Taksa e sheshtë rriti eksportet me ritëm dyshifror vitin e kaluar

0
119

Ervin Kaduku

 

tekstileTendencat kryesore të eksporteve në 2013-ën, si ndryshuan shitjet jashtë vendit sipas grup-mallrave

 Eksportet e mineraleve lëndëve djegëse dhe energjisë u zgjeruan me 30.5%

 Tekstilet dhe këpucët, zgjerim vjetor eksporti prej 11.7%

 Importet, rënie 3 për qind në shkallë vjetore

 

Pavarësisht nga konsideratat teorike të specialistëve dhe akademikëve të ndryshëm, të ndikuara edhe nga qëndrime politike, taksa e sheshtë dhe në përgjithësi politika fiskale e ndjekur vitet e fundit nga qeveria “Berisha” kanë dhënë rezultate të pamohueshme pozitive në drejtim të tregtisë së jashtme.

Eksportet kanë rezultuar sektori më dinamik gjatë vitit 2013, duke e mbyllur vitin me një rritje dyshifrore, ndryshe nga shumë sektorë të tjerë të ekonomisë, si ekonomia, ndërtimi, apo tregtia, që janë në rënie apo kanë shënuar një zgjerim minimal.
Sipas të dhënave nga INSTAT-i, për gjithë vitin 2013, eksportet shënuan një rritje me bazë vjetore prej 15.6%, duke arritur në 246 miliardë lekë.
Dy janë grup-mallrat kryesore, që udhëhoqën këtë rritje, minerale, lëndë djegëse dhe energji dhe tekstile e këpucë, ndërsa grup-malli i tretë i rëndësishëm, a i materialeve të ndërtimit dhe metaleve shënoi rënie me bazë vjetore. Të dy sektorët e parë kanë ndikuar në gati 100% të rritje, duke treguar për një paqëndrueshmëri të eksporteve tona me pak vlerë të shtuar, me grupin e mineraleve e lëndëve djegëse, që thjesht eksporton burimet tona natyrore dhe tekstilet e këpucët që më së shumti janë rieksporte, pasi kjo industri punon me material porositësi.
Sipas INSTAT-it, eksportet e mineraleve lëndëve djegëse dhe energjisë u zgjeruan me 30.5% për gjithë vitin 2013, duke arritur në gati 100 miliardë lekë. Performanca e mirë e Bankers Petroleum ishte arsyeja kryesore që ndikoi në këtë rritje të këtij grupi. Në fund të 2013, “Mineralet, lëndët djegëse dhe energjia” përbënin 40% të totalit të eksporteve, nga 36% që ishte kjo peshë në fund të 2012-s. Bankers pret sërish që të ketë një vit pozitiv në 2014.
Sektori i tekstileve e këpucëve e rimori veten në 2013, pas një 2012-e të vështirë, si rrjedhojë e rikthimit të interesit të partnerëve italianë e të tjerë evropianë, teksa po largohen nga Kina e Lindja e Mesme, për shkak të rritjes së kostove atje. Në total, eksportet e këtij grup-malli arritën në rreth 70 miliardë lekë në fund të 2013-ës, me një zgjerim vjetor prej 11.7%. Eksportuesit presin që edhe 2014 të jetë e mbarë për ta. Pesha e këtij grupi në totalin e eksporteve ra në 28% në 2013, nga 29% një vit më parë.
Grupi i materialeve të ndërtimit e metaleve e ka shënuar gjysmën e dytë të vitit me rënie. Në total, eksportet e këtij grup-malli ranë me 10% me bazë vjetore në 36 miliardë lekë. Problemet që hasën eksportuesit e tullave në Kosovë në mes të vitit dhe performanca jo e mirë e kompanisë së metaleve Beralb ndikuan në këtë ecuri. Edhe për 2014-ën nuk pritet ndonjë gjallërim. Pesha e këtij grupi në totalin e eksporteve ra në 15% në 2013, nga 19% një vit më parë.
Eksporte e tjera (që zënë së bashku rreth 17% të totalit) shënuan ecuri pozitive në 2013, me zgjerim vjetore 20%, të udhëhequra nga shitjet e mira të “Prodhimeve të drurit dhe letrës” dhe “Ushqimeve, pijeve dhe duhanit”, por gjithsesi ato mbeten të ulëta në raport me eksportet në total.

 

 Importi

Importet në total shënuan një rënie prej 3% me bazë vjetore në vitin 2013, për të arritur në 512 miliardë lekë, duke reflektuar si tkurrjen e konsumit në vend nga individët, ashtu dhe atë të investimeve nga bizneset. Statistikat bëhen të ditura nga INSTAT.

Me importet në rënie dhe eksportet që u zgjeruan me 15.6% në 2013-ën, deficit tregtar shënoi zbritje, duke rënë me 15% në raport me një vit më parë. Në vlerë absolute, deficit tregtar është më i ulëti që nga 2007-ta, ndërsa raporti i mbulimit të importeve me eksporte shënoi një nivel rekord prej 53%, performanca më e mirë që bilanci tregtar ka pasur ndonjëherë në 20 vitet e fundit.

Grup-malli me tkurrje më të madhe ka qenë i mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë, që zbriti me 16% me bazë vjetore, në 92 miliardë lekë, duke u zhvendosur në grup-mallin e tretë më të importuar në 2013-n, nga i pari që ishte në 2013-ën.

Në tkurrje kanë qenë dhe makineritë, pajisjet e pjesët e këmbimit, një tregues i frenimit të investimeve, që zbritën me 3.6% në 94 miliardë lekë.

Grupi i ushqimeve, pijeve dhe duhanit, pas rënies në pjesën e parë të vitit, u rikuperua në muajt e fundit, duke rezultuar në të njëjtat nivele me 2012-ën, në rreth 93 miliardë lekë.

Në tkurrje të lartë kanë rezultuar materialet e ndërtimit dhe metalet, një tjetër tregues i frenimit të investimeve, sidomos në ndërtim. Ky grup ra me 7% në 63 miliardë lekë.

Megjithatë, dhjetori shënoi një kthesë në tendencën rënëse të importeve, të cilat në muajt e fundit të vitit u rritën me 15% me bazë vjetore, ecuria më e mirë e këtij viti, me “Makineritë pajisjet e pjesët e këmbimit”, “Ushqim pije e duhan” dhe “Tekstile e këpucë”, që udhëhoqën këtë zgjerim.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency