Qarkullimi rrugor njeh një shtensionim. Si do të vazhdojë?

0
157

Artan Fuga

 

fuga170E vërteta është se këto ditët e fundit qarkullimi rrugor në Tiranë është më i qetësuar, bërë më i rregullt dhe rrugët e qytetit nuk i ngjajnë një batërdie ku qerret kishin dalë si automatë jashtë kontrollit dhe “hanë” njerëz.

Ende ka semaforë që nuk punojnë, shenja horizontale qarkullimi të fshira, tabela të dëmtuara, por shoferët respektojnë semaforët më me vëmendje dhe policët ndërhyjnë më pak në kundërshtim me shenjat e semaforëve. Polici duhet ta kuptojë se kur më qëndron me bark përpara, kjo do të thotë se unë duhet të qëndroj.

E vërteta e këtij shtensionimi, për aq sa është, duhet thënë sepse përbën diçka pozitive.

Pse ndodh kjo?

As më duhet fare mua si këmbësor i masakruar.

Ka më pak vetura në qarkullim, ka më pak të fortë që guxojnë të na fishkëllejnë gomat në surrat, ka më shumë respekt ndaj këmbësorit dhe semaforëve, parkimet janë më estetike dhe sipas rregullave, ka më pak vetura që na shtyjnë te muret prej qerpiçi për të shpëtuar organet tona biologjike, si këmbë, duar, hundë etj. nga ndonjë prerje e mundshme.

Pse ndodh kjo?

As më duhet.

Qyteti ka më pak makina në qarkullim, aq sa mban me rrugët e tij, jo aq sa mund të blejë, vjedhë, mbajë popullsia makina jashtë mundësive financiare dhe qarkulluese.

A ndodh sepse çmimi i naftës është ngritur?

Mundet. Qytetari i mesëm që dëmtohet, le të bëhet i pakënaqur dhe të mendojë. Qytetari i varfër si i papunë me makinë le të bëhet edhe më i pakënaqur, sepse është i papunë, por të kuptojë se si i papunë nuk mund të mbajë edhe veturë. Ai që kursen për librat e çiliminjve se i bën lekët naftë, të mos u bëjë naftën çiliminjve, por ta lërë naftën dhe të blejë libra.

Vjen nga forca e kontrolleve policore? As më bëhet vonë fare si qytetar i thjeshtë që më dhunojnë, ofendojnë, shtypin, kërcënojnë veturat nëpër rrugica, në trotuare ku parkojnë sipas qejfit duke më thënë: “Ik ore zhduku, idiot, varfanjak, këmbësor budalla, futi në shtëpi dhe mbulo kokën me jorgan!”

A do të ketë mundësi policia ta mbajë këtë rregull? Ta shohim. Po e pati, në rregull, detyrën ka bërë, s’ka bërë ndonjë heroizëm, por faleminderit për mundimin. Nuk e mbajti? Le të pakënaqet qytetari, duke parë atë që përsëritet çdo vit, punë me fushata, por ama, nëse ka më pak makina të fortësh, këta duhet të tregojnë letrat, dhe jo të bëjnë tangërllëk me makina të vjedhura, sikurse edhe deputetë me makina të vjedhura s’mund të ketë.

Ka që drejtojnë makinat pa patentë, të lënë makinat dhe të shkojnë të marrin patentat.

Nuk e parkojnë dot makinën anash rrugës dhe kërkojnë parkingje? Shumë mirë, të pakënaqur le të bëhen, mua si këmbësor as më duhet gjë fare. Le të shkojnë ta parkojnë veturën në shkretëtirën e Saharasë dhe atje të shkojnë ta marrin çdo ditë para se të shkojnë në kafe me veturë.

Nuk kanë kolaudimin? Çfarë më duhet mua! Shumë mirë, le të liberalizohet tregu i kolaudimeve. Poshtë monopolet! Por ama të liberalizohet edhe dhënia e patentave, sepse për të marrë një patentë a leje qarkullimi a ku e di unë duhet të shkosh në dreq andej nga autostrada, duhet të bësh një milion procedura, e ku e di unë… Si të shkosh andej nga autostrada me makinë për leje qarkullimi e copa letrash kur pa leje qarkullimi s’mund të ngasësh dot veturën, se nuk ke leje qarkullimi a letra të tjera? Të bie bretku…

E vërteta duhet thënë, ne këmbësorët ndihemi më të respektuar dhe më pak të kërcënuar nga shtresa “aristokratike” e makinangarësve që na hëngrën!

Rregull dhe drejtësi kërkojmë!

Fushatë?

Le të bëhen pas fushatës edhe më të pakënaqur, nëse është kështu.

Por, e vërteta duhet thënë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency