Gati ndryshimet/ Çmimin e biletës do ta vendosin vendorët, Bashkia: Qeveria po fshihet nga përgjegjësitë

0
130

Driçim Çaka

 

Kryebashkiaku Lulzim Basha, letër ministrit Haxhinasto: Ja si zgjidhet situata

 Propozimi: Subvencionimi social për kategoritë që, sipas ligjit, përfitojnë transport publik falas

 

urbanPas publikimit të marrëveshjes mes Ministrisë së Transporteve dhe Shoqatave, për rritjen e çmimit të biletës për urbanët, duket se qeveria nuk do të marrë përgjegjësitë e këtij ndryshimi. Ditën e djeshme, Ministria e Transporteve bëri me dije se çmimin e biletës do ta vendosin autoritetet vendore. Sipas Ministrisë, javën e ardhshme në Kuvend do të përgatiten disa amendamente “për transferimin e të drejtës së përcaktimit të çmimit të biletave të transportit urban autoriteteve të pushtetit vendor”. “Qeveria do të përgatisë amendimet përkatëse ligjore për transferimin e të drejtës së përcaktimit të çmimit të biletave të transportit urban autoriteteve të pushtetit vendor dhe do t’i dërgojë këto amendime ligjore për miratim në Parlament javën e ardhshme”, – thuhet në një njoftim të Ministrisë së Transporteve. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkisë së Tiranës, e cila e shikon këtë ndryshim si një fshehje të qeverisë nga përgjegjësitë që ajo vetë ka. “Pas një heshtjeje dymujore, qeveria propozon si “zgjidhje” heqjen e përgjegjësisë nga vetja. i bëjmë me dije publikut dhe qeverisë se problemi nuk është tek çmimi i biletës. Qëndrimi i Bashkisë së Tiranës është i qartë dhe i prerë, kundër rritjes së çmimit të biletës. Nuk është zgjidhje rëndimi i xhepave të qytetarëve në këto kohë të vështira me çmimin e rritur të transportit urban”, – thuhet në reagimin e Bashkisë. Po kështu Bashkia propozon mënyrën se si mund të zgjidhet kjo situatë duke ulur ose eliminuar TVSH-në për shërbimin e transportit dhe eliminimi i akcizës së naftës për transportin urban qytetas. “Kjo është e vetmja rrugëzgjidhje e problemit pa rënduar koston për qytetarët dhe për këtë i takon qeverisë të marrë vendimet përkatëse dhe jo të fshihet duke hequr përgjegjësitë që i ka me ligj”, – theksohet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.

 

Letra

Po dje nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, ka bërë publike letrën e kryebashkiakut Lulzim Basha drejtuar ministrit të Transporteve, Edmond Hxhinasto. Në letrën e kryetarit të Bashkisë propozohet si zgjidhje:

-Subvencionimi operativ i shërbimit nëpërmjet granteve të kushtëzuara ndaj qeverisjes vendore. Në këtë kuadër, Bashkia e Tiranës ka gjithë gatishmërinë për të rishikuar kushtet e kontratës që të mundësojë këtë lloj subvencionimi.

-Subvencionimi social për kategoritë që, sipas ligjit, përfitojnë transport publik falas.

-Ulja e TVSH-së për shërbimin e transportit publik.

-Heqja e akcizës së naftës për transportin urban qytetas.

-Ndryshimi i legjislacionit për emetimin dhe prodhimin e biletave të transportit për mundësimin e sistemit të biletave elektronike që shmang abuzivitetin në përdorimin e shërbimit urban qytetës.

-Ndryshimi i sistemit të llojeve të biletave që është shumë i kufizuar duke mos lënë hapësira për përdorimin e llojeve të ndryshme të biletave shumëpërdorimshe, siç mund të jenë 1 ditore, 1 javore, bileta për fundjavën. Këtë eksperiencë e gjejmë në shumicën e vendeve të BE-së, por edhe në rajon.

Pavarësisht nga letra që është dërguar që në muajin dhjetor, Ministria e Transporteve nuk i ka kthyer një përgjigje kryebashkiakut.

 

 

Vendimi i qeverisë, farmacistët: Do të mbyllim farmacitë

Farmacistët kërcënojnë me mbyllje të farmacive dhe nisjen e protestave nëse qeveria nuk rishikon vendimin e ditëve të fundit, i cili ul me 4 për qind marzhin e fitimit të farmacive dhe 3 për qind atë të grosistëve. Këshilli Kombëtar i Farmacistëve është mbledhur dhe ka diskutuar VKM e qeverisë duke e cilësuar atë si një vendim arbitrar, të pakonsultuar me grupet e interesit. Drejtues të Urdhrit të Farmacistit dhe Sindikatës thanë se do të kërkojnë takim urgjent me ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj. “Urdhri i Farmacistit të Shqipërisë si institucion legjitim i cili mbron interesat e farmacistëve, e shikon të pavend realizimin e këtij vendimi pa u parë si grup interesi në këtë vendimmarrje. Do kërkojmë takim urgjent me ministrin e Shëndetësisë”, – u shpreh kreu i Urdhrit të Farmacistit, Diana Toma. “Në këtë VKM preket direkt interesi i të gjithë farmacistëve. Jemi mbledhur për ta kundërshtuar këtë VKM aq sa mund të bëjmë ta kundërshtojmë. Mendojmë që më vonë, ditë pas dite, hap pas hapi të krijojmë protestat tona. Do ketë mbyllje të shërbimit farmaceutik. Ky është vendim arbitrar i marrë në mënyrë arbitrare pa u marrë mendimi i grupit të interesit që jemi ne”, – shprehet Denisa Vrapi nga Sindikata e Farmacistëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency