Zëvendësimi i anëtarëve të AMA-s Kukan, kërkesë qeverisë dhe Parlamentit: Garantoni pavarësinë dhe integritetin

0
117

Gëzim Saliu

 

Integrimi, eurodeputeti: Bashkëpunimi dhe besimi mes palëve janë çelësi i procesit

 “Politika të bashkëpunojë dhe për procedurat e emërimit të anëtarëve”

 

 

KukanParlamenti Evropian kërkon nga qeveria shqiptare dhe Parlamenti që të ruajnë pavarësinë dhe integritetin e institucioneve kryesore në vend. Referuar amendamentit të mazhorancës për ligjin audiovizual, i cili nëse miratohet, do të çojë në shkarkimin e anëtarëve të këshillit drejtues të Autoritetit të Medias Audiovizuale shqiptare, kreu i delegacionit të PE-së për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, theksoi dje se klasa politike shqiptare duhet të garantojë praktikat më të mira në lidhje me pavarësinë dhe procedurat e emërimit të anëtarëve të rregullatorit të medias. Në një deklarim publik, eurodeputeti citoi rezolutën e Parlamentit Evropian, ku i bëhet thirrje Parlamentit dhe qeverisë dhe institucioneve shqiptare të ruajnë dhe garantojnë integritetin dhe pavarësinë e institucioneve kryesore në vend. “Në këtë drejtim, pavarësia dhe integriteti institucional i Autoritetit Audioviziv përgjegjës, ndër të tjera, për forcimin e lirisë së medias dhe reformën e transmetuesit publik, është shumë e rëndësishme. Unë dua ti bej apel te forte aktorëve të mëdha politike për të ruajtur frymën e bashkëpunimit, i cili ishte i pranishëm gjatë miratimit të ligjit të medias ne mars 2013 dhe të garantojë praktikat më të mira në lidhje me pavarësinë dhe procedurat e emërimit të anëtarëve të rregullatorit të medias”, – tha Kukan.

 

Bashkëpunimi

Sipas eurodeputetit, Shqipëria ka arritur një sërë suksesesh në procesin e integrimit evropian, por, theksoi ai, më rëndësi parësore është bashkëpunimi mes palëve politike në vend. “Bashkëpunimi dhe besimi reciprok mes të gjitha partive politike, është çelësi për progresin e mëtejshëm të procesit të integrimit”, – deklaroi kreu i delegacionit të PE për Evropën Juglindore. Në këtë kontekst, Kukan thekson e njëjta frymë bashkëpunimi duhet të ekzistojë edhe për të mundësuar pavarësinë dhe integritetin institucional të Autoritetit të Medias Audiovizive, përgjegjëse ndër të tjera, për forcimin e lirisë së mediave dhe reformës të transmetuesit publik. Më tej, eurodeputeti u kërkoi aktorëve kryesorë politikë të bashkëpunojnë, sikurse gjatë miratimit të ligjit të mediave në mars të vitit 2013, si dhe të garantojnë praktikat më të mira mbi pavarësinë dhe procedurat e emërimit të anëtarëve të këtij enti rregullator të mediave. Autoriteti Monitorues i Mediave në Shqipëri (AMA) është në vëmendjen e Parlamentit Evropian, pasi para reagimit të Kukanit, më parë ka shprehur qëndrimin e saj edhe eurodeputetja Doris Pack si kryetarja e Komitetit të Kulturës në Parlamentit Evropian. Ajo kritikoi veprimet e qeverisë shqiptare për të zëvendësuar rregullatorët e medias në vend. “Zëvendësimi i anëtarëve të këshillit të Autoritetit Audiovizual të Medias ngre pyetje serioze mbi pavarësinë e ardhshme të peizazhit të medias shqiptare dhe kërcënon të prishë përpjekjet e vendit për të kaluar në një sistem të TV dixhitale. Pavarësia e rregullatorëve të medias është një standard kyç evropian që duhet të respektohen. Vetë Parlamenti Shqiptar është angazhuar që të mbështesë dhe të garantojë integritetin dhe pavarësinë e Autoritetit Audiovizual të Medias. Parlamentarët shqiptarë janë shprehur për të respektuar këto fjalë”, – kishte pohuar Pack, duke iu referuar rezolutës së Parlamentit shqiptar, që u miratua më 27 nëntor të vitit të kaluar. Mazhoranca ka paraqitur pak kohë më parë në Parlament amendamente për ligjin audiovizual, i cili, nëse miratohet, do të çojë në shkarkimin e anëtarëve të këshillit drejtues të Autoritetit të Medias Audiovizuale shqiptare.

 

 Vizita

Rama sot në Milano, takime me sipërmarrës: Do të jemi horizont i ri për investimet italiane

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, do të vizitojë ditën e sotme qytetin e Milanos në Itali, ku do të zhvillojë takime me sipërmarrësit e Rajonit të Lombardisë. Takimi i parë do të jetë në selinë e Bosch-it me disa dhjetëra sipërmarrës, duke vijuar më pas me takime të tjera me Assolombarda. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve ANSA, Kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh se “Shqipëria mund të jetë një horizont i ri për investimet italiane”. Ky është dhe objektivi kryesor i vizitës së Kryeministrit, i cili rikthehet në Itali pas një periudhe kohe disajavore, për të prezantuar Shqipërinë dhe mundësitë që ofron ky vend për sipërmarrësit italianë. Pas vizitave të tij në muajin dhjetor në Rajonin e Puljas dhe në Romë, Milanoja është qyteti i tretë ku kreu i qeverisë shqiptare kërkon të prezantojë Shqipërinë dhe mundësitë që mund t`i ofrojë ky vend sipërmarrësve italianë. Gjatë intervistës për ANSA-n, Rama theksoi: “Do të përqendrohemi për të nisur investime që krijojnë vende pune, si në sektorin e prodhimit, bujqësisë dhe turizmit”. Në takimin e parë më sipërmarrësit italianë në Bosch që në Tiranë do të hapë së shpejti një qendër të formimit profesional e ndërsa takimi tjetër do të jetë më biznesmenët e Assolombarda. Ndërkohë ditën e nesërme, kreu i qeverisë do të bëjë një vizitë në Institutin Evropian të Onkologjisë, ku do të takohet me themeluesin e tij Umberto Veronesi. Agjencia e lajmeve ANSA shkruante dje se në vendin e shqiponjave, gjenden 400 ndërmarrje të vogla dhe të mesme italiane, si edhe ndërmarrje të përbashkëta italo-shqiptare. “Zhvendosja e atyre grupeve që për shkak të krizës ekonomike, gjenden realisht në vështirësi dhe kanë nevojë të marrin frymë lirisht, pasi tek ne kostot janë të ulëta dhe distancat të papërfillshme”, – ka deklaruar Rama në intervistë. Në këto takime në Milano, Kryeministri do të shoqërohet nga një grup parlamentarësh të mazhorancës, që kanë si qëllim të jenë një urë lidhëse mes ndërmarrjeve italiane dhe institucioneve shqiptare. Po ashtu, në Milano, Rama do të ketë edhe një vizitë në konsullatën shqiptare, e cila do të ofrojë shërbimet e saj edhe për qytetarët e Kosovës, në kuadër të marrëveshjeve me Prishtinën.

 

 

 

Reagimi

Ministria e Bujqësisë: Marrja e 18 mijë hektarëve tokë, edhe në interes të ish-pronarëve

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka reaguar dje lidhur me kalimin në administrim të saj të 18.076 ha tokë bujqësore, ku, sipas saj, ky administrim jo vetëm nuk bie ndesh, por është në interes të ish-pronarëve. Marrë shkas edhe nga shqetësimet e shfaqura nga shoqata e pronarëve, ministria deklaroi se prej vitesh kjo tokë është zhvlerësuar dhe po degradon pa ndalur nga mungesa e investimeve. “Ajo është dhe vazhdon të jetë pre e ndërhyrjeve abuzive të kundërligjshme. Asnjë metër katror e kësaj toke nuk u është kthyer pronarëve në gjithë këto vite. Duke e marrë këtë fond toke në administrim, qeveria shqiptare angazhohet që me investime të mirëmenduara të fusë këtë tokë në prodhim për krijim të ardhurash dhe vende pune. Nga të ardhurat e krijuara do të përfitojnë edhe pronarët duke rritur kuotën e kompensimit financiar të tyre”, – thuhej në njoftimin e Ministrisë. Më tej bëhet e ditur se në mbledhjen e ardhshme të qeverisë do të vihen në dispozicion të kompensimit fizik të pronarëve, sipërfaqe të tjera toke, duke u mbështetur në kriteret e barasvlerës. Qeveria ka vendosur dy ditë më parë të heqë nga administrimi i AKKP-së fondin prej 18 mijë hektarësh, për t’ia kaluar në dispozicion Ministrisë së Bujqësisë. “Këshilli i Ministrave vendosi kalimin në administrim të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të fondit të tokës bujqësore me sipërfaqe 18.076 (tetëmbëdhjetë mijë e shtatëdhjetë e gjashtë) ha të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe ish-institucioneve kërkimore-shkencore të kësaj ministrie, e cila aktualisht është në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, – shkruhej në vendimin e djeshëm të qeverisë. Ky vendim u kritikua nga shoqata që mbron të drejtat e ish-pronarëve, duke e cilësuar atë si një akt që i heq Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të gjithë fondin që ka në dispozicion për procesin e kompensimit.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency