Udhëzimi për mjekët e shkollave Mbajtja e çantave të shkollës, fëmijëve po u devijohet shtylla kurrizore

0
175

Faktorë të tjerë që ndikojnë janë celulari dhe lojërat elektronike

Rregullat që duhen ndjekur nga prindërit

 

cantat_261036Mbajtja e çantës së shkollës, lojërat përpara celularit apo kompjuteri janë faktorët kryesorë që krijojnë probleme në shtyllën kurrizore për fëmijët në Shqipëri. Një udhëzim i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë u kërkon mjekëve të shkollave të bëjnë kujdes ndaj këtij fenomeni në rritje dhe të marrin masat për ta parandaluar. “Ekspertët konfirmojnë se adoleshentë po shfaqin gjithmonë e më shumë deformime të shtyllës kurrizore, rrjedhojë e modernizimit të shoqërisë civile. Ky fenomen modern, siç thonë ekspertët, i cili shkakton deformim të shtyllës kurrizore dhe në disa raste hernie diskale, skoliozë, vjen si rezultat i mbajtjes së çantave të rënda, apo luajtjes për orë të tëra me celular apo lojëra elektronike. Madje, ekspertët thonë që nuk ka asnjë diferencë si një person që punon me orë të tëra në fabrikë ashtu edhe një fëmijë që kalon mbi 8 orë, duke lozur me lojëra elektronike. Ndaj, dhe një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar qëndrimit korrekt gjatë gjithë aktiviteteve ditore”, – thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar mjekëve të shkollave.

 

Studimi që iu paraqit mjekëve

 

Një mjek i njohur gjerman, e ka krahasuar këtë deformim të shtyllës kurrizore tek fëmijët, në një artikull të botuar në revistën holandeze “Medisch Contact”, me rritjen e pemës bonsai. Ai shprehet: “Kockat sillen në të njëjtën mënyrë si druri. Nëse e detyron në një drejtim të caktuar, për një periudhë të gjatë kohe, ajo do të përfundojë që të rritet në atë drejtim”. Kirurgët thonë që pajisjet elektronike në vetvete nuk janë problem, dhe që zgjidhja nuk është që të mos përdoren ato. Por, duhet treguar më shumë kujdes ndaj qëndrimit (posturës): veçanërisht zakoneve të mira të qëndrimit ulur. Ata shpjegojnë që kujdesi ndaj posturës, thuajse është zhdukur në të gjithë botën. Gjithashtu, ata shtojnë që, për më tepër prindërit, mësuesit e edukatës fizike dhe mjekët e familjes, e pranojnë si normale posturën jo të rregullt të fëmijëve e adoleshentëve. Prova më e thjeshtë për të kontrolluar shtyllën kurrizore tek ata, është që t’i kërkosh fëmijës të përkulen dhe të prekin majat e gishtave të këmbës. Ata me dëmtime të shtyllës kurrizore nuk do të munden të përkulin kurrizin, aq sa duhet për të prekur gishtat. Adoleshentët të cilët rrinë të ulur për orë të tëra përmbi ekranin me kokën e përkulur, e detyrojnë shtyllën kurrizore të krijojë hark. Ata mund ta ndryshojnë këtë duke qëndruar drejt e mbështetur mbi bërryla. Një rol thelbësor luajnë dhe mjekët e shkollave si dhe mësuesit e aktivitetit fizik në shkolla, të cilët duhet t’i drejtojnë më shumë rreth aktiviteteve fizike, si: futboll, karate, hedhje. Këto do shënonin një diferencë të madhe në jetën e tyre të përditshme. Në ditët e sotme fëmijët janë më shumë të stresuar se 20 vjet më parë, dhe aktiviteti fizik realisht do t’i ndihmonte.

 

Rregulla për t’u ndjekur nga prindërit

-Tërhiquani herë pas here vëmendje fëmijëve, të mbajnë pozicionin drejt të trupit si gjatë ngrënies së vakteve, ashtu edhe gjatë ushtrimit të detyrave të shkollës. Mos i lejoni që të ushqehen në divan, por duke mbajtur pozicionin drejt vetëm në tavolinë, pa mbështetur parakrahët.

– Regjistrojini minimalisht dy herë në javë në aktivitete fizike jashtëshkollore, si: sporte të ndryshme sipas grup-moshës, not, futboll, basketboll, karate, balet, tenis.

– Mos lejoni që fëmija juaj, të shtrihet në divan apo krevat gjatë kohës që shikon TV apo loz me lojëra elektronike.

– Ai apo ajo të përdorë çantë me rrota me dorezë të gjatë (minivalixhe), për të evituar mbajtjen e ngarkesës në shpinë. Në të kundërt, përdorini të dy krahët e çantës në mënyrë që ngarkesa të shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjithë trupin.

Vendosja vetëm e njërit krahë të çantës, çon në devijim e trupit nga njëra anë e ngarkesës.

– Sigurohu që fëmija të mos shohë TV, të lozë kompjuter apo të rrijë ulur, pa bërë një pushim, jo më shumë se 20 minuta.

– Mundohuni që fëmijët të mos i shoqëroni me makinë për në shkollë, pasi e ecura është një pjesë e rëndësishme e regjimit ditor të aktivitetit fizik.

-Ndonjëherë herë, çantat e shkollës i shkaktojnë fëmijëve dhimbje në qafë si dhe në shpatull. Për t’i shmangur këto, ndiqni këto rregulla:

–       Qëndroni drejt. Nëse çanta ju shtyn në përkuljen e trupit apo animin nga njëra anë e trupit, do të thotë që fëmija po mban një ngarkesë më shumë seç duhet.

–       Kufizoni peshën. Mundohuni të mbani sa më pak libra që të jetë e mundur. Mjekët rekomandojnë, që fëmijët duhet të mbajnë jo më shumë se 10% deri në 15% të peshës së trupit. Për shembull, nëse fëmija peshon 30 kg, çanta duhet të ketë një peshë jo më të madhe se 3 deri 4.5 kg.

–       Jepini mundësi kurrizit të pushojë. Kur mundeni, lëreni çantën në dollap dhe merrni vetëm çfarë ju duhet.

 

Vjosa Ecomuseum, projekti më i ri në BE

Agjencia Kombëtare e Turizmit, e përfaqësuar nga drejtoresha e përgjithshme, Julinda Dhame, dhe shefi i sektorit të marrëdhënieve me jashtë, Bledar Mane, morën pjesë në konferencën ndërkombëtare dhe përurimin e Vjosa Ecomuseum, një projekt i Bashkimit Evropian me partnerë bashkitë e qyteteve Konicë dhe Përmet. Ftesa e veçantë nga organizatorët për pjesëmarrjen e AKT-së në këtë eveniment, tregoi seriozitetin dhe trajtimin si partnerë të barabartë në të tilla sipërmarrje. Ecomuseumi i lumit Vjosa është i pari i këtij lloji në rajon dhe fatmirësisht jo vetëm qyteti i Konicës, por edhe qyteti i Përmetit e ka tashmë. Një nga seancat e konferencës u drejtua nga titullarja e AKT-së ku u tregua interes për sezonin e ardhshëm turistik të vendit tonë.

 

Nikolla me fëmijët e ngujuar në Shkodër: T’i japim fund gjakmarrjes

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, zhvilloi dje një takim me familjet e ngujuara në Shkodër, në kuadër të nismës së ndërmarrë për të ndaluar këtë fenomen. Ministrja ka zhvilluar një orë mësimi me një grup fëmijësh të cilët nuk kanë mundësi si gjithë të tjerët të shkojnë në shkollë, ndërsa në fjalën e saj Nikolla kërkoi ndihmën e të gjithë shoqërisë, për të kontribuuar në ngujimin e gjakmarrjes. Ministrja ka dhuruar libra dhe mjete të tjera për këta fëmijë. Më pas Nikolla ka zhvilluar një takim me studentë dhe pedagogë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ku ka falënderuar dhe mbështetur misionin që është nisur nga studentet dhe pedagogë për të pajtuar familjet në gjak.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency