Masa e arrestit në Gjykatë vetëm për armëmbajtje Shpërthen Ilir Kupa: Në Shqipëri nuk kam kryer asnjë vepër penale, jo më grabitje

0
150

Sonja Caka

I pyetur për ekstradimin, reagimi: Më mirë paravrasje nga drejtësia shqiptare sesa pas shpine i vrarë si shokët e mi nga policia greke

 

 

ilir kupa ne gjyqShpërthen në sallë të gjyqit Ilir Kupa, kërkon komunikim me gazetarët për t’u shprehur lidhur me akuzat që kanë ngritur ndaj tij dhe për më tepër rreth vrasjes së shokëve të tij nga policia greke. “Kërkoj më mirë paravrasje nga drejtësia shqiptare që të jenë të kënaqur dhe shokët e mi që janë vrarë mbrapa kurrizit, që janë masakruar nga 300 plumba në trup secili. Në Greqi nuk do shkoj, vetëm i vdekur”, – deklaroi ai, ndërsa kapte me dy duart hekurat e kafazit të artë, pasi efektivët e policisë nuk e lejonin të vazhdonte të fliste. Por, edhe pse u urdhëruan të dilnin jashtë pasi masa do të vijonte me dyer të mbyllura, gazetarët e nxorën merakun e tyre, duke shfrytëzuar reagimin e Kupës. A është Ilir Kupa nga një katër babagjyshat që vodhën argjendarinë në TEG dhe për të cilën policia e kryeqytetit dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaruan se dyshohet? “Nuk kam marrë pjesë në grabitje. Janë gjëra që nuk duhet të diskutohen fare dhe t`i vijë turp shtetit shqiptar që më akuzon për këto gjëra. Nuk kam asnjë lidhje me Shqipërinë, s`kam asnjë vepër penale në Shqipëri përveç “Armëmbajtje pa leje”. Armëmbajtje pa leje e kam për Interpolin grek”, – u shpreh Kupa. Kaq mundi të fliste me median i arratisuri nga burgu i Trikallasë me 10 persona të tjerë, ndërsa po të lejohej, do të kishte vazhduar të fliste edhe më shumë. Seanca e masës vijoi me dyer të mbyllura dhe prokurori dhe avokatët thanë fjalën e tyre lidhur me akuzën e vetme për të cilën akuzohet 27-vjeçari nga Fushë-Kruja, atë të “Armëmbajtjes pa leje”, vepër penale që ai e ka pranuar dhe për të cilën me ndryshimet në Kodin Penal rrezikon nga 7 deri në 15 vite burg.

 

Akuza

 Para gjyqtares Kaçe Agolli, prokurori i çështjes, Granit Shahu, renditi dinamikën e ngjarjes dhe akuzën e vetme për të cilën ka ardhur para Gykatës Ilir Kupa, atë të “Armëmbajtjes pa leje”. “Në orën 10:00, të datës 25.1.2014, Policia Gjyqësore pranë komisariatit të policisë nr. 6 Tiranë, ka kryer arrestimin në flagrancë të shtetasit Ilir (Albert) Kupa, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” parashikuar nga neni 278/4 i Kodit Penal. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, bazuar në materialin kallëzues të ardhur nga komisariati i policisë nr. 6 Tiranë, më datë 25.1.2014 rreth orës 01:00, në vendin e quajtur rruga dytësore në fshatin Domje, nga shërbimet e policisë së komisariatit numër 6 Tiranë në bashkëpunim me FNSH në zbatim të planit të masave të përbashkët për kontrollin e territorit ku konsiston në ndalimin dhe kontrollin e mjeteve, si edhe ne krehje të territorit për parandalimin e veprave të ndryshme penale, në momentin e lëvizjes në këtë rrugë dytësore forcat e policisë kanë konstatuar një automjet i cili po vinte me shpejtësi të madhe në drejtim të tyre. Në këtë moment shërbimet e policisë i kanë bërë shenjë kësaj makine që të ndalonte ku pasi u afrua u vu re që ishte një automjet i tipit “Alfa Romeo”, me targa të huaja. Ky mjet nuk ka ndaluar por ka shtuar shpejtësinë dhe në këtë moment shërbimet e policisë i janë vënë në ndjekje. Në një kthesë ky mjet ka dalë nga rruga dhe forcat e policisë janë vënë në ndjekje në këmbë për të bërë të mundur gjetjen e personave që ishin në këtë mjet. Në një distancë rreth 50-70 m, në një terren rural dhe godina të braktisura është parë një person i cili është munduar të largohet me vrap nga forcat e policisë. Nga ana e punonjësve të policisë këtij personi i është bërë thirrje që të ndalonte, por personi në ndjekje ka nxjerrë nga brezi një armë duke e mbushur atë. Këtu forcat e policisë kanë thërritur përsëri në drejtim të personit për të ndaluar veprimet dhe ai është bindur. Më pas është bërë e mundur që personi të prangoset dhe t’i bëhet një kontroll atij ku në një çantë që e mbante me vete i është gjetur dhe një armë tjetër brezi pistoletë me dy krehra, si dhe disa fishekë luftarakë dhe një palë doreza të zeza. I pyetur për gjeneralitetet e tij personi është përgjigjur se quhet Ilir Kupa dhe se është person që kërkohej nga shteti grek për vepra penale të kryera atje. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pistoletë “Beretta” ku në krehrin e kësaj arme ndodheshin 11 copë fishekë; një pistoletë “Glock 17c Austria”, 9×19 mm me nr. CPG273, dy krehra me fishekë. Është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Albert Kupa, i cili rezulton se në datë 13-09-2011 ka ndërruar emrin nga Albert Kupa në Ilir Kupa, me vendim të Bashkisë Fushë-Krujë. Arrestimi në flagrancë i shtetasit Ilir Kupa është tërësisht i mbështetur pasi ka kryer veprën penale të parashikuar nga neni 278/4 i Kodit Penal, e cila dënohet 15 vjet në maksimumi”, – përfundoi prokurori akuzën e tij. Gjatë paraqitjes së akuzës rrëzohen deklarimet e policisë ditën e ngjarjes se mes Kupës dhe policisë ka pasur shkëmbim zjarri dhe se policia ka konstatuar se 2 personat që ndodheshin me të në makinë janë larguar. Në akuzë nuk thuhet se policia ka konstatuar se kanë qenë 3 persona në makinë.

 

Reagimi i avokatit

 Pas përfundimit të seancës së masës së sigurisë, ku gjyqtarja Kaçe Agolli vendosi të linte në burg me masën “Burg pa afat” personin nën hetim Ilir Kupa, i shumënjohur për shkak të arratisë spektakolare nga burgu i Trikallasë me Marian Kolën dhe 10 të tjerë, reagoi edhe avokati i tij, Lazër Sokoli. Avokati sqaroi se ende nuk ka një kërkesë ekstradimi nga pala greke, pasi mes dy shteteve nuk ka një marrëveshje për ekstradimet. “Ai nuk ka kryer asnjë krim në shtetin shqiptar. Nuk është person i rrezikshëm në shtetin shqiptar. Këto armë ai i ka mbajtur vetëm për t’u ruajtur dhe për të mbrojtur veten e vet përballë forcave speciale greke. Nuk ka kërkesë për ekstradim, do bëjmë të gjitha përpjekjet që të hetohet dhe të gjykohet në vendin e vet”, – u shpreh jashtë mjediseve të Gjykatës avokati Lazër Sokoli.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency