Masa e arrestit në Lushnje / Vrau të dashurin e motrës, pranon krimin para gjykatës

0
118

Sonja Caka

Daniela Meçani akuzoi viktimën se tentoi ta përdhunonte në kasollen e lopëve, prandaj e vrau me thikë

 

daniela mecaniNuk e ka mohuar akuzën e vrasjes së 43-vjeçarit Ilir Llozi para gjykatës, duke pranuar se e ka kryer ajo krimin. Nëna e tre fëmijëve ka rrëfyer për togat e zeza arsyet që e çuan në kryerjen e vrasjes, duke qëlluar për vdekje me thikë të dashurin e motrës, i cili tentoi ta përdhunojë në kasollen e lopëve. “Më futi thonjtë në fyt dhe unë e godita me thikë për vetëmbrojtje, me ngacmonte sistematikisht”, u shpreh Meçani, nënë e 3 fëmijëve, para trupit gjykues. Në sallën e gjyqit ndodheshin edhe familjarët e gruas, të cilët kanë mbështetur jashtë sallës së gjyqit veprimin e 40-vjeçares. Megjithatë, pavarësisht justifikimit duke paraqitur shkaqet e krimit, togat e zeza kanë lënë në burg nënën e tre fëmijëve për akuzën e “vrasjes me paramendim”.

Masa

Gjykata e Lushnjes ka caktuar masën “arrest me burg” për Daniela Meçanin, autoren e vrasjes së Ilir Llozit. Sipas prokurorit të çështjes , Dritan Hazbiu, autorja ka pranuar krimin e kryer. Masa e sigurisë është zhvilluar paraditen e djeshme, rreth orës 11:00 me dyer të mbyllura. Para gjykatës, e akuzuar deklaroi se “Ilir Llozi jo vetëm që mund të më përdhunonte, por edhe mund të më vriste, ndaj dhe në këto kushte unë jam vetëmbrojtur”. Më tej ajo vazhdoi dëshminë e saj duke u shprehur se “Iliri kishte kohë që më ngacmonte seksualisht dhe unë nuk mund të duroja më”,- mësohet të jetë shprehur në sallën e gjyqit 40-vjeçarja, e cila ka treguar se viktima e kishte kapur prej fyti dhe kërkonte ndaj saj kryerjen e marrëdhënies seksuale. Por, pavarësisht deklaratave të së pandehurës dhe kërkesës së avokatit të saj mbrojtës i cili kërkoi caktimin e masës “detyrim paraqitje”, Gjykata e Lushnjes e ka rrëzuar këtë kërkesë duke vendosur për 40-vjeçaren masën arrest me burg. Daniela Meçani akuzohet se vrau me thikë katër ditë më parë Ilir Llozin, 43 vjeç. Ngjarja ndodhi në Grabjan të Lushnjes për shkak të ngacmimeve seksuale të viktimës ndaj autores së krimit.

 

Shkodër

Në një orë, grabiten një kazino dhe një dyqan celularësh

Një kazino dhe një dyqan celularësh u grabiten në Shkodër brenda një ore. Sipas burimeve policore, kanë qenë dy persona të maskuar, të cilët rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm kanë hyrë në një kazino në qendër të Shkodrës dhe nën kërcënimin e armëve kanë arritur të marrin 600 mijë lekë të reja. Ndërkohë që po burimet policore konfirmojnë faktin se dyqani i celularëve grabitet për herë të dytë. Kësaj here grabitësit kanë spostuar kameran e sigurisë dhe pasi kanë prerë grilat mbrojtëse kanë thyer xhamin kryesor duke marrë 12 telefonat celularë android. Në momentin e grabitjes së kazinosë, patrulla e policisë ishte larguar për aty dhe hajdutët e kanë pasur më të lehtë të vjedhin dyqanin e celularëve. Dyshohet që grabitjet të kenë të njëjtën dorë, për shkak se duke tërhequr vëmendjen e policisë për te kazinoja, lehtësisht kanë vjedhur dyqanin e celularëve. Ngjarja e parë është regjistruar në bulevardin ‘Zogu i Parë’ në lagjen Parrucë, ndërsa kazinoja e grabitur mësohet të jetë në pronësi të shtetasit Manfred Qerimaj. Ndërkohë që sipas policisë, ngjarja e dytë në dyqanin e një kompanie celulare është shënuar në lagjen ‘Vasil Shanto’.

 

Shkodër

I dyshuar abuzim seksual me një 16-vjeçar, prangoset 28-vjeçari

Policia e Shkodrës ka arrestuar mesditën e djeshme një person të dyshuar për pedofili. Sipas informacioneve, shtetasi S. S. 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një djalë 16 vjeç. Mbi 28-vjeçarin rëndon akuza e “kryerjes së marrëdhënieve homoseksuale me të mitur”. Materialet e mbledhura nga policia i kanë kaluar Prokurorisë së Shkodrës për ndjekje të mëtejshme.

 

Krujë

Bie në kontakt me rrymën elektrikë, humb jetën elektriçisti

Një elektriçist ka humbur jetën ditën e djeshme si pasojë e rënies në kontakt me energjinë elektrike. Sipas burimeve policore bëhet me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Bruz të Krujës, ku 23-vjeçari Ali Aruçi, elektriçist i CEZ, është gjetur i vdekur në një kabinë elektrike. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë së Krujës, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje tragjike.

 

Shkodër

Në Gjermani me ftesë të një “miku” të përbashkët, ndalohen në kufi 52 persona

Kishin një ftesë nga i njëjti person në Gjermani, ndërkohë që të 52 personat nuk kishin asnjë lidhje fisnore apo miqësore me njëri-tjetrin. Kjo shtoi dyshimet se kishim të bënim me një tentativë “arratie” drejt këtij shteti për ndonjë përfitim azili dhe për këtë arsye, strukturat e policisë ndaluan kalvarin e nisur drejt shtetit më të fuqishëm europian. Kanë qenë një numër i madh grash dhe fëmijësh të cilët u ndaluan në autobusin me 64 persona në pikën kufitare të Muriqanit. Nga marrja në pyetje rezultoi se 52 persona figuronin të kishin të njëjtin pritës, ndërsa me vete nuk kishin as para dhe as adresë, ndërsa nuk kishin as lidhje gjinore me njëri-tjetrin pavarësisht se mikun e kishin të përbashkët. Sipas policisë kufitare, 52 nga 64 personat që ndodheshin në autobus u ndaluan pasi kanë thyer rregullat e Shengenit. Policia ka dyshime se në këtë rast mund të jetë një rrjet i organizuar trafiku ose grupi i shqiptarëve mund të kërkonte azil në këtë vend. Qytetarët që nuk u lejuan të kalojnë kufirin janë mbajtur përgjatë gjithë natës duke u gdhirë dita e djeshme në komisariatin e Shkodrës. Por edhe pas lirimit të tyre mëngjesin e djeshëm, autobusi në pronësi të një agjencie udhëtimesh nga Kosova i janë drejtuar sërish pikës kufitare ku autoritetet doganore kanë kthyer sërish shqiptarët me destinacionin Gjermaninë. Burime nga dogana bëjnë të ditur se shkak për pengesat janë dyshimet se këta persona me të shkuar në destinacion do të kërkojnë azil politik ndaj që të mos ndodhë ky fenomen i cili do të rëndonte Shqipërinë, duhet garanci për kthimin e shqiptarëve serish në vendin e tyre të origjinës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency