Ish-kryeministri / Berisha: Qeveria hoqi dorë nga premtimet, mosrritja e rrogave për tre vjet na zhyt në varfëri

0
107

Gëzim Saliu

“Ngrirja e rrogave për 3 vjet është hapi tjetër, pas rritjes së borxhit, i instalimit me shpejtësi të skenarit grek në Shqipëri”

 

sali-berisha-4Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, akuzoi dje qeverinë se marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të mos rritur pagat dhe pensionet për tri vite do të zhysë në varfëri familjet shqiptare. Sipas tij, me këtë akt, mazhoranca e majtë po vërteton se premtimet elektorale në fushatën për zgjedhjet e 23 qershorit ishin thjesht mashtrime elektorale. “Të dashur miq, mediat njoftojnë sot shqiptarët se qeveria “Rama – Meta”, bazuar në marrëveshjen që ka firmosur me FMN, ka pranuar dhe vendosur të mos rrisë rrogat e punonjësve tri vite me radhë. Ky është një vendim shumë i papërgjegjshëm i qeverisë që do zhysë në varfëri dhe skamje qindra mijëra familje shqiptare. Kjo sepse qeveria “Rama – Meta”, me rritjen e çmimit të naftës dhe taksave të tjera, ka shkaktuar rritjen me mbi 30% të çmimit të biletave të transportit, rritjen me 20% të çmimit të bukës, miellit, zarzavateve dhe prodhimeve të tjera por dhe imputeve bujqësore. Vetëm këtë vit, për efekt të rritjes në tërësi të taksave, punonjësit rrogë-ultë të sektorit shtetëror dhe privat, të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat, do kenë një rënie prej së paku 16% të pagës së tyre për shkak të rritjes së çmimit të naftës dhe çmimeve të tjera”, – theksoi Berisha.

Rrogat

Për ish-kreun e qeverisë shqiptare, ngrirja e rrogave për tre vjet është jo vetëm ulja më e madhe e rrogave se çdo vit tjetër por edhe hapi tjetër pas rritjes së borxhit, theksoi Berisha, i instalimit me shpejtësi të skenarit grek në Shqipëri. “Edi Rama gjatë fushatës elektorale u zotua për rritjen e madhe të rrogave, për rrogën e 13-të për çdo punonjës, për uljen e çmimeve të ushqimeve për 100% të shqiptarëve, për uljen e taksave për 97% të shqiptarëve. Por pas marrjes së votave, ky analfabet në ekonomi hoqi dhe shpërblimin e fundvitit për punonjësit e sektorit publik, rriti çmimet dhe taksat për të gjithë qytetarët, rriti në qiell borxhin publik. Me këto akte cinike që nuk kanë ndodhur në 23 vite, Rama shtyn shqiptarët drejt varfërisë dhe mjerimit masiv. Mashtrimet elektorale të Edvin Kristaq Ramës janë një dhunim jo vetëm i besimit, por mbi të gjitha i dinjitetit të qytetarëve tanë, për të cilin ai duhet të përgjigjet sa më parë!”, – pohoi ai. Politika e pagave të qeverisë “Rama” deri në vitin 2017, pasqyruar në kuadrin makroekonomik dhe fiskal për periudhën 3-vjeçare 2014-2017 mbështetet mbi faktin se pagat në administratën shtetërore do të ngrijnë për një periudhë 3-vjeçare e ndërsa pensionet do të pësojnë një rritje modeste. Pak kohë më parë, kreu i qeverisë Rama bëri të ditur se,: “rritja e mëparshme e rrogave është një farsë, nuk kemi prirje ta vazhdojmë. Nuk do të ndërtojmë rrugë pa shlyer borxhet për biznesin”. Nisur nga kjo, qeveria aktuale në bashkëpunim me FMN-në ka vendosur të ndjekë një praktikë tjetër nga ekzekutivi i mëparshëm, ku pa u shlyer borxhet ndaj biznesit, nuk do të ndërmerret as një vendim për rritje pagash. Qeveria e mëparshme kishte politikë të vetën rritjen e pagave dhe pensioneve, ku sidomos në katër vitet e para të mandatit 2005-2008, kjo ishte një rritje gati dyshifrore e ndërsa për shkak të krizës ekonomike, kjo rritje e frenua në vitet e fundit të mazhorancës së kaluar me 5-7 për qind. Ndërkohë qeveria aktuale thekson se ngrirja e rritjes së pagave nuk ndikon negativisht, pasi në fuqi sipas mazhorancës ka hyrë taksa progresive, që ul taksat për 95% të shqiptarëve.

 

 

Emërimet

PD, Paloka: Anëtari i bandës së Çaushit, pjesë e policisë si specialist i Antidrogës

Partia Demokratike ka reaguar sërish dje lidhur me emërimet në Policinë e Shtetit, ku, sipas saj, një prej pjesëtarëve të ish-bandës së Zani Çaushit është vlerësuar me postin e specialistit të Antidrogës. Në një deklaratë publike të shoqëruar edhe me video të kohës, kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, deklaroi se ky është një prej skandaleve më të mëdha të kësaj qeverie në këta 4 muaj. “Nëse doni të dini se si rilind Policia e Shtetit me këtë qeveri, shihni kush është emëruar së fundmi specialist i Antidrogës në Vlorë. Ardian Lici, ky emër mund të mos tregojë gjë për publikun masiv, po për vlonjatët do të thotë shumë, sepse ata ende nuk i kanë harruar kohët e vështira të vitit 1997. Ardian Lici ka qenë një nga ushtarët e Zani Çaushit dhe kushdo mund të futet në Youtube e ta verifikojë këtë që po themi ne. Ky person me xhupin e zi të lëkurës, që Zani e urdhëron të kontrollojë makinat në Urën e Mifolit, në postbllokun që banda e Vlorës ka ngritur, është Ardian Lici dhe është vlerësuar nga ministri i Brendshëm dhe nga drejtuesit e policisë si specialist i përshtatshëm për të luftuar trafiqet e drogës”, – bëri të ditur Paloka. Më tej ai theksoi: “Kjo nuk është hera e parë që ushtari i Zanit shpërblehet nga socialistët. Mësohet se ai është emëruar në Policinë e Vlorës pas vitit ‘97, por është shkarkuar në vitin 2003, sepse gëzhojat e pistoletës që mbante prej detyrës, u gjetën në një vendngjarje, në një plagosje të rëndë”. Në këtë kontekst, kreu i ligjvënësve demokratë pohoi se me këto emërime nuk duhet të krijohen habi lidhur me rritjen e sasisë së drogës së kapur në vendet fqinje që vjen nga Shqipëria. “Sepse luftën e drogës në vendin tonë Edi Rama dhe Saimir Tahiri ia kanë besuar ushtarit të Zani Çaushit. Kjo është rilindje e vërtetë”, – përfundoi deklaratën e tij, Edi Paloka.

 

 

Kreu i FRD-së

Topi: SHISH të bashkëpunojë me policinë, Tahiri të shkëputet nga ekranet

Kryetar i FRD-së, Bamir Topi, e cilësoi si të domosdoshëm bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror për parandalimin e krimeve në vend. Sipas ish-presidentit të vendit, lufta kundër krimit nuk do të ketë sukses, nëse nuk ka një bashkëpunim të tillë. “Nëse kam thënë që duhet një bashkëpunim i policisë me Shërbimit Informativ Shtetëror, kam thënë gjënë më normale. Nuk mund të ketë sukses në luftën kundër krimit, nëse nuk ka një bashkëpunim të tillë. Duhet të ikim nga modelet që rendin e vendosin njerëzit me muskuj. Mbi të gjitha duhet inteligjenca, e cila duhet të vihet në shërbim për të parandaluar. Duhet t’i lëmë motivet e natyrës politike se kush e ka zgjedhur, kush e ka propozuar, e rëndësishme është të bashkëpunohet”, – u shpreh Topi në rubrikën “Opinion” në “News 24”. Duke iu referuar punës së ministrit të Brendshëm, kreu i FRD-së tha se Tahiri duhet të ndajë interpretimin politik në Parlament me pjesën profesionale, që është policia. “Askush sot nuk mund të jetë i kënaqur me situatën e rendit, por mendoj që në përgjithësi politika duhet të bashkëpunojë dhe t’ia dijë hallin këtij dikasteri, t’ia dijë hallin policisë. Për zotin Tahiri do të thosha, është e domosdoshme që të shkëputet nga ekranet. Transparencën me publikun Ministria është e mundur ta realizojë nëpërmjet zëdhënësit. Të gjithë duhet të inkurajojmë policinë”, – pohoi Topi. I pyetur në lidhje me darkën me Kryeministrin Rama, kreu i FRD-së pohoi: “Disa gjëra janë fare normale. Kur je në politikë, do të ketë takime. E rëndësishme është që këto takime të jenë të hapura. Një njeri që ka për të shprehur diçka, i shpreh në një darkë apo në një studio”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency