrat e fundit të publikuara nga vetë sistemi doganor lidhur me tregtinë e jashtme në muajt e fundit të vitit të kaluar nxjerrin zbuluar faktin se ajo çka drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, nxitoi ta shpallte si sukses është, në fakt, një neglizhencë e pafalshme nga ana e administratës shtetërore shqiptare.

Spiropali tha se është regjistruar një rritje prej 40 përqindësh në akcizë. Kjo është e vërtetë, por ka edhe “bishta” nga pas…

Importet e karburanteve u rritën në mënyrë të fortë në dhjetor, një dukuri kjo që ishte e pritshme, për shkak se tregtuesit nxituan të rrisnin rezervat përpara hyrjes në fuqi të taksës së re të qarkullimit, që rriti me 10 lekë për litër, në 17 lekë taksën si për naftën ashtu dhe benzinën.
Sipas të dhënave të publikuara nga Doganat, në dhjetor 2013 u importuan gati 60 mijë tonë naftë, me një rritje prej gati 50% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe me bazë mujore, janë shkarkuar në portet shqiptare 42% më shumë tonë naftë. Për periudhën nëntor-dhjetor 2013, atëherë kur u bë e qartë për taksat e reja që do të vendoseshin mbi karburantet, importet janë rritur me 31% në raport me dy muajt e fundit të 2012-ës.
Në krahasim me mesataren mujore të 2012-ës, prej rreth 35 mijë tonë, importet në dhjetor ishin sërish gati 50% më të larta.
Pavarësisht nga shtimi i rezervave, tregtuesit nxituan të rrisnin çmimin e karburantit që në javën e parë të vitit 2014, duke e shtrenjtuar mesatarisht me 10 lekë për litër, aq sa u shtua dhe taksa.


Ligji, kujdes nëse importet rriten më shumë se 20%

Rasti i rritjes së akcizave nga 1 janari 2014 parashikohet pikërisht në pikën 2 të nenit 5 se “në rast të iniciativave për ndryshime ligjore, që kanë për qëllim rritjen e nivelit të taksimit të akcizës, sasia e importimit të mallrave të akcizës nga çasti i dekretimit të ligjit të ri, të miratuar, deri në hyrjen e tij në fuqi, nuk mund të jetë më e lartë se 20% më shumë se mesatarja mujore e vitit paraardhës”.
Pra, ligji e ka specifikuar qartë se në dhjetor 2013, boom-i i importeve sipas subjekteve duhet të kufizohej deri në 20% më shumë se dhjetori 2012 dhe nëse Doganat e kanë respektuar këtë kufi, s’ka asgjë për t’u çuditur për rritjen e importeve në dhjetor. Nëse jo, duhen ndarë përgjegjësitë administrative dhe mbi importuesit.
Për këtë arsye, të gjitha strukturat dhe organet publike po mbikëqyrin tregun (inspektoratet dhe autoritetet e mbikëqyrjes së tregut), duke evidentuar ndryshimet e çmimeve në çdo hallkë të tregut, për të parë abuzimet e mundshme sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi, që sigurisht nuk janë miratuar në tre muajt e fundit, por janë në zbatim prej vitesh. Kështu organet fiskale po evidentojnë si dhe sa janë pasqyruar në regjistrat dhe librat e shitjes këto çmime të rritura dhe a është paguar e gjithë barra fiskale për to, inspektoratet e kontrollit të cilësisë po shohin nëse po respektohen standardet e cilësisë dhe sasisë (kryesisht te karburantet) etj.

Nga pikëpamja e mbikëqyrjes së tregut do të analizohet dominimi (nëse ka) i tregjeve përkatëse, i cili në vetvete nuk është i ndaluar nga legjislacioni i konkurrencës, por duhet parë nëse është abuzuar me këtë dominim. Shpesh dëgjojmë “monopolet” në zhargonin e komunikimit publik që përdorin mediat por edhe politikanë-ekspertë të ekonomisë, megjithëse e dinë se nuk është i saktë, pasi në asnjë nga tregjet ku zbatohet akcizë nuk ka një shitës të vetëm-monopol apo subjekte që kanë mbi 90 për qind të tregut-quasi monopol. Një tjetër pistë e analizës është sjellja e ndërmarrjeve në tregjet përkatëse (pra konkurrentëve) nëse kanë koordinuar duke fiksuar çmimet apo rritjet e çmimeve kanë qenë individuale. Ndaj dhe përgjigjja është më mirë një masë ndëshkimore e vonuar (sigurisht sa më shpejt është e mundur) por e drejtë nëse do të ketë abuzime sesa një gjobë e shpejtë por aforfe.

 

Çfarë ndodhi në të vërtetë?

Edhe zyrtarisht, nga shifrat e publikuara së fundi prej Institutit të Statistikave, u pohua fakti i pamohueshëm se rritja e arkëtimeve gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar, shpallur me shumë bujë nga shefja e Doganave, Erisa Spiropali, shprehte asgjë tjetër veç një hyrje masive të karburanteve, për të shmangur rritjen e taksës së karbonit e për t’u shitur me taksën e re, në kurriz të konsumatorit e aspak në fitim të shtetit. Shifrat e tregtisë së jashtme zyrtarizojnë importin e lartë të karburantit, madje, të të gjitha produkteve të akcizës gjatë muajit dhjetor. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, importi në dhjetor arriti në 54 miliardë lekë ose 20% më shumë se një muaj më parë.

Për shkak të rritjes së shpenzimeve në prag festash, në muajin dhjetor rriten importet, por rritja e këtij viti ishte e pazakontë, e lidhur tërësisht me rritjen e pritshme të taksave që do të hynin në fuqi në janar.

Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, vetëm në muajin dhjetor u importuan rreth 20 mijë tonë karburante më shumë sesa në të njëjtin muaj të një viti më parë. Sasia u zhdoganua me taksa më të ulëta për t’u hedhur në treg pas 1 janarit me çmime më të larta.

Sipas ekonomistëve, në bazë të nivelit të konsumit mujor në vend, sasia e importuar vetëm në dhjetor do të vlente deri në fund të muajit shkurt, çka do të nënkuptonte, në kushtet e respektimit të rregullave, se deri në fund të shkurtit nuk do të kishte rritje çmimi për efekt taksash. Ndryshe nga ç’ndodhi realisht në treg.

I njëjti fenomen vërehet tek cigaret, pijet alkoolike dhe ato energjike. Grosistët e duhanit importuan rreth 240 tonë cigare më shumë se viti i kaluar, me një rritje prej 75%. Kjo do të thotë mbi 12 milionë paketa shtesë vetëm në dhjetor, të cilat janë zhdoganuar me akcizën e vjetër prej 70 lekësh.

Përllogaritjet flasin për një shmangie taksash që arrin në 2.4 milionë dollarë, e që rritet shumë më tepër nëse vlerësohet rritja e tre muajve të fundit.

 

 

Loading...