Vrasësi me pagesë Të dashurën e përdorte si kamuflazh për të vëzhguar shënjestrat

0
212

 Anxhela Tato

 

Në kamerën e sekuestruar Julian Sinanajt janë gjetur video të disa krimeve të rënda

 Rrëfimi i 31-vjeçarit: U pagova 7500 euro për të trembur Ardian Kollozin, ndërmjetësi, Erjon Mëhillaj

 

 

Denada Çuni përdorej si kamuflazh nga 31-vjeçari Julian Sinanaj. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se 21-vjeçarja ishte pjesë në julian-sinanaj-dhe-materialet-e-kapura-640x405mekanizmin e përdorur nga njeriu bombë për realizimin e atentateve. Mësohet se vajza, e cila është lënë e lirë nga policia, përdorej nga 31-vjeçari me qëllim afrimin tek shënjestra duke mos rënë në sy. Në praninë e të dashurës së tij Julian Sinanaj mund të vëzhgonte më nga afër çdo lëvizje të shënjestrës së tij, duke mos rënë në sy. Po këto burime bëjnë me dije se ka dyshime që vajza të jetë personi që ka realizuar të gjitha filmimet e krimeve. Ndër sendet e sekuestruara është një kamera ku janë pamje video të disa krimeve të rënda. Ndërkohë që prokuroria është duke vijuar hetimet intensive për të zbardhur dhe dokumentuar çdo detaj nga ngjarjet ku është përfshirë grupi i vrasësve me pagesë.

 

Dëshmia

Është paguar vetëm 7500 euro për t’i vënë lëndë plasëse në banesë Ardian Kollozit. Në dëshminë e tij Sinanaj ka rrëfyer se ndërmjetësi ka qenë Erjon Mëhillaj, por arsyeja nuk i është bërë me dije 31-vjeçarit. Në majin e vitit të kaluar, Julian Sinanaj tregoi se e kalonte paraditen në kafen poshtë shtëpisë së Ardian Kollozit. Para atentatit, vrasësi me pagesë ka kontrolluar nëse ka pasur kamera vëzhguese të bizneseve përreth shtëpisë së kryetarit të Partisë Demokratike të Vlorës. Gjatë kësaj kohe ai ka vëzhguar çdo lëvizje të objektivit të tij. Ishte paguar 7500 euro për të mos e vrarë, por për të kryer një shpërthim pa viktima. Porosia i kishte ardhur nga Andon ose siç njihet ndryshe në Vlorë, Erjon Mëhillaj. Nuk ia kishin thënë arsyen e atentatit, por Sinanaj deklaroi në prokurori se vendosja e bombës do të kryhej për të destabilizuar situatën para zgjedhjeve dhe për të ngjallur frikë dhe panik. Kjo është deklarata e vrasësit me pagesë për arsyet e vendosjes së bombës që shpërtheu në datën 1 qershor 2013. Pasi është siguruar se sasia e tritolit ishte e duhura, Sinanaj është ngjitur në katin e 10 ku ndodhej banesa e Ardian Kollozit rreth orës 2 të natës. Tritolin e ka vendosur pranë derës së shtëpisë së tij. Pasi ka zbritur poshtë, ka aktivizuar shpërthimin me telekomande dhe më pas ka shkuar në shtëpinë e tij për të fjetur gjumë. Të nesërmen, Sinanaj ka treguar se e piu kafen sërish në të njëjtin lokal, ku qëndronte prej ditësh. Sinanaj mohoi të ketë dijeni se kush ka qenë porositësi real i atentatit ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Vlorës, duke e quajtur Andon ose ndryshe Erjon Mëhillaj, thjesht si ndërmjetës.

 

Tentativa e vrasjes

 Përsëri me ndërmjetësim të kushërinjve Mëhillaj, Sinanaj ka rrëfyer se kishte planifikuar vrasjen e një biznesmeni të gazit në Tiranë. Por ndërsa e ndiqte dhe e vëzhgonte ai u arrestua. Vrasja do të kryhej në 25 janar në Tiranë. Pagesa e premtuar kishte qenë 120 mijë euro. Gjatë periudhës mes dhjetorit dhe janarit, Sinanaj e kishte ndjekur disa herë shënjestrën e tij duke i bërë edhe foto në një kafe tek Kodrat e Liqenit. Porosia për biznesmenin e gazit ka thënë Sinanaj ishte porositur nga një biznesmen tjetër për shkak të konkurrencës. Për Julian Sinanajn duket se gjithçka ka qenë biznes. Burime thanë se vrasësi me pagesë nuk shfaq shenja pendese, përveç një rasti, kur ka eleminuar biznesmenin vlonjat Agron Çelën. Ngjarja e dhimbshme i ka mbetur në kujtesë, pasi e kishte qëlluar viktimën në sy të fëmijëve. Kjo ngjarje ka ndodhur në gusht të vitit të kaluar. Seanca e pyetjeve për Julian Sinanajn ende vazhdon, për shkak se deklaratat e tij duhet të vërtetohen nga dëshmitarë të tjerë apo detaje të tjera për t’u provuar.

 

 

Tiranë

Alarm fals për bombë mbrapa Bashkisë, hetime për të identifikuar autorin

Një alarm për bombë në mjediset mbrapa Bashkisë së Tiranës është dhënë rreth orës 10:20 nga një telefonatë në sallën operative. Telefonuesi ka thënë se një bombe mund të shpërthejë brenda pak minutash në zonën pas Bashkisë. Policia rrethoi menjëherë zonën ky dyshohej se mund të ishte vendosur bomba. Ekspertet xheniere dhe specialistë antieksploziv kontrolluan automjetet në zonën pranë Sahatit, Bashkisë dhe Xhamisë së Tiranës. Sipas policisë, telefonuesi ka thënë se është vendosur një sasi tritoli e pa përcaktuar në një nga automjetet e parkuara në zonë, por pa dhënë vendin e saktë. Polica ka nisur kontrollet në katin e nëndheshëm të Bashkisë. Pas kontrollit të plotë të zonës dhe automjeteve policia konfirmoi se bëhej fjalë për një alarm fals, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për të identifikuar personin që ka kryer telefonatën. Disa ditë më parë një alarm për lëndë eksplozivi shkaktoi panik në shkollën “1 Qershori”. Nxënësit dhe mësuesit e shkollës u evakuuan, pas njoftimit se në ambientet e shkollës ishte vendosur një bombë. Ekspertë të policisë kontrolluan të gjithë shkollën dhe konfirmuan se alarmi kishte qenë fals. Policia zbuloi se telefonata ishte bërë nga një i mitur.

 

 

Lushnje

Shpërthen bombola në dyqan, plagoset polici

 Flakët e zjarrit kanë përfshirë pasditen e së premtes një dyqan në qytetin e Lushnjës dhe kanë provokuar shpërthimin e një bombole gazi. Si pasojë e shpërthimit ka mbetur i plagosur një efektiv i policisë, që ndodhej pranë godinës në pritje të zjarrfikëseve. I plagosuri është shtetasi Dajlan Debinja, i cili është dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjës, ku ndodhet jashtë rrezikun për jetën. Mësohet se flakët e zjarrit përshinë fillimisht katin e dytë të banesës, ndërsa të zotët e godinës dolën në kohë dhe njoftuan policinë dhe zjarrfikësen. Forcat e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe pikërisht në momentin që efektivi i policisë po punonte për të mbajtur larg njerëzit nga zjarri u regjistrua edhe shpërthimi. Më pas në vendngjarje mbërritën edhe forcat zjarrfikëse, të cilët vunë nën kontroll flakët e zjarrit. Policia ka nisur hetimet për shkaqet e rënies zjarrit.

 

 

Zjarr

Shpërthimi i bombolës së gazit vë në rrezik 4 pallate

 Një pallat 4-katësh te “Komuna e Parisit” u përfshi nga flakët mesditën e djeshme si pasojë e rrjedhjes së një bombole gazi në bodrumin e një pallati në bllokun e pallateve “1 Maji”. Në vendin e ngjarjes mbërritën me shpejtësi dy makina të zjarrfikësve, të cilët bënë të mundur evakuimin e të gjithë banorëve. Pas mbërritjes së zjarrfikësve, ata konstatuan se në bodrumin e pallatit ishin edhe 4 bombola të tjera gazi. Fatmirësisht, zjarrfikësit arritën të largonin në kohë bombolat e tjera, duke shmangur rrezikun e shpërthimit të tyre.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency