Standard.al

Favorizimi Matura 2014, kush ka mesataren e lartë, më shumë mundësi për në universitet

Pesë provimet e maturës do të zhvillohen në data të ndryshme

 Përfundon përgatitja e programeve orientuese

 

maturanteProvimet e Maturës Shtetërore do të pësojnë një sërë ndryshimesh gjatë këtij viti. Përveç ndryshimit të strukturës, Ministria e Arsimit dhe Sportit do t’i japë më shumë rëndësi mesatares. Ndryshe nga vitet e tjera, kur mesatarja ka pasur të njëjtën peshë si nota e provimeve, këtë vit do të ketë më shumë rëndësi. Sipas burimeve pranë MAS, është rënë dakord që mesatarja të ketë 10% më shumë vlerë. Kjo do të thotë që maturantët të cilët kanë mesatare të lartë, do të kenë më shumë mundësi për të fituar degët më të mirë të universiteteve. Sipas MAS, edhe komponentët e tjerë do të jenë të rëndësishëm, por është rënë dakord që një maturant, i cili mëson gjatë tri viteve, puna e tij të vlerësohet më shumë se nota e një provimi të vetëm. Një tjetër ndryshim që ka planifikuar Ministria e Arsimit ka të bëjë me datat e provimeve. Tri provimet e detyruara (Matematika, Gjuhë-Letërsia dhe gjuha e huaj) do të zhvillohen në data të ndryshme, por provimet me zgjedhje nuk do të zhvillohen më në të njëjtën datë. Kjo lëvizje do të bëhet për të mos ngarkuar maturantët gjatë përgatitjeve të tyre.

 

Programet orientuese

Programet orientuese për të gjitha lëndët duhet të ishin publikuar tashmë për maturantët, por burime pranë MAS thanë dje se specialistët i kanë përfunduar programet dhe pritet vetëm dorëzimi i tyre te maturantët. Këtë vit maturantët i presin me interes programet orientuese, pasi në bazë të atyre programeve do të përgatiten dhe për provimet e detyruara dhe me zgjedhje.

 

Udhëzimi

Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit përcakton se maturantët duhet të zgjedhin 2 lëndë me zgjedhje, por duhet të kenë parasysh se shumë e krediteve nuk mund të jetë më e vogël se 8. “Maturanti ka të drejtë të zgjedhë një gjuhë të huaj, e cila në planin mësimor të shkollës së mesme të trajtohet “gjuhë e huaj e parë”, pavarësisht nëse është zhvilluar apo jo. Niveli gjuhësor i këtij testi do të jetë B2. Lista e gjuhëve të huaja do të përcaktohet në formularin A1Z”, – përcakton udhëzimi për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2014. Kandidatët të cilët do të zgjedhin një lëndë të thelluar, nuk mund të zgjedhë të njëjtën lëndë bërthamë, përjashtuar lëndët e provimeve të detyruara. Në rastet kur nota e lëndëve me zgjedhje do të jetë jo më e vogël se 4.5, lënda do të quhet e kaluar. Maturantët e vitit të kaluar nëse nuk i kanë dhënë provimet me zgjedhje do të kenë mundësi ti japin gjatë këtij viti. Kandidatët që janë kalues vetëm në njërin nga provimet me zgjedhje, e mbartin atë dhe japin një provim tjetër. Ata kandidatët që kanë dhënë tri provime me zgjedhje gjatë maturës 2012 dhe kanë mbetur në 2 provime do të zgjedhin një tjetër lëndë për t’u testuar, në rastet kur rezultojnë kalues në 2 provime do të pajisen direkt me diplomën e maturës. Për kandidatët para vitit 2006 do t’u njihen vetëm dy provimet e detyruara pavarësisht nga emërtimi që kanë.

 

Nikolla: Dhuna në shkolla, alarmante, mësuesit të mbledhin informacion

Dhuna në shkolla vazhdon të jetë në shifra alarmante. Masat e ndërmarra nga Ministria e Arsimit, si vendosja e kamerave apo policëve në shkolla, nuk kanë dhënë efektin e tyre. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka vendosur që të shtojë masat për t’i parandaluar aktet e dhunës, nëpërmjet një bashkëpunimi jo vetëm me Ministrinë e Brendshme, por edhe me mësuesit e në veçanti me prindërit. Një strategji e posaçme do të fillojë të zbatohet në shkolla. “Është drithëruese ajo që po ndodh në shkollat shqiptare dhe këto janë masat. Ato janë adresimi i plotë dhe drejtimi i gishtit tek vetja. Zhvillimi i përgjegjësive të reja për të ndërtuar një komunikim të ri brenda shkollës. Dënimi i aktit të dhunës kur vijnë nga mësuesit dhe parja në sy e problemeve dhe thënia e të vërtetave. Marrja e përgjegjësive, ndërtimi i këtij partneriteti të ri”, – tha Lindita Nikolla. Gjithashtu, Nikolla u ka kërkuar mësuesve të mbledhin më shumë informacion nga nxënësit, për sa i përket situatave të dhunës apo shqetësimeve që ata kanë. Këto deklarata ministrja e Arsimit i bëri gjatë një konference, ku u prezantuan shifrat e gjashtëmujorit të dytë të konfliktualitetit në shkolla.

 

 

Comments are closed.