Skema e re/ Pensionet do të funksionojnë me 16 miniskema

0
154

Driçim Çaka

 

Emigrantët në Itali dhe Greqi ngelen jashtë skemës

 Skema e re prek personat poshtë moshës 45 vjeçe, efektive deri në 2080-ën

 

pensionis Skema e re e pensioneve do të ketë dy synime. I pari do të jetë lidhja e kontributeve me përfitimet dhe, së dyti, asnjë shtetas shqiptarë të mos ngelet pa mbështetje financiare. Këto fakte janë bërë të ditura nga përfaqësuesit e Ministrisë së Mirëqenies Sociale në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale. “Gjatë dy muajve të parë do të mbarojë dokumenti i politikave të pensionit, që të ndryshojë legjislacioni sepse flasim për sigurime shoqërore”, – u shpreh Astrit Kuka. Sipas raportimeve në Komision, skema e re do të ketë 16 miniskema të tjera. Këto miniskema do të jenë të rregulluara me ligje të veçanta, në mënyrë që të mos ketë mbivendosje të skemave. Bëhet e ditur se miniskemat do të kenë si synim që të gjithë të kenë mundësinë e marrjes së një pensioni. Nëpërmjet minikskemave do të sigurohet edhe një pension bazë për çdo individ. Ekspertët theksojnë se kjo skemë do t’u japë mundësi të moshuarve që të mos ngelen pa asnjë të ardhur, në momentin që do të dalin në pension. Reforma e pensioneve pritet të prekë më shumë ata persona të cilët nuk kanë mbushur 45 vjeç. Për të bërë reformën e pensioneve qeverisë do t’i duhet të ndryshojë 16 ligje, në mënyrë që të rregullohen pagesat për kategoritë e pensionistëve, ndihmës sociale dhe personave me aftësi të kufizuara. Skema e pensioneve do të ndryshojë totalisht dhe sipas Ministrisë së Mirëqenies Sociale do të jetë efektive deri në 2080-ën. Gjatë raportimit në komisionin e shëndetësisë, drejtori i Inspektimi të Marrëdhënies së Punës, Pagave dhe Pensioneve në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, Astrit Kuka, njoftoi se brenda marsit strategjia e re e pensioneve do të jetë gati.

 

Emigrantët ngelen jashtë skemës

Duket se emigrantët që punojnë dhe jetojnë në Itali dhe Greqi, do të ngelen jashtë skemës së pensioneve, kjo për faktin se këto dy vende kanë refuzuar kërkesën e shtetit shqiptar. Pavarësisht nga kërkesat e përsëritura, edhe në rrugë diplomatike të shtetit shqiptar për t’u mundësuar emigrantëve që kanë mbushur moshën dhe kanë kontribuar ndër vite në skemën e kontributeve shoqërore në vendin tonë, të marrin pensionin në këto 2 shtete, përgjigjja e marrë ka qenë “jo”. “Nuk kemi sinjale pozitive në lidhje me këtë dhe është ripërsëritur disa herë. Kjo ka të bëjë me koston që kanë në sistemin e tyre. Në fillim ata pranuan dhe filluam negociatat, por thanë që janë në vështirësi për vete dhe do të vendosin në një moment tjetër”, – tha Astrit Kuka. Belgjika është shteti i parë që ka firmosur marrëveshjen e njohjes së pensioneve, duke favorizuar 35.000 emigrantë shqiptarë që jetojnë atje.

 

Debate në Komision

Mbledhja e djeshme e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale ka nisur me debate të ashpra. Kryetarja e këtij Komisioni është shprehur se ministrat dhe zëvendësministrat nuk gjejnë kohë të vijnë në Komision, pasi po merren me shpërthime tritolesh. Kjo deklaratë është kundërshtuar nga deputetet e mazhorancës, të cilët kërkuan që të mbahet rendi i ditës. Ish-ministri i Ekonomisë, Florion Mima, tha se skema e pensioneve është e dështuar, pa hyrë në fuqi pasi, sipas tij, është e njëjta skemë si në vitin 1993 dhe që rezultoi e pasuksesshme.

 

 

5 vjet heqje licence për mjekët që abuzojnë me KEMP-in

 Jo vetëm gjoba, por deri në heqje licence, të paktën për pesë vjet, për të gjithë mjekët që abuzojnë në komisionet mjekoligjore për dhënien e ndihmës ekonomike për aftësinë e kufizuar. Ky ka qenë propozimi i zv.ministres së Çështjeve Sociale, e cila tha se po evidentohen rast pas rasti të gjitha abuzimet që janë bërë nga mjekë të ndryshëm. “Në bashkëpunim dhe me Urdhrin e Mjekut, do të diskutojmë, – tha ajo, – për të rritur masat penalizuese ndaj atyre që marrin ryshfet kundrejt vendimeve për dhënien e pensionit të invaliditetit. Të rritet gjoba në masën 80% po mbi bazën e aktuale që ka mjeku dhe pezullimi i të drejtës së profesionit për një periudhë kohore, këtu jemi në diskutim për 3 apo për 5 vjet”, – tha Bardhylka Kospiri, zv.ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Abuzimet që janë bërë në komisionet mjekoligjore nga bluzat e bardha e dëshmon e dhe skema e fryrë e ndihmës ekonomike me njerëz që nuk plotësojnë asnjë kriter ligjor. Nga inspektimet e shërbimit social shtetëror, në shumë rrethe të vendit janë konstatuar dosje individësh për të cilat janë vendosur diagnoza nga më të ndryshmet nga ato kronike deri tek më të rëndat, ndërkohë që në realitet personat nuk vuajnë nga asnjë sëmundje.

 

 

 

Mbledhja

Mundësi lëvizjeje për personat me aftësi të kufizuara për çdo projekt që do të ndërtohet

Mbledhja e këshilli ndërministerial për personat me aftësi të kufizuar ka bërë që qeveria të marrë masat që të gjitha projektet që nuk do të kenë hapësira për lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara, të bllokohen. Paralajmërimi vjen nga zv.kryeministri Niko Peleshi, i cili tha se nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve prej 100 milionë dollarësh, nuk do të shpenzohet asnjë qindarkë, nëse ndërtimet nuk do të rrisin aksesin për personat me aftësi të kufizuara. Barrierat mjedisore tha ministri Erion Veliaj kanë sjellë mjaft probleme për këtë kategori në shumë fusha. “Është një fond prej 100 milionë dollarësh këtë vit, që do të investohet në ndërtesa publike, në kopshte, çerdhe dhe shkolla, por pjesa më e madhe do të jetë në rikualifikimin urban të shesheve, bulevardeve, rrugëve. Nuk do të kalojë asnjë nga këto projekte në inspektoratet tona, në Ministrinë e Zhvillimit Urban, por edhe në Kryeministri, në qoftë se nuk respektojnë rregullat dhe ligjet për personat me aftësi të kufizuara”, – tha Niko Peleshi, zv.kryeministër. “Barrierat mjedisore dhe në veçanti mungesa e qasjes ndërtimore, mënjanon çdo mundësi për të marrë pjesë në punësim, në arsim për të përfituar shërbime shëndetësore apo për të përfituar shërbime publike apo private dhe të ndalohet menjëherë krijimi i barrierave të reja në mjediset urbane dhe në mjediset e reja publike që zhvillon Republika jonë”, – tha Erion Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Institucionet publike u shprehën se ministrat e kabinetit “Rama” duhet të jenë të parët që duhet të rrisin aksesin për personat me aftësi të kufizuara, por në radhë të parë duhet të evidentohen objektet që janë pasuri publike, një problem i mbartur ndër vite.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency