Standard.al

Seancë plenare Rama: SHISH do të reformohet, nuk përmbush sfidat e kohës

Florenc Drizari

rama-kuvend2

“Krahasuar me një vit më parë janë kapur 15 për qind më shumë persona në kërkim brenda vendit dhe 111 për qind persona në kërkim për krim ndërkombëtar”

 

“Niveli i shërbimeve të inteligjencës shqiptare, jo vetëm i SHISH-it, që ngrihet mbi një ligj të vitit 1998, i cili nuk përmbush më nevojat për t’u përballur me sfidat e kohës, duhet ngritur në një shkallë tjetër dhe këtu lypset një reformë tërësore ligjore dhe organizative, e cila ka filluar, siç ka filluar edhe strategjia e re e sigurimit kombëtar”. Kështu e cilësoi Kryeministri Edi Rama punën e shërbimeve të inteligjencës në vend, referuar situatës së rendit publik dhe akteve kriminale me vendosje tritoli ndaj disa biznesmenëve dhe zyrtarëve të shtetit. Qëndrimi i mbajtur nga Kryeministri Rama në seancën e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë, pretendon nisjen e ndryshimeve në strukturat e SHISH-it, ndërkohë që akuza në drejtim të këtij shërbimi janë bërë edhe më parë. Para pak ditësh ka qenë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili ka thënë se përballë situatës me rastet kriminale të tritolvënies, shërbimi i inteligjencës nuk ka kryer detyrat e tij në informimin e strukturave, kryesisht ministrit të Brendshëm. Aktualisht kreu i SHISH-it është Visho Ajaz Lika, i zgjedhur në këtë detyrë disa muaj para mbarimit të mandatit në qeverisjen e djathtë. Kandidatura e tij u kundërshtua në atë kohë nga përfaqësues të opozitës, me argumentet se ai kishte qenë pjese e qeverisjes me postin e zv.ministrit në Ministrinë e Inovacionit.

 

Rama për rendin

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvendin e Shqipërisë, akuzoi përfaqësuesit e opozitës se kanë përdorur për qëllime politike situatën e ditëve të fundit me rendin publik. Rama tha se qeveria e tij do të vazhdojë betejën kundër krimit dhe premtoi një paketë të re ligjore. Duke folur për shifrat e kriminalitetit në muajt e fundit, Rama theksoi se krahasuar me një vit më parë, janë kapur 15 për qind më shumë persona në kërkim brenda vendit dhe 111 për qind persona në kërkim për krim ndërkombëtar. “Janë goditur më shumë se 35 për qind e grupeve kriminale në fushën e drogës, janë kapur dhe proceduar 51 për qind më shumë autorë trafiqesh dhe këta të kapur për korrupsion. Nëse shifrat e tjera janë në përmirësim të vazhdueshëm, sigurisht që ky muaj ka shënuar një përkeqësim të ndjeshëm, sidomos psikologjik për shkak të risisë negative në tërësi të aktivitetit kriminal. Aktet terrorizuese, goditjet kriminale me tritol. Ky është një fakt i pamohueshëm, por edhe më shumë se sa mjaftueshëm për të kuptuar se reagimi i shtetit duhet të jetë më shumë kompleks sesa reagimi i policisë së shtetit”, – deklaroi Rama.

Gjithashtu Kryeministri premtoi ngritjen e strukturës së re që do të përballet me krimin dhe sigurinë në vend, Byronë Kombëtare të Hetimit. Ngritja e kësaj njësie të re është premtim i bërë nga Rama që në kohën kur ka qenë kryetar i opozitës. “Së shpejti në Parlament do të vijë për shqyrtim një reformë ligjore e këtij Kuvendi për rendin publik dhe po ashtu do të ngrihet edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, për të cilën po punojmë ngushtësisht dhe jemi në përfundim me partnerët tanë”, – theksoi Rama.

 

 

 

Rrëzohen dekretet e Nishanit, Meta: Na vjen keq

Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi një ditë më parë dekretet e kreut të për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Me 77 vota kundër, 44 pro dhe dy abstenime, kandidatura e Petrit Çenos nuk kalon në legjislativin shqiptar. Në tërësi deputetët e Partisë Socialiste votuan kundër. Më herët në Komisionin e Ligjeve, deputetët e LSI-së ishin shprehur pro kandidaturës së Çenos, ku deputeti Spartak Braho është shprehur në favor të kandidaturës së tij. Në mbledhjen e Komisionit të pak ditëve më parë, Braho ka abstenuar. Ndërkaq, edhe dekreti tjetër i kreut të shtetit u rrëzua në Kuvendin e Shqipërisë. Dekreti për Gjovalin Përnocajn, mori u votua me 75 vota kundër dhe 39 vota pro, duke mos kaluar testin për marrjen e emërimit si anëtar i Gjykatës së Lartë. Në tërësi, dekretet e Nishanit për Gjykatën e Lartë, u kundërshtuan për mungesë eksperiencë në fushën e të drejtës administrative dhe për shkelje procedurash në përzgjedhjen e kandidaturave.

 

 

Comments are closed.