Standard.al

Instituti i Sigurimeve Shoqërore Publikohet lista, emrat e ish-ushtarakëve që u është lidhur pensioni

pensionet1349361683Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka publikuar listat me emrat e ish-ushtarakëve të cilëve u është llogaritur ose rillogaritur pensioni, qoftë ky pension i thjeshtë pleqërie apo pension suplementar. “Standard” boton sot emrat e përfituesve, të cilët tashmë kanë marrë pensionin e tyre pranë instancave të sigurimeve shoqërore. Sipas procedurave të ISSH-së, me zgjidhjen e ngërçit ligjor të ish-ushtarakëve, pasi hapet dosja dhe aplikohet në zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, inspektorati përkatës llogarit pensionin brenda dy ditëve për të gjithë ata që u lind e drejta pas 27 qershorit 2009 si dhe për pensionet suplementare të ushtarakëve të liruar para kohe. Pas mbylljes së kësaj procedure e gjithë puna kalon në zyrat e sigurimeve shoqërore, të cilat do të vazhdojnë procedurat në komunikim me aplikuesin. Procedura e përcaktuar në udhëzimin e plotë të ISSH-së kërkon që inspektorët duhet të përgatisin listat e plota të përfituesve si dhe një indeks elektronik të dosjeve. Më tej, dy ditë pas marrjes së konfirmimit nga ministritë përkatëse për dokumentacionin e aplikantëve kur e gjen në përputhje me dosjen, bën llogaritjen e menjëhershme të pensionit.

Per te lexuar listat e plota lexoni gazeten e sotme Standard ne versionin print ose pdf.

 

Kërkesa

Kalaja: Ulni moshën e pensionit, kushte më të mira në miniera

 Ulja e moshës së pensionit për minatorët, përmirësimi i kushteve në ambientet e nëntokës ku ata punojnë, futja e teknologjive bashkëkohore janë disa nga kërkesat e minatorëve të mbështetur nga sindikalistët, të cilat do t’i përcillen Kryeministrit Rama, por edhe strukturave të tjera përgjegjëse për të gjetur një zgjidhje brenda mandatit të kësaj qeverie. “Për uljen e moshës së pensionit ne kërkojmë për kushtet e vështira që punojnë punonjësit e nëntokës, të cilët janë nën prezencën e të gjitha gazeve helmuese dhe një nga më të rrezikshmit janë gazi metan i cili në momentin e parë të shpërthimit është i barabartë me të bombës atomike. Do të kërkojmë që rritjet koncesionare të jenë në raport me investimet, teknologji e cila përmirëson ndjeshëm çështjet e sigurimit teknik. Të kontrollohen minierat e braktisura dhe ato që janë në konservim, të merren masa për bllokimet e tyre që të mos rrezikohet jeta e njerëzve. Të pajiset reparti i shpëtimit me aparaturat e inspektim-shpëtimit dhe mjete lëvizëse bashkëkohore”, – tha Gëzim Kalaja, kryetar i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Deri tani nga aksidentet që kanë ndodhur në minierat e vendit, kanë humbur jetën mbi 457 persona. Në mesin e muajit shkurt, të gjitha këto kërkesa do të diskutohen me të gjitha grupet e interesit, duke përfshirë edhe kompanitë e huaja që kanë punësuar me qindra minatorë në mbarë vendin.

 

 

Tiranë

Dita nis pa transportin urban

Nga ora 5 e mëngjesit e ditës së sotme deri në orën 9, gjashtë linjat e transportit urban në Tiranë nuk do t’u shërbejnë qytetarëve. “Nesër (sot) shërbimi urban nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 9 nuk do të funksionojë. Transporti urban është një kaos nga moszbatimi i ligjit në fuqi, pasi qindra mjete e furgonë qarkullojnë pa licenca ose false në kundërshtim me ligjin. Nëse brenda 15 ditëve nuk ndryshon qëndrimi i ministrit ndaj kërkesave tona të dërguara disa herë shkresërisht, atëherë javën e ardhshme greva do të përfshijë shërbimin urban, interurban dhe taksi”, – tha Zija Hasani. Në fund të muajit dhjetor, punonjësit e transportit urban zhvilluan një grevë disaorëshe. Një javë më pas, ata ranë në marrëveshje me shoqëritë e transportit urban, që deri në datën 28 dhjetor të 2013 të paguheshin 50% e pagave të prapambetura dhe në fund të janarit detyrimet e mbetura. Përballë kësaj situate, ku shoqëritë private nuk kanë mundësi për të shlyer detyrimet e punonjësve, ata kanë deklaruar se do të rrisin çmimin e biletës, dhe kjo do të jetë në kurriz të qytetarëve. Por një zgjidhje ka, sipas tyre, vetëm nëse qeveria u plotëson kërkesat për heqjen e akcizës së naftës, uljen e TVSH-së, si dhe subvencionimin e kategorive që përfitojnë udhëtim falas, atëherë shoqëritë do të kenë mundësi të shlyejnë borxhet dhe të mos rrisin biletën.

Comments are closed.