Tryeza e PD-së Basha: Qeveria të ulë taksat ndaj biznesit e të bëjë transparencën për serverat e Tatimeve

0
139

Florenc Drizari

 

lulzim basha takim ekonomiKu po shkon ekonomia shqiptare?! Kryetari i Partisë Demokratike, tryezë konsultative me biznesin. Taksat e rritura, manipulimi i të dhënave të serverit të Tatimeve dhe ulja e rimbursimit të sipërmarrjes kanë ndikuar në përkeqësimin ekonomik të vendit

 

Partia Demokratike organizoi dje një tryezë konsultative me biznesin, duke ngritur shqetësimin se të dhënat e fundit nga Banka e Shqipërisë, institucionet financiare ndërkombëtare dhe nga vetë Instituti i Statistikave tregojnë një përkeqësim të situatës ekonomike në tërësi.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të shoqatave të ndryshme të sipërmarrjes, investitorëve, dhomave të tregtisë, drejtues, menaxherë, pronarë të kompanive të mëdha punëdhënëse të ekonomisë shqiptare etj. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kritikoi vendimet e fundit të qeverisë, kryesisht ato në fushën ekonomike, si rritja e borxhit publik dhe mosshlyerja e detyrimeve ndaj biznesit. Gjithashtu, Basha kërkoi hetim të plotë të ngjarjes së ndodhur me serverat e Drejtorisë së Tatimeve, çështje në të cilën opozita pretendon se janë vjedhur miliona deklarata tatimore ndaj sipërmarrjes në vend dhe qytetarëve. Këto të dhëna, sipas kreut të PD-së, kanë filluar të përdoren si presion ndaj biznesit.

“Rritja me 50% e tatimit mbi fitimin nga njëra anë dhe mungesa e çdo stimuli zhvillimi apo instrumenti nxitës nga ana tjetër, është ndierë dhe po ndihet nga biznesi dhe nga ekonomia në tërësi”, – deklaroi kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Sipas tij, qeveria mori 400 milionë borxh me aktin normativ të vitit të kaluar dhe tha se do shlyejë borxhet e biznesit, por pagoi vetëm 30 milionë dollarë apo 7.5% të kësaj shume. “Për ta vënë në rrafsh krahasimor, në të njëjtën periudhë tetor-nëntor të vitit 2012 që pa dyshim mbahet mend si një nga vitet më të vështira të ekonomisë shqiptare në dekadën e fundit, ndonëse prapë një vit jashtë krizës ekonomike, qeveria e atëhershme disbursoi 120 milionë dollarë. Opozita ka vënë re se në krahasim me disbursimin mesatar prej 10 milionë dollarësh në muaj, vetëm për 8 muajt e parë për vitin 2013, pra një total prej 80 milionë dollarësh, në tre muajt e qeverisë së re, disbursimi total është 8 milionë dollarë ose më saktë 7.6 milionë dollarë, pra më pak se sa disbursimi mesatar njëmujor i tetëmujorit pararendës”, -tha Basha.

Për kreun e PD-së, duhet që qeveria të bëjë një refleksion të thellë për paketën fiskale të miratuar në fund të vitit të kaluar, duke hequr një sërë barrierash ndaj sipërmarrësve shqiptar.

“Paketa juaj fiskale nuk funksionon, ekonomia po shkon drejt një kolapsi, me një thepisje të shpejtë. Nuk ka vend për kokëfortësi. Reflektoni mbi paketën fiskale! Eliminoni barrierat që i keni vënë biznesit dhe punëdhënësve, lehtësoni barrën fiskale, përmirësoni transparencën, qëndrojini përkushtimit tuaj për të larë borxhet, rimbursoni TVSH-në, zbardhni skandalin e Tatimeve dhe siguroni biznesin se e vetmja forcë që do e vërë ekonominë përpara është konkurrenca dhe jo dhuna.

Jemi të gatshëm dhe nga kjo tryezë i bëj sot thirrje Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit të ulen me ne dhe me ju, të analizojnë pasojat e paketës fiskale në këto 4-5 javë të para dhe me një vështrim vetë-kritik, racional të hedhin hapat për të përmirësuar situatën, sa nuk është vonë. Mësimet e rajonit na tregojnë se reagimi një javë më parë e jo një javë më vonë mund të shpëtojë mijëra vende pune, mund të shpëtojë qindra, mijëra familje nga rënia në mjerim, mund të gjenerojë shpresë, optimizëm, investime, rritje dhe punësim”, – deklaroi Basha.

Duke folur për rendin publike, Basha tha se siguria është kthyer në një shqetësim të madh, jo vetëm për qytetarët por edhe për biznesin. Në mbyllje të takimit, kryetari i PD Lulzim Basha, tha se opozita është e gatshme për kompromis, sa herë që kompromisi dhe konsensusi avancojnë axhendën dhe interesat e qytetarëve në tërësi, të biznesit, të sipërmarrjes.

 

Buxhuku: Çështja e sigurisë, shkak i rëndësishëm për nxitjen e biznesit

Përfaqësuesi i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku e quajti shumë të rëndësishme që Shqipëria të mos dalë nga harta e vendeve të sigurta, për faktin se kjo do të ketë pasoja për biznesin vendas, por edhe për investitorët e huaj.

“Çështja e sigurisë dhe rendit publik, i cili është shkak shumë i rëndësishëm për nxitjen e biznesit dhe për investimet sidomos ato të huaja. Në asnjë mënyrë, nuk duhet të lejojmë që Shqipëria të dalë nga harta e vendeve të sigurta për biznes. Roli i Partisë Demokratike është i pazëvendësueshëm në marrjen e nismave ligjore të nevojshme si dhe bashkërendimin e punës të gjithë institucioneve kushtetuese për rendin dhe sigurinë në vend”, – deklaroi Buxhuku gjatë tryezës së djeshme të zhvilluar nga Partia Demokratike me përfaqësues të biznesit.

 

Katër tryezat e opozitës me biznesin

“Tryezë me investitorët e huaj, tryezë me konsultime me agro-industrinë,
me fasonet dhe biznesin e vogël, dhe grupet e ndryshme të interesit”. Kanë qenë këto tryezat e zhvilluara nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike në mesin e dhjetorit të kaluar, lidhur me vendimet e fundit të qeverisë që kishin të bënin me paketën e re fiskale dhe buxhetin e 2014-ës. Me sloganin “Ku po shkon ekonomia shqiptare?”, Partia Demokratike ka mbajtur katër tryeza me biznesin të zhvilluara në formën e pyetje-përgjigjeve mes përfaqësuesve të sipërmarrjes dhe krerëve të PD-së. Për kryetarin e opozitës, shqetësim mbetet largimi arbitrar i sistemit të taksës së sheshtë siç e quajti ai dhe rritja me 50% e tatimfitimit, “do ta kapë prej fyti këtë rritje njomëzake që Shqipëria dhe shqiptarët kanë gëzuar tashmë prej 5-6 vitesh me radhë”. Gjithashtu, Basha në këto takime ka theksuar se heqja e kësaj takse do të shkaktojë një efekt negativ mbi ekonominë, trembje investitorëve, nxjerrjen e Shqipërisë nga harta e investimeve të huaja si dhe efekte të paparashikuara jo vetëm e euros, dollarit, por edhe lekut.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency