Banda e vrasësve me pagesë Rrëfimi i frikshëm i njeriut bombë: 35 mijë euro për vrasjen e Agron Çelës

0
165

Anxhela Tato

 

 

Julian Sinanaj garanton jetën e familjarëve, dëshmon krimet, shënjestrat, pagesat dhe mënyrën e realizimit

 

 

celularet dhe kabllot e eksploziveve“Jam paguar 20 mijë euro nga Marion Mitro për t’i vënë eksploziv prefektit Dervishi. Nuk i kam njohur viktimat, thjesht merrja porositë. Kushërinjtë Mëhilli më kërkuan që të ekzekutoja Sokol Veizin, me të cilin kishin konflikt pronësie. Ata për vrasjen më shpërblyen me 1 mijë e 500 metra tokë”, – pjesë e dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Julian Sinanaj. Tashmë me statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë Julian Sinanaj ka rrëfyer rolet e anëtarëve të grupit kriminal, lidhjet me ta, pagesat, shënjestra si dhe mënyrën e realizimit të krimeve. Juliani ka pranuar të flasë vetëm pasi i është premtuar se do t’i merrte në mbrojtje familjen e tij. Kjo ka qenë kërkesa e 31-vjeçarit në këmbim të informacione për zbardhjen e krimeve zinxhir. Për Prokurorinë e Krimeve të Rënda Julian Sinanaj ka rrëfyer se roli i tij ishte të vendoste eksplozivët dhe të ekzekutonte personat e shenjëstruar me të kuq. Ai nuk i njihet viktimat e tij dhe kjo ishte arsyeja pse mbante foto të tyren me vete. Porositë i vinin nga dy kushërinjtë Mëhillaj, të cilët ishin sekserët që siguronin klientët. Ndërsa furnizimi me armatime dhe pajisjet i vinte nga i penduari tjetër N.GJ. Ky i fundit i siguronte 31-vjeçarit armët që do i nevojitshi për kryerjen e krimeve.

 

Vrasja e biznesmenit dhe peshkatarit

Porosia për ekzekutimin e biznesmenit Agron Çela dhe peshkatarit Sokol Veizi ka ardhur nga kushërinjtë Mëhillaj. Ata i kanë kërkuar 31-vjeçarit Sinanaj që të hiqte qafe Çelën, i cili sapo ishte kthyer nga Italia. Pagesa për këtë krim ishte 35 mijë euro. Julian Sinanaj ka treguar se dy sekserët i kanë thënë që preja e radhës ishte biznesmeni Çela, por 31-vjeçari nuk ka dashur të dijë porositësin real. Sipas dëshmisë Sinanaj e ka pritur jashtë banesës biznesmenin dhe e ka ekzekutuar me pistoletë. Ai ka shfrytëzuar momentin që Çela po parkonte makinën dhe familja e tij ishte duke u ngjitur në banesa. Ngjarja është parë nga gjithë kalimtarët, të cilët të tmerruar kanë njoftuar policinë. Dyshimet e para të bluve u ngritën mbi konflikte të mundshme pronësi, meqë biznesmeni kishte në pronësi një restorant. Kanë qenë sërish kushërinjtë Mëhillaj që e kanë porositur për një vrasje tjetër. Sokol Veizi ishte në konflikt me ta për çështje pronësie dhe kushërinjtë Mëhillaj i kanë premtuar Sinanajt ta shpërblejnë me 1 mijë e 500 metra toke. Veizi është vrarë me dy plumba në një lokal në Orikum në gusht të vitit të kaluar dhe më pas Julian Sinanaj është shpërblyer me një apartament në Vlorë nga dy kushërinjtë Mëhillaj. Në dëshminë e tij Juliani ka rrëfyes se i është vënë në dispozicion një foto e viktimës, por pamja nuk ka qenë e qartë. Për këtë arsye sapo është futur në lokal ai ka pyetur viktimën për emrin dhe më pas e ka qëlluar.

 

Atentate me eksploziv

Eksplozivi i montuar në makinën e prefektit Dervishi ka qenë një porosi nga Marion Mitro. Biznesmeni vlonjate ka vajtur vetë tek Sinanaj, pasi ishte në dijeni se ky grup merrej me krime me pagesë. Mësohet se Marioni Mitro i ka kërkuar Sinanajt që të përdorte një bombë me telekomandë, të cilën ia ka siguruar vetë 31-vjeçarit. Ky i fundit ia ka montuar në automjet prefektit. Sipas të dhënave të prokurorisë dyshohet se Mitro ka qenë në konflikt me prefektit për shkak të prishjes së parkingut të lokalit të tij në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë. Përsa i përket shumës së lekëve është përdorur vlefta financiare që Mitro i kishte dhënë 31-vjeçarin për realizimin e një ekzekutimi, për të cilin Sinanaj kishte refuzuar. Ndërkohë që më 1 qershor të vitit 2013 i është vendosur eksploziv në banesë Ardian Kollozit, krim i porositur sërish nga kushërinjtë Mëhillaj.

 

 

Lista e vrasjeve dhe pagesat

Ekzekutimi i Agron Çelës-35 mijë euro

Ekzekutimi i Sokol Veizit- 1 mijë e 500 metër tokë dhe 1 apartament në Vlorë

Tritol prefektit Besnik Dervishi-20 mijë euro

 

Prokuroria

Julian Sinanaj u dekonspirua nga personi që i siguronte mjetet motorike

Vrasësi me pagesë u kap me armët gati për ekzekutimin e biznesmenit të naftës

Julian Sinanaj u zbulua në tentativë për të ekzekutuar biznesmenin e naftës së qytetit të Durrësit. Ai është kapur me armën e mbushur. Ndërsa është duke u ruajtur si konfidenciale informacioni për identitetin e biznesmenit dhe porositësi. Vrasësi me pagesë u dekonspirua nga një i besuar i tij, të cilin e përdorte për të blerë makina, motorë, celularë dhe çdo mjet që i duhej. I penduari N.Gj. shkoi në polici, pasi Julian Sinanaj e kërcënoi me vdekje për një mosmarrëveshje. I frikësuar, ai është drejtuar fillimisht në Policinë e Tiranës dhe më pas në Policinë e Durrësit, ku ka bërë kallëzim për kanosje ndaj bashkëpunëtorit të tij. Aty ka treguar për një atentat tjetër që po përgatitej ndaj një biznesmeni të njohur të Durrësit në tregtinë e naftës. Ditën e arrestimit Sinanaj ishte në ndjekje të këtij biznesmeni dhe në çantë iu gjet fotografia e tij. Pagesa për këtë atentat ka pranuar vrasësi do të ishte rreth 150 mijë euro. Sinanaj ka disa ditë që po rrëfehet në prokurori. Rrëfimi i tij vazhdon të filmohet në seanca të gjata, pasi atentatet dhe ngjarjet kriminale që ka treguar janë të shumta. Burimet nga prokuroria thanë se publikimi i lajmit ditën e shtunë, kur ai u arrestua dëmtuan hetimet. Personat që kanë porositur vrasje, ndërmjetësit dhe bashkëpunëtorë të tjerë të tij dyshohet se janë larguar nga Shqipëria, kur kanë mësuar për arrestimin e tij.

 

Gazeta greke

“Julian Sinanaj, autori i 27 vrasjeve në 3 shtete”

“Kam bërë 27 vrasje në Shqipëri, Itali dhe në Greqi, ku kam jetuar që 14 vjeç. Kam marrë pjesë në shpërthimet në gjykatën e Selanikut në maj 2010, në zbatim të urdhrit që më dha anëtari i një partie politike”. Kjo është, sipas informacionit që ka siguruar gazeta greke “To Vima”, ajo që ka pohuar 30-vjeçari shqiptar Julian Sinanaj, i arrestuar në Tiranë para disa ditësh, si pjesë e një grupi që kryente vrasje me pagesë. Sipas dëshmive të mbledhura deri tani, Sinanaj ka jetuar me familjen në Greqi që nga viti 1997 dhe e ka filluar veprimtarinë e tij kriminale dhe vrasjet me kontratë, që kur ishte ende i mitur. Edhe gazeta “Protothema” shkruante dje se ai ka pohuar vrasjen e dy shtetasve 35 dhe 45 vjeç më 1 korrik të vitit 2011 jashtë një restoranti në Gazi, ku pati dhe një viktimë të tretë të rastësishme, vrasje që në Greqi deri tani kanë mbetur pa autor. Ndërsa në Gjykatën e Selanikut, në vitin 2010 për fat nuk ndodhi një tragjedi e madhe, teksa në kohën e shpërthimit ndodheshin në të mbi 50 njerëz. Nga shpërthimi vetëm një person u lëndua lehtë dhe aktin e mori përsipër organizata terroriste “Komploti i celulave të zjarrit”. Policia greke deri tani nuk ka pasur ndonjë informacion të lidhjes së kësaj organizate më elementë shqiptarë, të paktën në qytetin e Selanikut. Oficerët e lartë të Policisë së Greqisë, të cilët nuk kanë mundur ta marrin në pyetje të arrestuarin, kanë deklaruar për “To Vima” se “nëse këto dëshmi konfirmohen qoftë edhe pjesërisht, do të kemi surpriza dhe zhvillime të mëdha”, por shprehen se kanë shumë dyshime për pretendimet e 30-vjeçarit, sepse në arkivat e policisë greke, për Julian Sinanin ka vetëm një shkelje trafiku. Në të njëjtën kohë, gazeta “To Vima” shkruan se i arratisuri nga burgu i Trikalas, 27-vjeçari Ilir Kupa, ka pranuar para oficerëve grekë se “ishim të gatshëm të sulmonim me eksplozivë burgjet greke për të çliruar bashkatdhetarët tanë”. Kupa ka pohuar se organizatori i arratisjes nga burgu i Trikalasë ishte 36-vjeçari Flamur Sinani, xhaxhai i Edison Likës, njëri prej të arratisurve, të cilët u vranë të dy në përleshje të përgjakshme me policinë greke në 2 korrik 2013 në Koniska.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency