Seancë plenare Berisha: Qeveria, sinonim i tritolit, Rama merret me opozitën

0
206

Florenc Drizari

 

“Shqipëria është nën thundrën e krimit, Shqipëria në tritol, nën maska dhe trafiqe”

 

Sala kuvendSituata e kriminalitetit në vend dhe çështja e papunësisë shkaktoi përplasje të forta mes deputetëve të pozitës dhe opozitës në seancën e djeshme të Kuvendit të Shqipërisë. Ish-kryeministri Berisha replikoi ashpër me krerët e mazhorancës dhe deputetët socialistë për çështjet e lartpërmendura, duke vënë theksin tek keqpërdorimi i Policisë së Shtetit dhe shkarkimet nga puna në administratën publike. Duke folur për kriminalitetin, Berisha tha se “Shqipëria është nën thundrën e krimit, Shqipëria në tritol, nën maska dhe trafiqe. Çfarë bëtë me ardhjen tuaj në pushtet? Për të mbyllur dosjet dhe kartelat tuaja dekapituat Policinë e Shtetit. Shkarkuat Policinë Kriminale me një të rënë të lapsit dhe sot krimi është ulur këmbëkryq në çdo skaj të këtij vendi, në çdo rrugë në çdo institucion, sepse duhet të zhdukeshin dosjet”. Pas disa replikave me përfaqësues të mazhorancës, Berisha akuzoi Kryeministrin Rama se merret me qëndrimet e opozitës e jo me situatën reale të kriminalitetit. “Bashkëkryetari i kësaj mazhorance vazhdoi tërkuzën e akuzave ndaj opozitës, të cilën e trajtoi me retorikën e tij armiqësore ndaj opozitës, bashkëkryetari tjetër i mazhorancës. Dy momente, nuk ka diskutim se problem themelor sot për Shqipërinë është çështja e krimit. Nuk ka diskutim që krimi është në një revansh të pandalshëm dhe që vjen përkeqësohet nga java në javë. Çfarë ndodh me bashkëkryetarin e mazhorancës. Nuk flet për krimin, flet për opozitën. Nuk flet për bandat, flet për opozitën dhe reagimet e saj. Ja t’ju lexoj këtu një moment. Është një botim, një titull shumë interesant i agjencisë së tij personale, “Politikanë të djathtë e të mërzitur, urdhëruan valën e terrorit”, a nuk ju kujton kjo bombën sovjetike në ambasadë ! A nuk bën kjo një mbështetje për krimin! Një mburojë politike sa vlefshme është kjo?” Duke folur për shkarkimet në administratën publike, Berisha iu drejtua krerëve të mazhorancës se prishën konsensusin me aktin normativ për nëpunësin civil dhe ende mes pozitës dhe opozitës nuk ka një konsensus për reforma të rëndësishme në vend, situatë kjo që sipas ish-kreut të qeverisë, nuk ka ndodhur në mandatin e kaluar. Gjithashtu Berisha kritikoi qëndrimet e mazhorancës për shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP-së, Zana Xhuka, dhe krerëve të AMA-s. Përplasjet mes deputetëve të pozitës dhe opozitës u bënë gjatë diskutimeve të projektligjit “Për ratifikimin e Konventës C187 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) “Për kuadrin promocional të sigurisë dhe të shëndetit në punë”, 2006”, si dhe të draftit “Për ratifikimin e konventës C167 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) “Për sigurinë dhe shëndetin në ndërtim, 1988”.

 

 

Debate në Kuvendin e Shqipërisë

Jozefina Topalli: Para disa ditësh një gazetë belge fliste për një emër që është deputet këtu në sallën e Kuvendit, që akuzohej për vepra të renda penale, trafiqe etj. Unë nuk di cili do jetë vendimi, por një njeri që është ulur në këtë sallë disa vite nuk mund të rrijë pa i thënë Kryeministrit: Fol e shpjego.
Sali Berisha: Erdhët në pushtet të mbyllnit dosjet, e shkarkuat policinë me një të rënë të lapsit dhe sot krimi është ulur këmbëkryq në çdo skaj të këtij vendi e çdo institucion. Erdhët në pushtet se donit të zhduknit çdo dosje. Se ja ku i keni këtu.
Sadri Abazi flet nga vendi jashtë mikrofonit: Gënjen!
Sali Berisha: Je i botës së krimit ti që bërtet atje, je i faktuar, përfaqësues i krimit.
Sadri Abazi: Ik more andej, gënjeshtar, mashtrues…
Sali Berisha: Je hajdut. E di mirë ti! Pra ju mendoni se duke organizuar prita shtetërore si në Kavajë, se në këtë Parlament i thosha zëdhënësit të kryekreut për rendin, mos bëj komunikatë për kryebandat se çmimi do jetë shumë i shtrenjtë, por jo të drekosh me njërën e të qëllosh tjetrin, ja ku e keni, u vra Olsi.
Sadri Abazi: Kur vajtimorët të vajtojnë do të thotë se ke mbaruar, ke vdekur. Edhe në tri kutitë e fundit u ndërpre votimi, se vajtimorët e vajtuan këtë njeri.
Sali Berisha, Veliajt: A patë ju se ky zotëri quan legjendë njërin që ka deklaruar se “do të luaja futboll me kokat e vëllezërve tanë në Kosovë”. Këta nuk kanë interes tjetër. Ai luan me koka shqiptarësh, ky bastard ma quan legjendë futbolli.
Erion Veliaj: Meqë je kaq patriot, pse 8 vjet e sabotove linjën energjetike me Kosovën. I le 8 vjet pa drita. Nacionalist dylekësh. Rri si pulë aty. Të vijë turp. Do flasësh ti kumbar i Fazlliçit. I vetmi njeri që ke kompleks me Serbinë je ti.
Sali Berisha: Nisma për linjën energjetike dhe autostradën Tiranë – Prishtinë ishte e PD. Negociatat, projektet janë porositur nga kjo qeveri, edhe tenderi u hap nga kjo qeveri. Kompania u përzu, se ofroi të korruptojë komisionin e ofertave dhe këtë e dorëzuam në Prokurori.
Edi Rama: Është diçka tjetër që në fakt e vajtoni me të vërtetë thellë, po s’e thoni dot, humbjen e pushtetit tuaj të korruptuar deri në palcë, humbjen e kontrollit tuaj të dhunshëm mbi librat e llogarive të shtetit dhe të çdo kompanie private, humbjen e fuqisë policore që ju e bëtë njësh me forcën e krimit…
Ilir Meta: Është koha për të bërë disa reforma. Është koha për një reformë territoriale që të gjitha qeveritë e kanë pasur përparësi, por nuk është bërë. Kjo mazhorancë i ka votat, por prej dy javësh është duke kërkuar konsensusin tuaj, si opozitë, se nuk duam që ta bëjmë me votat tona.
Sali Berisha: Zoti bashkëkryetar, ftesa juaj është e pasinqertë. Kërkoni konsensus për një parafabrikat të zgjedhjeve të ardhshme. Konsensusi rivendoset vetëm pasi të bëhen korrigjimet e domosdoshme, sepse vendi nuk mund të mbetet peng i këtyre veprimeve të papërgjegjshme.

 

 

Reforma administrativo-territoriale

Meta: Opozita të bashkëpunojë. Berisha: Ftesa, e pasinqertë

Kryetari i Lëvizjes për Integrim, Ilir Meta, ftoi opozitën të bëhet pjesë e reformës administrativo-territoriale në komisionin e posaçëm parlamentar. Duke folur si kreu i LSI, nga foltorja e Kuvendit, Meta tha se është koha që disa reforma të bëhen bashkërisht edhe me opozitën. “Është koha të realizojmë reformën administrative dhe territoriale. Ka qenë synim edhe i demokratëve, është synim edhe i kësaj mazhorance që ka votat. Prej dy javësh janë krijuar të gjitha ato hapësira që opozita nuk i ka pasur. Një komision që të dyja palët të jenë të barabarta. Opozita, PD, të jetë me anëtarë të barabartë si me PS-në dhe komuniteti ndërkombëtar do të japë ekspertizën e saj. 150 njësi vendore nuk ofrojnë asnjë shërbim. 80 milionë USD do të përfitonte Shqipëria nga reduktimi i kostos administrative, ndërkohë që ne marrim para borxhe për të paguar interesa dhe ata janë të gjithë socialistë, demokratë e pa parti. Ne kemi 385 njësi vendore dhe është koha për të reflektuar e për të punuar”, – deklaroi Meta. Pas këtij qëndrimi, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i ish-kryeministrit Berisha në sallën e Kuvendit. Berisha e quajti fjalën e Metës si të pasinqertë, duke e lidhur këtë qëndrim me prishjen e konsensusit pozitë – opozitë që me aktin normativ të qeverisë për nëpunësin civil. “Zoti bashkëkryetar, ftesa juaj ishte shumë e pasinqertë dhe nuk është ajo që thoni ju… Unë jam dakord që të rivendoset konsensusi, por ai vendoset pasi bëhen korrigjimet e domosdoshme, sepse vendi nuk mund të mbetet peng i këtyre veprimeve të papërgjegjshme. Dhe zoti Kryetar, duhet të kesh kurajo të denoncosh këtu veprën që ka bërë bashkëkryetari tjetër, i cili ka dërguar dosjen tënde në Berlin dhe vende të tjera. T’i thuash këtu: E ke bërë ti një veprim të tillë, nuk e ka bërë Sali Berisha, e ka bërë zotëria e tij dhe kjo është e vërteta”.

 

 

Miratohen anëtarët e mazhorancës për reformën administrativo-territoriale

Kuvendi i Shqipërisë miratoi përbërjen e komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale. Deputetët e mazhorancës me 80 vota pro votuan për projektvendim “Për miratimin e përbërjes së komisionit të posaçëm parlamentar për reformën administrativo-territoriale në Republikën e Shqipërisë, ngritur me vendimin nr. 1/2014”, ndërkohë që opozita nuk mori pjesë në votim. Kundër kësaj nisme votoi deputeti i PD-së, Flamur Noka. Aktualisht opozita ka refuzuar të marrë pjesë në këtë komision, duke kërkuar rivendosjen e konsensusit me mazhorancën. Me vendimin e djeshëm të Kuvendit, gjysma e komisionit nga mazhoranca do të këtë këta anëtarë: Bashkim Fino bashkëkryetar, Armando Subashi anëtar, Blendi Klosi, Musa Ulqini, Namik Kopliku, Andrea Marko, Petrit Vasili, Spartak Braho.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency