Pllakate politike të artistit hungarez në Galeri

0
137

Posteri per webNjë përzgjedhje nga veprat e artistit hungarez Péter Pócs do të prezantohen nesër në Galerinë Kombëtare të Arteve, duke u fokusuar kryesisht tek pllakati kulturor, por që përfshin edhe disa kulme personale të artistit në pllakatin politik. Ai njihet për të dyja në nivel ndërkombëtar. Imazhet e tij shumicën e kohës në skena dhe interpretime surreale, të mbrujtura me një seriozitet të thellë dhe pasion të fortë, gjejnë frymëzim në historinë e Hungarisë, dhe sidomos situatën politike të saj gjatë shekullit të 20-të, por disa nga punët e tij janë thellësisht universale, si në rastin e pllakateve që dëshmojnë rënien e komunizmit në gjithë Evropën Lindore në vitet 1989-1990.

Pllakatet e Péter Pócs, të cilat vijnë si rezultat i përdorimit të një teknike individuale krejtësisht origjinale – bocete skulpturore të fotografuara në skena teatrale dramatike – kombinojnë ikonografinë personale surreale me elementë kulturorë, historikë, politikë, socialë etj, të një Evrope midis dy botësh. Kur sheh materien e përdorur për to: balta, uji, mielli, kripa, argjila, është e pamundur të shmangësh asocimin me krijimin e Adamit të zanafillës dhe as situatën e tij të mëpasshme. Pllakatet e Péter Pócs, të këtij demiurgu modern, e transhendojnë problemin akut politiko-social të cilit i drejtohen dhe shtrojnë pyetje rreth kujtesës tonë historike në breza, apo gjendjes së njeriut në skenë apo jashtë saj, në jetë.

Që nga fundi viteve 80-të e deri në ditët tona Péter Pócs është fitues i shumë çmimeve në botë për pllakatin dhe sot ai është një nga figurat më të respektuara në këtë zhanër. Kjo është hera e parë që Péter Pócs ekspozon në Shqipëri. Nëpërmjet një gjesti të rrallë dhe bujar artisti do ti dhurojë fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve të gjithë pllakatet pjesëmarrës në këtë ekspozitë.

Péter Pócs lindi me 14 shtator 1950 në Pécs, Hungari. Ai u diplomua në Shkollën e Mesme Artistike në Pécs në vitin 1971 si arpunues dhe argjendar. Pócs ka punuar si dizenjator grafike që nga viti 1972, duke lëvruar kryesisht pllakatin kulturor, dhe më rrallë atë komercial. Në vazhdimësi, nga vitet 80-të (dhe pas ndryshimeve politike), Pócs ka dizenjuar më së shumti pllakate të karakterit politik. Udhëheqësit e tij shpirtërorë ishin Henryk Tomaszewski, Waldemar Świerzy dhe György Konecsni. Ai ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare, bienale e trienale, duke qenë shpesh fitues i çmimeve si hungareze, si ndërkombëtare me krijimet e tij. Ai gjithashtu ftohet rregullisht të marrë pjesë në simpoziumet ndërkombëtare të pllakatit: ‘Hommage à Max Ponti’, ’13 + Lautrec’, ‘Komunikim 2000’, ‘Mijëvjeçari Hungarez’, ‘Familja Toulouse’, ‘Fëmijët janë ritmi i botës’, ‘Shkronjat e Bullgarisë Alfabeti i Evropës’, ‘Sarajevë 2014’). Në vitin 1991 Pócs themeloi studion e tij, të përbërë vetëm prej tij, të quajtur Poster Design Studio. Ai mori çmimin Mihály Munkácsy për artin në vitin 1997. Pócs themeloi shoqatën ‘Vetmia e Pllakatit Hungarez’ në vitin 2008. Ai mori diplomën ‘Mjeshtër në Dizajnin Industrial’ nga Universiteti i Hungarisë Perëndimore në vitin 2010. Kohët e fundit jeton dhe punon me familjen e tij në Tiranë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency