Standard.al

AKKP Emrat e ish-pronarëve që përfitojnë kompensim

Fillon shpërndarja e këstit të parë, të dytë, të tretë dhe të katërt

 

pronat1Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ka miratuar dje emrat e ish-pronarëve që përfitojnë nga këstet e radhës. Do të jenë 11 ish-pronarë të cilët do të përfitojnë këstin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt, ndërsa 1 kërkesë do të përfitojnë vetëm nga kësti i katërt. Urdhri nr. 17 i AKKP-së, mban firmën e drejtores Sonila Qato dhe ka për qëllim kompensimin e pronarëve që preken nga ndërtimet informale. “Në mbështetje të ligjit 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, të pikës 11, të VKM nr. 256, datë 13.4.2010 “Për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave” dhe të pikës 9. paragrafi b, të VKM-së nr. 383, datë 19.5.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar pas miratimit të 12 kërkesave të subjekteve,me objekt kompensimin apo shpërblimin e pasurive, pronë private, që preken nga ndërtimet informale.

Urdhëroj: Publikimin e listës për 11 kërkesa, të cilat përfitojnë nga kësti i parë, i dytë, i tretë dhe i katërt i përcaktuar për kompensimin në të holla prej 57% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse dhe 1 kërkesë e cila përfiton nga kësti i katërt i kompensimit në të holla prej 10% të vlerës totale të miratuar me VKM-në përkatëse, të pronave që preken nga ndërtimet informale”, – përcakton urdhri i drejtores së AKKP-së, Sonila Qato.

Fondi

Fondi për kompensimin e ish-pronarëve për 2014-ën do të jetë 1.6 miliardë lekë (të vjetra). 300 milionë lekë do të sigurohen nga buxheti i shtetit ndërsa 1.3 miliardë nga të ardhura të tjera. Qeveria “Rama”, në fushatën elektorale kishte premtuar një fond disa herë më të lartë për kompensimin e ish-pronarëve, por fondi i miratuar për vitin 2014, është 200 milionë lekë më pak se fondi i miratuar nga qeveria “Berisha” një vit më parë.

Kërkesat

Çdo shtetas, i cili është trashëgimtar ligjor i një subjekti të shpronësuar, mund të depozitojë kërkesë me shkrim pranë sektorit të Marrëdhënieve me Publikun, në lidhje me problematikën e procesit të njohje/kthim/kompensimit të pronës. Sektori i Marrëdhënieve me Publikun, pranon për shqyrtim vetëm ato kërkesa të cilat plotësojnë kushte ligjore për legjitimitetin e subjektit të shpronësuar (trashëgimtarë ligjor të tij). Konkretisht: Kartën e identitetit të kërkuesit. Kopje të prokurës së posaçme (të përgjithshme) të noterizuar. Kopje të dëshmisë së trashëgimisë të noterizuar ku të provohet se kërkuesi është trashëgimtar ligjor i subjektit.

 

 

Situata

Tirana 4 orë pa autobusë, sindikalistët: Pas dy javësh, grevë 24-orëshe

Greva katërorëshe e punonjësve të transportit urban në Tiranë do të përsëritet pas dy javësh deri në 24 orë, nëse strukturat e qeverisë nuk do të reagojnë për zgjidhjen e situatës së rënduar në të cilën ndodhet transporti publik. Kështu u shpreh kryesindikalisti i transportit shqiptar, Zija Hasani. Ai tha se deri tani, kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët, ndërkohë që tha se grevës së punonjësve të transportit publik të Tiranës do t’i bashkëngjiten edhe linjat e transportit mes qyteteve. “Kjo ndërprerje si shkak i prishjes së marrëveshjes së 20 dhjetorit 2013 me shoqatën e transportit urban pasi kanë dy-tre muaj pa paguar pagat e punonjësve. Në 20 janar duhet të paguheshin edhe pagat e prapambetura. Në bankë nuk është derdhur as paga e muajit janar”, – u shpreh Hasani. Po dje, kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, ka akuzuar qeverinë se nuk po ndihmon përdoruesit e transportit publik. Basha tha se mossubvencionimi për kategoritë e ndryshme që përfitojnë udhëtim falas, apo rritja e karburantit kanë bërë që shoqëritë private të mos paguajnë punonjësit dhe të gjithë këtë situatë e paguajnë qytetarët. “Në vend që të ndihmohen përdoruesit e transportit publik duke mos rritur çmimin e biletës, por të rrisim frekuencës e përdorimit publik dhe nga ana tjetër operatorët e transportit publik me ato kërkesa dhe të drejta që kanë, shkon në drejtim të kundërt dhe i vihet një gur peshores së rënduar të rritjes së çmimit të naftës”, – tha Basha.

 

 

4500 euro në muaj

Norvegjia kërkon punëtorë

Norvegjisë i nevojiten inxhinierët, mësuesit – sidomos ata të shkencave natyrore – mjekët dhe infermierët, shoferët e autobusëve, kuzhinierët dhe kamerierët. Zyra evropiane për punësim, EURES, ka publikuar raportin ku thuhet se punëtorëve në profesionet e përmendura në lartë, u ofrohet paga mujore prej 4.500 euro. Sipas raportit të EURES-it, Norvegjisë i mungojnë ekspertët për mekanikë, elektronikë, automatikë, hidraulikë dhe ata që kanë të bëjnë me instalimet dhe furnizimin me ujë. Po ashtu kërkohen edukatorët për të punuar me fëmijët parashkollorë, psikologët dhe shoferët e taksive, raporton B92, transmeton Telegrafi. Raporti i EURES-it thekson se qëndrimi në Norvegji kërkon lajmërimin për leje qëndrimi për një periudhë prej tre muajsh, në stacionin e policisë lokale në vend, apo pasi shtetasit e huaj gjejnë punën e përshtatshme. i huaji mund të qëndrojë për gjashtë muaj në Norvegji, derisa të punësohet. Studimet tregojnë se kushtet e punës në Norvegji janë ndër më humanet në botë. Punëtorët lidhin kontratën me shkrim që përfshin tre deri gjashtë muaj punë provuese, para se të firmoset kontrata afatgjate. Paga jepet çdo muaj, ndërsa punonjësit do të punojnë 37.5 në javë, ose 7.5 orë në ditë, me një maksimum prej 40 orëve në javë. Punonjësit kanë mesatarisht 25 ditë pushimi të paguar, ndërsa të gjithë ata mbi moshën 30 vjeçare kanë 30 ditë.

 

Comments are closed.