Biletat e urbanit, Rama u kalon përgjegjësinë vendorëve!

0
139

Ervin Kaduku

 

Në mënyrë të papritur, qeveria socialiste ndryshon rregullin e respektuar këto 20 vitet e fundit, sipas të cilit është qeveria qendrore ajo që merr përgjegjësinë për koston e biletave të urbanit

 

 

autobuzaMinistria e Transportit dhe Infrastrukturës do t’ua delegojë të drejtën e përcaktimit të çmimit të biletave të transportit urban autoriteteve të pushtetit vendor. Në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dje, theksohet se “duke respektuar përgjegjësitë e pushtetit vendor për administrimin e transportit qytetas, duke marrë parasysh natyrën vendore të tarifave dhe kostove të këtij shërbimi ndaj qytetarëve, si dhe duke vlerësuar e mbështetur frymën dhe të drejtat reale të autonomisë vendore, qeveria do të përgatisë amendimet përkatëse ligjore për transferimin e të drejtës së përcaktimit të çmimit të biletave të transportit urban autoriteteve të pushtetit vendor”.

Sipas Ministrisë, këto amendime ligjore do të dërgohen për miratim në Parlament javën e ardhshme.

Ky njoftim bëhet në një kohë kur Bashkia e Tiranës i ka kërkuar zyrtarisht qeverisë të marrë masa për të mos lejuar rritjen e çmimit të biletës të transportit urban. Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, në një konferencë për mediat, paraqiti dje edhe kërkesat e Bashkisë drejtuar qeverisë. “Bashkia e Tiranës i kërkon publikisht qeverisë të ndërmarrë vendimin e duhur, i cili është një dhe vetëm një, subvencionim i operatorëve të transportit publik dhe jo rritja e mëtejshme e kostos për qytetarët, të cilët, siç jemi të gjithë dëshmitarë, po përballen çdo ditë me rritje të çmimeve dhe kostos së jetesës”, – tha Bozdo.

 

Ndryshimi

Deri para dy ditësh, e njëjta Ministri kishte bërë të ditur se ishte përgatitur një draft, që do të kalonte shumë shpejt në qeveri, sipas të cilit biletat e autobusëve në kryeqytet do të kushtojnë 50 lekë dhe ato do të jenë vetëm me një përdorim ashtu sikurse edhe sot. Ky ishte një vendim i marrë nga Ministria e Transporteve i bërë gati për t’u firmosur me Shoqatën e Transportit Publik dhe më pas ky vendim do t’i kalonte Këshillit të Ministrave për miratim. Ndërkohë, në vendim ishte parashikuar edhe rritja e çmimit të abonesë për të gjitha llojet e saj.
Ekspertët e Ministrisë së Transporteve që kanë hartuar draftin e kanë argumentuar ndryshimin e çmimit të biletës së transportit urban me gjendjen tepër të rënduar ekonomike dhe financiare të shoqërive të transportit. Por, sipas projektmarrëveshjes, është renë dakord edhe për kushtet që duhet të ndryshojnë. “Ministria merr përsipër përgatitjen dhe propozimin e projektvendimit të KM për ndryshimin në rritje të tarifave të shërbimit urban, ku bileta një udhëtimesh të jetë 50 lekë, aboneja e pajtimit mujor, e përgjithshme, 1800 lekë. Sa i përket abonesë së studentëve ajo do të jetë 900 lekë dhe ajo për një linjë urbani 1400 lekë”, – thuhet në projektmarrëveshjen e Ministrisë së Transporteve.
Sa u përket kategorive sociale, ata do të vazhdonin të rimbursoheshin nga shteti. Në këtë draft marrëveshje thuhej se Shoqata, në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale, për një periudhë 3-5 mujore duhet të gjejë modalitetet për unifikimin e legjislacionit për të gjithë kategoritë e veçanta të qytetarëve që sot me ligj e përfitojnë shërbim falas. Por drafti i ri parashikon që rritja e çmimit të biletës të shoqërohet me investime nga shoqata e transportit urban, ku kërkohet që brenda një viti të fillojë të aplikohet sistemit elektronik i biletave shumëpërdorimshe.
“Kërkohet përmirësim i cilësisë së shërbimit duke zbatuar kontratën për shpejtësinë e lëvizjes së mjeteve. Mjetet e shërbimit të përdorin karburante të cilësisë së parë dhe mjete të standardeve. Të kryhet një studimi brenda 6 muajve për futjen e teknikave moderne të emetimit dhe kontrollit të biletave të shërbimit (sistemi elektronik të biletave shumëpërdorimshe) brenda një viti”, – thuhet në projektmarrëveshje.
Ndërkohë sa i përket hyrjes në fuqi të çmimit të ri të biletave ai do të ishte menjëherë pas firmosjes së marrëveshjes dhe kalimit të saj në qeveri.

 

Fshihet qeveria

Ajo që bie në sy qartë në këtë mes është një përpjekje e hapur nga ekzekutivi për të anashkaluar problemin dhe për të ngarkuar bashkitë me një problem, që nuk ka qenë asnjëherë në vëmendje të tyre. Normal, pasi caktimi i çmimit të biletave për udhëtimin me autobus urban është një problem madhor dhe nuk mund të zgjidhet ndryshe në një qytet e ndryshe në një tjetër. Aty ndërthuren subvencionimi i shtresave më të pafavorizuara të popullsisë, përballimi i efekteve të rritjes së akcizave apo taksave të karburantit, që qeveria “Rama” sapo e bëri, e shumë e shumë të tjera. Ministria e Transportit sapo e kishte bërë gati draftin, siç duket më lart. Por, ajo që e ka detyruar atë të bëjë një piruetë të tillë është paaftësia për të përballuar situatën, nga njëra anë, si dhe dëshira për të krijuar probleme që nuk ishin më parë për bashkinë më të madhe të vendit, atë të Tiranës, që drejtohet nga kreu i opozitës.

Por, si do të kryhet një gjë e tillë, kur tashmë është miratuar buxheti i shtetit për vitin në vijim dhe aty janë përcaktuar shumë qartë edhe fondet që shkojnë si grante të pakufizuara etj., nga arka qendrore. I bie që bashkitë të heqin dorë nga përdorimi i taksave të qytetarëve për ndërtime rrugësh, shkollash etj. dhe t’i përdorin në masë për subvencione të paplanifikuara.

Përveç kësaj, këtu bie qartazi në sy edhe një prapaskenë malinje për të “ndërsyer” shoqatat e transportit, si dhe vetë qytetarët, kundër drejtuesve të pushtetit vendor.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency