Partizani rinis kampionatin më fort se kurrë, Memelli mungesa e vetme

0
155

 Ekipi i kuq ka bërë edhe prezantimin e katër lojtarëve ditën e djeshme

 Ekipi do të përballet në ndeshjen e parë të Superligës me Kukësin, ku pritet një ndeshje emocionuese

 

partizani blerjet e reja Skuadra e Partizanit ka qenë edhe një ndër ekipet më aktive gjatë kësaj merkatoje dimërore. Duke parë edhe konkurrencën nga ekipet e tjera, skuadra kryeqytetase ka bërë disa përforcime në reparte të ndryshme që do të forcojnë skuadrën. Ekipi bëri edhe prezantimin e blerjeve të reja: Pliska, Saçer, Dunkovic, Antanasjeviç ishin emrat që u fotografuan me bluzën e të kuqve. Emra këta që priten ta çojnë skuadrën në një nivel tjetër dhe ta çojnë në vendin e parë të kreut. Dragan Antanasijeviç, Antun Dunkoviç dhe Mario Saçer u testuan nga stafi teknik gjatë përgatitjeve që zhvilloi ekipi në Antalia dhe, duke nisur nga dje, janë zyrtarisht pjesë e Partizanit. Ata kanë nënshkruar në ambientet e klubit kontrata njëvjeçare me opsion rinovimi edhe në vitin pasardhës. Në ditët e shkuara pati mëdyshje për ndonjërin, pikërisht për sulmuesin Saçer, pasi dihej që klubi është i mbipopulluar nga të huajt dhe sulmi ka shumë alternativa. Pas përfundimit të seancës së djeshme, Dunkoviç, Saçer dhe Antanasijeviç u paraqitën në zyrat e klubit dhe me firmosjen e kontratave kanë plotësuar ciklin e afrimeve. Por të kuqtë, edhe pse deri tani kanë afruar tetë futbollistë, bëhet me dije se mbeten në merkato deri në limitet e lejuara. Prandaj, nëse u jepet mundësia, mund të përforcohen edhe me ndonjë lojtar tjetër cilësor. Dragan Antanasijeviç ishte lojtari i fundit që mbërriti te Partizani në kohën kur skuadra përgatitej në Turqi. Megjithatë, mesfushori serb ishte ndër të parët nga lojtarët e huaj që e kaloi testin. 26-vjeçari pritet të jetë titullar, por kjo varet edhe nga numri i të huajve që lejohen në fushë. Antanasijeviç luan si mesfushor shkatërrues dhe në miqësore ka treguar nivel të kënaqshëm, gjë të cilën pritet ta shfaqë edhe në kampionat. Nga të huajt që ka afruar Partizani në janar, Antun Dunkoviç është futbollisti më me eksperiencë, ndërsa në miqësoren e fundit me Dinamon shtatëshkurti kroat tregoi se plotëson boshllëkun që kishte ekipi në organizimin e lojës. Mesfushori me tipare sulmuese, Antun Dunkoviç, pritet të jetë fantazisti i të kuqve dhe stafi ka shumë besim te përvoja dhe cilësitë e 32-vjeçarit kroat. Mario Saçer ka qenë i fundit që u mbajt nga drejtuesit e Partizanit dhe dje sulmuesi kroat, që është edhe më i riu në moshë nga të huajt, ka firmosur kontratën njëvjeçare me kryeqytetasit. Saçer është një nga alternativat që ka afruar Partizani për sulmin dhe, me shumë gjasa, 23-vjeçari do të jetë titullar ndaj Kukësit, për vetë problemet që po kalojnë disa nga sulmuesit e afruar në janar. Tre futbollistët që kanë firmosur dje kontratat mendohen se do të jenë të vlefshëm për ekipin në pjesën e dytë të sezonit. Të huajt, që kanë mbërritur te Partizani në merkaton e janarit, nuk mund të luajnë të gjithë njëkohësisht, pasi rregullorja e aktivitetit lejon vetëm katër “jabanxhinj” në fushë. Pa dyshim që kjo rregullore shërben si pengesë për stafin teknik, por ajo vlen për të gjitha skuadrat. Pjesën e dytë të kampionatit, Partizani e nis me dy ndeshje të forta dhe shumë të rëndësishme, Kukësin dhe pastaj derbin me Tiranën. Kësisoj, për të qenë më të sigurt kërkohet një grup i konsoliduar për të përballuar me sukses këto sfida të radhës. E marta nuk ka sjellë lajme të mira në kampin e kuq, pasi sulmuesi Migen Memelli është përgatitur i diferencuar nga grupi. Mësohet se në seancën e së hënës Memelli ka pësuar një tërheqje, lëndim i cili me shumë gjasa mund ta pengojë të jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës me Kukësin. Sipas njoftimit të bërë dje nga zyra e shtypit, bëhet me dije se lojtari ka probleme, ndaj po përgatitet me program ndryshe nga grupi, por nuk përmendet si mungesë e sigurt. Përpos njoftimit të bërë nga klubi, burime të ndryshme bëjnë me dije se dëmtimi që ka pësuar lojtari mund ta mbajë Memellin jashtë sfidës me Kukësin. Gjithsesi, shpresohet në një rikuperim të sulmuesit, ndonëse dëmtimi duket problematik. Nëse Migen Memelli nuk ia del, pa dyshim mosprania e tij në fushë do të ishte një mungesë e madhe. Dëmtimi i Memellit ia bën më të vështirë punën trajnerit Lika, i cili tani në vend të tij duhet të aktivizojë një sulmues të huaj. Mirëpo një lëvizje e tillë, detyrimisht sjell sakrifikimin e një mesfushori “jabanxhi”. Mesfusha dhe sulmi janë reparte të mbipopulluara nga të huajt, kështu që me dëmtimin e Memellit stafi teknik duhet të bëjë llogari të tjera. Në miqësoren e fundit me Dinamon, stafi shpalosi pak a shumë formacionin e mundshëm për ndeshjen e fundjavës me Kukësin. Edhe pse arritën të fitonin thellë ndaj një skuadre që ka humbur shkëlqimin, përsëri skuadra shfaqi një forcë që do të frikësoj ekipet e tjera.

 

 

Legjionarët

Curri zyrtarizon me Sevastopolin, Vangjeli rinovon kontratën

Debatik Curri ka firmosur për ekipin ukrainas Sevastopol, një lajm që ishte bërë i ditur prej kohësh, por që vetëm dje është bërë zyrtarizimi. Mbrojtësi kosovar kështu ka arritur që të sigurojë nj kontratë që mund ta bëjë atë në formë. De Biazi kohë më parë shfaqi frikë për sa i përket lojtarit, pasi nuk ka qenë në formë të mirë dhe pas dëmtimit të pësuar nuk ka të njëjtin ritëm. Mirëpo pritet që qendra kuqezi të rikthehet në formën e tij dhe të jetë i gatshëm për skuadrën.

 

Kristi Vangjeli firmos me Selanikun

Kristi Vangjeli ka firmosur një kontratë gjashtë mujore me Aris Selanik. Lajmërimi është bërë i ditur nga klubi verdhezi, ndërsa mbrojtësi kuqezi është shprehur i kënaqur për aventurën e re: “Për mua është një rikthim në qytetin ku edhe kam jetuar më parë dhe ku ndihem si në shtëpi”. Mbrojtësi 29-vjeçar mbyll kështu aventurën në Ukrainë, me Odesën. Gjithçka është bërë e ditur me një deklaratë zyrtare të klubit, ndërsa Vangjeli kthehet aty ku ka luajtur disa sezone me një numër prej 106 ndeshje.

 

 

Fushaj, kandidat i mundshëm i FSHF

Duket se edhe beteja për FSHF-në do të ketë një emër të denjë. Kjo, pasi shumë kohë po spekulohej se nuk kishte një emër që të kandidonte me Dukën. Mirëpo sipas lajmeve të fundit pritet që të ketë edhe një kandidaturë tjetër për këtë post. Pjerin Fushaj pritet të shpallë kandidaturën e tij për kreun e FSHF-së. Mësohet se anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës do të takohet sot me presidentin aktual Armand Duka dhe, vetëm pas konsultimit edhe me këtë të fundit, do të marrë vendimin për kandidim ose jo. Kështu, do të mund të shikojmë edhe një herë nëse Duka do të vazhdojë të qëndrojë në krye të futbollit apo do të ketë një emër të ri.

 

 

Presidenti Nishani dorëzon flamurin për Lojërat Olimpike Dimërore 2014

Presidenti Nishani u dorëzoi dje flamurin dy sportistëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore “Soçi 2014”. Përparja nisjes drejt Rusisë, skiatorët Erjon Tola dhe Suela Mëhilli janë pritur në një ceremoni të veçantë nga President i Republikës, Bujar Nishani, i cili i ka dorëzuar flamurin kombëtar. Erjon Tola do të mbajë flamurin në parakalimin e delegacionit shqiptar në ceremoninë e hapjes së Lojërave Dimërore. Për skiatorin kjo është hera e tretë që merr pjesë në një kompeticion të tillë pas Torino 2006 dhe Vankuver 2010, ndërsa Suela Mëhilli garon për herë të parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency