Komisioni i Ligjeve PS rrëzon dekretet e Presidentit, Braho dhe Frroku abstenojnë

0
114

Florenc Drizari

 

Subashi: Nevoja e përzgjedhjes së subjekteve me formim të posaçëm në fushën e gjykimit administrativ duhet të ishte dominuese

 

Edi Paloka: Është politik, sepse ju nuk keni ndërmend të miratoni asnjë nga kandidatët që do të çojë Presidenti

 

 

 kom_ligje28.01.2014Komisioni i Ligjeve rrëzoi dje dy kandidaturat e Presidentit të Republikës për anëtar të Gjykatës së Lartë. Deputetët e mazhorancës theksuan se kandidaturat nuk kanë përvojën e nevojshme në fushën e të drejtës administrative dhe se vendimi i tyre nuk është një qëndrim kundër kreut të shtetit. Nga ana e opozitës qëndrimi i shumicës parlamentare është një qasje politike që po mbahet së fundmi ndaj Presidentit Nishani, dukë vënë theksin tek sulmet ndaj institucioneve të pavarura.

Kryetari i Gjykatës së Apelit të Durrësit, Petrit Çeno, dhe kryetari i Apelit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Gjovalin Pernocaj, edhe pse kanë mbi 20 vjet karrierë në sistemin gjyqësor, sipas deputetëve të mazhorancës, nuk kanë përvojën e duhur që kërkohet për në krye të piramidës së gjyqësorit shqiptar. Pas leximit të një relacioni të gjatë shpjegues nga deputeti i Partisë Socialiste, Armando Subashi, deputetët votuan për dy dekretet e Nishanit. Të majtët votuan kundër dekretit të kreut të shtetit, ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës mbështetën kandidaturat. Ajo që ra në sy ishte qëndrimi i deputetit të LSI-së, Spartak Braho, i cili mbështeti dy kandidaturat. Gjatë votimit, deputeti Braho dhe Frroku abstenuan.

“Duke marrë shkas nga kjo njohje nuk mendoj që këtyre u mungon përvoja e veçantë për të punuar dhe për të qenë anëtarë të Gjykatës së Lartë”, – tha Braho.

Më herët, deputeti Subashi theksoi se dy vendet në Gjykaten e Lartë lidhen me krijimin e Gjykatës Administrative, duke mbrojtur tezën se Presidenti kishte detyrimin ligjor të përzgjidhte kandidatë me përvojë në këtë fushë.

“Fakti që dekretimi i anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë u krye në 23 nëntor, pra tri javë më pas në kohë, nga krijimi i Kolegjit Administrativ do të duhet të ishte një shtysë më tepër që Presidenti i Republikës të konstatonte se përpos detyrimit ligjor dhe situatës konkrete të përbërjes së Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, nevoja e përzgjedhjes së subjekteve me formim të posaçëm në fushën e gjykimit të mosmarrëveshjeve administrative duhet të ishte dominues”, – tha Subashi.

Por, sipas opozitës, Presidenti ka përmbushur çdo kriter ligjor dhe kushtetues në dekretet e tij. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, e quajti qëndrimin e mazhorancës një qasje politike që kërkon shmangien e kompetencave të Presidentit.

“Është politik, sepse ju e bëni të qartë edhe në fund të relacionit, që nuk keni ndërmend të miratoni asnjë nga kandidatët që do të çojë Presidenti. Nuk do ta bëni sepse doni aty të çoni gjyqtarë që kontrollohen nga ju. Kërkoni tekstualisht që Presidenti të mos ketë më kompetencë të propozojë kandidatët”, – tha deputeti demokrat Edi Paloka.

Dy ditë më parë, kryetari i Gjykatës së Apelit të Durrësit, Petrit Çeno, dhe kryetari i Apelit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Gjovalin Pernocaj, raportuan para Komisionit për platformat e tyre nëse zgjidheshin në krye të piramidës së gjyqësorit shqiptar. Mbledhja e së hënës u shty për shkak të axhendës së ngjeshur të deputetëve, ndërkohë që gjatë votimit që u bë ndaj tyre në komision, shumica parlamentare refuzoi të jepte aprovimin, çka i mbetet sallës së Kuvendit për të vendosur. Këtë të enjte pritet se cili do të jetë qëndrimi i LSI-së përballë dy kandidaturave.

 

 

Analiza 1-vjeçare e KLSH-së

Nishani: Bashkëpunim institucional me Parlamentin dhe Prokurorinë

 Analiza vjetore e Kontrollit të Lartë të Shtetit mblodhi në një takim kreun e këtij institucioni, Bujar Leskaj, Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, përfaqësues ndërkombëtarë si ai i OSBE-së dhe BE-së në vendin tonë. Në fjalën e tij Presidenti Bujar Nishani kërkoi bashkëpunim mes Kontrollit të Lartë të Shtetit, institucioneve të tjera si Prokuroria dhe Parlamenti në kuadër të zbatimit të plotë të ligjit.Ndërsa ka folur në analizën e KLSH-së, Nishani u kërkoi audituesve të punojnë me kurajë, duke thelluar më tej kontrollin ndaj institucioneve. “Bashkëpunimi është i rëndësishëm mes institucioneve, vetë subjektet e audituara dhe Kuvendit të Shqipërisë për ta bërë mekanizmin më perfekt. Sa më shumë të bashkëpunoni me Prokurorinë për ta bërë mekanizmin funksional në mënyrë që të ecet sa më shpejt drejt zbatimit të ligjit dhe ndëshkueshmërisë. Sa më shumë të bashkëpunoni me Kuvendin aq më shumë do të përforcohet mekanizmi. Do të desha ta shoh karakterin e punës së një audituesi të dominuar nga kurioziteti dhe kuraja. Duhet auditim sa më i thellë që të jetë i mundur për një çështje. Gjetje të reja dhe vendosjes përballë elaburimit të hapësirës ligjore. Duke prevaluar kuriozitet ligjor jam i bindur se mund të shkohet më tej tek problematikat që hasen”, – tha Nishani.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency