Qeveria nuk dëgjon kërkesat, fasonistët dialogojnë me opozitën

0
141

Ervin Kaduku

 

 

Përfaqësuesit e shoqatës së fasoneve u kërkuan deputetëve dhe kreut të opozitës që të mbështesin në Kuvendin e Shqipërisë të gjitha nismat ligjore për mbështetjen e këtij sektori, duke hartuar e miratuar një paketë politikash lehtësuese, që të ketë firmën e përbashkët të pozitës dhe të opozitës, sepse i shërben

 

Gra te punesuaraPasi është bërë një vesh tërësisht i shurdhër nga ana e qeverisë “Rama” dhe Ministrisë së tij të Ekonomisë, të drejtuar nga Arben Ahmetaj, fasonistët kanë paraqitur dje kërkesat e tyre të shumta për opozitën politike. Presidente e Dhomës Kombëtare të Veshjeve, znj. Linda Legisi së bashku me anëtarin e Bordit Drejtues të DHKPV, kanë marrë pjesë dhe kanë folur në tryezën e rrumbullakët me temë: “Situata ekonomike në vend, shqetësimet e grupeve të interesit, si dhe propozimet për iniciativa ligjore”, thirrur datë 31 janar 2014 nga kryetari i PD-së, z. Lulzim Basha.

Në këtë tryezë merrnin pjesë përfaqësues të grupeve të ndryshme të biznesit, përfaqësues të shoqatave të biznesit, biznesmenë, etj si dhe drejtues të PDSH, deputetë dhe ish-ministra të qeverisë “Berisha”.

Duke marrë fjalën në këtë takim, pas prezantimit të bërë nga z. Basha, Presidente e DHKPV, Linda Legisi, pasi përmendi peshën dhe rëndësinë që ka sektori i fasonit në ekonominë e vendit, iu bëri me dije të pranishmëve, se kjo shoqatë punëdhënësish ka përgatitur tashmë një paketë të plotë fiskale, shoqëruar me argumente ligjore dhe ekonomike dhe ia ka bërë atë të njohur si mazhorancës, po ashtu edhe opozitës.

Znj. Legisi nënvizoi se mbështetja që kërkohet në sektorin e fasonit, nuk është një zgjatje dore për përfitime të një sektori të caktuar të ekonomisë, por është një prioritet për punësimin e shqiptarëve dhe për të sjellë më shumë valutë në vend, duke rritur eksportet e produkteve të fasonit, në sektorin e veshjeve dhe të këpucëve.

Duke deklaruar këtë, znj. Legisi u kërkoi deputeteve të pranishëm si dhe kreut të opozitës që të mbështesin në Kuvendin e Shqipërisë të gjitha nismat ligjore për mbështetjen e këtij sektori, duke hartuar e miratuar një paketë politikash lehtësuese, që të ketë firmën e përbashkët të pozitës dhe të opozitës, sepse i shërben vendit dhe ekonomisë.

Znj. Legisi dhe z. Hoxha falënderuan për ftesën në këtë tryezë dhe thanë se do të jenë pjesë e takimeve të tilla, me pozitën dhe opozitën për të lobuar e ndikuar për mbështetjen e këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë dhe të vendit.

 

Ja kërkesat e fasoneve

 

Drejtuesit e fasonit e kanë dorëzuar tashmë paketën e tyre të masave në qeveri dhe po presin një reagim prej saj.

Një nga pikat kryesore të kërkuara është ngrirja e pagës minimale për një periudhë të paktën katërvjeçare, si një nga faktorët që ndikon edhe në rritjen e konkurrueshmërisë në rajon e më gjerë. Sipas fasonistëve, paga është një shpenzim që llogaritet në rreth 80% të kostos së punës së kompanive.

“Është disi absurd fakti që, ndërsa pagat mesatare tek ne janë më të ulëta se në vendet e rajonit, paga minimale është më e lartë sesa mesatarja rajonale”, thonë fasonistët.

Kërkohet edhe zgjerimi i gamës së makinerive dhe pajisjeve që importohen me TVSH 0 nga kompanitë. Rinovimi teknologjik dhe investimet e reja, kur kanë mundësi, nuk mund të bllokohen dhe burokratizohen nga një listë e tillë pajisjesh dhe makinerish që nuk ka asnjë autoritet të njohur në vend që ta përgatisë. Qeveria e mëparshme “Berisha” vendosi të lejojë importin me TVSH 0 të makinerive dhe pajisjeve nga ana e industrisë së fasonit, por ky vendim u pasua me një listë të detajuar mbi çfarë mund të importohej me dhe pa taksa. Kjo gjë shtoi burokracitë në dogana dhe nuk u ka ardhur aspak në ndihmë firmave vendase.

Fasonistët kanë propozuar gjithashtu që tatimfitimi për kompanitë e fasonit të jetë 0%, për të stimuluar rritjen e prodhimit.

“Ne mendojmë se duhet të veçohet sektori i veshjeve dhe këpucëve nga i tërë sektori i regjimit të përpunimit aktiv, kur bëhet fjalë për këtë lehtësi. Kostoja e kësaj lehtësie është e pandjeshme në buxhetin e shtetit, jo më shumë se 4 milionë euro”, – thonë përfaqësuesit e sektorit.

Aktualisht, në paketën fiskale 2014 është rritur në masën 15% nga 10% që ishte më parë.

Me qëllim rritjen e shpejtë të të punësuarve të rinj në këtë sektor, është propozuar që qeveria të sigurojë pagesën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për vendet e reja të punës mbi mesataren e numrit të punonjësve të vitit të kaluar për çdo ndërmarrje. Kjo është një praktikë që ndiqet tashmë në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit, sidomos në Serbi dhe Maqedoni, ku këto skema kanë rezultuar shumë të suksesshme në tërheqjen e investitorëve të huaj.

 

 

Del udhëzimi për buxhetin 2014, çfarë duhet të zbatojnë institucionet

Zbatimi i buxhetit të vitit 2014 nga institucionet publike do t’i nënshtrohet një disipline të rreptë. Një udhëzim i Ministrisë së Financave që mban datën 17 janar, detajon procedurat e zbatimit të buxhetit të këtij viti. Referuar udhëzimit, institucionet publike nuk do të mund të bëjnë ndryshime në personel që mund të sjellin efekte financiare shtesë. Po ashtu, në udhëzim përcaktohet se institucionet nuk do të mund të realizojnë asnjë investim të ri, të papërcaktuar nga buxhet, pa marrë më parë miratimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Nga ana tjetër, as Agjencia e Prokurimeve nuk mund të realizojë asnjë prokurim për rastet kur urdhri i prokurimit është i pambuluar me fonde buxhetore. Në këtë rast, udhëzimi përcakton se Agjencia e Prokurimeve nuk fillon procedurën zyrtare të prokurimit, pa pasur më parë një miratim të degës përkatëse të thesarit.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave do të zhvillojë një sondazh çdo tre muaj te ministritë kryesore, nëse ka detyrime financiare të krijuara rishtas dhe të papaguara në kohë, për të përcaktuar pagesat e reja të kërkueshme që rrjedhin nga faturat ose pretendimet e marra pas datës 1 janar 2014. Ndërsa për sa i përket transfertës së pakushtëzuar për njësitë e qeverisjes vendore, ajo do të kryhet në 4 faza, ku çelet 35% në tremujorin e parë, 20% në tremujorin e dytë, 20% në tremujorin e tretë dhe 25% në tremujorin e katërt.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency