Transferimi Zyrtare, Valmir Berisha drejt një aventure të re, nënshkruan me Romën

0
139

Talenti ka nënshkruar një kontratë me romanët

Për shifrën prej 500 mijë euro lojtari është transferuar

 

valmirDuket se tashmë është zyrtare dhe nuk ka më një përgënjeshtrim. Tani pritet që të ketë një të ardhme të ndritur në horizont për talentin Berisha. Sulmuesi 17-vjeçar i Halmshtadit, i cili u shpall golashënuesi më i mirë i Kupës së Botës U17, zbarkon që në janar në kryeqytetin italian, pasi ekipi roman bëri një ofertë për të riun. Emri i lojtarit me origjinë shqiptare është lakuar shumë në mediet sportive dhe ka zbuluar disa nga emrat e skuadrave të mëdha evropiane që kërkojnë shërbimet e tij, por ai s’e kishte marrë vendimin për karrierën e tij. i konsideruar “Ibrahimoviçi i Ri”, Valmir Berisha tha për disa kohë më parë për mediet suedeze që është në dijeni të interesimit të Romës por mund t’i thotë “po” ofertës së verdhekuqve vetëm për një kontratë të mirë financiare. Në Serinë A janë të shumta ekipet që e duan talentin e Suedisë. Ka qenë skuadra e Garsias ajo që ka bindur futbollistin që bën kapërcimin e madh në karrierën e tij. Pritet vetëm prezantimi me skuadrën e re, ndërsa mediet italiane kanë zbardhur edhe detajet e transferimit të Valmir Berishës. Roma ka paguar 500 mijë euro kartonin e lojtarit që vjen në Serinë A nga skuadra suedeze e Halmshtadit. Ndërkohë, Berisha ka firmosur për një periudhe katërvjeçare me klubin verdhekuq të kryeqytetit italian. Sulmuesi do të jetë menjëherë në dispozicion të trajnerit, ndërsa në kryeqytetin italian do të ketë kundërshtarë futbollistë bashkëkombas si Cana, Strakosha dhe Etrit Berisha, që luajnë te kundërshtari i ekipit të tij më të ri. Lojtari pritet që fillimisht të stërvitet dhe më pas të ketë një shans që të luajë me ekipin e parë. Problem është mosha e tij e re, që nuk i jep mundësinë të paraqitet si zgjedhja e parë për skuadrën e Garsias.

 

 

 

Etrit Berisha rrezikon skualifikimin

E çuditshme, por e vërtetë. Duket se gjithë ato fjalë të mira janë kthyer në një makth tashmë për gardianin kombëtares sonë, Etrit Berisha. Kjo, pasi lojtari rrezikon skualifikimin. Denoncimi i bërë nga drejtuesit e Kievos, për një kontratë të firmosur nga portieri i kombëtares kuqezi, përpara se të largohej nga Kalmari, është ende në zyrat e klubit dhe ndaj i rregullt, pasi edhe federimi në Lega Calcio u bë në përputhje me rregullat. Në fund të gushtit, disa orë përpara mbylljes së merkatos, emri i shqiptarit ishte si emër te transferimet e Kievos, ashtu edhe tek Lacio. E vetmja pikë e cila ka ngatërruar çdo gjë është fakti se ekipi veronez këmbëngul se nga janari 2014, portieri duhet të ishte i verdhebluve, sipas kontratës, ndërsa Lacio shprehet se ai kishte firmosur vetëm një parakontratë dhe se klubi roman pagoi 300 mijë euro për ta siguruar nga ekipi suedez. Fakti është se mes palëve nuk u arrit një gjuhë e përbashkët dhe drejtori sportiv i Kievos, Sartori, doli në deklaratën se do ta ndiqte këtë çështje deri në fund, sepse ndihej “i vjedhur” dhe “i mashtruar” nga lojtari. Kështu, Lacio ka nisur kërkimin e një portieri tjetër. Dje i ka kërkuar Milanit të riun brazilian Gabriel, ndërsa edhe Andujar i Napolit mbetet një objektiv real. Pra, për Etrit Berishën, në momentin e tij më të mirë dhe kur kishte kaluar hijen e Marketit, një sprovë, që shpresojmë të zgjidhet në mënyrën sa më të mirë.

 

 

 

 

Baloteli: Ronaldo, lojtar shembull

Gjatë prezantimit të këpucëve “Puma”, sulmuesi i Milanit dhe Italisë, Mario Baloteli, ka folur për “Topin e Artë 2013” dhe jo vetëm për të. Sulmuesi italian ka thurur elozhe për yllin portugez të Realit të Madridit, Ronaldo. “Kristiano Ronaldo është një futbollist spektakolar dhe nuk ka nevojë të flasësh për cilësitë e tij: të gjithë futbollistët mendojnë se ato që bën ai në fushë janë impresionuese. Unë e admiroj edhe për ambicien dhe dëshirën e tij për të fituar. Ai është një kampion edhe për mënyrën se si stërvitet: punon çdo ditë dhe kështu çmimi është i merituar”, – ka thënë Baloteli. Më tej sulmuesi i kuqezinjve shtoi: “Sigurisht që Ronaldo, Mesi dhe Riberi janë asgjë, nëse nuk kanë një skuadër nga pas, por është e vërtetë që janë ata që i bëjnë skuadrat të shkëlqyera”. Gjithashtu, ai foli edhe për një temë që duket se është dhe ëndrra e lojtarit. “Të fitoj “Topin e Artë”? Të bëhem futbollisti më i mirë në botë është objektivi im. Nëse nuk do të isha i bindur se një ditë do të jetë e mundshme, atëherë do të ishte më mirë të lija futbollin”, – u shpreh milanisti.

 

Tarabt sot kryen vizitat mjekësore te Milani

Lojtari maroken i QPR-së, i huazuar tek Fulham, tashmë do të provojë edhe aventurën italiane. Siç raporton “tuttomercatoweb” sot 24-vjeçari do të fluturojë për në Milano, për të kryer vizitat mjekësore dhe për të hedhur firmën. Për sa u përket detajeve të transferimit, bëhet fjalë për një huazim me të drejtë blerjeje për 7 milionë euro, por ende nuk dihet nëse mbrojtësi Zakardo do të përfshihet në këtë transferim. Vendimtar për këtë largim të Tarabtit nga Anglia duket të jetë vendimi i trajnerit Herri Redknap.

 

 

Mediet spekulojnë, Shumaker vazhdon në koma

Një muaj pas aksidentit tragjik me ski, legjenda e Formulës 1, Mikael Shumaker, vazhdon të jetë në gjendje kome. Menaxherja e tij, Sabine Kehm, përgënjeshtroi lajmet e publikuara së fundmi, fillimisht nga mediet franceze dhe më pas nga të tjerat, se kampioni shtatë herë i Formulës 1 ishte zgjuar nga koma. Ajo tha se raportime të tilla janë spekulime dhe se Shumaker vazhdon të jetë në të njëjtën gjendje, në atë që mjekët e spitalit të Grenoblës në Francë ku është shtruar kampioni i botës e kanë përkufizuar si gjendje “komë të qëndrueshme”. Pavarësisht se Shumi ndodhet në këtë gjendje që prej 29 dhjetorit të vitit të kaluar, mjekët shprehen optimistë. Ata thonë se gjendja shëndetësore e ish-pilotit të Formulës 1 është “më mirë sesa kishin parashikuar”, ndërsa Gerri Hartstejn, ish-mjek i Formulës 1, që ka punuar edhe me Mikaelin, thotë se mundësitë që Shumi të rifitojë shëndetin e plotë, si fizik ashtu dhe mendor të para aksidentit janë thuajse zero.

 

 

Xherard: Synimi, trajner në të ardhmen

Mesfushori legjendar, i cili ka arritur të shënojë 635 paraqitje për “Redsat” deri më tani, ka bërë të ditur se nuk do të largohet nga futbolli edhe pasi të pensionohet si futbollist. 33-vjeçari ka treguar se tashmë ka filluar t’i mësojë gjërat bazë të trajnimit dhe se do t’i ndjekë hapat e domosdoshëm për t’u bërë trajner. “Do të isha i interesuar të bëhem trajner ose ndoshta zëvendës, por mendoj se duhet të pres dhe të shoh nëse jam i mirë sa duhet dhe çfarë ofertash për punë do të marr. Unë kam përvojë të madhe dhe njohuri për futbollin, sepse kam luajtur në nivel të lartë për shumë kohë, por kjo nuk do të thotë se do të jem i mirë edhe si trajner ose zëvendës, duhet të presim dhe të shohim”, – ka deklaruar legjenda angleze.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency