Përfundimi i rrugëve në zonën e Selitës / Basha: Motoja jonë “Shumë punë e pak zhurmë”, përmirësojmë jetën e banorëve në çdo cep

0
126

Kryebashkiaku: Të gjitha ndërhyrjet e bëra për zgjerimin e rrugëve janë shoqëruar nga punime karakteristike të Bashkisë së Tiranës

 

basha me rrugetBashkia e Tiranës mbetet e angazhuar për të përmbushur angazhimet e saj në kuadër të përmirësimit të jetës së banorëve të kryeqytetit. Në zonën e Selitës, në njësinë bashkiakë numër 5, u monitorua dje nga kryebashkiaku Lulzim Basha përfundimi i bllokut të rikualifikuar me rrugë dhe rrugica të ndërtuara, ku banorët e kësaj zone, të cilët prej shumë vitesh jetonin në baltën e dimrit dhe pluhurin e verës, tashmë do të kenë të njëjtat standarde si në qendër të qytetit. “Do të doja të shprehja si kryetar i Bashkisë përkushtimin tim për të vazhduar me punët e mëdha që na presin akoma në këtë qytet, për të përmirësuar jetën e banorëve të qytetit, cilësinë e jetës së tyre, në çdo cep, në qendër apo në periferi dhe për ta bërë këtë jo me moton ‘Shumë zhurmë e pak punë’, por me moton ‘Shumë punë e pak zhurmë’”, – deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Blloku i rikualifikuar

Rikualifikimi i bllokut në zonën e Selitës, në njësinë bashkiake numër 5, vjen si investim prej 69 milionë lekësh nga Bashkia e Tiranës, e cila ka bërë përkatësisht rindërtimin e rrugës “Qemal Butka” dhe të gjitha rrugëve të brendshme që lidhen me këtë rrugë, si rrugët: “Tafil Agai”, “Dhimitër Pasko”, “Gjerasim Qiriazi” dhe “Jaho Gjoliku”. Banorët e kësaj zone shprehën vlerësimin e tyre për punën e Bashkisë së Tiranës, ku një prej tyre, Thëllënza, tha se asfalti në këtë zonë nuk është parë ndonjëherë. “Unë kam 47 vjet martesë në këtë vend, na mbyti balta, pisllëku, e kisha kuzhinën puro me kanalin. Dua të falënderoj nga zemra për këtë investim”. Po ashtu, Petriti, një banor prej 22 vitesh në këtë zonë, ia kërkoi ndërtimin e kësaj rruge zotit Basha rreth 2 vjet më parë. “Unë si banor prej 22 vitesh në Selitë nuk kam parë të bëhet asnjë rrugë, asnjë asfalt më parë. Jemi shumë të kënaqur dhe faleminderit shumë Bashkisë së Tiranës”, – deklaroi ai. Kryebashkiaku Lulzim Basha i cili ka parë nga afër përfundimin e kësaj rruge, nuk e ka fshehur kënaqësinë për mbajtjen e një tjetër premtimi. Ai ka shprehur përkushtimin dhe angazhimin e Bashkisë së Tiranës për të vijuar investimet që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve kudo ku ata jetojnë. “Sot bashkë me banorët e kësaj zone të vjetër e të rëndësishme të qytetit, periferike, po inspektojmë përfundimet e punimeve të rrugës “Qemal Butka” dhe katër rrugëve të tjera të kësaj lagjeje, të cilat janë nënshtruar një procesi ndërtimi tërësor, me kanalizime, kanal të ujërave të bardha, me punime të infrastrukturës, trotuare, ndriçim, asfaltim, dhe siç u shprehën edhe vetë banorët, për herë të parë në kujtesën e tyre, balta është zmbrapsur dhe kjo pjesë e qytetit ka marrë dimensionin qytetar të rrugëve të shtruara. Ndërkohë që të gjitha ndërhyrjet e bëra për zgjerimin e rrugëve janë shoqëruar nga punime karakteristike të Bashkisë së Tiranës, karakteristike qytetare të mureve të rindërtuara me kangjella të profilit urban, evropian do të thosha”, – theksoi Basha.

 

 400-vjetori i Tiranës

Bashkia nis organizimin e aktiviteteve që zgjasin gjithë vitin

400-vjetori i themelimit të qytetit të Tiranës do të përkujtohet me një sërë aktivitetesh të organizuara nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me shoqatën “Tirana”. Aktivitetet do të nisin me 11 shkurt, ditë në të cilën 94 vjet me parë Tirana u shpall kryeqyteti i vendit, dhe do të shtrihen përgjatë gjithë vitit. Drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Bashkinë e Tiranës, Arben Skënderi, dhe kryetari i shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, kanë shpalosur dje një pjesë të aktiviteteve të planifikuara për përkujtimin e 400-vjetorit të qytetit të Tiranës. “Bashkia e Tiranës ka planifikuar përgjatë gjithë këtyre muajve një axhendë shumë të pasur, duke evidentuar të gjithë këtë periudhë si në planin historik, si në planin e zhvillimit urban por edhe të hapësirave tregtare të evolucionit të tregtisë, të evolucionit të këtij komuniteti që nga ato momente e deri në ditët e sotme. Është menduar që fusha e botimit të jetë prioritet sepse janë elemente që mbeten, duke evidentuar që nga hartat e vjetra të qytetit e deri në ditët e sotme, për brezin e ri ture turistike “Të njohim historinë e qytetit”. Konferenca shkencore ndërkombëtare për të evidentuar gjithë planin historik, gjithë këtë evolucion, po kështu do të stimulojmë edhe krijimtarinë e nxënësve të gjimnazeve të kryeqytetit të 400 viteve të qytetit të Tiranës, etj. Natyrisht nuk do të mungojnë panaire, aktivitete sportive, të gjitha nën logon “400 vjet Tirana qytet”, – u shpreh Skënderi. Një pjesë e aktiviteteve përkujtimore janë bërë të ditura nga kryetari i shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, i cili theksoi se shoqata që ai drejton dhe Bashkia e Tiranës në këtë përvjetor kanë rënë dakord për vendosjen e emrave apo të objekteve përkujtimor në sheshe dhe pika krociale të këtij qyteti, aty ku janë shtresëzuar vit pas viti ngjarjet e mëdha historike që qytetarët e Tiranës. “Pa dyshim, gurin themeltar do ta kishte pikërisht vendi ku filloi gjallesën e vet ky qytet, Xhamia e vjetër e qytetit të Tiranës si dhe njeriut që padyshim ka rëndësinë historike, mori përsipër të themelojë këtë qytet, pikërisht me këto objekte kulti, Sulejman Pasha. Së pari, brenda një periudhe të shkurtër do t’i kërkonim Bashkisë së Tiranës që të bënte zhvendosjen e bustit të Sulejman Pashës, aty ku atij i takon, dhe jo në atë pozicion ku u vendos para 80 vitesh dhe besoj se kjo do të ishte një ndër hapat e parë. Nga ana tjetër kërkojmë edhe bashkëpunimin e çdo qytetari të Tiranës për të evokuar historinë tonë në mënyrë që ne të ndjehemi krenar që banojmë në këtë qytet por njëkohësisht që të jemi edhe përgjegjës që ta çojmë përpara këtë qytet”, – përfundoi Tafaj.

 

 

 

Nisma

Rikthehet gjuha italiane në shkollat profesionale

Rikthim të gjuhës italiane si gjuhë të detyruar në shkollat profesionale në vendin tonë. Kjo u deklarua dje nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë një vizite në kompaninë call center, ku theksoi se tashmë italishtja është kthyer në një mjet punësimi për shumë të rinj shqiptarë, prandaj edhe është menduar që shkollat tona profesionale të pasurohen me kurse të kësaj gjuhe. “Është detyra e qeverisë që të promovojë bizneset e suksesshme që punësojnë të rinjtë shqiptarë. Në vitet ‘90 kemi nostalgjinë e të mësuarit të italishtes nga televizori, por sot është kthyer në një mjet punësimi. Prandaj, në të gjitha qendrat e formimit profesional do të futen kurset e italishtes sepse besojmë se kjo është një industri, e cila ka një potencial edhe për dymbëdhjetë mijë vende të tjera pune”, – tha Veliaj. Nga ana tjetër, ai shtoi se të punosh në një call center nuk është ndoshta puna ideale, por megjithatë është një punë shumë dinjitoze për të rinjtë. “Më vjen mirë që Shqipëria është bërë për Italinë epiqendra e shitjeve kryesore sa i takon industrisë së energjisë, gazit dhe telekomunikacionit. Me shtrirjen në Greqi dhe Britaninë e Madhe do të kemi më shumë vende pune për të rinjtë”, – nënvizoi ministri.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency