Standard.al

Kakofonia apo trashëgimia, si bashkëjetojnë!

Esat Ruka

 

Problematika/ Kush e mbështet dhe e mbron integritetin e institucioneve të trashëgimisë shpirtërore?

gjiro 2Teksa kthejmë fytyrën nga rruga e përshkuar, nuk ka dyshim se terreni kulturor në të cilin rrugëtojmë e ka përligjur katërcipërisht përkujdesjen e politikave kulturore dhe vëmendjen institucionale në formatimin e veprimtarive në respekt të krijimtarisë anonime të gjeneratave. Të gjitha sistemet kanë zbatuar platforma për zhvillimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave duke dëshmuar standarde profesionale.

Është folur e shkruar shpesh e shumë për këtë kontribut specifik. Janë iluminuar e sugjestionuar armata të tëra intelektesh të ndryshme në marrëdhënie më të. Janë përndezur e përflakur mijëra emra krijuesish duke themeluar, ngritur e konsoliduar kështjellën e fildishtë të trashëgimisë kulturore me identitet të qartë e të larmishëm. Janë ushqyer e argëtuar miliona e miliona duke përthithur e asimiluar larminë, bukurinë e fisnikërinë e këtyre kontributeve. Por,në këtë oqean të madh me plot kthjelltësi e begati jetësh e organizmash të dukshme, por të parrokshme, të padukshme, por të mendueshme, nuk mund të mos dallosh edhe një det plot tallaze e gjallesa të unshme.

Ndokush nga lexuesit mund të thotë: “Ç’i duhet artikullshkruesit të “rrëmojë” në këto hulli, kur vetë është afër “Olimpit”?

E vërteta është se të qenët në marrëdhënie me mundësitë e kontributit, reflektimit apo parandalimit të disa anomalive, padyshim që të dhuron fatin e gjurmëlënies. Për më tepër kur je në një institucion shtetëror i rrethuar me kolegë specialistë, mendoj se është etike, përveç tjerash, që të risjellësh në vëmendjen e publikut dhe të administratës disa nga këto gjurmë. Kjo kushtëzohet edhe me atë se, askush nga hierarkia vertikale e fushës nuk merr mundimin të thotë një fjalë vlerësuese apo analizuese e konkluduese në dobi të një rrugëtimi institucional më koherent. Mjerisht ndeshesh me të kundërtën: me anashkalimin, defaktorizimin, indiferentizmin, mungesën e transparencës e deri në gjetjen e rrugëve për shmangien e kontributit profesional, punës me pasion e përkushtim, anipse në shkelje të etikës zyrtare apo edhe shkeljeve ligjore.                                                                                   ***

Tetë vite në krye të menaxhimit të vlerave të trashëgimisë shpirtërore kombëtare flasin profesionalisht, se rreth 40 veprimtaritë folklorike të projektuara, organizuara e menaxhuara nga QKVF, mbi platforma të mbështetura në begatinë, larminë dhe cilësinë e visarit tonë kombëtar, e bëjnë qartësisht diferencën me pararendësit tonë. Për periudhën 2006 – 2013 janë realizuar dokumentuar e vlerësuar festivalet në tipologjitë si: Për këngën qytetare – 7, për isopolifoninë 3, për rapsodët dhe instrumentistët -5, për vallen burimore – 6, për sazet – 4. Janë realizuar 13 veprimtari kushtuar personaliteteve të mirënjohur në këto tipologji, për instrumentet popullore në zhdukje apo rrallim, kryevepra të trashëgimisë shpirtërore etj. As që mendohet se këto veprimtari të nivelit të lartë dimensional e cilësor do mund të realizoheshin pa bashkëpunimin dhe bashkorganizimin e punës me bashkitë e disa qyteteve si: Elbasani, Korça, Shkodra, Berati, Peshkopia, Lezha, Kavaja, Durrësi, Vlora, Gjirokastra, Tirana, Burreli etj., apo pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të specialistëve e grupeve të qendrave kulturore me artistët popullorë të zhanreve të ndryshme, pa mbështetjen e këshillave të bashkive, të qarqeve, pa ndihmën dhe bashkëpunimin me mediat lokale dhe kombëtare, dhe mbi të gjitha pa mendimin shkencor, përvojën dhe prezencën e specialistëve të institucioneve qëndrore të trashëgimisë veçanërisht të IAKSA, por edhe AKKVP, MH, RTSH e të TKOB e U. Arteve etj. Shpresoj ta kemi justifikuar besimin dhe ndihmesën e tyre, duke rezervuar për ‘Ta mirënjohjen dhe falënderimin për gjithçka të vyer kanë bërë për trashëgiminë popullore. Por, nuk ka qenë vetëm aspekti numerik i veprimtarive, i cili është dyfishuar krahasuar me periudhën 1994-2005. Risitë e realizuara në rrugë të pashkelura kanë qenë botimi i revistës: “Gjurmë të shpirtit shqiptar”, krijimi dhe pasurimi i arkivit të foto e videotekës, regjistri kombëtar i bardëve të folklorit, ngritja dhe funksionimi i këshillit artistiko-shkencor, qarkullimi i vlerave të tipologjive dhe kalimi i festivaleve nga sallat e mbyllura në mjedise të hapura në shërbim të turizmit kulturor, multikulturalizimi i festivaleve dhe tani së fundmi futja e kryeveprave të trashëgimisë shpirtërore kombëtare në programet vjetore të veprimtarive. Dhe jo vetëm kaq!

Kemi ngulmuar në idenë se, vërtetë folklori është anonim, por në prezencën dhe shkëlqimin e tij evidentohen emra që nuk mund të heshtet ndaj kontributit të tyre krijues. Listimi dhe promovimi publik i artistëve, studiuesve, botuesve, mjeshtrave të zejeve artistike apo grupeve, të cilët kanë hyrë në fondin e Artë të kulturës kombëtare e thellon respektin për ato individë e grupe krijuesish, por njëkohësisht e ndihmon shumë shtimin e jetëgjatësisë dhe origjinalitetit të vlerave. Në këtë kuadër përveç shpërndarjes së mbi 80 Certifikatave të Mirënjohjes për individë e grupe, me shumë vlerësim e impenjim janë pritur nga opinion i artistëve vendosja në garë e çmimeve “Laver Bariu” e “Ndue Shyti”. Aspekt tjetër serioz është konsideruar nga specialistët mbajtja në vëmëndje e detyrave që rrjedhin nga Konventat e nënshkruara me UNESKO-n dhe përgatitja e paraqitja pranë Ministrisë e projekteve edhe për fenomene që rrezikojnë zbehjen apo zhdukjen nga përdorimi i disa instrumenteve muzikorë, deformimet në veshjet apo lënia jashtë ballafaqimeve artistike e etnive që banojnë brenda shtetit tonë, bashkëpunimin me shoqata kulturore, probleme të zbehjes së aktivitetit të talenteve si rezultat i migrimit, apo fenomeni shumë i dëmshëm i zbehjes së punës me talentet e reja në shkolla lidhur me trashëgiminë kulturore etj.

Këto kanë përbërë për ne kolonat mbi të cilat janë ngritur platformat tona institucionale.

Por çfarë ndodh!? Ajo që mendoj se është më e rrezikshmja, (e cila është një atavizëm i hershëm) është se, ka segmente në administratën e institucioneve politikëbërëse që, sa më shpesh e sa më shumë ti ushqesh me problematika të tilla, aq më distancë krijojnë me institucionet vartëse. Për më tej, pasi dremisin në sirtarët e tyre projekte e relacione, informacione e raporte të dërguara nga organizma konsultativë a vendimmarrjeje institucionesh, dalin pas disa kohësh, si nisma të Ministrisë, si produkte të politikës së saj. Ja një shembull: Që në fillim të vitit 2007 dërgohet në MTKRS propozimi i Këshillit artistiko-shkencor të QKVF që, Cikli i Eposit të Kreshnikëve, të vlerësohet si kryevepër e trashëgimisë shpirtërore. Në Festivalin Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2009, zv.ministra S. Turku, propozon fillimin e punës për përgatitjen e dosjes për në UNESKO. Pas një seminari me katër séance, organizuar nga QKVF me drejtues e specialistë të institucioneve kulturore pranë bashkive të vendit në vitin 2006, raportohet në ministri për një varg shqetësimesh që lidhen kryesisht me shkurtime organikash të institucioneve, nepotizëm, mungesë baze materiale, heqje fondesh apo ndryshime destinacionesh të ambienteve të institucioneve, paga të ulëta të punonjësve etj. As edhe një fjalë nuk u tha, pa lere të formulohej një qarkore apo udhëzim nga kjo ministri, ku të tërhiqej vëmendja apo të ndihmoheshin metodikisht, por gjendeshin justifikime të administrimit të institucioneve nga qeverisjet vendore mbështetur në Kartën e Autonomisë Lokale. Sigurisht, ndonjë punonjës apo drejtues në kulturë e merakos “zanati” i servilosjes ndaj drejtuesve të bashkisë dhe jo respekti e qëndrimi ndaj vlerave të trashëgimisë e krijimtarisë. Mungojnë në mënyrë të përsëritur në festivale grupe të institucioneve (disa deklarojnë me mburrje daljen jashtë hartës së veprimtarive kombëtare folklorike,) dhe nuk gjendet asnjë mekanizëm apo penalitet ndaj tyre, duke “pranuar” justifikime me mungesë buxheti. Në se një drejtues apo organizëm i zgjedhur nuk mendon se ky produkt krijues popullor nuk meriton të ndash pak para nga kontributet e taksapaguesve, kjo është një padrejtësi ndaj historisë, një fyerje ndaj qytetarisë, dhe një neglizhencë ndaj brezave të ardhshëm.

Shkollat tona padyshim bëjnë punë për edukimin e talenteve të reja. Shprehje e saj janë edhe mbushja e skenave me artistë premtues që të mrekullojnë. Por çuditërisht, në një garë marramendëse që mbush ekranet, dëgjon fare pak ose aspak këngë popullore, lerë pastaj për mesazhet e këngëve që nuk lidhen gjëkundi me interesat moshore të tyre. Si mundet që instruktues profesionistë të shkollave apo drejtues të tyre nuk flasin një fjalë në ekrane kundër këtyre fenomeneve, por ledhatojnë e sheqerosin opinione për kolegë, shou apo evente artistike, që vetëm vlerave të trashëgimisë nuk i kontribuojnë? Sigurisht realizimi perfekt I krijimtarisë popullore kërkon profesionalizëm, po kush më mirë se specialistët duhet të kryej këtë mision?

QKVF në vitin 2008 shpalli çmimin “N. Shyti” në Festivalin kombëtar tipologjik në Lezhë. Pas dy vitesh, po këtë çmim në Fushë Arrëz e shpallin edhe në një festival instrumentistësh për fëmijë. Po përse, organizatorët e atij festivali nuk e njihnin famën e mbretit të çiftelisë?. Pas këtij çmimi, çfarë çmimi mund të marrë një instrumentist në bilbil apo çifteli? Dhe, entuziazëm delirant në TOP Shou: dirigjenti i orkestrinës së çiftelive të Mirditës realizon “Kalinkën” dhe “Valle hungareze nr. 5” me çifteli. Ja pra një standard befasues: vijnë në malet tona me madhështinë e krijimeve të tyre klasikët e shekullit XIX. Po a mos duam të themi se Mirdita është kaq e varfër nga motivet muzikore të traditës së vet dhe sforcon artistët e vegjël duke i futur në “pyllin” e teknikave të ekzekutimeve të muzikës klasike?

Disa festivale në vit zhvillohen vetëm për isopolifoninë ose me bazë këtë zhanër popullor të mirënjohur. Në Bylis nuk pranohet me termin isopolifoni, ndërsa, që në tekstin e muzikës të klasës së pestë e deri në UNESKO njihet iso-polifoni. Në Vlorë, ekskluzivitetin e QKVF për organizimin e FFT Kombëtare e “uzurpon” bashkia duke e shpallur nongratta institucionin special shtetëror dhe thërret për drejtimin tij kompromisaxhinjtë e subjektit të vet politik. Institucione qendrore artistike rendin të thërrasin në skenë ekzekutues në instrumente muzikore, por nuk mendojnë kurrë të ftojnë instrumente tradicionale që janë në prag të zhdukjes. Flasin në emër të trashëgimisë e ruajtjes së saj, por nuk ndjejnë asnjë përgjegjësi për zbehjen apo rrënimin e kësaj trashëgime. Mediat promovojnë vlera të cilat e gjejnë vetë rrugën e vezullimit të tyre, si top-modelet apo klipet dhe në mënyrë krejt periferike ngrejnë shqetësimin serioz të brejtjes nga erozioni global i visareve tona. Me sa duket dëgjojmë një herë në vit ndonjë tingull instrumenti popullor në eurovizion dhe mjaftohemi apo justifikohemi se i kemi prezent tingujt origjinalë të traditës. Pra tradita na shërben për të sheqerosur zhurmat e tingujve industrialë, apo për të cituar ndonjë motiv a bulëz, dhe në vend që t’iia kthejmë reston me mirënjohje, vazhdojmë ta shkundim këngën a vallen si ndonjë arrë me thupër. Dikush i thyen edhe degët, në vend që të mendojmë se ajo “arrë” do të bëjë përsëri fruta, edhe për gjenerata të tjera.

Në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë përgatitëm 4 projekte mjaft serioze për promovimin e krijimtarisë më ekselente të shekullit në zhanret popullore. I bëmë prezent në MTKRS, por asnjëri nuk u mundësua të realizohej nga ana jonë si institucion. Drejtori i DTK u shpreh se, “me projektet e tua z. Ruka, të tjerët po marrin disertacione apo ngrenë institucione”. Pra kuptohet një trafikim idesh e projektesh dhe jo një përgjigje me koherencë e përpjekjeve të institucioneve shtetërore. Edhe programi i Madh i atij 100-vjetori, iu besua një grupi që nuk hartoi dot as listat e artistëve pjesëmarrës dhe u shmang institucioni legal shtetëror. Tani pritet të zvarritet nëpër dyer të Ministrisë së Kulturës një “institut i mbrojtjes, dhe zhvillimit të trashëgimisë shpirtërore kombëtare” si “alternativë” e iniciativës së lirë të pensionistëve të artit. Kush do ta gjykojë e ta ndalë këtë kakofoni, e cila po bren për minutë çdo qelizë të kontributit të ngrehinës së madhe e të virgjër të identitetit kombëtar? A mos edhe për trashëgiminë tonë do të kërkojmë modele e potenciale intelektuale jashtë mjedisit që i gjeneron vlerat e veta e krenohet me to?

Korifenj të këngës e rapsodisë, të valleve tona të mrekullueshme, të fjalës së mençur, virtuozë të instrumenteve muzikore e zejtarë duarartë, studiues të nderuar e gjurmues pasionantë, të cilët nuk rrojnë, por rron vepra e tyre e arkivuar, që vazhdon të buçasë e të thërrasë: Të mos vdesë kënga e vallja shqiptare! Të ruhet e pastër e të gjallojë në skenat tona e kudo në botë, të bëhet pronë e krenari e bijve dhe bijave tona të talentuar.

 

 

 

 

Comments are closed.