UNESCO: Paralajmërim për krizë globale në arsim

0

Speciale/ Raporti i UNESCO-s “Arsim për të gjithë” paralajmëron për krizën globale në arsim.

 

FILLORE (1)Sa më tepër afrohet viti 2015 bëhet edhe më e qartë se qëllimet që i ka vënë vetes komuniteti ndërkombëtar në fushën e arsimit me sa duket nuk do të arrihen deri atëherë. Raporti i UNESCO-s “Arsim për të gjithë” që u paraqit të mërkurën në kryeqyteti etiopian Adis Abeba tregon qartë që 57 milion fëmijë në mbarë botën nuk shkojnë në shkollë. 774 milionë të rritur në mbarë botën janë analfabetë. Të prekura më shpesh janë gratë dhe vajzat në zonat rurale dhe në vendet në zhvillim.

Ne presim që për qëllimin që i kemi vetes në fushën e shkollimit duhet të vazhdojmë të punojnë përtej vitit 2015, thotë në një intervistë për “Deutsche Welle”-n, Pauline Rose, e cila që nga viti 2011 është në UNESCO përgjegjëse për Raportin Botëror të Arsimit.

Në vitin 2000 në Forumin Botëror të Arsimit në Dakar të Senegalit u duk se qëllimet në fushën e shkollimit qenë mjaft shpresëdhënëse. 164 vende të botës u shprehën të gatshme për të vënë në agjendën e tyre gjashtë qëllime të mëdha në fushën e arsimit, ku përfshihej edhe përmirësimi i mundësisë së arsimit parashkollor dhe arsimit fillor, përgjysmimi i shkallës së analfabetizmit dhe mundësitë e barabarta për burrat dhe gratë.

 

Përparime në arsimin parashkollor dhe fillor

Programi “Arsimi për të Gjithë” i UNESCO-s është një nga programet më të mëdha arsimore në mbarë botën. Për të parë përparimet e këtij programi UNESCO angazhon që prej fillimit të këtij projekti katërmbëdhjetë vjet më parë, një ekip të pavarur evaluatorësh që analizon rregullisht zbatimin e tij në vende të veçanta.

“Përparime ka pasur sidomos në qasjen në arsim”, – thotë Barbara Malina, e cila është përgjegjëse pranë Komisionit Gjerman të UNESCO-s për arsimin, në një intervistë për “Deutsche Welle”. Nga viti 2000 është zgjeruar në masë të madhe numri i fëmijëve që ndjekin arsimin parashkollor. Po ashtu është rritur edhe numri i fëmijëve që ndjekin arsimin fillor.

Përkeqësim i cilësisë së mësimit

Probleme ka sipas raportit të UNESCO-s në lidhje me cilësinë e mësimit dhe përgatitjen profesionale të mësuesve. Kjo vihet re sidomos në vendet afrikane të Saharasë së Poshtme. Po ashtu në shumë vende vihet re se ka mungesë mësuesish. Në mënyrë që deri në vitin 2015 të gjithë fëmijët në botë të kenë mundësi të kryejnë arsimin fillor duhet të punësohen 5,1 milionë mësues.

Sipas raportit përkeqësim ka pasur në fushën e shkollimit të mesëm, kështu numri i të rinjve që nuk shkojnë në shkollë vërtet që ka rënë në krahasim me vitin 1999 me 31%, por që nga viti 2007 ka mbetur i pandryshuar dhe kap shifrën e 69 milionë të rinjve në mbarë botën.

Sipas përllogaritjeve të raportit të UNESCO-s kriza globale në fushën e arsimit dhe shkollimit i kushton bashkësisë ndërkombëtare deri në 129 miliardë dollarë në vit.

 

Më shumë stimuj për mësuesit në rajonet e largëta

Në raportin e UNESCO-s bëhet e qartë se në shumë rajone të botës janë të nevojshme kualifikime për mësuesit, bazë materiale dhe një pagesë respektive. Sidomos në rajonet e largëta në vendet në zhvillim duhet ofrohen më shumë stimuj për punësimin e mësuesve, në formë shtesash rroge ose ofrim banesash falas, thotë Pauline Rose. Me sukses stimujt të tillë janë përdorur në Bangladesh ose Gambia.

Por edhe në vendet e zhvilluara ka sipas raportit nevojë për orë mësimi plotësues për pakicat. Mësuesit duhet të trajnohen për të punuar në klasë edhe me nxënës me të meta, dhe shpesh kjo nuk ndodh, thotë Barbara Malina. Në Gjermani, për shembull, mësuesit dhe shkollat përballen me sfidën e integrimit të nxënësve me aftësi të kufizuara në klasa të rregullta. Po ashtu mësuesit duhet të përqendrohet më shumë tek nevojat e veçanta të fëmijëve që vijnë nga familjet e emigrantëve.